Negociatorët amerikanë dhe izraelitë do të udhëtojnë në Doha të Katarit në ditët në vijim, për të tentuar të arrijnë një armëpushim dhe marrëveshje rreth pengjeve në Gaza, tha të enjten Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
Ai gjithashtu njoftoi planet për të dërguar një ndihmë shtesë prej 135 milionë dollarësh për palestinezët në Gaza, Bregun Perëndimor dhe rajon, e cila do të përfshinte asistencë për kanalizimin e ujit dhe shëndetin e nënës.
Rundi i ardhshëm i bisedimeve përfaqëson përpjekjen e fundit të Shteteve të Bashkuara për të krijuar një armëpushim pas vrasjes së liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, të cilin zyrtarët amerikanë e kanë përshkruar si një pengesë kryesore në këtë proces.
Blinken i bëri komentet gjatë një konference për shtyp të enjten me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, në Doha.
Blinken është në një turne me shumë ndalesa në Lindjen e Mesme që synon uljen e tensioneve midis Izraelit, Hamasit në Gaza dhe Hezbollahut në Liban.
Luftimet e ashpra po vazhdojnë në Gaza, veçanërisht në veri, ku Izraeli nisi një ofensivë të madhe këtë muaj, derisa thotë se ka në shënjestër luftëtarët e Hamasit që po rigrupohen atje.
Grupet që merren me ndihma popullatës, thonë se ofensiva e Izraelit është shoqëruar me një kufizim të ashpër në dërgimin e ndihmave.
Agjencia e Mbrojtjes Civile e Gazës, e cila kryen operacionet e kërkim-shpëtimit, tha se u tërhoq nga Gaza veriore për shkak të kërcënimeve nga forcat izraelite.



