Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Kosovës në seancën solemne të shënimit të 18 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Begaj ka thënë se ky 18 vjetor, është moshë e pjekurisë dhe dëshmi se Kosova është një realitet i pakthyeshëm.
“Kjo është mosha e pjekurisë. Ky përvjetor është dëshmia se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran. Kosova është një shtet i ri në vite, por rrënjë të thella sakrificash, kontributesh e meritash”, ka thënë Begaj.
Begaj ka shtuar tutje se Kosova është një histori suksesi që i bën krenarë miqtë e partnerët strategjik, sidomos SHBA-në e bashkësinë ndërkombëtare.
Në fjalimin e tij, Begaj ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së, të cilët po përballen me gjyqin në Hagë. Begaj ka thënë se ata po përballen me akuza të montuara në Gjykatën Speciale.
Begaj ka thënë se e vërteta as s’mund të ndryshohet e as të tjetërsohet.
“Në këtë përvjetor, mendimi ynë është me ata që po përballen me një betejë të vështirë, të padrejt e vendimtare në Hagë. Historia e Kosovës s’mund të kuptohet pa emrat e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit. Ata po përballen me akuza të montuara në gjykatë ndërkombëtare. Ata që morën armët për të kërkuar lirinë për tokën e tyre e familjen e tyre, janë e do të mbeten gjithmonë simbole të lirisë. E vërteta s’mund të tjetërsohet e as të ndryshohet. Liria ka emër, liria meriton drejtësi, meriton mirënjohje. Republika e Shqipërisë është me UÇK-në”, ka thënë Begaj.



