Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, njoftoi sot se protesta e ardhshme e opozitës është caktuar në datën 24 janar.
Ai theksoi se kjo protestë nuk ka për qëllim marrjen e pushtetit me dhunë, por është një shprehje e revoltës qytetare dhe një mesazh i qartë për largimin e qeverisë aktuale, të cilën e cilësoi si “narkoshtet”.
Gjatë një konference për shtyp pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, Berisha deklaroi se zemërimi popullor ndaj qeverisë është i jashtëzakonshëm dhe i pakufishëm, ndërsa opozita është e vendosur të vazhdojë deri në fund për largimin e qeverisë dhe denoncimin e korrupsionit dhe amnistimit të fondeve publike.
Ai garantoi gjithashtu se protesta e 24 janarit nuk do të ngjajë me ngjarjet e 21 Janarit dhe nuk do të përdoret dhuna.
“Opozita ka vetëm protesta të llojeve nga më të ndryshmet. Pra, mesazhi ynë për narkoshtetin është: ik një minutë e më parë! Zemërimi popullor është i jashtëzakonshëm, i papërmbajtur. 21 Janari është vepër e Edi Ramës, e burracakut dhe frikacakut Edi Rama. Sali Berisha nuk merr pushtet me dhunë. E ka deklaruar këtë më datën 12 dhjetor të vitit 1990”, tha Berisha.
Berisha theksoi se pjesëmarrja në protesta nuk lidhet me poste partiake dhe ftoi individët, organizatat dhe forcat politike që nuk ishin të pranishme në takimet e fundit të bashkohen me frontin opozitar, të cilin e përshkroi si një forum të përbashkët për largimin e qeverisë. Ai shtoi se përgjegjësinë për ndryshimin e situatës politike duhet ta marrin qytetarët shqiptarë dhe se zhvillimet e fundit në krahun e opozitës janë pozitive.
“Dje ishte një forum, të themi një takim i gjerë, shumë i gjerë, i të gjitha forcave politike, personaliteteve të botës akademike, shoqërisë civile dhe medieve, personalitete me reputacion, të cilët janë të gatshëm ose janë të vendosur në betejën kundër të keqes që quhet Rilindja apo Edi Rama. Pra, ajo që patë ju dje, aty u mblodhën të gjithë ata të cilët janë të vendosur të luftojnë të keqen që quhet Edi Rama”, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati nënvizoi gjithashtu se protestat e vazhdueshme janë e vetmja rrugë për largimin e qeverisë, ndërsa variantet e tjera, sipas tij, janë iluzive. Fronti opozitar, shtoi ai, synon bashkimin e të gjitha forcave që kundërshtojnë qeverinë dhe promovimin e një përpjekjeje mbarëkombëtare për ndryshimin e situatës politike në vend. /atsh



