Gjatë seancës së jashtëzakonshme për shqyrtimin e Projektbuxhetit 2026, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka adresuar kritika të forta ndaj qeverisë për mungesë të mbështetjes financiare për projektet jetike. Tahiri u ndal konkretisht te Fondi i Sigurimeve Shëndetësore dhe investimet në ushtri, duke i cilësuar mjetet e alokuara si krejtësisht të pamjaftueshme për të realizuar premtimet e mëdha të dhëna në ekspozenë e kryeministrit.
Tahiri pyeti publikisht se si mund të zbatohet premtimi më i madh për shëndetësinë me vetëm 10 milionë euro të ndara për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. Sipas tij, kjo shumë nuk mjafton as për të nisur një reformë të tillë kombëtare.
Megjithëse pushteti flet vazhdimisht për fuqizimin e ushtrisë, Tahiri nxori shifrën ku investimet kapitale për vitin 2026 janë vetëm 2 milionë euro më shumë se në vitin 2025.
Deputeti i AAK-së theksoi se buxheti i prezantuar nuk reflekton asnjë pikë të ekspozesë qeveritare, duke e cilësuar atë si një dokument që nuk i përgjigjet nevojave reale të sigurisë dhe shëndetësisë.



