spot_img
E hënë, 29 Dhjetor, 2025
19:39
Home Blog Page 1656

Shukri Buja e vazhdon dëshminë e tij në Hagë

0

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në seancën e sotme vazhdon për të katrën ditë, dëshminë e tij, Shukri Buja.

Të mërkurën, Shukri Buja është përballur me prokurorinë e Gjykatës Speciales në Hagë. Buja ka thënë se në UÇK nuk ka pasur as gjykata as organe të hetuesisë. Këtë përgjigje ai e dha pasi u pyet nga prokurori, James Pace se nëse ndonjë ushtar i UÇK-së në Zonën e Nerodimes ishte hetuar nga UÇK-ja për mënyrën e trajtimit të civilëve.

Për pak minuta seanca u mbyll për publikun derisa prokurori la të kuptohet se do të diskutohet për ndalimin e një personi nga UÇK.

Mirëpo, Buja u pyet edhe rreth një dokumenti ku pretendohej se dëshmitari ka thënë se personat që janë arrestuar nuk e kanë ditur se ku dërgoheshin, por që ai i ka orientuar për në Kleçkë. Buja në këtë rast tha se e ka sqaruar deklaratën e 2005-s, pasi nuk ka pasur arrestime, por këtë fjalë e ka përdorur hetuesi.

Më pas dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e Luka Mishetiqit, avokatit mbrojtës të Hashim Thaçit, i cili e ka pyetur Bujën prej themelimit të UÇK-së e caktimit të komandantëve të zonave. Në këtë pjesë ai u pyet edhe nëse kishte marrë urdhra nga Hashim Thaçi, për çka dëshmitari e mohoi një gjë të tillë.

Buja po ashtu ka thënë se luftimet në mes të UÇK-së dhe forcave serbe kishin përfunduar më 10 qershor 1999 ndërsa më 12 qershor kishte nisur komunikimi dhe bashkëpunimi me forcat paqeruajtëse të KFOR-it, pasi u pyet nëse ato kanë vazhduar edhe më tej.

Dëshmitari ka thënë se çmilitarizimi i UÇK-së ka ndodhur sipas marrëveshjes porse ka pasur ushtarë të cilët kanë kundërshtuar dorëzimin e armëve dhe uniformës derisa shtoi se transformimi i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës ka ndodhur sipas marrëveshjes me KFOR-in.

DW: Serbia po armatoset – Sa rrezik lufte ka në Ballkan?

0

A po planifikon Serbia të destabilizojë apo edhe të sulmojë ushtarakisht shtetet e saj fqinje Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe homologu i saj boshnjak Denis Beciroviq paralajmëruan së fundmi për këtë skenar.

Osmani tha në një intervistë televizive në shtator se kishte shpresë që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në BE dhe NATO, “por parakusht për këtë është ta trajtojmë Serbinë ashtu siç është: një shtet satelit i Rusisë, i cili thellon bashkëpunimin ushtarak, ekonomik dhe politik me Rusinë”.

Paralajmërimi i Beciroviqit për dëshirat territoriale të Serbisë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork ishte edhe më i fortë: “Nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dëshiroj të paralajmëroj publikun botëror se udhëheqja e Republikës së Serbisë kërcënon edhe një herë të cenojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës”.

Beogradi po armatoset
Në fakt Beogradi ka vite që po armatos masivisht ushtrinë e vendit me sisteme moderne armësh. Beogradi ka blerë avionë luftarakë francezë dhe helikopterë sulmues rusë, të cilët presidenti serb Aleksandar Vuçiç i quajti “tanke fluturuese”. Përveç kësaj menjëherë pasi Rusia sulmoi Ukrainën Pekini dërgoi në Serbi sisteme kineze kundërajrore. Po ashtu ka njoftime që Serbia ka blerë nga Irani mijëra dronë, të atij tipi që Rusia i përdor çdo ditë kundër qyteteve ukrainase.

Revista “The Economist” shkruante në vitin 2021 se “blerjet e armëve” nga Beogradi po i frikësojnë vendet fqinje. Kurse Instituti i njohur suedez për Kërkime për Konfliktet SIPRI deklaroi në vitin 2022 se buxheti i Beogradit për mbrojtjen është 1.3 miliardë euro, pra dhjetë herë më i madh se ai i Kosovës.

Epërsia ushtarake e Serbisë ilustrohet edhe nga inventari i saj i tankeve. Me rreth 250 tanke, Serbia ka më shumë tanke se të gjitha republikat e tjera të ish-Jugosllavisë së bashku – për krahasim: ushtria gjermane, Bundeswehr, ka 295 tanke. Kroacia renditet në vendin e dytë me 75, Bosnja në vendin e tretë me 45, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 31. Kurse as MaMali i Zili i Zi dhe as Kosova nuk kanë tanke.

Kjo është ndoshta një nga arsyet pse forcat e armatosura të Kosovës u pajisën vitin e kaluar me drone turke Bayraktar dhe këtë vit me 250 raketa amerikane antitank Javelin.

Projekti për një botë serbe
Shtrohet pyetja pse Beogradi ka grumbulluar një arsenal të madh armësh ndër vite pa pasur kërcënim nga fqinjët e tij. A po bën presidenti Vuçiq plane për të sulmuar vendet fqinje, siç paralajmëroi presidentja e Kosovës?

Të paktën kështu sugjerojnë deklaratat, kërcënimet dhe veprimet e udhëheqjes serbe në Beograd. Ajo propagandon projektin e “Botës Serbe”, një version pasardhës disi i zvogëluar i “Serbisë së Madhe” të ish-presidentit serb Slobodan Millosheviç, duke ndeshur kështu në rezonancë me serbët në vendet fqinje, në Kosovë dhe Bosnjë.

Kuvendi mbarëserb
Në fillim të qershorit 2024 Vuçiqi drejtoi një “kuvend mbarëserb” në Beograd me përfaqësues të serbëve nga të gjitha zonat e ish-Jugosllavisë, një takim strategjik që formuloi në thelb planin për zbatimin e “Botës Serbe”. Në “Deklaratën mbarëserbe” Kosova përmendet si pjesë e Serbisë dhe Republika Srpska, pjesa e dominuar nga serbët e Bosnjës dhe Hercegovinës, si “interes kombëtar i Serbisë”.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin e dënoi këtë deklaratë në mënyrë jashtëzakonisht të ashpër. Qeveria gjermane e konsideron Deklaratën mbarë-serbe “shumë shqetësuese dhe të dëmshme për Bosnjën dhe Hercegovinën, për Serbinë dhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Beciroviçi e komentoi takimin e Beogradit në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara si vijon: “Deklarata shkatërruese e të ashtuquajturit Kuvend mbarë-serb, e miratuar më 8 qershor të këtij viti në Beograd, nuk është vetëm një veprim deklarativ, por një dokument i rrezikshëm për një shtet të madh”.

Luftë në Ballkan?
Asnjë nga vendet fqinje që duket se janë në shënjestër të dëshirave territoriale të Beogradit nuk kanë forca të armatosura “të gatshme për luftë”. Pa mbrojtjen e dy misioneve paqeruajtëse perëndimore të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe BE-së në Bosnje (EUFOR/Althea), ata do të ishin pre e lehtë për ekspansionizmin agresiv të Beogradit.

Vitet e fundit bëri disa herë bujë dhe shkatoi trazira dislokimi i trupave serbe në kufirin me Kosovën dhe sulmi i një njësie paraushtarake serbe ndaj forcave të sigurisë së Kosovës. Kjo për shkakun se sulme të tilla të njësive paraushtarake serbe u kishin paraprirë luftës në Kroaci në vitin 1991 dhe asaj në Bosnje një vit më vonë.

Incidentet e fundit ushtarake mund të kenë qenë balona prove të Beogradit. Por meqenëse reagimet e SHBA-së dhe NATO-s ishin shumë të shpejta dhe të mprehta, Beogradi u tërhoq. Në gusht 2024 Uashingtoni ndërhyri sërish, këtë herë me drejtorin e CIA-s, William Burns, i cili shkoi në Bosnje dhe Hercegovinë posaçërisht për të ndaluar veprimet separatiste të liderit serb të Bosnjës, Millorad Dodik. Ai ka ndërmarrë vazhdimisht hapa për të shpallur pavarësinë e Republika Srpska dhe ka pajisur mijëra paraushtarakë. Politikanët në kryeqytetin Sarajevë po përgatiten për mundësinë që Republika Srpska mund të vazhdojë përpjekjet për shkëputjen. Në rast se do të lindë një konflikt i armatosur dhe serbët e Bosnjës do të vihen nën presion ushtarak, ka shumë të ngjarë që Beogradi të dërgojë tanket e tij në Bosnje për t’i shpëtuar ata.

Një luftë e re në Ballkan nuk mund të përjashtohet. Dhe tani që Donald Trump do të marrë sërish pushtetin në Uashington, është plotësisht e paqartë se si do të sillet superfuqia SHBA në një rast të tillë. Një kandidat premtues për postin e ministrit të Jashtëm është ish-ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell. Së bashku me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner, ai ka interesa të forta biznesi në Serbi.

Shpëtohen qindra migrantë në brigjet e Libisë

0

Anija Ocean Viking, e marrë nga organizata humanitare SOS Méditerranée, shpëtoi 178 migrantë të mërkurën në dy operacione në brigjet e Libisë dhe Maltës, tha OJQ-ja me bazë në Marsejë.

Në veçanti, 140 njerëz në një varkë të vogël prej druri ishin në rrezik duke u përpjekur të arrinin në Evropë, sipas fotove të publikuara nga SOS Méditerranée.

“Anija ishte e mbingarkuar, e rrezikshme dhe në rrezik përmbysje”, tha organizata joqeveritare.

Në operacionin e dytë, 38 persona në bordin e një gomone me fryrje të pikasur pranë Maltës u shpëtuan.

Rezi i shpreh dashurinë Drenushës, merr përgjigjen nga kjo e fundit

0

Rezi siç duket i ka kërkuar Drenushës njohje jashtë Big Brother.

“A mundemi të paktën përjashta?”, i tha Rezi-Drenushës, transmeton Klankosova.tv.

E ashpër në përgjigjie ishte Drenusha e cila i tha që nuk ka ardhur në këtë format për të krijuar as lidhje e as pëlqime.

“Une këtu s’kam ardhë me bo lidhje as pëlqime. As nuk më intereson ajo pjesë. Kam ardhë për të krijuar shoqëri e për të përjetuar eksperiencën më të mirë të jetës sime”, i tha Drenusha.

Melania Trump: Ne do mbrojmë zemrën e republikës sonë, lirinë

0

Zonja e parë e ardhshme e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, tha pas fitores së bashkëshortit të saj Donald në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara se shumica e amerikanëve ua besuan atyre “këtë përgjegjësi të rëndësishme”.

“Ne do të mbrojmë zemrën e Republikës sonë, lirinë. Pres që qytetarët e vendit tonë t’i përkushtohen njëri-tjetrit dhe të ngrihen mbi ideologjinë për hir të lirisë individuale, prosperitetit ekonomik dhe sigurisë”, ka shkruar Melania Trump në platformën X.

Ajo shtoi se beson se “energjia, aftësia dhe iniciativa amerikane do të bashkojnë mendjet më të mira” për të avancuar kombin amerikan.

Republikani Donald Trump mundi kandidaten e Partisë Demokratike Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale në SHBA të martën, pasi kishte fituar 270 votat e nevojshme elektorale.

Biden uron Trump, e fton për takim në Shtëpinë e Bardhë

0

Presidenti Joe Biden telefonoi të mërkurën Presidentin e zgjedhur Donald Trump për t’i uruar fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe e ftoi për një takim në Shtëpinë e Bardhë.

Shtëpia e Bardhë tha nëpërmjet një deklaratë se pas fitores së zotit Trump, presidenti Biden gjithashtu u angazhua “për të siguruar një tranzicion të qetë dhe theksoi rëndësinë për të bashkuar vendin”.

Po sipas deklaratës, presidenti Biden ka folur gjithashtu me kandidaten demokrate Kamala Harris. Zoti Biden do t’i drejtohet kombit të enjten në orën 11:00, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Kamala Harris tha të mërkurën se “duhet të pranojmë rezultatin e zgjedhjeve” pasi inkurajoi mbështetësit që të vazhdojnë të luftojnë për vizionin për vendin pas humbjes ndaj ish-Presidentit Donald Trump.

Nënpresidentja demokrate tha se beteja do të vazhdojë “në kutitë e votimit, në gjykata dhe në sferën publike”.

Para fjalimit të saj, Kamala Harris telefonoi Presidentin e zgjedhur Donald Trump të mërkurën për të pranuar humbjen në garën presidenciale dhe për ta uruar atë për fitoren, sipas një këshilltari të lartë të nënpresidentes.

Këshilltari, i cili nuk pranoi të identifikohej në mënyrë që të diskutonte për një bisedë private, tha se zonja Harris foli për nevojën për një transferim paqësor të pushtetit.

Zonja Harris u bë kandidatja demokrate pasi zoti Biden pati një paraqitje të dobët në debatin presidencial të 27 qershorit përballë ish-Presidentit Trump.

Ai u tërhoq nga gara më 21 korrik dhe mbështeti nënpresidenten e tij e cila bashkoi me shpejtësi Partinë Demokratike rreth kandidaturës së saj./VOA

Tit.nga storm•/ Fitorja e Trump-it në Michigan, Pensilvani dhe Wisconsin prishi “Murin e Kaltër” Demokrat!

0

storm•/SHBA-Zgjedhjet: Klisheja më e përdorur mbi hartën elektorale — e ashtuquajtura “Muri i Kaltër” i Michiganit, Pensilvanisë dhe Wisconsin-it — u shemb këtë javë kur Presidenti i zgjedhur Donald J. Trump fitoi ato shtete për herë të dytë në tre zgjedhje.

Fushëbetejat e Liqeneve të Mëdha, në fakt, nuk janë më as “të kaltra” as “mur” në ditët e sotme. Ndërsa republikanët e rajonit festonin performancën e Trump-it, që i hapi rrugën për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë dhe dëshmoi se fitoret e tij të 2016-ës nuk ishin rastësi, demokratët po përballeshin me një bazë të copëtuar dhe pyetje urgjente për rrugën e tyre përpara.

“Mendoj se do të ketë shumë biseda në ditët e ardhshme për hapat e ardhshëm dhe çfarë vjen më pas,” tha Sekretarja e Shtetit e Michiganit, Jocelyn Benson, një demokrate, duke shtuar, “ndërsa unë vetë kam reflektuar dhe kam biseduar me njerëz, ata janë shumë të shqetësuar për ekonominë e tyre.”

Demokratët e Liqeneve të Mëdha kanë qenë në këtë situatë më parë dhe janë rikthyer. Pas fitoreve të Trump-it në 2016 që shkaktuan një raund introspektimi për liberalët, demokratët dominuan zgjedhjet e mesmandatit të 2018-ës duke fituar përsëri guvernatorët dhe vendet në Kongres. Presidenti Biden e vazhdoi atë moment me fitoret e tij në të tre shtetet e Murit të Kaltër në 2020, dhe partia e tij pati një zgjedhje të mirë edhe në 2022.

Në këtë kuptim lexoni edhe: ⇓

Fitorja vendimtare e Donald Trumpit dhe ndasitë e thella politike

Por rezultatet e së martës nxorën në pah pyetje më themelore për koalicionin e vjetër demokratik në Michigan, Pensilvani dhe Wisconsin. Trump-i kishte përqafuar agresivisht shumë nga votuesit e bardhë të klasës punëtore, përfshirë anëtarët e sindikatave, që për një kohë të gjatë kishin mbështetur demokratët. Ai bëri hapa përpara këtë vit edhe me të rinjtë, amerikanët arabë dhe votuesit zezakë, të cilët gjithashtu ishin pjesë tradicionale e bazës demokrate.

“Mendoj se po shohim, në kohë reale, një riorganizim politik,” tha përfaqësuesi i Shtetit Bill G. Schuette, një republikan nga Michigani që drejtoi përpjekjet legjislative të partisë së tij në shtet këtë vit dhe tha se gatishmëria e Trump-it për të vizituar vendet tradicionalisht demokrate si Detroiti dhe Dearborni ndihmoi në ndërtimin e mbështetjes.

Përfaqësuesja Hillary Scholten, një demokrate që fitoi rizgjedhjen të martën në një pjesë historikisht konservatore të Michiganit Perëndimor, tha se kishte ende arsye për shpresë elektorale në partinë e saj. Demokratët fituan ngushtë vendet në Senat në Michigan dhe Wisconsin, ndërsa një garë në Pensilvani mbeti shumë e ngushtë për t’u deklaruar.

Megjithatë, Scholten tha se mesazhi ekonomik i demokratëve kishte nevojë urgjente për rishikim.

“Ne u humbëm shumë në të dhënat dhe nuk po dëgjonim sa duhet amerikanët për mënyrën se si ndiheshin,” tha ajo. “Nëse i thua një nëne që punon dhe ka katër fëmijë që s’duhet të shqetësohet për ekonominë sepse PBB-ja duket e fortë, ajo do të thotë: ‘Largohu, ti s’më kupton.’”

Gjatë përgatitjeve për zgjedhjet, demokratët përdorën “Murit të Kaltër” si një lloj thirrjeje për betejë elektorale, duke nxitur mbështetësit e Zëvendëspresidentes Kamala Harris të trokisnin në dyer dhe të bindnin miqtë e tyre për të votuar në një rajon që sondazhet thoshin se ishte rruga më e drejtpërdrejtë për të fituar presidencën.

Fundjavën e kaluar, Guvernatorja Gretchen Whitmer e Michigan-it u tha një grupi vullnetarësh që ajo ishte “e bindur se Michigan-i do t’i tregojë botës që jemi një pjesë e fortë e Murit të Kaltër që është i paprekur.”

Por kështu nuk ndodhi.


New York Times

Përditësimet e fundit pas zgjedhore!

0

Përditësime të Zgjedhjeve: Harris, në Fjalimin e Pranimit të Humbjes, Thotë “Ndonjëherë Lufta Zgjat”

Fitorja vendimtare e Donald Trumpit dhe ndasitë e thella politike

0

Republikani Donald Trump shënoi një fitore vendimtare mes ndasive të thella në vend. Fitorja e zotit Trump ekspozoi një dobësi thelbësore brenda bazës demokrate dhe zmbrapsi shqetësimet për të kaluarën e tij morale, duke u bërë presidenti i parë amerikan i shpallur fajtor për një krim.

Zoti Trump fitoi mbështetjen e votuesve të pakënaqur duke ofruar premtime të guximshme se ideja e tij ekonomike “Amerika e para” dhe kultura konservatore do të sillte një jetë më të mirë për ta. Presidenti i zgjedhur do të vihet menjëherë në provë, ndërsa ka arsye për të besuar se planet e zotit Trump për dëbime masive dhe tarifa të larta mund të dëmtojnë ata që mundësuan fitoren e tij.

Pasi siguroi një fitore vendimtare, zoti Trump do të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë më 20 janar 2025. Ndërsa disa shtete ende vazhdojnë numërimin e votave, ai ka gjasa të bëhet republikani i parë në dy dekada që fiton votën popullore.

Pas rezultatit, demokratët përballen me nevojën e një reflektimi të brendshëm dhe përgjegjësive të menjëhershme për situatën, pa një udhëheqës të qartë për të bashkuar koalicionin kundër republikanit Trump dhe pa një plan të qartë për të ardhmen, ndërsa udhëheqësi republikan përgatitet të rimarrë Shtëpinë e Bardhë për herë të dytë.

Ndikimi i zotit Trump tek baza demokrate

Votuesit afrikano-amerikanë kanë qenë themeli i Partisë Demokrate, ndërsa vitet e fundit janë përfshirë edhe hispanikët dhe moshat e reja. Të dhënat paraprake nga një sondazh i AP VoteCast, me 120,000 votues në mbarë vendin, sugjeron se zoti Trump siguroi mbështetje të konsiderueshme mes këtyre grupeve.

Votuesit nën moshën 30 vjeçare përbëjnë një pjesë të vogël të elektoratit amerikan, por rreth gjysma e tyre votuan për demokraten Harris. Në vitin 2020, rreth 6 ndër 10 prej tyre votuan për demokratin Joe Biden. Pak më shumë se 4 ndër 10 votues të rinj e mbështetën zotin Trump, krahasuar me një të tretën në vitin 2020.

Sipas sondazhit, votuesit afrikano-amerikanë dhe hispanikë ishin më pak të prirur që të mbështesnin demokraten Harris krahasuar me mbështetjen e tyre për zotin Biden katër vjet më parë.

Rreth 8 ndër 10 votues afrikano-amerikanë e mbështetën zonjën Harris, krahasuar me afërsisht 9 ndër 10 votues që mbështetën zotin Biden.

Më shumë se gjysma e votuesve hispanikë e mbështetën zonjën Harris, krahasuar me 6 ndër 10 votues që e mbështetën zotin Biden në vitin 2020. Krahasuar me katër vjet më parë u pa një rritje e mbështetjes për republikanin Trump mes këtij grupi. Mbështetja e përgjithshme që siguroi zoti Trump mes këtyre grupeve i siguroi fitoren e zgjedhjeve.

Ekonomia, emigracioni dhe lufta e vlerave

Pavarësisht retorikës së tij, zoti Trump fitoi mbështetjen e votuesve me premtimet e mëdha për të përmirësuar ekonominë, bllokimin e fluksit të emigrantëve dhe thirrjes për ta bërë Amerikën përsëri madhështore.

Zoti Trump bëri për vete edhe votuesit e besimeve të ndryshme nga të dyja partitë duke shfrytëzuar animin e demokratëve drejt komunitetit transgjinor.

Në përgjithësi, rreth gjysma e mbështetësve të zotit Trump thanë se inflacioni dhe çështja e kufirit ishin çështjet kryesore që ndikuan tek vota e tyre, sipas sondazhit nga AP VoteCast.

Presidenti Trump do të udhëheqë një komb thellësisht të përçarë

Presidenti Trump do të trashëgojë një komb me përçarje të thella politike dhe kulturore dhe një elektorat të shqetësuar.

Të pyetur se çfarë çështjesh ndikuan në vendimin e tyre për të votuar, rreth gjysma iu referuan të ardhmes së demokracisë. Kjo përqindje është më e lartë se përqindja e atyre që i janë referuar inflacionit, emigracionit apo politikave rreth abortit. Dhe kjo përgjigje është dhënë nga votuesit e dy partive: rreth dy të tretat e votuesve të kandidates demokrate Harris dhe rreth një e treta e votuesve të kandidatit republikan Trump thonë se e ardhmja e demokracisë ishte faktori më i rëndësishëm që ndikoni në votën e tyre.

Kjo nuk është befasuese duke patur parasysh realitetin gjatë mandatit të zotit Trump dhe retorikën gjatë fushatës.

Zoti Trump refuzoi të pranojë humbjen e vitit 2020 dhe vëzhguesit e tij hynë me forcë në ndërtesën e Kapitolit me 6 janar të vitit 2021 pas një fjalimi të tij, kur Kongresi u mblodh për të certifikuar fitoren e Presidentit Joe Biden. Dy ditë para zgjedhjeve, zoti Trump e tha se nuk “do të duhej të kishte dalë” nga Shtëpia e Bardhë dhe foli vazhdimisht për hakmarrje ndaj armiqve të tij politikë.

Zonja Harris, në fund të fushatës, iu bashkua kritikëve të tjerë – përfshirë ish shefin e kabinetit të zotit Trump – duke e përshkruar ish presidentin dhe tani presidentin e sapo zgjedhur si “fashist”. Zoti Trump, ndërkohë, e quajti zonjën Harris “fashiste” dhe “komuniste”.

Dosja kriminale e Donald Trump nuk shqetësoi shumë votues

Rezultatet e pjesshme tregojnë se vendimet penale ndaj zotit Trump, përfshirë aktpaditë dhe shqetësimet rreth retorikës së tij nxitëse nuk përbënë shqetësim për dhjetëra miliona amerikanë që votuan për të.

Sipas llogaritjeve të agjencisë së lajmeve Associated Press, pak më shumë se gjysma e votuesve thanë se zonja Harris kishte karakter moral për t’u bërë presidente, krahasuar me rreth 4 ndër 10 votues të cilët thanë të njëjtën gjë për zotin Trump. Është shumë e mundur që, siç thoshte zoti Trump shpesh gjatë fushatës, betejat ligjore në fakt e ndihmuan atë.

Me situatën e krijuar, zoti Trump ka mundësi që të mos dënohet kurrë në çështjen kundër tij për mashtrim në Nju Jork, në të cilën është shpallur fajtor për 34 akuza. Për momentin, seanca për dënimin e tij është e caktuar në fund të këtij muaji.

Një aktpadi federale në Florida ndaj tij tashmë është shfuqizuar, duke shmangur një gjykim për të përcaktuar nëse ai kishte shkelur ligjet amerikane që mbrojnë sekretet e sigurisë kombëtare. Ai e ka bërë të qartë se do të përdorë kompetencat e tij si president për të shfuqizuar hetimet federale ndaj tij për rolin në sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit. Një veprim i tillë do të pezullonte rastin ndaj zotit Trump dhe të tjerëve në Xhorxhia lidhur me përpjekjet për përmbysjen e rezultatit zgjedhor në vitin 2020.

Theksi tek maskilizmi mbizotëron ndaj shqetësimeve rreth abortit

Këto ishin zgjedhjet e para presidenciale pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të kthyer çështjen e abortit në duart e shteteve (Roe v. Wade) dhe për t’i dhënë fund të drejtës së gruas në nivel kombëtar për të ndërprerë shtatzëninë . Është po ashtu hera e parë që një kandidat presidencial republikan bëri përpjekje që synonin veçanërisht të bënin për vete votuesit meshkuj, me një qasje maskiliste.

Por “hendeku gjinor” nuk mjaftoi për të mundur zotin Trump.

Mbi gjysma e grave mbështetën zonjën Harris, ndërkaq mbi gjysma e burrave mbështetën zotin Trump, sipas AP. Këto rezultate pasqyrojnë përqindjet për zotin Biden dhe zotin Trump në vitin 2020.

Demokratët në krizë

Para pak muajsh, zonja Harris nxiti optimizëm të jashtëzakonshëm në radhët e Partisë Demokrate. Ajo mblodhi mbi një miliard dollarë fonde brenda natës. Ajo mbizotëroi në debatin me zotin Trump, mbushi sallat gjatë fushatës dhe vetëm para disa ditësh, mblodhi turma masive në qendër të Uashingtonit.

Por në fund të fundit, këto nuk mjaftuan.

Ndërkohë, republikanët morën kontrollin e Senatit me humbjen e senatorit veteran Sherrod Brown të Ohajos dhe duke rrezikuar vendet e disa senatorëve të tjerë demokratë. Rezultatet do t’i japin zotit Trump një epërsi të rëndësishme për të siguruar miratimin e agjendës së tij në Kongres. Shpresa e vetme e demokratëve është të fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve përmes votave nga pjesë të Kalifornisë dhe Nju Jorkut, por të mërkurën kjo ishte ende e paqartë.

Sidoqoftë, rezultatet tkurrën praninë gjeografike të demokratëve dhe me humbjen e senatorit Brown demokratët humbën zërin e klasës punëtore që mund t’i kundërvihej mesazhit të zotit Trump.

Zoti Trump ka patur sukses në portretizimin e demokratëve si parti që në aspektin e vlerave i ka humbur lidhjet me shtetet qendrore të Amerikës. Tani demokratëve u mbetet të reflektojnë se si duhet t’i rikuperojnë këto lidhje me vendin e tyre dhe me pjesët e elektoratit që i refuzoi. /VOA

Camaj: Trump e administrata e tij do të jetë fuqi pozitive për shqiptarët

0

Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë rezultat që Federata Panshqiptare amerikane “Vatra” e ka pritur. Kështu ka deklaruar në “Info Plus”, sekretari i Federatës Panshqiptare amerikane “Vatra”, Pashko Camaj.

Camaj duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve në SHBA, ka thënë se ka fituar Amerika, ka fituar demokracia dhe se ka qenë ditë e rëndësishme për gjithë globin.

“Ne kemi shikuar nga prizma se cili president do të jetë më i përshtatshëm për çështjen e shqiptarëve. Sikur elektorati amerikan edhe ne shqiptarët jemi nda disa këndej disa andej sa i përket pikëpamjeve tona, por jemi të bindur se pavarësisht se cili do kishte fituar ne shqiptarët jemi në pozicion të mirë”, ka deklaruar Camaj për RTK.

Sipas tij, me presidentin Trump, Federata është e bindur që do të ketë zhvillim shumë pozitiv.

“Trump do të jetë një energji e re që do të lëviz pak diskutimin për Kosovën në përpunimin final i cili do të jetë i favorshëm për shqiptarët por edhe për gjithë rajonin, prandaj zgjedhja e Trumpit president është shumë e rëndësishme dhe një gjë e mirë ardhur dhe mirëpritur për ne shqiptarët”, ka theksuar ai.

Camaj ka thënë se presidenti Trump është i vetmi politikan në skenën botërore i cili ka mundësi dhe vullnet të marrë hapat e duhur dhe të jetë i vendosur që të marrë vendime të cilat do të kenë përfundim final të cilat kanë mbetur ngërç që disa vite.

“Besoj që Trump dhe administrata e tij do të jetë një fuqi pozitive dhe besoj që kjo do të reflektohet së shpejti, besoj që do të ketë një zgjedhje shumë më të mirë për ne shqiptarët në të ardhmen”, ka theksuar Camaj.