spot_img
E shtunë, 11 Prill, 2026
14:38
Home Blog Page 11

Projektligji për pasurinë e pajustifikueshme pritet të votohet në Kuvend

0

Si mekanizëm i ri për konfiskimin civil të pasurisë që nuk justifikohet me të ardhura të ligjshme, Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme parashikohet të funksionojë si institucion i pavarur.

Ajo do të kontrollojë pasurinë e zyrtarëve dhe personave të tjerë, duke ndarë procedurat konfiskuese nga ato penale.

Pas miratimit nga ligjvënësit, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, nënvizon se përmes këtij ligji do të forcohet llogaridhënia e zyrtarëve publik, duke siguruar që çdo ndërhyrje në pronë të bëhet vetëm me vendim gjyqësor dhe mbi bazë të provave.

Ndonëse konsiderohet si një nga ligjet bazë për reformat në drejtësi, shoqëria civile kërkon një konsultim më të gjerë publik, duke i adresuar rekomandimet e tyre Kuvendit të Kosovës.

“Ne vlerësojmë se kjo e tejkalon gjetjen e Gjykatës Kushtetuese, pasi periudha e verifikimit nuk duhet të jetë më e gjatë se 10 vjet. Një afat i tillë mund të cenojë parimin e sigurisë juridike, sepse subjektet mund të gjenden në pamundësi për të provuar ligjshmërinë e pasurisë së tyre”, tha Vullnet Bugaqku nga KDI.

Duke pasur parasysh rastet e shumta të pasurimit të paligjshëm përmes shpëlarjes së parave, njohës të fushës nënvizojnë nevojën për një ligj që do ta luftonte korrupsionin, duke i respektuar gjithmonë parimet e transparencës, barazisë së palëve në proces dhe sigurisë juridike.

“Në raste të tilla, Byroja ka mandat të hetojë jo vetëm zyrtarët publikë, por edhe qytetarët e zakonshëm që mund të kenë përfituar pasuri në mënyrë të pajustifikueshme. Megjithatë, nuk është e qartë nëse pasuria duhet të konfiskohet menjëherë apo të ngrijë deri në vendimin përfundimtar të gjykatës”, tha Anton Ndrecaj nga Instituti CLARD.

Byroja do ta verifikojë pasurinë dhe, nëse nuk justifikohet, do të propozojë konfiskimin përmes gjykatave kompetente. Projektligji pritet të kalojë për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës. /RTK

Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik i yni

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e transferimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT) të NATO-s në Republikën e Kosovës, ka vlerësuar kontributin e tyre në fushën e mbrojtjes.

“Në këtë rrugëtim, roli i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) ka qenë thelbësor. Përmes këshillimit strategjik, asistencës profesionale dhe bashkëveprimit të përditshëm, NALT ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve operacionale, në forcimin e qeverisjes demokratike dhe në ngritjen e standardeve institucionale, si të Ministrisë së Mbrojtjes, ashtu edhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë ai gjatë fjalimit të tij.

Kurti më tej ka thënë se prezenca e NATO-s në Kosovë, përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT), përbën një element kontribuues jo vetëm për sigurinë e vendit, por edhe të mbarë rajonit. Ai ka vlerësuar kontributin e drejtorit të Zyrës së NALT-it në Kosovë, Gjeneral Brigade Dr. Lange.

“Angazhimi i tij ka qenë i një rëndësie të posaçme në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona dhe NATO-s, si dhe në forcimin e kapaciteteve tona shtetërore në fushën e mbrojtjes”, vazhdon njoftimi.

Kurti tha se gjeneral brigade, Thomas Schulte-Borghoff, do të vazhdojë këtë mision me të njëjtin përkushtim dhe profesionalizëm.

Asistentët e deputetëve, një praktikë gjithnjë e më e përdorur në Kuvend

0

Rreth 75 deputetë të Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e dhjetë kanë shfrytëzuar të drejtën për të pasur asistentë personalë.

Më shumë se gjysma e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje tashmë janë me zyrtarë të lartë personalë, 15 nga 22 të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë shfrytëzuar të drejtë, pesë nga 14 deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë asistente dhe pesë sosh nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Në listën e publikuar nga Insajderi nga Lëvizja Vetëvendosje emra si: Rozeta Hajdari, Agim Bahtiri, Adriana Matoshi, Egzon Azemi, Taulant Kelmendi e Valon Ramadani kanë marrë asistentë personalë.

Ndërkaq, në Partinë Demokratike të Kosovës të drejtën për asistentë e kanë shfrytëzuar Bedri Hamza, Enver Hoxhaj, Arian Tahiri, Rrahman Rama, Ganimete Musliu, Sala Jashari e të tjerë.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), asistentë kanë angazhuar në Kuvend Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Hykmete Bajrami, Fadil Hadërgjonaj dhe Janina Ymeri.

Tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me asistentë në këtë nomenklaturë janë: Ramush Haradinaj, Time Kadrijaj, Besnik Tahiri, Daut Haradinaj dhe Bekë Berisha.

Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur për Insajderin se lista e zyrtarëve të lartë personal e deputetëve të angazhuar është deri më datën më 31 mars të këtij viti.

Paga e një asistenti, me shtesa dhe mëditje mund të shkojë deri në 900 euro bruto.

Angazhimi i asistentëve bazohet në Rregulloren Nr. 08/Rr-004 për Shtesa mbi Pagën bazë për Deputetë dhe për klasifikimin e Pagës për Stafin Mbështetës Politik të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Deliu-Kodra: Kurti e ka dëmtuar Kosovën para se të dëmtojë PDK-në dhe LDK-në

0

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai i ka shkaktuar dëm vendit.

Zvarritjet e vazhdueshme në disa procese politike në Kosovë, Deliu i vë fajin kryesor kryeministrit Kurti duke theksuar se cilat kanë qenë disa nga dëmet që i janë shkaktuar shtetit të Kosovës, sipas saj.

“Unë mendoj që Kurti e ka dëmtuar Kosovën para se të dëmtojë PDK-në dhe LDK-në, sepse për këto vite të stagnimit, Kosova ka humbur shumë në aspektin e zhvillimit ekonomik, në aspektin e fuqizimit ndërkombëtar dhe në aspektin e forcimit të mirëqenies së qytetarëve,” u shpreh Deliu.

Ajo shtoi se gjendja ekonomike ka rënduar jetën e qytetarëve.

“Unë e kuptoj që njerëzit sot janë të dërrmuar, jetojnë më keq për shkak të kostos së lartë dhe inflacionit, i cili e ka goditur shoqërinë, ndërsa të zgjedhurit e qytetarëve sot i kanë lënë ata në udhëkryq,” deklaroi ajo në T7.

Dështon rendi i ditës në Kryesinë e Kuvendit: Haxhiu kërkon efikasitet për shkak të afatit për Presidentin

0

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se për shkak të afateve kushtetuese që lidhen me zgjedhjen e presidentit të ri, legjislativi duhet të jetë tejet efikas në adresimin e përgjegjësive që ka para vetes.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Haxhiu bëri të ditur se në rend dite kishte paraparë katër marrëveshje ndërkombëtare, të cilat nuk arritën të ratifikoheshin në seancën e kaluar si pasojë e mungesës së kuorumit.

“Për shkak të rrethanave në të cilat jemi dhe afatit kushtetues në raport me zgjedhjen e presidentit apo presidentes, mendoj që Kuvendi duhet të jetë efikas. Përveç pikave të zakonshme, kam paraparë edhe katër marrëveshje ndërkombëtare që mbetën pa u ratifikuar herën e kaluar”, deklaroi ajo.

Përplasja për Rezolutën e Luftës Kryeparlamentarja sqaroi se mbledhja e Kryesisë dështoi të miratonte rendin e ditës për shkak të mospajtimeve mes partive politike për radhitjen e propozim-rezolutës për mbrojtjen e vlerave historike të luftës (1998-1999).

Sipas saj, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) insistonte që kjo të ishte pika e parë e rendit të ditës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kërkonte që ajo të renditej e fundit.

„Bëra përpjekje maksimale për të gjetur një konsensus. Propozova që, kurdo që grupi punues ta përfundonte tekstin, ne ta trajtonim atë në seancë, pavarësisht pikës ku ndodheshim. Nuk pati mirëkuptim. Po të kishte konsideratë për propozimin tim, kjo rezolutë do të miratohej në seancën e ardhshme pa asnjë diskutim“, theksoi Haxhiu.

Përveç kësaj, në rend dite ishin paraparë edhe votimi i rezolutës për çmimet e naftës, zgjedhja e një anëtari joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe plotësimi i komisioneve parlamentare. Për shkak të bllokadës në Kryesi, procedimi i këtyre pikave mbetet në pritje të një dakordimi të ardhshëm.

Nagavci për Rezolutën mbi Gjenocidin: Duhet unitet, jo tema parciale; anëtari i KQZ-së i takon LVV-së

0

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, ka deklaruar se subjekti që ajo përfaqëson është i gatshëm të mbështesë një rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë, por ka kërkuar që përmbajtja e saj të dakordohet ndërmjet të gjitha grupeve parlamentare.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Nagavci theksoi se është e rëndësishme që kjo nismë të reflektojë unitet të gjerë politik dhe institucional, në mënyrë që të mos trajtohet si temë parciale e asnjë subjekti të vetëm.

„Ne jemi të gatshëm dhe kemi kërkuar nga PDK-ja që të ftojnë grupin punues për t’u dakorduar mbi përmbajtjen. Nuk kemi asnjë problem me një rezolutë që adreson gjenocidin e kryer nga Serbia dhe që siguron trajtimin e drejtë institucional të të gjitha masakrave. Jemi ndoshta vonë për ta adresuar këtë, por nuk jemi të interesuar që temat me interes shtetëror e kombëtar të trajtohen si çështje individuale“, deklaroi Nagavci.

Përplasja për KQZ-në: Anëtari i takon LVV-së Lidhur me çështjen e anëtarit të paemëruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nagavci ishte e prerë se kjo e drejtë i takon Lëvizjes Vetëvendosje, duke u bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të fundit dhe forcën proporcionale në Kuvend.

„Anëtari i paemëruar i takon Lëvizjes Vetëvendosje sipas legjislacionit në fuqi. Përbërja e KQZ-së duhet të përfaqësojë vullnetin e qytetarëve dhe ne presim që ushtruesja e detyrës së presidentes, zonja Haxhiu, ta emërojë sa më parë anëtarin tonë. Nëse jo, si lëvizje do ta adresojmë këtë çështje“, përfundoi ajo.

Kjo deklaratë vjen si kundërpërgjigje ndaj kërkesave të fundit të PDK-së, të cilët po ashtu pretendojnë anëtarin e dytë në këtë institucion.

Plani që zëvendësoi bombat me diplomaci: Detajet e “Marrëveshjes së Araghchi-t”

0

Ajo që deri para 48 orësh dukej si fillimi i Luftës së Tretë Botërore, sot është shndërruar në një “bazë të punueshme” për paqe. “Çudia” që ndodhi në momentet e fundit të ultimatimit të Presidentit Trump nuk është thjesht një dokument, por një kthesë rrënjësore që përfshin 10 pika jetike për sigurinë globale.


Çka përfshin realisht ky plan 10-pikësh?Ky dokument, i propozuar nga Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, tenton të balancojë kërkesat ekstreme të Uashingtonit me mbijetesën e Teheranit. Ja detajet që përbëjnë “çudinë” e 8 prillit:

  1. Armëpushim “Full-Spectrum”: Ndalimi i menjëhershëm i të gjitha operacioneve luftarake nga ajri, toka dhe deti, përfshirë sulmet e milicive të mbështetura nga Irani në Jemen (Huthit) dhe Liban (Hezbollahi).

  2. Zhllokimi i Hormuzit: Hapja e menjëhershme e Ngushticës për të gjitha anijet tregtare dhe cisternat e naftës, nën monitorimin e forcave neutrale.

  3. Lirimi i “Pengjeve të Luftës”: Një shkëmbim urgjent “të gjithë për të gjithë”. Kjo përfshin dy pilotët amerikanë të rrëzuar së fundmi në jugperëndim të Iranit dhe personelin e kapur të IRGC-së.

  4. Moratoriumi Bërthamor: Irani pranon të ngrijë pasurimin e uraniumit mbi 5% dhe të lejojë inspektimet e papritura të IAEA-s, në këmbim të mospasjes së sulmeve mbi objektet atomike.

  5. Rikthimi i Internetit: Një pikë kyçe që sfidon direkt radikalët e IRGC-së: Irani zotohet të rikthejë qasjen e plotë në internet për qytetarët e tij brenda 72 orëve.

  6. Heqja e Sanksioneve Energjetike: SHBA pranon të lejojë Iranin të shesë një kuotë të caktuar nafte për të financuar nevojat humanitare dhe rindërtimin e rrjetit elektrik të dëmtuar.

  7. Zonë e Sigurisë Detare: Krijimi i një korridori të mbrojtur në Gjirin Persik ku anijet e SHBA-së dhe ato të Iranit nuk mund të afrohen më shumë se 10 milje detare njëra-tjetrës.

  8. Ndalimi i “Obliterimit”: Washingtoni zyrtarisht tërheq kërcënimin për shkatërrimin e centraleve të desalinimit të ujit dhe rrjetit të shpërndarjes së energjisë.

  9. Konferenca “Rajoni i Ri”: Teherani pranon të ulet në një tryezë me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara për të diskutuar një pakt të ri të sigurisë rajonale pa ndërhyrje të jashtme.

  10. Implementimi i Mbikëqyrur: Plani ka një afat prove prej 30 ditësh. Nëse njëra pikë shkelet, marrëveshja bie dhe ultimatumi i Trump-it rikthehet në fuqi.


Pse quhet “Çudia e Orës së Fundit”?

Emri buron nga fakti se urdhri për nisjen e operacionit “Epic Fury” (shkatërrimi i plotë i rrjetit elektrik iranian) ishte vetëm minuta larg ekzekutimit.

Shënim i Analistit: Çudia qëndron në faktin se Abbas Araghchi arriti të bindë Udhëheqësin Suprem Khamenei që të anashkalojë gjeneratën radikale të IRGC-së, të cilët kërkonin luftë totale. Për herë të parë, diplomacia iraniane “mundi” ushtrinë e vet brenda shtëpisë.

Aktori Përfitimi kryesor Rreziku i mbetur
SHBA (Trump) Hapja e Hormuzit & Nafta e lirë Akuzat për “butësi” ndaj regjimit
Irani (Araghchi) Mbijetesa e infrastrukturës Grusht shteti nga IRGC radikale
Izraeli Siguri nga raketat e Jemenit Dyshimi te sinqeriteti i Teheranit

Punëtorët e ARPL pa paga, sqaron MMPH: Ka ndodhur për shkak të një gabimi teknik nga Ministria e Financave

0

Punëtorët e Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL), institucion ky në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), nuk i kanë pranuar pagat e muajit paraprak, e as pagën e 13-të, ndryshe nga pjesa tjetër e sektorit publik në vend.

Lidhur me këtë shqetësim, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në një përgjigje zyrtare për KlanKosova.tv, ka sqaruar se vonesa ka ndodhur si pasojë e një gabimi teknik nga ana e Ministrisë së Financave, përkatësisht nga Divizioni i Pagave.

MMPH-ja ka kërkuar mirëkuptimin e zyrtarëve të ARPL-së, duke bërë të ditur se kjo çështje do të rregullohet gjatë muajit pasues, pasi procesi i ekzekutimit të pagave për muajin mars 2026 tashmë është përmbyllur.

Ngarkesa e madhe shkaktoi lëshime teknike Sipas Ministrisë, Divizioni i Pagave këtë muaj është përballur me një vëllim të madh pune për shkak të disa proceseve shtesë, siç janë paga e 13-të, kompensimet retroaktive për përvojën e punës, krijimi i ministrive të reja, si dhe bartja dhe sistemimi i nëpunësve.

“Mosrealizimi i pagës së rregullt dhe pagës së 13-të për zyrtarët e ARPL-së ka ndodhur për shkak të një gabimi teknik nga Ministria e Financave, gjegjësisht Divizioni i Pagave, i cili këtë muaj është përballur me shumë procese shtesë. Kjo ka krijuar ngarkesë të madhe në një kohë të shkurtër. Për këtë arsye kanë ndodhur lëshime teknike dhe kërkojmë mirëkuptimin e zyrtarëve të ARPL-së. Kjo do të rregullohet në muajin vijues”, thuhet në njoftimin e MMPH-së.

Zyrtarët e prekur pritet t’i marrin mjetet e tyre bashkë me pagën e radhës, pasi institucionet përkatëse të kenë përditësuar listat e pagesave me korrigjimet e nevojshme.

Armëpushimi SHBA–Iran, ​Kusari-Lila: Pritet stabilizimi i çmimit të naftës

0

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se pret që stabilizimi i çmimit të naftës të vazhdojë në ditët në vijim, si pasojë e arritjes së marrëveshjes për armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit.

Kusari-Lila theksoi se mekanizmi ekzistues për përcaktimin e çmimeve maksimale të lejuara (tavani i çmimit) nuk do të lejojë rritje mbi normën e paraparë, duke mbrojtur kështu konsumatorët nga lëkundjet e mundshme të tregut.

„Uroj që stabilizimi i çmimit të naftës dhe derivateve të vazhdojë ditëve në vijim. Kjo do të varet shumë nga rrethanat në Lindjen e Mesme. Mekanizmi ynë deri më tani ka dhënë rezultatet e veta; ndoshta jo në nivelin 100%, sepse ka pasur lëvizje të çmimeve, por gjithsesi në situatën kur do të kemi qarkullim të lirë në Ngushticën e Hormuzit dhe mungesë ndikimi në bursa ndërkombëtare, atëherë edhe në Kosovë do të hiqet mekanizmi i përcaktimit me marzhë“, deklaroi ministrja.

Monitorim i vazhdueshëm i tregut Sipas saj, nevojitet një periudhë më e gjatë se një ditë për të përcaktuar saktë nëse tregu ka kaluar në një situatë plotësisht normale. Ajo bëri të ditur se Ministria që ajo drejton është në monitorim të vazhdueshëm të të dhënave të importit.

„Ne e vlerësojmë situatën dy herë në ditë dhe marrim informata mbi çmimin e importit të naftës dhe derivateve të saj. Prandaj, e kemi në fuqi mekanizmin e marzhës, i cili nuk do të lejojë që çmimi të shkojë mbi normën e përcaktuar“, përfundoi Kusari-Lila.

KQZ mundëson ndërrimin e qendrës së votimit edhe në periudhë jozgjedhore; ja si mund ta bëni këtë

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka filluar të ofrojë shërbimin për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës edhe në periudhë jozgjedhore, duke u bazuar në detyrimet e ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme.

Ky shërbim ka për qëllim t’u lejojë votuesve që ta caktojnë qendrën e tyre të votimit sa më afër vendbanimit, brenda të njëjtës komunë. Sipas KQZ-së, ky proces është plotësisht në vullnetin e qytetarëve që e shohin të nevojshme një ndryshim të tillë për lehtësimin e pjesëmarrjes në zgjedhje.

Si mund ta ndërroni qendrën e votimit? Gjatë kësaj periudhe, qytetarët me të drejtë vote mund të verifikojnë qendrën e tyre aktuale dhe ta ndërrojnë atë përmes dy mënyrave:

  1. Online: Përmes platformës elektronike të KQZ-së në adresën: https://qv.kqz-ks.org

  2. Fizikisht: Duke paraqitur kërkesën në Zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse.

Pas paraqitjes së kërkesës, ajo do të trajtohet brenda një afati të shkurtër dhe votuesi do të njoftohet zyrtarisht për ndryshimin.

Po nëse ndërroni komunën? Për dallim nga ndërrimi brenda komunës, kalimi në një qendër votimi në një komunë tjetër nuk mundësohet drejtpërdrejt nga KQZ-ja. Ky proces është i ndërlidhur me deklarimin zyrtar të vendbanimit.

Votuesit që ndërrojnë adresën e tyre në Zyrën e Gjendjes Civile apo përmes platformës e-Kosova, do të shohin reflektimin e adresës së re në Regjistrin Qendror Civil. Pas këtij konfirmimi, ndryshimi do të pasqyrohet automatikisht në platformën e KQZ-së dhe rrjedhimisht në Listën Votuese.