Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begatë ka dekretuar datën 11 maj 2025 për zhvillimin e zgjedhjeve të reja parlamentare në vend.
Begaj zgjodhi 11 majin mes katër datave që ai kishte në dispozicion mes prillit dhe majit, duke preferuar afatin e fundit ligjor për zhvillimin e tyre. Kjo ishte dhe data e kërkuar nga qeveria.
“Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur edhe nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i suksesshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e presidencës.
11 maji u kundërshtuar nga disa parti të vogla opozitare. Ato kërkuan 4 majin si datën më të përshtatshme pasi më 9 maj pritet të zhvillohet në Tiranë Komiteti Politik Evropian me pjesëmarrjen e liderëve të Europës, e për pasojë qeveria do të fitojë pikë politike.
Por presidenti tha se ka marrë garanci nga autoritetet kompetente që samiti të zhvillohet pas zgjedhjeve.
“Partia Demokratike dhe një pjesë e konsiderueshme e partive parlamentare i paraqitën Presidentit të Republikës shqetësimin, se planifikimi i samitit të 6-të të Komitetit Politik Evropian (EPC) për datat 8 dhe 9 maj të vitit 2025, dy ditë para datës së fundit të mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve, formon ndikim dhe avantazh të papranueshëm për qeverinë, si dhe cenon ndjeshëm parimin e barazisë së armëve që kërkon Kodi Zgjedhor për fushatën zgjedhore. Pa vënë në diskutim lejueshmërinë ose jo të një veprimtarie të tillë, sepse kjo është kompetencë ligjore e KQZ-së, Presidenti i Republikës bashkohet në qëndrimin, se zhvillimi nga ana e qeverisë i një takimi të kësaj natyre në finalen e fushatës zgjedhore, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të lidershipit politik evropian, nuk mund të jetë pa ndikim në caktimin e datës së zgjedhjeve. Për këtë arsye, Presidenti i Republikës, pasi bëri të gjitha verifikimet e nevojshme me autoritetet kompetente të Shqipërisë, mori zyrtarisht sigurimet, se aktiviteti i mësipërm do të zhvillohet pas zgjedhjeve parlamentare, fakt ky i konfirmuar për Presidentin e Republikës edhe nga interlokutorët ndërkombëtarë. Konfirmimi zyrtar si më sipër heq rezervën e shprehur nga Partia Demokratike dhe nga pjesa tjetër e partive parlamentare ndaj datës 11 maj 2025 dhe e bën këtë datë të pranueshme dhe të pëlqyeshme për të gjithë faktorin politik”, thuhet tutje në njoftim.
Partia Demokratike e ish-kryeministrit Berisha nuk shkoi për konsultime, pasi sipas saj data ishte e paracaktuar më herët nga qeveria dhe procesi ishte i pavërtetë.