Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, presidenti amerikan tha se Ukraina nuk kishte nënshkruar ende një marrëveshje për mineralet e rralla të tokës me SHBA-në dhe ai shpresonte që ajo të nënshkruhet menjëherë.
“Ukraina, e kryesuar nga Volodymyr Zelenskyy, nuk ka nënshkruar dokumentet përfundimtare për marrëveshjen shumë të rëndësishme për Mineralet e Rralla me Shtetet e Bashkuara”, tha ai.
“Është të paktën tri javë me vonesë. Shpresojmë se do të nënshkruhet MENJËHERË”.
Ai shtoi se: “Puna për marrëveshjen e përgjithshme të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës po shkon pa probleme”.
Reagimi i Trump vjen pak kohë pasi i dërguari i tij, Steve Witkoff u takua me Vladimir Putin në Moskë, ku Kremlini tha se bisedimet i kanë afruar Rusinë dhe SHBA-në “më afër” për “një numër çështjesh ndërkombëtare”.
Të dy palët diskutuan “mundësinë e rifillimit të negociatave të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës”, tha Yuri Ushakov.
Bisedimet në Moskë zgjatën tri orë dhe ishin “konstruktive dhe të dobishme”, shtoi ai.
Rusia dhe Ukraina nuk kanë zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta që nga javët e para të luftës, e cila filloi në shkurt 2022.