spot_img
E shtunë, 27 Dhjetor, 2025
00:45
Home Blog Page 1690

Pse Ardian Ismajli është lojtari më i vlefshëm për ekipin italian?

0

Ardian Ismajli vazhdon të mbetet ‘muri i vdekjes’ për shumë lojtar e ekipe, të cilat po dështojnë ti shënojnë Empolit.

Ekipi toskan po zhvillon një sezon pozitiv, ku pa diskutim një meritë për të ka qendërmbrojtësi kuqezi.

Ismajli ka zhvillua 720 minuta të plota këtë sezon, ka shkaktuar vetëm 2 faulle, 1 për ndeshje, ka rikuperuar 15 topa, ka fituar 72 duele, 30 prej tyre në ajër, 195 pasime të sakta nga 245 dhe për të më tepër nuk është ndëshkuar asnjë herë, asnjë karton i verdhë apo i kuq, shifra fantastike që konfirmojnë sezonin e shkëlqyer që po zhvillon Ismajli.

Në Serie A, Ismajli është pa frikë mbrojtësi i momentit duke tërhequr interesimin e dy klubeve të mëdha si Juve e Inter.

Zikaltërit do të dërgojnë të dielën emisarë në “Tardini” për ta ndjekur nga pranë në takimin kundër Parmës. Ismajli ka një kontratë që i përfundon më 30 qershor 2025, pra në fund të këtij sezoni.

Empoli nuk do ta ketë të lehtë ta mbajë në skuadër, por palët janë të hapur për të diskutuar mundësinë për të rinovuar kontratën e tij aktuale.

Agjenti i tij, Pini Zahawi, një nga agjentët më të famshëm në botë, ka nisur kontaktet e para me drejtuesit e Empolit për të kuptuar nëse ekzistojnë kushtet për një kontratë të re, sigurisht me kushte ekonomike të përmirësuara ndjeshëm.

Tjetër goditje për Diddyn, dalin fotot ku pretendohet se ai përdhunoi një 13-vjeçare

0

Fotot e publikuara së fundmi tregojnë Diddy dhe partnerja e tij e atëhershme Jennifer Lopez duke u grindur në një natë kur muzikanti akuzohet për përdhunimin e një vajze 13-vjeçare.

Sipas një raporti të DailyMail, fotot janë nga festa e mbajtur në rezidencën e tij pas MTV VMA-ve në vitin 2000. Në atë kohë, Sean Combs dhe ylli Latina ishin në lidhje. Lidhja e tyre zgjati dy vjet, nga viti 1999 deri në 2001.

Fotot janë bërë në klubin e natës tashmë të mbyllur Lotus, më 7 shtator 2000, në të njëjtën natë që Diddy akuzohet për sulm seksual ndaj një vajze të re përpara dy të famshëmve që ende nuk janë shpallur.

Një burim i cili ishte i pranishëm në përleshjen e çiftit atë natë foli për DailyMail dhe raportoi:

“Diddy mbante një shishe shampanjë dhe gjatë gjithë natës po u shërbente mysafirëve të tij. Të gjithë po kërcenin dhe po argëtoheshin, por me kalimin e natës tensioni mes tij dhe Lopez u rrit”.

Nuk dihet arsyeja pse ata janë përleshur, por siç thotë i njëjti burim, tensioni mes tyre ishte i dukshëm dhe kishte prekur të gjithë kompaninë.

“Pas disa orësh grindje, Diddy vendosi se ishte koha të largohej nga festa. Ai mori Lopezin dhe shoqëruesit e tyre, përfshirë vajzat që ishin në festë, dhe të gjitha dolën së bashku”, tha burimi.

Rishfaqja e këtyre fotove vjen në një kohë kur Diddy po përballet me akuza të rënda për sulm seksual ndaj një të mituri atë natë.

Sipas padisë, ngjarja ndodhi në një shtëpi larg klubit, por koha i shton një dimension shqetësues ngjarjeve të asaj nate. Jennifer Lopez nuk përmendet në padi. Çifti vazhdoi lidhjen e tyre edhe për pesë muaj të tjerë përpara se të ndaheshin përgjithmonë në shkurt 2001.

Në padi, Diddy akuzohet se përdhunoi vajzën 13-vjeçare së bashku me dy të famshëm të tjerë në festën e pasme të MTV Video Music Awards atë natë.

Gruaja tani 37-vjeçare ngriti një padi kundër Combs në gjykatën federale të Nju Jorkut të dielën (20/10), në të cilën ajo pretendon se incidenti ndodhi kur ajo shkoi në një dhomë gjumi të zbrazët për t’u shtrirë për një kohë sepse u ndje ” i trullosur” nga një pije që kishte pirë gjatë festës më 7 shtator 2000.

“Menjëherë më pas, Combs, së bashku me një burrë dhe një grua të famshme, hynë në dhomë ,” sipas dosjes prej 19 faqesh, të siguruar nga Deadline. “Combs në mënyrë agresive iu afrua paditëses me një vështrim të çmendur në sytë e tij, e kapi atë dhe i tha: “Je gati për festë!”

Putini i vogël, Dodik takohet me Putinin e vërtetë

0

storm•/BRICS: Milorad Dodik, lideri i Republikës Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, u takua përsëri me Vladimir Putinin, presidentin e Rusisë, një ngjarje që mediat shpesh e quajnë si takim mes “Putinit të vogël” dhe “Putinit të vërtetë.”

Presidenti prorus i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, këtë takim e realizoj në margjinat e samitit të BRICS-it në Kazan. Dodik, i cili ndodhet nën sanksione nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, përmes një postimi në “X” tha se diskutuan për përfundimin e tempullit serbo-rus në Banja Llukë dhe forcimin e potencialit turistik të Serbisë dhe Rusisë. Dodik është një nga liderët e paktë që ka vazhduar marrëdhëniet e ngushta me Rusinë, megjithëse investimet ruse në Republika Sërpska mbeten minimale.

Dodik ka qenë prej kohësh një aleat i Putinit dhe ky takim vjen në një kohë kur ai vazhdon të sfidojë autoritetin e institucioneve boshnjake dhe ndërkombëtare. Takime të tilla forcojnë lidhjet e tij me Rusinë, pavarësisht sanksioneve dhe izolimit ndërkombëtar.

Shkencëtarët zbulojnë numrin maksimal të viteve që një person mund të jetojë

0

Falë përparimeve mjekësore, jetëgjatësia e njeriut modern është shumë më e gjatë se ajo e paraardhësve tanë, shkruan LADbible.

Zyra për Statistikat Kombëtare pretendon se jetëgjatësia në Evropë nga 2020 deri në 2022 ishte 78.6 vjet për burrat dhe 82.6 vjet për gratë.

Kjo ia kalon SHBA-së ku jetëgjatësia për burrat është rreth 74.8 vjet dhe 80.2 vjet për gratë.

Por vetëm sepse ka një mesatare nuk do të thotë se nuk ka anomali, kështu që francezja Jeanine Klamen ishte në moshën e pjekur 122-vjeçare kur vdiq në 1997, duke e bërë atë një superqindvjeçare, një person që është 110 vjeç e lart.

Ndërsa shumica e njerëzve nuk janë askund afër kësaj, pyetja është – sa kohë mund të jetojë teorikisht trupi i njeriut.

Në vitin 2022, shkencëtarët nga një kompani bioteknike nga Singapori në qytetin amerikan të Buffalo studiuan elasticitetin e njeriut dhe aftësinë e trupit për t’u rikuperuar nga dëmtimet.

Duke përdorur inteligjencën artificiale, ata ekzaminuan të dhënat mjekësore të 100,000 vullnetarëve për të vlerësuar jetëgjatësinë maksimale të një personi.

Duke marrë parasysh faktorë të tillë si mosha, sëmundja dhe mënyra e jetesës, ata zbuluan se midis moshës 120 dhe 150 vjeç, trupi i njeriut humbet aftësinë e tij për t’u rikuperuar plotësisht, që do të thotë se një person nuk mund të jetojë shumë më gjatë se kaq.

Studime të tjera shkencore të plakjes sugjerojnë se rekordi për personin më të vjetër në botë ka të ngjarë të thyhet përsëri deri në vitin 2100, por jo të gjithë do të jetojnë aq të vjetër sa Kalman.

Ndërkohë, po testohen medikamente që mund të përpiqen të ngadalësojnë procesin e plakjes së trupit dhe teorikisht të lejojnë dikë të jetojë deri në 200 vjeç, por ideja që ne të gjithë do të jetojmë deri në 200 është joreale.

Gazi lotsjellës më 2015 në Kuvend – Konjufcës, Lekajt, Baftiut dhe Dërgutit u parashkruhet një vepër penale

0

Vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 22 shkurt 2016 ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deputetit Pal Lekaj, si dhe ish-deputeteve Besa Baftiu dhe Aida Dërguti, është parashkruar më 14 dhjetor 2021.

Në këtë rast, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, deputetët Pal Lekaj dhe Time Kadrijaj, si dhe ish-deputetet Besa Baftiu, Aida Dërguti dhe Teuta Haxhiu, akuzohen për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në objektin e Kuvendit në dhjetor të vitit 2015, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Konjufca, Lekaj, Baftiu dhe Dërguti akuzohen se më 14 dhjetor 2015 rreth orës 10:00 pasi që përdorin gazin lotsjellës, duke pamundësuar qëndrimin e deputetëve brenda sallës së Kuvendit dhe Kryesisë për miratimin e ligjeve sipas rendit të ditës, përkundër vullnetit të deputetëve të cilët nuk kanë mundur t’i rezistojnë atmosferës së krijuar, për çka ka pasur ndërprerje të punimeve dhe zhvendosje të deputetëve nga sallat plenare.

Andaj me këto veprime, të njëjtit ngarkohen për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës (KPK).

Prandaj, duke u nisur nga data se kur është kryer vepra penale nga të akuzuarit, konkretisht 14 dhjetor 2015 dhe bazuar në Kodin Penal, ku në nenin 106 përcaktohet çështja e parashkrimit të veprave penale, del se kjo vepër është parashkruar më 14 dhjetor të vitit 2021.

Vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës, të vitit 2012, parasheh dënueshmërinë prej 3 muaj deri në 3 vite burgim.

“Kushdo që me forcë apo kanosje serioze, pengon ose tenton të pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare ose duke përdorur mjetet e njëjta e detyron atë të kryejë detyrën zyrtare, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet”, thuhet në nenin 409 të KPK-së.

Andaj, duke llogaritur afatin e parashkrimit, del se parashkrimi relativ i këtyre veprave bëhet pas 3 viteve, ndërsa parashkrimi absolut bëhet pas 6 viteve nga kryerja e veprës penale.

“tre (3) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se një (1) vit burgim” thuhet në kapitullin e dhjetë, neni 106, pika 1.5, që flet për parashkrimin relativ të ndjekjes penale.

Afër parashkrimit, për të akuzuarat Teuta Haxhiu dhe Time Kadrijaj del të jetë edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila si vepër penale parasheh dënim me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në 5 vjet.

Parashkrimi relativ për këtë vepër penale del të jetë 5 vjeçar, ndërkaq ai absolut 10, duke rrezikuar kështu që më 15 dhjetor 2025 të parashkruhet si vepër penale, pasi që vepra sipas aktakuzës është kryer më 15 dhjetor 2015.

“Pesë (5) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se tre (3) vjet burgim”, thuhet në kapitullin e dhjetë, nenin 106, pika 1.4 të KPK-së, që flet për parashkrimin relativ të ndjekjes penale.

Ndërkaq, vepra penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të KPK-së me të cilën ngarkohen Konjufca, Lekaj, Baftiu dhe Dërguti, e cila vepër parasheh dënueshmërinë me burgim prej një deri në tetë vjet, mund të parashkruhet më 14 dhjetor 2035.

Kjo pasi që parashkrimi relativ për këtë vepër penale është 10 vjet, ndërkaq ai absolut 20 vjet.

“dhjetë (10) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se pesë (5) vjet burgim”, thuhet në kapitullin e dhjetë, nenin 106, pika 1.3 të Kodit Penal që flet për parashkrimin relativ të ndjekjes penale.

Në çfarë faze gjendet procesi gjyqësor ndaj gjashtë të akuzuarve?

Më 23 tetor 2024 ishte caktuar seanca për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, mirëpo për shkak të mungesës së Konjfucës, Lekajt, Kadrijajt, Baftiut e Dërgutit, seanca dështoi.
Lidhur me këtë aktakuzë, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në adresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të kuptuar se cili gjykatës/e e ka pasur lëndën në shqyrtim, sa seanca ka caktuar prej ngritjes së aktakuzës, sa kanë dështuar e cilat janë arsyet e dështimit të tyre, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kemi pranuar përgjigje.

Aktakuza e plotë ndaj Konjufcës, Lekajt, Baftiut, Dërgutit, Haxhiut dhe Kadrijajt

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 22 shkurt 2016, thuhet se Glauk Konjufca, Pal Lekaj, Besa Baftiu dhe Aida Dërguti kishin përdorur armën (gazin lotsjellës) në kundërshtim me ligjin, në atë mënyrë që më 14 dhjetor 2015 rreth orës 10:00 pas hapjes së mbledhjes plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Konjufca, Lekaj dhe Baftiu, ndërsa në ora 11:00 Dërguti, në sallën plenare të Kryesisë së Kuvendit, paraprakisht kishin aktivizuar armën për shpërndarjen e gazit irritues, ku për pasojë ishte liruar gazi lotsjellës, me këtë rast deputetët e pozitës kishin lëshuar sallat.

Prandaj, me këto veprime të njëjtit ngarkohen me veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës.

Kurse, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se Glauk Konjufca, Pal Lekaj, Besa Baftiu dhe Aida Dërguti më 14 dhjetor 2015 rreth orës 10:00 pasi që përdorin gazin lotsjellës të përshkruar si në pikën e parë të aktakuzës, duke pamundësuar qëndrimin e deputetëve brenda sallës së Kuvendit dhe Kryesisë për miratimin e ligjeve sipas rendit të ditës, përkundër vullnetit të deputetëve të cilët nuk kanë mundur t’i rezistojnë atmosferës së krijuar, për çka ka pasur ndërprerje të punimeve dhe zhvendosje të deputetëve nga sallat plenare.

Andaj me këto veprime, të njëjtit ngarkohen edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në dispozitivin e fundit thuhet se Teuta Haxhiu dhe Time Kadrijaj më 15 dhjetor 2015 kishin në posedim armën (gazin lostjellvs) dhe me t’u hapur mbledhja në sallën e kryetarit të Kuvendit të Prepublikës së Kosovës, fillimisht Haxhiu pasi e ka pasur në posedim armën-gazin lotsjellës, të njëjtin ia jep Kadrijajt, e cila po ashtu e mban në posedim dhe pastaj ia dorëzon të akuzuarit Lekaj i cili më pastaj e përdorë të njëjtin të përshkruar si në pikën e parë të aktakuzës.

Prandaj me këto veprime, Haxhiu dhe Kadrijaj po ngarkohen me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës.

Proceset tjera të parashkruara:

Gjykimi i këtyre rasteve po del të jetë sfidues për Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi që e parashkruar del të jetë edhe aktakuza tjetër e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ndaj Kryekuvendarit Konjufca për veprën penale “Pengim i pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

Ndërkaq në Apeli, për të njëjtën aktakuzë, por për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, rasti po pret epilog pasi që Themelorja e kishte liruar Konjufcën nga kjo vepër penale, e për të cilin vendim ka ushtruar ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Po ashtu, për Xhelal Sveçlën dhe tre deputetët e Vetëvendosjes, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi ishte parashkruar vepra e njëjtë penale më 21 mars 2024, duke vazhduar kështu gjykimi për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sveçlës dhe të tjerëve, u është parashkruar edhe një vepër tjetër penale në një aktakuzë tjetër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe atë për huliganizëm gjatë protestave të VV-së më 2013.

Po ashtu, për shkak të parashkrimit, Apeli ka refuzuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në rastin e sulmit të Xhavit Haliti ndaj Arben Gashit.

Edhe për deputetin Valon Ramadani, del të jetë parashkruar vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe atë më 21 mars 2023, e që seanca e fundit për këtë rast del të jetë mbajtur më 23 shkurt 2024.

Për seancat e radhës për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Peneal ndaj Ramadanit, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar kërkesë për informata në gjykatë për të kuptuar nëse është mbajtur ose pritet të mbahet ndonjë seancë. Por, s’kemi pranuar përgjigje.

DASH-i kritikon Serbinë për synimin që t’i gjykojë krimet në Kosovë

0

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se pajtohet me Bashkimin Evropian se Serbia ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit, duke e miratuar projektligjin për juridiksion gjyqësor në Kosovë dhe duke e shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

“Ne përsërisim mbështetjen e Qeverisë amerikane për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës në gjithë territorin e saj”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Uashingtoni tha se dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, ka zhvilluar zgjidhje praktike që promovojnë të drejtat e qytetarëve të Kosovës, përfshirë serbët që jetojnë në veri të Kosovës.

“Kjo duhet të zbatohet. Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë, pa vonesa, zotimet që kanë bërë në Marrëveshjen e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të raporteve, përfshirë themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe”, tha zëdhënësi i DASH-it.

Një ditë më herët, BE-ja kritikoi Serbinë për ligjin e miratuar më herët gjatë javës nga Serbia, që synon ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.

Ligji që Qeveria e Serbisë ia propozoi Kuvendit serb për miratim më 28 tetor, parasheh gjykime për të gjitha krimet e parapara me Kodin Penal të këtij vendi, të cilat janë kryer pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008.

Izraeli vret tre punonjës të mediave në Liban pa asnjë paralajmërim

0

Një sulm ajror izraelit ndaj një kompleksi ku qëndrojnë gazetarët në juglindje të Libanit ka vrarë tre punonjës të mediave, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve, media shtetërore e Libanit.

Stacioni lokal i lajmeve, Al Jadeed, ka publikuar pamje nga vendi i ngjarjes, që tregonin ndërtesa të rrëzuara dhe vetura, ku shkruhej PRESS, të mbuluara nga rrënojat.

Ushtria izraelite nuk kishte lëshuar një paralajmërim para këtij sulmi.

Televizioni pan-arab me bazë në Bejrut, Al-Mayadeen TV, tha se dy punonjës të tij – kameramani Ghassan Najar dhe tekniku i transmetimit Mohammed Rida – ishin në mesin e gazetarëve të vrarë mëngjesin e 25 tetorit.

Televizoni Al-Manar i Hezbollahut – grup militant dhe parti politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – tha se kameramani Wissam Qassim u vra po ashtu gjatë sulmit ajror në rajonin Hasbaja.

Ali Shoeib, korrespondent i njohur i Al-Manarit, që raporton nga jugu i Libanit, u pa në një video duke incizuar veten me telefon dhe duke thënë se kameramani me të cilin kishte punuar për muaj të tërë ishte vrarë.

Shoeib tha se ushtria izraelite e dinte e zona që u godit kishte disa shtëpi ku gjendeshin gazetarë të organizatave të ndryshme mediale.

Rajoni Hasbaja nuk ka përjetuar shumë dhunë, e cila është parë përgjatë kufirit, dhe shumë gazetarë tani janë zhvendosur aty për shkak të sulmeve izraelite në qytetin e afërt Marjajun.

Më herët gjatë kësaj jave, një sulm ajror goditi zyrat e Al-Mayadeenit në periferi të Bejrutit, sipas Ministrisë libaneze së Shëndetësisë.

Disa gazetarë janë vrarë që kur Hezbollahu dhe Izraeli nisën këmbimin e zjarrit në tetorin e vitit të kaluar, pas nisjes së luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë.

Nëntorin e vitit të kaluar, dy gazetarë të televizionit Al-Mayadeen u vranë gjatë një sulmi me dronë.

Një muaj më vonë, nga granatimi i Izraelit në jug të Libanit u vra videografi i Reutersit, Issam Abdallah, dhe u pagosën gazetarë të tjerë nga Agence France-Presse dhe televizioni Al-Jazeera.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar.

Që atëherë, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.

Ndërkaq, në fillim të tetorit të këtij viti tensionet mes Hezbollahut dhe Izraelit u përshkallëzuan dhe Izraeli njoftoi për nisjen e një operacioni tokësor në jug të Libanit kundër Hezbollahut.

Si pasojë e luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut, në Liban janë vrarë më shumë se 2.500 persona.

​Orav: Kosova e ka detyrim ligjor themelimin e Asociacionit

0

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav thotë se Kosova e ka detyrim ligjor themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një intervistë për KosovaPress, ai thekson se Asociacioni është një nga marrëveshjet e dialogut që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013 dhe si i tillë duhet të zbatohet pa vonesa.

Orav nënvizon se një gjë e tillë theksohet edhe në Raportin për Kosovën, derisa e quan të domosdoshme që Kosova dhe Serbia të bëjnë hapa drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023.

“E vërtetë, nuk është vetëm raporti i këtij viti që merret me dialogun por edhe raporti i mëparshëm është marrë me dialogun, sepse fillimisht Serbia dhe Kosova janë pajtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe Bashkimi Evropian në mënyrë aktive po e lehtëson këtë proces. Kështu që ka shumë më tepër se çfarë duhet bërë, dhe kaq shumë nga këto detyrime janë në një marrëveshje reciproke të cilat duhet të zbatohen. Është absolutisht e qartë”, thotë ai.

Duke folur për të ardhmen e dialogut, Orav thotë se dinamika e këtij procesi mbetet të shihet pas konstituimit të strukturave të reja në Bashkimin Evropian.

“Është e vështirë për mua sepse dua të them se duhet të vazhdojmë, nëse do të jetë pak më ndryshe, apo një mënyre tjetër që nuk më takon mua ta them për momentin sepse unë jam thjesht ambasador këtu në Kosovë dhe nuk mund të jap këtë lloj mendimi për momentin, por Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Brukseli dhe përfaqësuesi i ri i lartë duhet të vendosin se si të vazhdojnë kur komisioni i ri të vijë, dhe shpresojmë se do të ndodhë më 1 dhjetor por mund të ndodhë edhe pak më vonë”, thekson Orav.

Megjithatë, diplomati evropian, konsideron se Kosova e ka detyrim ligjor të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Gjatë këtyre viteve kur Kosova dhe Serbia po negociojnë në këtë proces të dialogut, janë arritur disa marrëveshje, dhe Asociacioni i shumicës serbe [komunave] është një nga marrëveshjet. Mendoj se vetëm një marrëveshje është ratifikuar nga parlamenti i Kosovës me shumicë dy të tretat e votave. Dhe është një detyrim ligjor për ta bërë atë, dhe për ta zbatuar atë, pra si në latinisht ‘Pacta sunt servanda’ [marrëveshjet duhet të respektohen], kështu që marrëveshjet duhet të respektohen dhe zbatohen”, shton ai.

Duke përmendur Raportin e progresit për vendin, ambasadori Orav, thotë se Kosova ka pasur përparim të mirë në disa fusha.

Ai thekson funksionimin e mirë të liberalizimit të vizave, linjëzimin e politikës së jashtme të Kosovës me Bashkimin Evropian, agjendën e reformave dhe zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA.

“Mendoj se do të veçoja katër fusha, njëra është liberalizimi i vizave, më në fund u krye dhe u desh shumë kohë, por më në fund është aty dhe tani liberalizimi i vizave po funksionon shumë mirë. E dyta është ndjekja vullnetare nga Kosova e politikës, së jashtme dhe të sigurisë, së përbashkët të Bashkimit Evropian. Dua të them se mund të tingëllojë pak e mërzitshme, por për ta thënë më konkretisht, Kosova i është bashkuar Bashkimit Evropian në sanksionet e saj kundër Rusisë, kundër Bjellorusisë, dhe kjo është e jashtëzakonshme sepse Kosova po e bën këtë në baza vullnetare. Pastaj e treta është agjenda e reformave, kur presidentja Ursula Von Der Layen ishte këtu ajo theksoi gjithashtu se sa mirë ka punuar Kosova me agjendën reformatore, dhe unë mund ta përsëris atë. Dhe fusha e katërt është CEFTA, sepse tani Kosova po merr pjesë në punën e CEFTA-s, janë zhbllokuar 12 marrëveshje të rëndësishme për rajonin dhe mendoj se ky është një hap shumë i mirë për Kosovën por edhe për të gjitha vendet e tjera të rajonit drejt tregut të përbashkët”, thekson Orav.

Duke folur për Raportin e Komisionit Evropian, Orav deklaron se Kosova ka bërë progres të kufizuar në reformën në drejtësi.

“Nuk ka ngecje në këtë raport, por në disa raste, po, kemi përmendur se është bërë vetëm progres i kufizuar, por është prapë progres, por ende pak gjëra duhen bërë, dhe këtu mund të përmend ndoshta reformën në drejtësi kur ende ka pak gjëra që duhen bërë. Dhe gjithashtu liria e medias, në përgjithësi ka liri të medias, mjedisi mediatik është shumë pluralist, por më pas ka pikëpyetje për pronësinë, transparencën dhe financimin e medias, ku ende ka shumë për të bërë”, përfundon Orav.

Izraeli kryen sulme në Iran

0

Izraeli thotë se ka përfunduar sulmet ndaj objektivave ushtarake iraniane dhe të gjithë avionët e tij janë kthyer të sigurt në shtëpi.

Më herët Izraeli tha se kishte kryer “sulme të sakta ndaj objektivave ushtarake” në Iran, ndërsa shpërthimet u dëgjuan në Teheran

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thonë se sulmet janë në përgjigje të “sulmeve të vazhdueshme mujore nga regjimi i Iranit” dhe pasi një breshëri raketash iraniane goditën Izraelin më 1 tetor.

Bazat ushtarake në perëndim dhe jugperëndim të kryeqytetit iranian janë shënjestruar, sipas një agjencie iraniane të lajmeve pranë Gardës Revolucionare të vendit.

Media shtetërore iraniane deri më tani mohon se sulmet kanë shkaktuar ndonjë dëm të vërtetë , thotë Bahman Kalbasi i BBC Persian.

SHBA -të u informuan më parë për sulmet, por nuk kishin ndonjë përfshirje në operacion, sipas Pentagonit.

Klubi i futbollit nga Drenasi tërhiqet nga garat, akuzon referët për kurdisje të ndeshjeve

0

FC Feronikeli 74, klub i futbollit nga Drenasi, ka njoftuar se ka marrë vendim që të tërhiqet nga garat.

Në një letër drejtuar futbolldashësve, tifozëve “Tigrat e Zi”, simpatizantëve, lojtarëve, trajnerëve, donatorëve dhe qytetarëve të Drenasit, klubi ka thënë se referët po përcaktojnë rezultatin e ndeshjeve dhe jo loja në fushë.

“Prej kohësh kemi garuar me përkushtim dhe dinjitet, duke promovuar një futboll të pastër në Superligën e Kosovës. Pavarësisht pengesave dhe padrejtësive të shumta nga referët, besuam në zhvillimin fair play të sportit dhe në integritetin e FFK-së. Kjo, ndoshta, ishte gabimi ynë më i madh. Sot, pas përpjekjeve të shumta për të kërkuar drejtësi, pohojmë qartë: “Mjaft është mjaft!”. Humbëm pikë, por kurrë nuk u ndjemë humbës në fushë. Për ne, humbësi i vërtetë ishte referi kryesor, i cili shndërroi ndeshjet në një padrejtësi të rëndë. Përmes këtij vendimi publik, njoftojmë tërheqjen përfundimtare nga të gjitha garat e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ky vendim është marrë pas analizave të shumta dhe përpjekjeve tona për të sjellë drejtësi, por, për fat të keq, kemi mbetur pa asnjë opsion tjetër.
Nëse FFK e konsideron të drejtë këtë qasje, ne nuk mund të jemi më pjesë e një gare të tillë”, thuhet në njoftim.

FC Feronikeli 74 ka ftuar Prokurorinë që të nis hetimet për qartësimin e të gjitha akuzave të tyre.

“E ftojmë Prokurorinë që të hetojë referët dhe sjelljet e tyre të njëanshme, të cilat kanë dëmtuar sportin që të gjithë e duam. Kërkojmë falje të sinqerta për futbollistët tanë, për tifozët “Tigrat e Zi”, për donatorët dhe për të gjithë ata që kanë qëndruar përkrah nesh ndër vite. Në këto rrethana, bordi së bashku me Presidentin tërhiqen nga klubi. Për të gjithë ne, Feronikeli 74 do të mbetet gjithmonë klubi i zemrës, por, në një ligë që nuk i respekton parimet e drejtësisë, ne nuk do të garojmë më”.