Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka njoftuar se të martën dhe të mërkurën e javës së ardhshme do të intervistohen në Komisionin për Legjislacion 23 kandidatë për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
Lajmin e ka bërë të ditur Tahiri përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ku theksoi rëndësinë e këtij procesi për sistemin e drejtësisë në vend. Sipas tij, ky proces intervistimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rendin dhe ligjin në Kosovë.
“Sot, Komisioni për Legjislacion, pas shqyrtimit të aplikimeve, ka caktuar intervistimin e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Të martën dhe të mërkurën do të intervistohen gjithsej 23 kandidatë”, ka shkruar Tahiri.
Deputeti shtoi se ky institucion luan një rol kyç në garantimin e sundimit të ligjit, andaj përzgjedhja e anëtarëve të rinj kërkon seriozitet të lartë.
„Ky proces intervistimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rendin dhe ligjin në Kosovë, pasi bëhet fjalë për një institucion shumë serioz dhe me rol kyç në garantimin e sundimit të ligjit në vend“, përfundoi ai.



