Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, mori pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane në Valencia, Spanjë.
Në fjalën e tij Berisha falënderoi presidentin e PPE, Manfred Weber “për mbështetjen që i kanë dhënë Partisë Demokratike të Shqipërisë me një rezolutë shumë të vlefshme në mbështetje të kauzave të saj të drejta”.
Berisha gjithashtu falënderoi presidentin e IDU, Stefan Harper, dhe presidentin e CDI, Andres Pastrana, për të njëjtën mbështetje që kanë treguar ndaj Partisë Demokratike dhe kauzave të saj.
Ai falënderoi gjithashtu “miqtë nga CDU, Elmar Brok, Peter Beyer, Doris Pack, miqtë nga Forza Italia në Itali, Battilocchio, Erika Mazzetti, etj., të cilët kanë qenë pranë nesh në disa ditë të vështira.
Duke folur për situatën në vend, Berisha u shpreh se, “Shqipëria sot është shteti i parë dhe i vetëm narkoshtet në Europë, ku gjithë pushtetet janë në dorën e një njeriu të vetëm. Siç kanë vërejtur edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, përmes një industrie mafioze të blerjes së votës dhe një makinerie masive intimidimi, ai ka vënë nën kontroll të plotë vullnetin e qytetarëve dhe ka kthyer zgjedhjet në një fasadë”.
Berisha theksoi se, “sipas Eurostat, nga viti 2014 deri në 2023, 1,099,000 shqiptarë kanë emigruar në zonën Shengen. Si pasojë, sipas OKB-së, Shqipëria ka sot indeksin më të ulët të lindshmërisë në botë. Përveç kësaj, vendi është një nga eksportuesit kryesorë të krimit në Europë”.
Kreu i PD foli edhe për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Më 11 maj do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Në këto zgjedhje, përveç të gjitha atyre që përmenda më sipër, ai ka bllokuar debatet televizive, ka shpërndarë 100 euro si dhuratë për vota për 800 000 pensionistë, dhe ka dhënë 100 licenca për kultivim kanabisi me moton “Kanabis për Vota”. Ai e ka kthyer narkoshtetin e tij në një makineri zgjedhore”, tha Berisha.
Por, shtoi ai, “në një diktaturë, e vetmja mundësi është të mos dorëzohesh, por të luftosh për ta përmbysur atë. Me ndihmën tuaj, miq të dashur, ju siguroj se Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila përmbysi 32 vite më parë diktaturën më staliniste në Europë, do të përmbysë edhe diktaturën e parë dhe të vetme narkotike në Europë, atë të Edi Ramës”.