Hajdar Beqa i PDK-së sfidon Albin Kurtin: Më 9 Shkurt do të përmbyset ideologjia e ‘përmbysësit të Kosovës’
storm•/Zgjedhjet2025: Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, në një deklaratë për storm•, ka paralajmëruar një rritje të jashtëzakonshme të mbështetjes për Partinë Demokratike të Kosovës. Sipas tij, mbështetja për PDK-në është rritur për 131%, duke e lidhur këtë sukses me numrin rendor në fletvotim dhe me përkrahjen masive që “PDK pritet të marrë në zgjedhjet e 9 shkurtit”. “Qytetarët do ta konfirmojnë këtë mbështetje në ditën e zgjedhjeve,” ka deklaruar Beqa.
“Ne jemi themeluesit, ndërtuesit dhe zhvilluesit e Kosovës moderne. Ata provuan të na ndalin, sepse synimi i tyre (i LVV-së) është ndalja e Kosovës. Por PDK do ta bëjë Kosovën më të mirë, sepse ky vend mundet më mirë,” theksoi Beqa. Ai e cilësoi ideologjinë e Albin Kurtit si “ideologji e përmbysjes së Kosovës,” e cila sipas tij, do të përmbyset me votën e qytetarëve më 9 shkurt.
Hajdar Beqa, i cili garon me numrin 31 në listën e PDK-së, është një figurë kyçe në këtë fushatë. Si kryetar i degës së PDK-së në Gjakovë dhe një nga deputetët më aktivë në Kuvendin e Kosovës, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në drejtimin e komisioneve hetimore parlamentare për rastet më të bujshme, si skandali me KEK-un dhe ai me rezervat shtetërore nën menaxhimin e qeverisë Kurti, po ashtu njihet edhe si deputeti i “syzeve të Hekuran Muratit”, ministrit të Financave kur ky i fundit e kishte sulmuar kolegun e z.Beqa, Mergim Lushtakun, gjatë një aksioni simbolik në Kuvendin e Kosovës.
PDK po përpiqet të paraqitet si alternativa e vetme për një Kosovë më të mirë, duke premtuar zhvillim dhe stabilitet. Ndërkohë, Beqa deklaroj që sikur edhe gjatë gjithë mandatit, ai dhe bashkëpartiakët e tij “po i sfidojnë drejtpërdrejt politikat dhe veprimet e qeverisë aktuale”. Sipas tij, 9 shkurti do të jetë dita kur qytetarët e Kosovës do të zgjedhin progresin dhe zhvillimin mbi retorikën e përçarjes, jo vetëm brenda vendit, por edhe në raportet me aleatët ndërkombëtarë.



