Vetëm disa ditë pas një përplasjeje mahnitëse publike me Presidentin e SHBA Donald Trump në Zyrën Ovale, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi sot se ai dëshiron t’i “rregullojë gjërat” me Trump dhe dëshiron të punojë nën “udhëheqjen e tij të fortë” për të siguruar një paqe të qëndrueshme në Ukrainë.
“Takimi ynë në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë të premten, nuk shkoi ashtu siç duhej të ishte. Është për të ardhur keq që ndodhi në këtë mënyrë. Është koha për t’i rregulluar gjërat. Ne dëshirojmë që bashkëpunimi dhe komunikimi i ardhshëm të jenë konstruktiv”, postoi Zelensky në X në komentet e tij të para publike që kur Trump ndaloi ndihmën ushtarake të SHBA për Ukrainën.
Rusia tha se pezullimi i ndihmës SHBA-Ukrainë ishte “kontributi më i mirë” për paqen, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, duke shtuar se kjo ishte një “zgjidhje që mund ta shtyjë me të vërtetë regjimin e Kievit drejt një procesi paqeje”.
Çdo ndërprerje në rrjedhën e armëve amerikane në vijën e parë do të dobësonte me shpejtësi mundësinë e Ukrainës për të mposhtur pushtimin rus.
“Askush prej nesh nuk dëshiron një luftë të pafund. Ukraina është gati të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur për të sjellë paqen e qëndrueshme më afër. Askush nuk dëshiron paqe më shumë se ukrainasit. Ekipi im dhe unë jemi të gatshëm të punojmë nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump për të arritur një paqe të qëndrueshme”, tha Zelensky.
Zyrtarët amerikanë dhe rusë kanë zhvilluar bisedime për t’i dhënë fund luftës, duke zemëruar Kievin dhe Evropën për mënjanimin dhe duke shkaktuar frikën se çdo marrëveshje mund të kërcënojë të ardhmen e Ukrainës.
“Ne jemi gati të punojmë shpejt për t’i dhënë fund luftës dhe fazat e para mund të jenë lirimi i të burgosurve dhe armëpushimi në qiell – ndalimi i raketave, dronët me rreze të gjatë, bombat në energji dhe infrastrukturë tjetër civile – dhe armëpushimi në det menjëherë, nëse Rusia do të bëjë të njëjtën gjë. Pastaj ne duam të ecim shumë shpejt në të gjitha fazat e ardhshme dhe të punojmë me SHBA-në për të rënë dakord për një marrëveshje të fortë përfundimtare”, tha Zelensky.
Ai nënvizoi mbështetjen e SHBA-së në ruajtjen e pavarësisë së saj.
“Ne vërtet vlerësojmë se sa shumë ka bërë Amerika për të ndihmuar Ukrainën të ruajë sovranitetin dhe pavarësinë e saj. Dhe ne kujtojmë momentin kur gjërat ndryshuan kur Presidenti Trump i dha Ukrainës Javelins. Ne jemi mirënjohës për këtë”, shtoi Zelensky.
Ai tha gjithashtu se Kievi ishte gati të nënshkruante një marrëveshje duke i dhënë SHBA-së akses preferencial në burimet natyrore dhe mineralet e Ukrainës në “çdo kohë dhe në çdo format të përshtatshëm”.
Marrëveshja supozohej të nënshkruhet në Uashington javën e kaluar përpara se Zelensky të dëbohej nga Shtëpia e Bardhë pas grindjes publike me Trump.



