Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, ishte sot në një familje tiranase ku shpjegoi për të pranishmit programin e “PD-Aleanca Madhështore” për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Fillimisht, ai u premtoi të pranishmëve në takim se PD do të bëjë gjithçka për të ruajtur trashëgiminë tejet të çmuar kulturore, autoktone të Tiranës.
Berisha tha se aleanca ka program që synon që taksat që paguajnë qytetarët t’u kthehen atyre ashtu si bëjnë qeveritë e të gjitha vendeve të lira.
Një qeveri që zgjidhet nga qytetarët dhe e di se, është përgjegjëse para tyre, çdo vit kur ndan buxhetin, zërin e parë e ndan për rroga, pensione. Pastaj, e ndan për shkollat, kopshtet, spitalet, qendra shëndetësore, etj., me radhë.
Berisha tha se pensionet do të rriten pasi qeveria socialiste bëri një rritje të parëndësishme, sepse çmimet u dyfishuan.
“U mbidyfishuan çmimet. Dhe faktikisht, sot për të blerë ato që blihen me pension në vitin 2013, duhet kesh një pension 390 mijë lekë. Ky, i vuri kapak vitet e fundit”, u shpreh Berisha.
“Ne kishim dërguar prej 1 viti e gjysmë ligjin për 200 euro pensioni minimal. Jo, tha kjo na çon në humnerë. Nuk çon në humnerë, përkundrazi, e bën shoqërinë më të drejtë, e bën qeverisjen më të moralshme dhe është një detyrim ligjor dhe kushtetues”, tha Berisha.
“Ne u rikthejmë paratë qytetarëve. Nuk do të ketë shqiptar që të marrë ndër 200 euro”, premtoi ai.
“Do aplikojmë Kartën e Konsumatorit, në mënyrë që të merrni mbrapsht 20% të çmimit të bukës, të vezëve, të qumështit. Të të gjitha produkteve që blini. Këtë e ka pothuaj çdo vend. Me ato që shpenzohen kthehen nga 450 euro, po nuk është pak, janë dy pensione”, tha Berisha.