spot_img
E enjte, 25 Dhjetor, 2025
20:53
Home Blog Page 1703

Harris sulmon Trumpin rreth të drejtave riprodhuese

0

Ekipi i fushatës së Kamala Harris, ka publikuar një seri të re reklamash të fokusuara në të drejtat riprodhuese, duke treguar historinë e një gruaje nga Teksasi të quajtur Ondrea, e cila pësoi një abort në javën e 16-të të shtatzënisë.

Sipas reklamës, Ondrea-s iu mohua kujdesi standard – një abort – pasi humbi shtatzëninë dhe pësoi një infeksion kërcënues për jetën si rezultat.

Videoja përmban imazhe grafike të Ondreas, e shtrirë në një shtrat spitali me një prerje të madhe kirurgjikale në qendër të stomakut të saj, ndërsa një citim i fundit nga Donald Trump luan në sfond: “Ti do të mbrohesh dhe unë do të jem mbrojtësi yt”.

Harris i ka bërë të drejtat riprodhuese një temë kryesore të fushatës së saj, duke u anuar fort në një çështje që ka energjizuar demokratët dhe të pavarurit, që kur Gjykata e Lartë përmbysi Roe v Wade në qershor 2022 dhe është paraqitur dukshëm në fushatën presidenciale të Harris.

Të premten ajo do të vizitojë Teksasin, një shtet solid republikan, për të mbajtur një fjalim duke u fokusuar në të drejtat e abortit, si pjesë e përpjekjeve të saj për të tërhequr votuesit e moderuar në anën e saj.

Sot, seanca e OKB-së për Kosovën

0

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KSOKB) sot do të diskutojë raportin e ri gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për punën e UNMIK-ut duhet të fillojë në orën 16:00.

Sipas raportit të Guterres i publikuar ditë më parë nga mediat serbe, atmosfera në Kosovë është ende e tensionuar dhe kur ekziston rreziku i përshkallëzimi i tensioneve.

Në raportin për periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator 2024, i cili do të prezantohet në seancë nga kryetarja e UNMIK-ut – Caroline Ziadeh, Guterres u bëri thirrje të dyja palëve që të konfirmojnë përkushtimin e tyre për dialog nën patronazhin e BE-së dhe të zbatojë plotësisht marrëveshjet e mëparshme.

Që nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 10 qershor 1999, ky organ ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit deri në vitin 2018.

Në vitin 2019 për Kosovën janë mbajtur tri seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa nga viti 2020 mbahen çdo vit dy seanca, në prill dhe tetor.

Kosova përfaqësohet nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së KosovCs, Donika Gërvalla, Ajo është nisur për New York.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Gjatë kësaj seance, Ministrja Gërvalla do të shpalosë arritjet e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme, përfshirë procesin e demokratizimit, zhvillimin ekonomik, të drejtat e komuniteteve dhe situatën aktuale në komunat veriore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Gërvalla do të flasë edhe për veprimet destabilizuese të Serbisë dhe sfidat që ato paraqesin për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Kurse nga Serbia shkon homologu u Gërvallës, Marko Gjuriç.

Zyrtare/ Anglia ka trajnerin e ri

0

Thomas Tuchel u emërua zyrtarisht trajneri i ri i Anglisë. Drejtuesit e FA ia besuan ish-trajnerit të Chelsea dhe Bayern Munich, ndër të tjera, timonin e kombëtares, me synim lavdinë në Kupën e Botës 2026.

Federata Angleze e Futbollit (FA) konfirmoi të mërkurën se Tuchel është emëruar trajner i ri i kombëtares së “Tre Luanëve”.

Gjermani ka nënshkruar kontratë 18-mujore, deri në fund të Botërorit 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Tuchel pason kësisoji Gareth Southgate dhe do ta fillojë punën me “Tre Luanët” më 1 janar 2025, së bashku me asistentin Anthony Barry.

Anglia shpreson se Tuchel do të drejtojë kombëtaren drejt lavdisë, pasi pa që Southgate t’i udhëhiqte “Tre Luanët” në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2018 dhe në finalet e Kampionatit Europian 2020 e 2024.

Zgjedhja e parë e FA për këtë punë raportohet se ka qenë trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, por vendimi është marrë për të emëruar Tuchel, i cili ishte në dispozicion, pas largimit nga Bayern Munich në maj.

“Jam shumë krenar që më është besuar drejtimi i kombëtares së Anglisë. Kam ndjerë prej kohësh një lidhje personale me futbollin në këtë vend, i cili më ka dhënë disa momente të pabesueshme tashmë. Të kem mundësinë të përfaqësoj Anglinë është një privilegj i madh. Mundësia për të punuar me këtë grup lojtarësh të veçantë dhe të talentuar është shumë emocionuese”, theksoi Tuchel.

 

BE i reagon Serbisë: Po shkelni marrëveshjen e arritur në dialog

0

Bashkimi Evropian ka thënë se projektligji i propozuar nga Qeveria e Serbisë [për shpalljen e Kosovës si zonë të mbrojtur të veçantë dhe për organizimin dhe juridiksionin e organeve gjyqësore në ndjekjen e veprave penale në Kosovë], siç është publikuar, paraqet një shkelje të qartë të detyrimeve të Serbisë në kuadër të Dialogut dhe është në kundërshtim me angazhimin e saj të fundit për t’iu rikthyer Dialogut.

‘Që nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, Kosova dhe Serbia kanë detyrime të qarta lidhur me juridiksionin e tyre përkatës. Projektligji i propozuar nga Qeveria e Serbisë [për shpalljen e Kosovës si zonë të mbrojtur të veçantë dhe për organizimin dhe juridiksionin e organeve gjyqësore në ndjekjen e veprave penale në Kosovë], siç është publikuar, paraqet një shkelje të qartë të detyrimeve të Serbisë në kuadër të Dialogut dhe është në kundërshtim me angazhimin e saj të fundit për t’iu rikthyer Dialogut”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Tutje theksohet se ”BE-ja i kujton Serbisë se ajo është e detyruar nga të gjitha Marrëveshjet e Dialogut si pjesë integrale e integrimit të saj në BE dhe i bën thirrje Serbisë që ta rishqyrtojë projektligjin në përputhje me këtë”, thuhet në përgjigjen për RTV21.

Gjeloshaj: Ka përpjekje për të penguar integrimin evropian të Malit të Zi

0

Këtë javë në Uashington, Shtetet e Bashkuara dhe Mali i Zi nënshkruan një marrëveshje mirëkuptimi për të çuar përpara bashkëpunimin strategjik ekonomik ndërmjet dy vendeve në fushën e energjisë, infrastrukturës, digjitalizimit dhe turizmit.

Gjatë takimeve me zyrtarët amerikan, zëvendëskryeministri i Malit të Zi Nik Gjeloshaj paralajmëroi Shtetet e Bashkuara për aktivitete destabilizuese siç tha ai, “të strukturave klero-nacionaliste” që synojnë dëmtimin e perspektivës evropiane të Malit të Zi.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës me kolegen Garentina Kraja, zoti Gjeloshaj thotë se në vendin e tij ka përpjekje për të penguar integrimin evropian, por deri më tani ato janë vetëm në nivel retorike.

Ai thotë se përkundër dallimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës, i cili përfshin parti me orientim pro-serb dhe pro-rus, deri më tani Mali i Zi ka zbatuar një politikë të jashtme dhe të sigurisë që përputhet me Bashkimin Evropian, përfshirë për sanksionet ndaj Rusisë dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjeloshaj, këtë javë në Uashington ju nënshkruat një marrëveshje mirëkuptimi për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Malit të Zi. A mund të na tregoni më shumë se për çfarë bashkëpunimi dhe në cilat fusha bëhet fjalë?

Nik Gjeloshaj: Për Malin e Zi është një ditë shumë me rëndësi. Mali i Zi ka patur një partneritet shumë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë përkrahësit tanë më të mëdhenj dhe na kanë ndihmuar shumë që Mali i Zi të jetë pjesë e NATO-s, ndërsa tani jemi në një fazë të re me marrëveshjen për bashkëpunimin ekonomik. Me këtë memorandum bashkëpunimi ne kemi krijuar grupet e punës, kemi lidhur kërkesat prej biznesit, që të vijnë investime më shumë në Mal të Zi nga SHBA-të. E shohim si një ditë shumë të rëndësishme për Malin e Zi, ndër ditët më të rëndësishme në partneritet me SHBA-të pas integrimit në NATO.

Zëri i Amerikës: Cilat janë fushat ku prisni bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara?

Nik Gjeloshaj: Ato janë katër, janë fusha e energjisë, digjitalizimi, turizmi dhe infrastruktura. Në këto fusha ka interesim të kompanive konkrete, mirëpo edhe ne si shtet i kemi përcaktuar si shtyllat kryesore të zhvillimit të ekonomisë në vitet e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Gjatë qëndrimit në Uashington, ju patët një takim edhe me të dërguarin e posaçëm për Ballkanin zotin Kasanof, pas të cilit deklaruat se e keni njoftuar për “aktivitetetet potencialisht destabilizuese të strukturave kleriko-nacionaliste që kanë për synim rrënimin e perspektivës evropiane të Malit të Zi”. A mund të na tregoni për çfarë strukturash dhe për çfarë aktivitetesh e keni fjalën?

Nik Gjeloshaj: Po, kisha kënaqësinë të takoj zotin Kasanof, sepse ka marrë detyrën e re dhe njëkohësisht Mali i Zi ka një partneritet të madh me Shtetet e Bashkuara. Njëkohësisht unë si shqiptar, kemi lidhjet tona të ngushta të partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe diskutimi me partnerët amerikanë është shumë i rëndësishëm dhe mund të themi jetik për politikat tona, jo vetëm për të ardhmen por edhe të tashmen. Kemi biseduar dhe ia kam shpjeguar të gjithë situatën politike që është në Mal të Zi, prej asaj se si është krijuar qeveria, cilët janë hapat që jemi duke i ndërmarrë, sa jemi duke punuar në integrimet evropiane, rezultatet që kemi arritur dhe normalisht, faktin që ka struktura të cilat nuk e duan Malin e Zi në Bashkimin Evropian, që mundohen ta ndalin procesin. Por po ashtu, u kam përcjell përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se me rëndësi është fakti që në Mal të Zi mbi 80 për qind duan që vendi të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe jam i bindur që edhe këto struktura do t’i fitojmë drejt integrimit në Unionin Evropian. Ne me partnerët amerikanë nuk kemi asgjë që mbajmë pa e ditur, pa e hapur. Nuk e kam hapur rastësisht, sepse e dimë strukturën në Mal të Zi edhe politike, mirëpo edhe qeveritare. Besojmë që me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjmë gjithë hapat e nevojshëm që Mali i Zi mos të ngecë në integrime evropiane dhe presim që edhe në të ardhmen, sikur edhe deri tash, të kemi mbështetje prej Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Sa po e kërcënon stabilitetin e Malit të Zi dhe aspiratën evropiane ndikimi i Serbisë dhe Rusisë?

Nik Gjeloshaj: Mali i Zi edhe në aspektin e vet gjeografik është shumë interesant për këto ndikime. Është një shtet shumë i vogël, por përpjekja për ndikim është e madhe, nga shumë shtete. Mali i Zi e ka përcaktuar drejtimin e vet, është në drejtim të pakthyeshëm, sidomos me anëtarësimin në NATO, është shtet pro-perëndimor, i orientuar nga perëndimi, në drejtim të Unionit Evropian, me partneritet strategjik me SHBA-të. Orientimi i qytetarëve, bindshëm shumicë, është në këtë drejtim dhe mendoj se këto ndikime, që mund të jenë, në thonjëza, legjitime, nuk do të arrijnë ta ndryshojnë rrugën e Malit të Zi. Unë do të theksoja se Mali i Zi, deri në fund të vitit, do të mbyllë katër kapituj në procesin e integrimeve evropiane. Është i vetmi shtet në procesin e intergimeve që po arrin të mbyllë kapitujt dhe që ka këtë mundësi të jetë edhe anëtarja e parë e ardhshme e Unionit Evropian.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, kritikët e qeverisë tuaj, përfshirë Presidentin Milatoviç, e akuzojnë qeverinë se po i nënshtrohet interesave ruse dhe serbe në dëm të ambicjeve evropiane të Malit të Zi. Është bërë një vit që kur qeveria juaj ka përfshirë në radhët e saj këto parti. Duke marrë parasysh këto dallime ideologjike, por edhe praktike, qoftë rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës, apo sanksioneve ndaj Rusisë, sa në fakt po e pengojnë këto dallime, përmbushjen e agjendës evropiane?

Nik Gjeloshaj: Përpos deklarative, këto struktura nuk kanë patur ndikim. Asnjë vendim qeveria e Mali të Zi nuk e ka sjell që ka mundur të jetë në kontradiktë me atë çka është orientimi i Malit të Zi, drejt partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe Unionin Evropian. Mali i Zi plotësisht e ka zbatuar politikën e jashtme dhe të sigurisë të Unionit Evropian, edhe për sanksione ndaj Rusisë edhe ndaj qëndrimit që ka për Kosovën, për fqinjësinë e mirë me të gjitha shtetet me të cilat kufizohemi. Në këtë drejtim, ndikimi, përpos deklarativ, nuk ka ekzistuar. A është problematik edhe deklarativ? Është, sepse ai ndikon edhe në kohezion shoqëror, ndikon në perceptimin e shoqërisë, të partnerëve tanë dhe mendoj që kjo duhet në të ardhmen dhe besoj që bashkë me Kryeministrin Spajiç do ta arrijmë që të elimonohen edhe si deklarata publike.

Po e përsëris, qeveria e Malit të Zi nuk ka sjell asnjë vendim që mund të jetë në kontraktikë me këto vlera pro-perëndimore.

Zëri i Amerikës: Së fundi kemi parë tensione edhe rreth regjistrimit të popullsisë së Malit të Zi, ku pamë një rritje prej 4 për qind të qytetarëve të Malit të Zi që identifikohen si pjesëtarë të komunitetit serb. Cili do të jetë ndikimi i këtij regjistrimi në përpjekjet e partive serbe për të zyrtarizuar gjuhën serbe, për çështjen e dyshtetësisë, por edhe për çështje tjera, siç është përfaqësimi i këtij komuniteti në institucionet e Malit të Zi?

Nik Gjeloshaj: Mendoj që në këtë drejtim nuk do të ketë ndikim aspak, nuk do të mund të ketë ndikim. Mali i Zi është shtet i qytetarëve, ku jetojnë disa kombësi dhe disa përkatësi fetare. Është i orientuar si shtet qytetar, do të mbijetojë ashtu sepse Mali i Zi është konceptuar ashtu dhe pjesa më e madhe e qytetarëve e duan ashtu. Me regjistrim të popullsisë janë marrë disa struktura politike, duke i ftuar popullin se si të deklarohen, duke bërë presione, shantazhe. Modeli i regjistrimit është pak interesant sepse kohën e fundit ka migrim, jo më prej pakicave, pakicat janë stabilizuar, ndërsa prej kombeve tjera. Mendoj se regjistrimi nuk ka diçka të papritur. Për mua është nënçmuese ta ftoj dikënd si të deklarohet, duke u nisur prej asaj që i takoj unë…

Zëri i Amerikës: Nga kanë ardhur këto ndërhyrje?

Nik Gjeloshaj: …T’i them shqiptarit deklarohu shqiptar. Ajo për mua është krejt përulëse dhe as nuk e kam komentuar. Është hera e parë që po e komentoj regjistrimin e popullsisë, as në fazën para, as pas rezultateve. Për mua ato janë statistika. Unë e di se populli shqiptar ekziston në Mal të Zi, ekziston në atë numër që është, ka një tendencë stabiliteti, nuk ka më migrim. Kjo mund të jetë falë politikës tonë, që i drejtojmë shqiptarët mirë, prandaj na votojnë mbi 70 për qind partitë nacionale shqiptare, por janë sekuenca që i analizojmë, që nuk duhet të jenë pjesë e debatit të përditshëm. Këto ndikime që janë tentuar të bëhen, duke menduar se mund të realizojnë aspirata, që janë për mua ende që i mendoj dhe i them që janë vetëm ëndrra dhe që nuk mund të realizohen në Mal të Zi. Diku tjetër edhe munden. Sepse ato struktura politike që e proklamojnë këtë nuk kanë përkrahje as tek qytetarët, as te vet ai komunitet të cilin e prezantojnë. Tash ishin zgjedhjet në Podgoricë, atje janë të regjistruar rreth 150 mijë banorë, gjysma nuk kanë dalë aspak (në votime). Nëse e shohim sa kanë marr përkrahje këto struktura në krejt trupin votues janë pothuajse dhjetë për qind. Ajo lloj politike është më shumë folklor, e cila përpos deklarative deri sot në Mal të Zi, në vendimmarrje, nuk ka patur asnjë ndikim apo ndonjë ndryshim dhe shpresoj se kështu do të jetë edhe në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Dua t’ju pyes edhe për propozimin e hedhur nga partitë politike serbe lidhur me ligjin për agjentët e huaj, ligj ky që është përdorur nga shtete të ndryshme për të vënë në shënjestër kundërshtarët politikë. Cili është komenti juaj, si e vlerësoni këtë përpjekje?

Nik Gjeloshaj: Unë mendoj se ajo ka qenë një tendencë. Ne i kishim disa afate në procesin e mbylljes së katër kapitujve dhe ka qenë një përpjekje për të penguar hapat e mëtejshëm të integrimit të Malit të Zi në Unionin Evropian. Këtë besoj e them për herë të parë publikisht … Edhe ajo do të mbesë vetëm deklaratë dhe asgjë më shumë, sikur edhe ligji për dyshtetësinë, që është një tendencë për ndryshimin e strukturës së popullsisë të Malit të Zi. Është e ndaluar me konventat ndërkombëtare, me rezolutat e Kombeve të Bashkuara e Këshillit të Evropës dhe as për një gjë të tillë nuk besoj dhe nuk mendoj se kanë përkrahje për ta realizuar… Nëse shkohet me këtë, e unë besoj që jo, do të hyjmë në një problem shumë të madh dhe mendoj që nuk do të mund të realizohet, sepse do të ketë përgjigje shumë të ashpër të shumë strukturave në Mal të Zi – politike, organizatave joqeveritare, besoj edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe mund të them se si shqiptarë dhe si drejtues politik i shqiptarëve, shumë ashpër. Do të gjejmë mekanizmat ta kundërshtojmë nëse niset në një rrugëtim të tillë. Por unë mendoj që nuk ka përkrahje as në Mal të Zi, as në parlament dhe as në qeveri, që një gjë e tillë të realizohet.

Zëri i Amerikës: Jemi dy javë larg zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. A mendoni se rezultati i këtyre zgjedhjeve do të ndikojë në vendin tuaj?

Nik Gjeloshaj: Mali i Zi dhe Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie të mira shtetërore, partnerë strategjikë, aleatë në NATO dhe mendoj që ky partneritet i dy shteteve do të ketë vazhdimësi pa marr parasysh se kush do të jenë ata që do të drejtojnë në Mal të Zi, apo në Amerikë. Marrëdhëniet e mira të SHBA-ve me Malin e Zi nuk do të varen nga kush do të jetë në pushtet në Podgoricë apo në Uashington. Do të vazhdojmë të kultivojmë marrëdhëniet e mira, ndërsa qytetarët në këto dy shtete janë ata që vendosin se kush është më së miri t’i drejtojë dhe ne i respektojhmë vendimet e qytetarëve të SHBA-së. Mendoj se pavarësisht kush do të jetë fitues, ne do të vazhdojmë partneritetin tonë strategjik në NATO dhe në projektet tjera që i kemi përcaktuar tashmë në zhvillimin ekonomik.

Kush është virusi që po merr të dhëna pa u vërejtur?

0

Analistët nga Cyble Research and Intelligence Labs (CRIL) kanë zbuluar një variant të ri të trojanit bankar Android.

Është Cerberus, një malware që u shfaq në forumet e hakerëve në vitin 2019 si një mjet mashtrimi financiar që mund të merrej me qira.

Që atëherë, Kerber ka evoluar për të ndryshuar në mënyrë dinamike serverët e komandës dhe kontrollit, dhe zinxhiri i tij i sofistikuar i infeksionit e ndërlikon zbulimin dhe heqjen, paralajmëroi raporti CRIL.

Situata komplikohet edhe më shumë nga fakti se kriminelët kibernetikë kanë shtuar sulmet e tyre me këtë malware që nga muaji shtator.

Asnjë antivirus nuk e zbuloi versionin e ri të Kerber. Domenet krijohen në fluturim duke përdorur DGA (Domain Generation Algorithm) për të ndryshuar serverët e komandës dhe kontrollit (C&C).

Në fillim, studiuesit Cyble menduan se kishin të bënin me malware krejt të ri. Por analiza e detajuar zbuloi ngjashmëri të kodit me Kerber, i cili u identifikua për herë të parë në 2019.

Ata e quajtën fushatën e re ErrorFather sipas ID-së së botit Telegram dhe identifikuan 15 mostra malware të lidhura me fushatën ErrorFather. Studiuesit vërejnë se sulmet janë në vazhdim dhe disa serverë C&C janë ende aktivë.

Sulmuesit mbështeten te përdoruesit për të bërë një gabim. Malware është maskuar si aplikacione të ligjshme bankare ose vërtetimi ose përditësimi dhe përdor ikonat e Google Play dhe Chrome.

Sulmuesit përdorin faqe phishing për të shpërndarë këto aplikacione.

Kerber mbledh dhe dërgon të dhëna të tilla si listat e aplikacioneve, kontaktet, pamjet e ekranit, statusi i pajisjes dhe të dhëna të tjera për sulmuesit.

Ai gjithashtu mund të vjedhë SMS ose të dërgojë mesazhe, të regjistrojë audio dhe të bëjë thirrje.

Pasi të identifikohet një objektiv (aplikacion) i mundshëm, malware e mbulon atë me një faqe të rreme phishing për të mashtruar viktimën që të fusë detajet e hyrjes ose të kartës së kreditit.

Malware mund të imitojë ndërveprimin e përdoruesit, klikimet dhe gjestet e ndryshme hyrëse dhe të çinstalohet kur sulmuesit të kenë mbaruar.

Studiuesit Cyble rekomandojnë që përdoruesit e Android të shkarkojnë aplikacione vetëm nga burime zyrtare, të kontrollojnë nëse Google Play Protect është aktiv në pajisje, të jenë të kujdesshëm me lejet që u japin aplikacioneve dhe të mos hapin lidhje të dyshimta që marrin me SMS ose email.

“Amanete zemre”, libri i ri i autorit Enver Petrovci

0

Aktori i njohur shqiptar, Enver Petrovci, ka promovuar librin e tij të titulluar “Amanete zemre”. Promovimi i këtij libri është bërë në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë, në prani të kolegëve, studentëve e artdashësve të shumtë të librit dhe skenës teatrore e filmike.

Përmes librit “Amanete zemre”, Petrovci shpërfaq përsiatjet e tija mbi përvojën jetësore, duke përmbledhur mendime dhe porosi, për aktorët, regjisorët, jetën, dashurinë etj.

Këtë ai e bën përmes dhjetë kapituj – temave të trajtuara në libër; si: aktorëve, jetës, dashurisë, gruas, mësuesit të aktorëve, studentit të aktrimit, regjisorit të teatrit, drejtorit të teatrit, teatrit, duke e përmbyllur me disa thënie personale.

Për librin folën aktori e regjisori Xhevat Limani, recensenti i librit, Nysret Simnica dhe aktori Naser Rafuna, ish-student i Petrovcit, të cilët thanë se libri “Amanete zemre” është i veçantë dhe me porosi universale.

Kujtojmë që Enver Petrovci është aktor dhe regjisor i njohur shqiptar, i cili ka ndërtuar karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212”, ku me rolet e luajtura u bë i njohur në mbarë ish-Jugosllavinë duke u vlerësuar si një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe.

Ai, po ashtu, është njëri nga themeluesit dhe profesorët e parë të degës së Artit Dramatik pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës. Ai vazhdon të jetë aktiv nëpër projekte të ndryshme.

Opozita në seancë të jashtëzakonshme për keqpërdorimet në KEK, bojkotohet nga pushteti

0

Kuvendi i Kosovës pritet që të enjten të mbajë seancë të jashtëzakonshme, e thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Seanca do të fillojë në orën 12:00 dhe aty do të debatohet për skandalet dhe keq menaxhimi në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka theksuar se në emër të 43 deputetëve të nënshkruar, ka thirrur seancën e jashtëzakonshme.

“Kjo kërkesë është bërë për të adresuar skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), që kanë ngritur shqetësime të mëdha për publikun dhe institucionet”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Njëjtë sikur vepruan herën e kaluar, pushteti as këtë herë nuk do marrë pjesë në seancë.

Deputeti i partisë në pushtet, Enver Dugolli, thotë se bojkoti i tyre do të vazhdojë derisa të ndërrojë mendje opozita dhe të votojë marrëveshjet ndërkombëtare.

Kush është lideri i ri i Hezbollahut dhe cila është lidhja e tij me Iranin

0

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Sheikh Naim Kassem, i cili u zgjodh kreu i grupit të armatosur libanez, ka qenë një figurë e rangut të lartë në lëvizje për më shumë se 30 vjet dhe konsiderohet si një “një njeri i Teheran”.

Qassem ishte i dyti në komandën e organizatës islamike shiite dhe është i respektuar në mesin e islamistëve.

Duke folur nga një vend i pazbuluar më 8 tetor, Qassem argumentoi se konflikti midis Hezbollahut dhe Izraelit “është një luftë se kush qan i pari” dhe se Hezbollahu “nuk do të qante i pari”.

Aftësitë e ekipit ishin të paprekura pavarësisht “goditjeve të dhimbshme” nga Izraeli që ai pretendoi.

Por ai shtoi se grupi mbështeti përpjekjet e kryetarit të parlamentit Nabi Berri – një aleat i Hezbollahut – për të siguruar një armëpushim, duke lënë jashtë për herë të parë çdo përmendje të një marrëveshjeje armëpushimi në Gaza si kusht që grupi të ndalojë sulmin ndaj Izraelit.

Fjalimi i tij 30-minutësh në televizion erdhi vetëm disa ditë pasi zyrtari i lartë i Hezbollahut, Hashem Safieddin u besua se ishte objektivi i një sulmi izraelit, dhe 11 ditë pasi Nasrallah u vra nga IDF.

Vrasja e Safieddinit u konfirmua nga Hezbollahu më 23 tetor.

Qassem u emërua nënkryetar në vitin 1991 nga sekretari i përgjithshëm i atëhershëm i grupit të armatosur, Abbas al-Moussawi, i cili u vra në një sulm me helikopter izraelit një vit më vonë.

Qassem mbeti në rolin e tij kur Nasrallah u bë lider, dhe ka qenë prej kohësh një nga zëdhënësit kryesorë të Hezbollahut, duke dhënë intervista për mediat e huaja në mes të konflikteve ndërkufitare me Izraelin që janë ndezur gjatë vitit të kaluar.

Fjalimi televiziv i Qassem më 8 tetor ishte i dyti që kur sulmet midis Izraelit dhe Hezbollahut u intensifikuan në shtator.

Ai ishte anëtari i parë i udhëheqjes së lartë të Hezbollahut që bëri komente televizive që kur Nasrallah u vra në një sulm ajror izraelit në periferitë jugore të Bejrutit më 27 shtator.

Duke folur më 30 shtator, Qassem tha se Hezbollahu do të zgjidhte një pasues të sekretarit të përgjithshëm të vrarë sa më parë dhe do të vazhdonte të luftonte Izraelin në solidaritet me palestinezët.

“Ajo që po bëjmë është minimumi… Ne e dimë se beteja mund të jetë e gjatë”, vuri në dukje ai në një fjalim 19-minutësh.

I lindur në vitin 1953 në Bejrut në një familje nga jugu i Libanit, Kassam filloi aktivizmin politik me lëvizjen shiite libaneze Amal.

Ai u largua nga grupi në vitin 1979 pas Revolucionit Islamik të Iranit, i cili formësoi mendimin politik të shumë aktivistëve të rinj shiitë libanezë.

Qassem mori pjesë në takimet që çuan në formimin e Hezbollahut, i cili u themelua me mbështetjen e Gardës Revolucionare të Iranit në përgjigje të pushtimit izraelit të Libanit në vitin 1982.

Ai ka qenë koordinatori i përgjithshëm i fushatave të tyre zgjedhore që kur zgjedhjet u mbajtën për herë të parë në Liban në 1992.

Në vitin 2005, ai shkroi një histori të Hezbollahut që konsiderohet si një “vështrim i brendshëm” i rrallë i organizatës. Kassem mban një çallmë të bardhë në ndryshim nga Nasrallah dhe Safieddin, çallmat e zeza të të cilëve shënonin statusin e tyre si pasardhës të profetit Muhamed.

Diddy uron ditëlindjen e së bijës nga burgu

0

Teksa ndodhet pas hekurave, në profilin zyrtar të Diddy-t në Instagram është bërë një postim.

Muzikanti 54-vjeçar, i cili është akuzuar për gjashtë akuza të tjera për sulm seksual në paditë e ngritura të hënën (14/10), bëri një postim të martën për ditëlindjen e dytë të vajzës së tij Love, të cilën e ka me ish- partneri Dara Tran.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse postimi është bërë nga ai apo dikush tjetër që menaxhon profilin e tij.

Postimi përfshinte disa foto të reperit me vajzën e tij ku në reshta i “këndon” këngën e ditëlindjes.

Diddy, emri i vërtetë i të cilit është Sean Love Combs, po mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Brooklyn Metropolitan në Nju Jork.

Sipas udhëzimeve të vizitave të burgut, Diddy ka një orë në javë për vizita sociale të miratuara, por nuk dihet nëse ai do ta shohë Love në ditëlindjen e saj.

Manjati i muzikës ka tre fëmijë të tjerë me modelen dhe aktoren Kim Porter, e cila vdiq në vitin 2018 në moshën 47-vjeçare.