Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, deklaroi sot se, Kongresi i PPE miratoi një rezolutë kushtuar integritetit të procesit elektoral në Shqipëri.
Duke folur në një konferencë për shtyp mbi kongresin e partive Popullore Evropianë të mbajtur në Valencia, Berisha u shpreh se, “kongresi i PPE, që grumbullon 82 parti të qendrës së djathtë të kontinentit evropian, të cilat udhëheqin Komisionin dhe Parlamentin Europian, udhëheqin Gjermaninë, Austrinë dhe janë kryeministra në 12 vende të tjera dhe qeveri në disa të tjera, miratoi rezolutën emergjente numër 4, vetëm një javë përpara zgjedhjeve në Shqipëri, kushtuar integritetit të procesit elektoral në Shqipëri”.
Ai theksoi se, “rezoluta denoncon haptas Edi Ramën dhe regjimin e tij se: Po minon zgjedhjet nga manipulimi dhe keqpërdorimi i pushtetit. Denoncon mosrespektimin e shtetit ligjor, kapjen e shtetit ligjor, çka ka sjellë, thekson rezoluta, pandëshkueshmëri”.
Berisha shtoi më tej se “PPE në rezolutën numër 4 të votuar me emergjencë dje bën thirrje për veprim BE, OSBE-së, KiE dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare demokratike të ndalojnë çdo lloj keqpërdorimi të pushtetit shtetëror; Blerjen e votës; Intimidimin e votuesve dhe manipulimin zgjedhor”.
Kreu i PD u shpreh se, “rezoluta kërkon që zyra e prokurorisë të hetojë në mënyrë të plotë dhe në kohë para zgjedhjeve të gjitha akuzat që lidhen me krimet zgjedhore dhe të sjellë autorët para drejtësisë”.
“Të sigurojë qasje të barabartë në media për të gjithë aktorët politikë dhe të ruajë mbikëqyrjen e pavarur zgjedhore. PPE gjithashtu bën thirrje institucioneve evropiane, OSBE/ODIHR dhe Këshillit të Europës të dërgojnë vëzhgues të tjerë afatgjatë në bashkitë me rrezik të lartë. Të dokumentojë dhe denoncojnë publikisht abuzimet zgjedhore në raportet përfundimtare. Të aplikojnë mekanizmat e kushtëzimit brenda procesit të anëtarësimit në BE, pra kredencialet e Edi Ramës u dogjën përfundimisht, nëse shkeljet vazhdojnë”, tha Berisha.
Ai u shpreh se, “rezoluta përfundon: PPE do monitorojë nga afër me kujdes zhvillimet në Shqipëri”.