Beteja ligjore mes PSG-së dhe Kylian Mbappé vazhdon.
Pas kërkesës së sulmuesit francez për 55 milionë euro të papaguara dhe vendimit të Gjykatës së Parisit për ta sekuestruar këtë shumë nga llogaritë e klubit, avokatët e parizienëve kanë kaluar në kundërsulm.
Në seancën e së hënës, ata kanë kërkuar nga ish-lojtari i PSG plot 98 milionë euro, duke e akuzuar për përdorimin e “taktikave zvarritëse” që, sipas tyre, kanë dëmtuar klubin.
Avokatët e PSG-së pretendojnë se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar ekzistencën e një borxhi ndaj Mbappé dhe kërkesa për 98 milionët synon të tregojë se pretendimet e sulmuesit të Real Madridit janë të pabaza.
Një nga avokatët e Kylian Mbappé shpjegoi të hënën se lojtari ka arritur të rikuperojë vetëm 14 milionë euro nga 55 milionët e sekuestruara përkohësisht.
Në fushën juridike, “taktikë zvarritëse” është çdo veprim i qëllimshëm për të fituar kohë, përmes shtyrjeve apo zgjatjes së një procesi.
Konflikti mes palëve nisi në qershor të vitit 2024, kur lojtari i dërgoi një paralajmërim zyrtar PSG-së, duke kërkuar pagesën e detyrimeve të pashlyera.
Në gusht, sulmuesi iu drejtua LFP-së (Liga e Futbollit Francez) dhe UEFA-s për të rikuperuar shumën prej 55 milionë eurosh, të cilën PSG-ja ka refuzuar gjithmonë ta paguajë.
Që prej asaj kohe, palët janë përballur përmes autoriteteve sportive, të cilat janë shprehur të paafta për t’i zbatuar vendimet në favor të lojtarit për shkak të procesit ligjor të nisur edhe nga klubi.