spot_img
E hënë, 29 Dhjetor, 2025
21:33
Home Blog Page 1655

Ministrja Haxhiu thotë se t’i inkurajojmë viktimat për raportim dhune

0

Inkurajimi i viktimave për raportim të rasteve të dhunës dhe ushtrimi i përgjegjësisë së plotë nga institucionet e drejtësisë kanë qenë mesazhet kryesore në diskutimin “Thyerja e ciklit të dhunës: Integrimi i programeve për trajtimin e kryerësve të dhunës në familje si pjesë e dënimit”.

Ky organizim nga zyra e Këshillit të Evropës në kuadër të projektit “Përafrimi i ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit”, solli konfirmimin e zëvendës shefit të kësaj zyre, Tankut Soykan, se Programi Kombëtar për Kryerësit e Dhunës ndaj Grave është efektiv.

“Programi mbështet viktimat dhe qëllimi është që të garantojnë siguri dhe mbështetje të viktimave. Zbatimi i duhur i programit kërkon qasje shumë sektoriale dhe bashkëpunim të të gjitha hallkave të zinxhirit për ta luftuar dhunën në familje. Për fat të keq shohim se kryerësit hyjnë dhe dalin nga burgu me të njëjtin mentalitet”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se Programi Kombëtar për Kryerësit e Dhunës ndaj Grave ka mundësuar trajnimin e 15 profesionistëve dhe trajtimin e 20 kryerësve të dhunës, të cilët kanë qenë në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

“Është rritur numri i raportimeve. Dhuna po raportohet dhe si institucione duhet t’i inkurajomë viktimat që të raportojnë dhunën. Është e rëndësishme që institucionet përgjegjëse të përgjigjen profesionalisht në përputhje me përgjegjësitë që kanë, sepse kur viktimat raportojnë rastet e dhunës është e rëndësishme që të kenë besimin në polici, institucionet e drejtësisë dhe institucionet e tjera. Besimi në këto institucione rritet kur kryhen detyrat në përputhje me përgjegjësitë”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka folur edhe për rastin e futjes së një personi që akuzohet për dhunë në familje në reality show ‘Big Brother’.

“Mendoj që kur kemi raste të tilla që tenton të normalizoj dhunën, përbashkimi jonë është i rëndësishëm, prandaj jam optimiste që Kosova do të jetë një shtet ku gratë dhe vajzat trajtohen dinjitetshëm dhe nuk tentohet që të bëhet spektakël. Pajtohem që dhunuesit mund të ambientohen por jo në këtë mënyrë”, ka thënë ministrja e Drejtësisë.

Buja dëshmon në Hagë: Veseli nuk më ka dhënë urdhra mua e as Reçicës

0

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dëshmon për të katrën ditë, Shukri Buja në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ish-komandanti i UÇK-së, Shukri Buja gjatë dëshmisë së tij në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se Kadri Veseli kur ishte në pozitën e shefit të Zbulim-Kundërzbulimit në i ka dhënë urdhra atij ose personit përgjegjës për këtë sektor në Zonën Operative të Nerodimes.

“Jo s’me ka dhanë urdhër”, ka thënë Buja duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon.

Buja për Ilmi Reçica ka thënë se ka qenë në kuadër të komandës së Nerodimes dhe s’ka pasur se si të merr urdhra nga Veseli.

“Jo se Reçica ka qenë në kuadër të Komandës së Zonës Operative të Noredimes”, ka deklaruar Buja.

Përpara kësaj, Buja ka thënë se Reçicën në këtë pozitë e kishte emëruar vetë ai. Buja ka deklaruar se qëndron fakti se ai e ka thirr në telefon Reçicën për ta njoftuar se është emëruar në këtë pozitë pasi që ai ishte jashtë vendit, konkretisht në Shqipëri.

Në ditën e katër të dëshmisë së tij, Buja ka thënë se Reçica e mori detyrën në janar të 99-ës dhe se kishte shumë pak burime për ta ushtruar atë detyrë dhe se për tre muaj vetëm ai ka qenë në atë sektor.

Dëshmitari u pyet se Reçica a ia raportonte atij informacionet që mblidhte gjatë ushtrimit të detyrës.

“Në një periudhë më të vonë, po. Mund të jetë pas shkurtit sepse në atë kohë është konsolidu më mirë sektori i Zbulim-Kundërzbulimit”, ka thënë ish-komandanti i UÇK-së.

Buja ka deklaruar se shumica e raportimeve ishin gojarisht por që ka pas raste kur ka raportuar edhe me shkrim në rast që ka pas lëvizje të mëdha të forcave serbe.

Në fillim të seancës, trupi gjykues mori disa urdhra duke përfshirë pranimin dhe rrëzimin e disa kërkesave për pranueshmërinë e provave materiale.

Ndonëse dje kishte diskutime për besueshmërinë e dëshmitarit dhe konstatimet e turpeve të tjera gjykuese lidhur me deklaratat e mëhershme të tij, kryegjyqtari tha se përgjegjësia e vlerësimit i mbetet këtij Trupi Gjykues.

Ministrja Gërvalla në Lituani, dështon seanca në rastin ku akuzohet për mosdeklarim të pasurisë

0

Për shkak se Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre, gjendet në vizitë zyrtare jashtë vendit, ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes ndaj saj në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ministrja Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarës Gërvalla, avokati Arianit Koci, e ka njoftuar gjykatësin Dibran Jusufi se e akuzuara Gërvalla nuk ka mundur të jetë prezente në këtë seancë për shkak të një vizite zyrtare jashtë vendit.

Po ashtu, i njëjti ka kërkuar që seanca të caktohet për një datë tjetër, atëherë edhe e akuzuara Gërvalla do të jetë prezente.

Lidhur me këtë, prokurori Paulin Pashku, ka thënë se sipas Kodit të Procedurës Penale ka mundësi ligjore që të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor në mungesë të të pandehurës, por që nëse e pandehura do të paraqitet në seancën tjetër, atëherë nuk e kundërshton propozimin e avokatit Koci.

Më pas, gjykatësi Jusufi konstatoi se në mungesë të të akuzuarës Gërvalla nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e kësaj seance.

Ndryshe, MPJD-ja ka njoftuar se Gërvalla do të marrë pjesë në Forumin e Lartë për të Ardhmen e Demokracisë, që do të mbahet më 7 dhe 8 nëntor 2024 në Vilnius, Lituani, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis.

Gjykata Themelore në Prishtinës më 19 qershor 2024 kishte konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj Gërvallës, duke refuzuar kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.

Më pas, Gjykata e Apelit, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së Gërvallës, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte konfirmuar aktakuza ndaj saj.

Lidhur me akuzën për mosraportim të saktë të pasurisë, në seancën fillestare më 7 mars 2024, Gërvalla ishte deklaruar e pafajshme.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar më 31 janar 2023 nga prokurori Astrit Gashi, Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike me obligim ligjor të deklarimit të pasurisë, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.

Aktakuza thotë se e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort.

Tutje, në akuzë thuhet se Gërvalla nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik-Komuna e Deçanit, duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2.

Po ashtu, Gërvalla sipas akuzës thuhet se nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj.

Me këto veprime, Gërvalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj 2023 kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës.

“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, më 31.01.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj D.G., për shkak të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe të njëjtën e ka proceduar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë”, kishte konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Pasi u bë i ditur lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në Facebook, tha se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve.

Ndryshe, më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare.

Katër muaj pas këtij hulumtimi, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), tani Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), kishte njoftuar se është ende duke trajtuar rastin e ministres Gërvalla.

Sipas këtij hulumtimi, rezultoi se Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.

Të plagosur dhe dëme nga sulmet ruse në Ukrainë

0

Sulmet ruse mëngjesin e së enjtes kanë shkaktuar zjarre dhe dëme të mëdha në pesë qarqe të Kievit, njoftoi kryetari i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko, në Telegram.

Copëzat e dronëve të rrëzuar ranë në qarqet Peçersk, Holosivski, Solomiansk, Obolonsk dhe Podilsk, tha Klitschko.

Ai shtoi se dy njerëz u lënduan pasi u goditën nga copëzat e dronëve të rrëzuar.

Klitschko raportoi se katet e sipërme të një ndërtesë shumëkatëshe në Peçersk u përfshinë nga zjarri dhe se banorët u evakuuan.

Në Odesa, një ndërtesë e lartë banimi u dëmtua dhe një burrë u plagos, pasi mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi dronë rusë mbi portin e Detit të Zi, tha guvernatori rajonal, Oleh Kiper.

Kanalet në Telegram e publikuan një video që shfaq një zjarr në katin e parë të një ndërtesë nëntëkatëshe në Odesa.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL

Ekspertët thonë se dyfishimi i tatimit në pronë sjellë pasoja të mëdha për biznese

0

Qeveria ka shtyrë për vitin 2026 afatin për zbatimin e tatimit për pronat komerciale. Dyfishimi i tatimit në pronë për bizneset, do të rëndojë edhe më shumë funksionimin e bizneseve në veçanti ato të voglat, thonë njohësit ekonomisë.

Është shtyrë për vitin  2026 afati i zbatimit të normës tatimore progresive për pronat komerciale, i cili parashihte që nga viti i ardhshëm të dyfishojë tatimin në pronë për bizneset.

Analisti ekonomik, Ismet Mulaj, duke folur për Radio Kosovën thotë se me dyfishim të tatimit në pronë, bizneset e mesme do të dëmtohen ndjeshëm.

“Nuk mund t’ia rritesh tatimin në pronë një biznesi që qarkullon p.sh. deri në 30 mijë euro në  vit, t’ia dyfishosh tatimin në pronë, ashtu vetëm e ngulfat atë biznes. Duhet të gjendet një formë e cila  bizneset e vogla i liron prej tatimit në pronë. Kosova e ka një traditë të tyre ku familjet kanë mbijetuar nga bizneset e vogla sepse ato krijojnë vende pune, e nuk mund të krijojmë biznese të mëdha sepse atëherë ato dirigjohen nga qeveritë dhe politika dhe pra shumica e ligjeve shkojnë në funksion të bizneseve të mëdha”, theksoi ai.

Edhe kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna, vlerëson se ky ligj do të sjellë pasoja të mëdha për bizneset.

“Biznesi nuk është në ditët më të mira të tij, ka shumë sfida. Edhe tani jemi duke parë që kuvendi nuk është duke funksionuar, kërkesa jonë është të bëhet një plotësim ndryshim i kësaj dispozite, por të mos ngarkohen bizneset me tatim shtesë, sidomos në këtë periudhë ku me të vërtetë po ballafaqohen me shumë sfida”, tha Rafuna, transmeton RTK.

E shtyrjen e këtij vendimit e ka mirëpritur Asociacioni i Komunave të Kosovës ku dihet se Asociacioni i Komunave të Kosovës ka lobuar dhe ka argumentuar se kjo normë tatimore është ngarkesë dhe barrë e rëndë e shtuar për pronarët e pronave të paluajtshme komerciale.

Analiza e REL / Raportet Trump-Kosovë: Çfarë ishin dhe çka mund të pritet

0

Nga marrëveshja ekonomike ndërmjet Kosovës e Serbisë, njohja nga Izraeli, deri te mospajtimet politike dhe akuzat – janë ngjarjet që shënuan raportet e Kosovës me administratën e kaluar amerikane me në krye Donald Trump, 2016-2020.

Tani që Trump u zgjodh për mandatin e dytë, njohësit politikë në Kosovë dhe të huaj, kanë qëndrime të ndara për ndikimet që kjo administratë do të ketë mbi Kosovën.

Afrim Hoti, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, është optimist se Trump sjell një “mundësi pozitive për Kosovën dhe rajonin”.

Ndërsa për Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Berlin “as edhe një gjë pozitive” për Ballkanin nuk mund të vijë nga zgjedhja e Trumpit.

Normalizim ekonomik dhe konflikte politike

Gjatë mandatit të parë të Donald Trump si President i SHBA-së (2016-2020), administrata e tij u përqendrua fuqimisht në atë që e quajti “normalizim ekonomik” të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Synimi kryesor, sipas kësaj administrate, ishte që bashkëpunimi ekonomik t’i vendoste “në plan të parë përfitimet e qytetarëve, duke i ulur tensionet politike në rajon”.

I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, luajti një rol kyç në këtë përpjekje, duke theksuar se mungesa e një marrëveshjeje të tillë përbënte një pengesë të madhe për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve dhe për tërheqjen e investimeve të huaja.

Në katër vjetët sa president i SHBA-së ishte Trumpi, në Kosovë u ndërruan tre kryeministra: Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Një moment i rëndësishëm i ndërmjetësimit të administratës Trump, në marrëdhëniet Kosovë- Serbi ndodhi më 4 shtator 2020, kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, e nënshkruan Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Ekonomike në Shtëpinë e Bardhë.

Marrëveshja përfshinte projekte konkrete infrastrukturore si autostrada e Paqes Prishtinë-Merdare dhe një linjë hekurudhore në të njëjtën rrugë, për të lehtësuar lëvizjen dhe tregtinë mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithëse projekti i autostradës vazhdoi në të dy anët, ai mbetet ende i papërfunduar tërësisht.

Një element tjetër kyç ishte studimi i fizibilitetit për liqenin e Ujmanit, i cili shtrihet në kufirin Kosovë-Serbi.

SHBA-ja e përfundoi këtë studim në qershor të vitit 2021 dhe propozoi një model të përbashkët menaxhimi.

Grenell, madje, sugjeroi që liqeni të riemërohej “Liqeni Trump”, një propozim i cili mori mbështetje nga Hoti dhe zyrtarët serbë, edhe pse pati reagime të përziera nga publiku.

Gjithashtu, Grenell ndërmjetësoi një marrëveshje në janar të vitit 2020 ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe kompanisë gjermane Lufthansa për të krijuar një linjë ajrore direkte Prishtinë-Beograd. Trump e përshkroi këtë si “një tjetër fitore,” por linja ende nuk është realizuar në praktikë.

Ndërmjetësimi i Trumpit i solli Kosovës edhe njohjen nga shteti i Izraelit.

Ndryshe nga kjo periudhë, marrëdhëniet e administratës Trump dhe në veçanti të Grenellit me Albin Kurtin ishin të tensionuara.

Kurti, kur mori për herë të parë detyrën në fillim të vitit 2020, përplasej shpesh me Grenellin, i cili e kritikoi publikisht, duke e cilësuar Kurtin si “antiamerikan” dhe duke e akuzuar se i kishte kundërshtuar politikat amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump.

Tensionet kulmuan në marsin e 2020-tës kur Qeveria e Kurtit u rrëzua nëpërmjet një mocioni mosbesimi, për të cilin Kurti pretendoi se ishte orkestruar me mbështetjen e Grenellit.

Një nga pikat e tensioneve ishte edhe një tarifë doganore prej 100 për qind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia e vendosur nga Qeveria Haradinaj më 2018.

Sipas Kurtit, Grenell kërkoi heqjen e tarifës pa masa reciproke, gjë që Kurti e kundërshtoi fuqimisht.

Kurti gjithashtu akuzoi Grenellin për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në krizën politike në Kosovë, duke thënë se ai kishte propozuar një marrëveshje me Serbinë për këmbim territorial dhe se një marrëveshje e tillë “nuk mund të ishte një marrëveshje paqeje”.

Grenell, nga ana e tij, e përshkroi Kurtin si një “problem” dhe vazhdoi të argumentonte se qasja e tij ishte e nevojshme për t’i avancuar interesat amerikane në Ballkan.

Edhe pas përfundimit të mandatit të parë të Trumpit, kritikat e Grenellit ndaj Kurtit nuk kanë reshtur.

Në verën e vitit 2023, Grenell komentoi mbi veprimet e Kurtit në veriun e Kosovës, sidomos në komunat me shumicë serbe, duke i cilësuar si veprime që rrezikonin stabilitetin e rajonit.

Administrata aktuale e SHBA-së nën udhëheqjen e presidentit Joe Biden, gjithashtu, ka kritikuar disa nga veprimet e njëanshme të Kurtit veçanërisht në veri të vendit, duke i cilësuar si të dëmshme për marrëdhëniet me Uashingtonin.

Në gusht, Grenell kritikoi ashpër Kurtin në rrjetet sociale, duke theksuar se “Kurti është problem”.

Pavarësisht kësaj, kryeministri aktual, Albin Kurti e uroi Trumpin për fitoren duke thënë se mezi pret “të punojmë së bashku për përparim dhe paqe“.

Edhe liderë të partive opozitare në Kosovë e kanë uruar Trumpin për fitoren në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Mandati i dytë, “pozitiv ose shumë negativ”

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, profesori Afrim Hoti nga Universiteti i Prishtinës e konsideron zgjedhjen e Donald Trumpit president të SHBA-së si një zhvillim pozitiv për Kosovën dhe Ballkanin.

Hoti beson se administrata e Trumpit mund të sjellë energji të reja në marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën dhe rajonin.

“Unë dua të besoj se kushdo që i udhëheq institucionet e Kosovës duhet të jetë i vetëdijshëm se ka pak rëndësi fakti se kush e udhëheq Shtëpinë e Bardhë. Pra, cila administratë udhëheq SHBA-në, sepse si me njërën, ashtu edhe me tjetrën, institucionet tona kanë pasur raporte të ngushta”.

Hoti, gjithashtu, shton se Kosova duhet të forcojë përpjekjet e lobimit me SHBA-në për të ruajtur këtë marrëdhënie të rëndësishme, pasi sipas tij ky lobim është rritur shumë në Serbi.

“Tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe tashmë serbët janë në ofensivë, ata po lobojnë me të madhe. Përfundimisht, institucionet tona duhet të jenë të vetëdijshëm për këto veprime dhe ta ripozicionojnë vendin karshi SHBA-së”, thotë Hoti.

Në anën tjetër, Toby Vogel parashikon se Ballkani nuk do të jetë shumë lart në agjendën e Trumpit, por beson se çfarëdo ndikimi që administrata e tij do të ketë në rajon, “nuk do të jetë pozitiv”.

Më konkretisht, ai përmend mundësinë e ringjalljes së skemës së “këmbimit të territoreve,” ku Serbia mund të aneksojë veriun e Kosovës dhe që, sipas tij, nuk mund të përfundojë paqësisht.

“Evropianët nuk janë të gatshëm ta kundërshtojnë këtë – në fakt, herën e fundit kur u diskutua seriozisht kjo ide ishte nën iniciativën e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe më pas u mor nga administrata e Trump”, thotë Vogel.

Përveç kësaj, ai paralajmëroi se kryeministri kosovar, Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, mund të përpiqen të krijojnë “fakte në terren,” veçanërisht në veri të Kosovës dhe se “Kurti mund të ndihet i detyruar të veprojë para inaugurimit të Trumpit dhe zgjedhjeve në Kosovë në shkurt”.

Veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe ka qenë në vazhdimësi vatër e tensioneve në Kosovë meqë në atë zonë kundërshtohet pavarësia e Kosovës. Një sulm i fundit i armatosur në shtator të vitit 2023, la të vrarë një polic të Kosovës.

Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte ndër të parët në rajon që ia uroi fitoren Trumpit, dhe rezultatit zgjedhor iu gëzuan edhe qytetarë serbë në veri të Kosovës. /REL

Tërmet në Shkup, panik tek qytetarët

0

Një tërmet është ndjerë në Shkup mëngjesin e sotëm në orën 05:49.

Sipas Qendrës Sizmologjike Mesdhetare Evropiane, tërmeti ka qenë me magnitudë 2.1 shkallë sipas Rihterit, ndërsa epiqendra ka qenë 8 kilometra në veri të Shkupit.

Tërmeti kishte një thellësi prej tetë kilometrash. /Alsat.mk

Moti sot me diell dhe vranësira të shpërndara

0

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka bërë të ditur se sot parashikohet të ketë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësira më të fokusuara parashihen për rreth relievit malor.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri -1gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë Celsius.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare.

Sallani vlerësohet për paraqitjen e mbrëmshme

0

Mediat italiane kanë lëvduar paraqitjen e mbrëmshme të Kristjan Asllanajt në ndeshjen që Inter e fitoi ndaj Arsenalit.

Asllani që u fut në minutën e 71-të, ka marrë notën 6.

“Futet në fushë në një moment të vështirë, përpiqet të mos bëjë gabime”, shkruan Sportmediaset.

Dy minuta lojë i mjaftuan Interit të trondiste Arsenalin, me Dumfries që ishte i pafat teksa goditja e tij u përplas në traversë.

Në fundin e pjesës së parë, vendasit fituan një 11-metërsh për prekje të topit me dorë.

Nga pika e bardhë, Calhanoglu u tregua perfekt duke kaluar Inter në avantazh.

Arsenal kishte kontrollin e lojës, krijuan 20 raste, goditën 4 herë kuadratin, por Sommer dhe fati bënë që “topçinjtë” të dilnin “duar bosh” nga kjo transfertë.

Aksident i rëndë në Pestovë të Vushtrrisë, vdes një 21-vjeçar

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se një 21-vjeçar ka vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00 në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë.

“Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, mirëpo rreth orës 00:40 të datës 07.11.2024 policia është njoftuar nga emergjenca e QKUK-së, se si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident, personi i lënduar i moshës 21 vjeçare ka humbur jetën”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhër te tij trupi i pa-jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.