Zv/ministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se autoritetet serbe kanë ndaluar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, akt të cilin e kanë dënuar ashpër.
Sipas Bislimit ky donacion “synon të përmirësojë jetën e komunitetit shqiptar dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik të rajonit patur parasysh që edhe më tej komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës janë ndër komunat më të pazhvilluara në Serbi, ndër më të varfërat me papunësi të lartë e veçanërisht tek të rinjtë”.
Ai ka shtuar se më 26 tetor Këshilli Kombëtar Shqiptar shpalli thirrjen publike për bujqit, duke pranuar mbi 1,178 aplikime, mirëpo sot Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social, ka ndërhyrë për të bllokuar këtë proces duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike.
Postimi i plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër përpjekjet e autoriteteve serbe për të ndaluar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ky donacion, i inicuar me kërkesë të Këshillit Kombëtar Shqiptar, synon të përmirësojë jetën e komunitetit shqiptar dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik të rajonit patur parasysh që edhe më tej komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës janë ndër komunat më të pazhvilluara në Serbi, ndër më të varfërat me papunësi të lartë e veçanërisht tek të rinjtë.
Më 26 tetor 2024, Këshilli Kombëtar Shqiptar shpalli thirrjen publike për bujqit, duke pranuar mbi 1,178 aplikime. Ndërkohë, Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social, ka ndërhyrë për të bllokuar këtë proces, duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike. Pikërisht më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i është mbivendosur privimi nga mundësia e ndihmës nga Republika e Kosovës.
Serbia nuk ka asnjë të drejtë të pengojë mbështetjen tonë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ftojmë Bashkimin Evropian, OSBE-në, shtetet e Quint-it dhe organizatat e tjera ndërkombëtare të monitorojnë këtë situatë dhe të veprojnë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Qeveria e Kosovës qëndron e përkushtuar për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe identitetin kombëtar, kulturor e gjuhësor.



