spot_img
E shtunë, 11 Prill, 2026
20:14
Home Blog Page 1757

Samiti në Bruksel: Ballkani Perëndimor ka të ardhme në BE

0

Liderët e Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor u takuan më 18 dhjetor në Bruksel në një samit ku, përmes një deklarate përfundimtare, u pajtuan për përshpejtimin e procesit të zgjerimit dhe ku vendeve të rajonit iu kërkua t’i zgjidhin mospajtimet.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë. Ne rikonfirmojmë edhe një herë angazhimin tonë të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet”, thuhet në deklaratë.

BE-ja mirëpret vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të respektuar dhe për t’u përkushtuar ndaj vlerave dhe parimeve thelbësore evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe angazhimin e ritheksuar ndaj përparësisë së demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore dhe sundimit të ligjit, thuhet tutje në deklaratë.

Duke folur pas samitit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, tha se komisioni do të vazhdojë me integrimin gradual të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së.

Kosovës dhe Serbisë i kërkohet t’i zbatojnë marrëveshjet

Vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor iu kërkua që të zgjidhin mospajtimet ndërmjet vete sikur edhe me fqinjët në BE, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i zgjerimit.

“Mospajtimet rajonale dhe bilaterale që i kanë rrënjët në të kaluarën, për një kohë tepër të gjatë e kanë penguar fokusimin në të ardhmen. Implementimi i marrëveshjeve bilaterale me mirëbesim dhe me rezultate të prekshme, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë mbeten kyç”, thuhet në këtë dokument.

Në veçanti, Kosovës dhe Serbisë i është kërkuar që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet tyre duke i përmbushur detyrimet që dalin nga dialogu, të cilin e lehtëson BE-ja.

“Marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, mes Beogradit dhe Prishtinës, përfshirë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, duhet të zbatohen pa vonesa të reja. BE-ja u bën ftesë të gjithë partnerëve që të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave”, theksohet në tekstin e deklaratës.

Çfarë u tha para samitit?

Duke folur pas mbërritjes të mërkurën në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e kritikoi Bashkimin Evropian se është i “padrejtë” ndaj Kosovës në politikat e saj, duke mos i hequr masat ndëshkuese ndaj saj dhe duke mos treguar gatishmëri për ta shqyrtuar kërkesën e saj për anëtarësim në bllok.

Osmani tha se “duket se ka tendenca në BE nga disa shtete anëtare që Kosova vazhdimisht të dënohet”.

Por, Ursula von der Leyen tha se BE-ja e mbështet edhe Kosovën, përfshirë edhe heqjen e masave dhe nisjen e procedurave për dhënien e statusit të kandidatit, por për këtë duhet tejkaluar problemet që ekzistojnë “për shkak se vendimet në BE merren me konsensus”.

“Jemi të gatshëm të nisim procesin, por na duhet një ftesë për të dalë me një qëndrim. Po punojmë që ta marrim këtë dhe ne jemi gati. E njëjta vlen edhe për masat. Ne jemi absolutisht gati t’i heqim masat, por edhe këtu na duhet pajtueshmëri nga vendet anëtare, të cilën tash nuk e kemi, por po punojmë shumë që ta marrim sepse, gjithsesi, është me rëndësi që edhe Kosova të lëvizë“, tha von der Leyen.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqytuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Duke folur për çështjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, Osmani tha para takimit se ato, pos që janë të “padrejta”, janë edhe “joevropiane” sepse, siç u shpreh, “po e dënojnë një popull me 1.7 milionë banorë, i cili është populli më proevropian në rruzullin tokësorë, me mbi 97 për qind të qytetarëve të saj që mbështesin procesin e integrimit në BE”.

Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.

Ndërkohë, shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, tha para fillimit të samitit se Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për BE-në dhe se gjeografikisht i përket Evropës.

“Është e qartë se Komisioni Evropian, së bashku me mua, dëshiron me të vërtetë të shohë përparim në procesin e zgjerimit gjatë pesë vjetëve të ardhshme të mandatit tim. Jemi të gatshëm të punojmë për këtë”, tha Kalas.

Të pranishëm në samit nga Ballkani ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryesuesja e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq.

Pos shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së, në takim morën pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonia Costa, si organizator i takimit, pastaj presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas. /REL

Si e shohin të rinjtë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi?

0

“Dialogu nuk i zgjidh problemet e serbëve në Kosovë”.

“Serbët ta pranojnë realitetin dhe Kosovën e pavarur”.

Kështu e komentojnë Petra nga Leposaviqi dhe Leona nga Prishtina – të dyja studente – dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Tash e më shumë se një dekadë, ky proces zhvillohet në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas Petrës, në dialog nuk diskutohen tema të rëndësishme për komunitetin serb në Kosovë, ndërsa Leona thotë se në këtë proces nuk mund të rikthehet e kaluara, por se duhet pranuar e tashmja.

Në të ardhmen, këto dy nëntëmbëdhjetëvjeçare do të merren me profesione të ngjashme, sepse të dyja janë regjistruar në fakultete filologjike – Petra në Universitetin e Beogradit dhe Leona në Universitetin e Prishtinës.

Megjithatë, ato kanë pikëpamje të ndryshme për të ardhmen e dialogut dhe rezultatin e tij.

“Gjithmonë negociohen disa gjëra që nuk janë të rëndësishme për ne [komunitetin serb]. Madje, nuk është e qartë se për çfarë saktësisht dakordohen… E ajo që ngjall mosbesim, është se nuk ka takime të përbashkëta, për t’i marrë disa vendime së bashku. Mua më duket se nuk ka marrëveshje dhe se nuk do të arrihet ndonjëherë”, thotë Petra për Radion Evropa e Lirë.

Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës ka marrë disa vendime për shtrirjen e autoritetit të saj në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, duke refuzuar të negociojë për to në kuadër të dialogut.

Këto vendime përfshijnë heqjen e dinarit serb nga përdorimi dhe mbylljen e institucioneve që punonin nën sistemin serb.

“Njerëz tanë kanë vdekur, njerëz të tyre kanë vdekur. A mund të pajtohemi? Duhet të arrijmë një marrëveshje dhe ta lëmë të kaluarën në të kaluarën”, thotë Leona.

Ajo beson se Serbia dëshiron “ta ndajë” veriun e Kosovës dhe se tensionet e vazhdueshme në atë pjesë ndikojnë negativisht te popullata lokale serbe dhe integrimi i saj.

Serbët në veri të Kosovës u larguan nga të gjitha institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, për shkak të vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’i zëvendësuar targat e makinave që lëshoheshin nga autoritetet serbe me targa të Kosovës.

“Zgjidhje kompromisi”

Rrezarti, 26 vjeç nga Prishtina, thotë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre përmes dialogut dhe të gjejnë një zgjidhje kompromisi.

Megjithatë, ai thotë se i përkrah qëndrimet e Qeverisë së Kosovës në kuadër të dialogut, sepse “ne duhet t’i mbrojmë të drejtat tona, në çfarëdo rrethane”.

“Natyrisht, kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të jetojmë në paqe me komunitetet e tjera pakicë. Nëse këmbëngulim [në pozicionet tona], ndoshta mund të gjendet një zgjidhje neutrale, kompromisi”, thotë ai.

Për Millën, studente 18 vjeçe nga territori i Komunës së Graçanicës, procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë “ka qenë i prirë të dështojë që nga fillimi”.

Duke e argumentuar këtë qëndrim, ajo thotë se udhëheqësit politikë të të dyja vendeve nuk kanë qenë asnjëherë të gatshëm për një kompromis të vërtetë, ndaj edhe dyshon se do të ketë pajtim në të ardhmen e afërt.

“I vetmi vend ku pasqyrohet realisht dialogu, është në proceset e shoqërisë civile, përmes aktiviteteve joformale – gjë që nuk mjafton për përparim të plotë dhe për një vendim përfundimtar, që do të ishte i favorshëm për të gjithë pjesëmarrësit në dialog”, thotë Milla.

Këndvështrimi i të rinjve për dialogun ishte temë e një paneli të diskutimit në Prishtinë, më 18 dhjetor, të organizuar nga organizatat joqeveritare Nisma Sociale e Re dhe Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”.

Në fokus të këtij paneli ishte perceptimi i brezit të ri për dialogun dhe ndikimi i tij në jetën e tyre.

Çfarë do të thotë normalizimi i marrëdhënieve për të rinjtë?

Alba Jakupi nga Akademia për Dialog tha se normalizimi i marrëdhënieve duhet të nënkuptojë bashkëjetesën e shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

“Nuk ka të rinj të interesuar nga komunitete të ndryshme që të takohen, të jenë pjesë e një komuniteti tjetër… Ne nuk jemi në kontakt të drejtpërdrejtë që të mund t’i nxjerrim përfundimet tona”, tha ajo.

Gjatë diskutimeve të panelit, Nikollina Kllajiq, studente e marrëdhënieve ndërkombëtare, tha se gjuha është një pengesë e madhe mes të rinjve serbë dhe shqiptarë.

Sipas saj, ajo është e nevojshme të mësohet “për t’u kuptuar më mirë me njëri-tjetrin”.

“Ne kemi një kulturë të ngjashme, dallim mes nesh është gjuha”, tha ajo.

Laberion Nitaj, i cili ka diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike në Prishtinë, tha se të rinjtë “i vuajnë pasojat e mosnormalizimit, për shkak të politikës”.

“Ne si të rinj duhet t’i kapërcejmë këto sfida, të marrim vetë iniciativa”, tha ai.

Aleksandar Shluka, i cili vjen nga Beogradi dhe punon në Kosovë në kuadër të sektorit civil, tha se të rinjtë në Serbi e lidhin normalizimin e marrëdhënieve me statusin e Kosovës dhe dialogun politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Elitat politike e fokusojnë normalizimin në çështjet politike dhe kështu zhduket perceptimi se normalizim do të thotë normalizimi i dy shoqërive”, u shpreh ai.

Panelistët kritikuan edhe rolin e BE-së në dialog, duke vlerësuar se fokusi nuk duhet të jetë vetëm në dialogun politik, por edhe në jetën e njerëzve të thjeshtë, dhe se duhet të ketë transparencë më të madhe.

Kosova dhe Serbia nisën dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2011 dhe, dy vjet më vonë, nënshkruan marrëveshjen e parë si pjesë e dialogut në nivel politik.

Meqë nuk kishte përparim në terren, vitin e kaluar, BE-ja propozoi një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të cilën palët e pranuan, por nuk zbatuan ende gati asnjë pikë të saj.

Von Der Leyen: BE-ja po përgatitet të nisë shqyrtimin e aplikimit të Kosovës

0

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur gatishmërinë që institucioni që ajo drejton të nisë punën në trajtimin e aplikimit të Kosovës për marrjen e statusit të kandidatit.

Megjithatë, ajo theksoi se për këtë proces është i nevojshëm një vendim unanim nga shtetet anëtare të BE-së.

“Jemi të gatshëm të nisim procesin, por na duhet një ftesë për të dalë me opinion. Po punojmë që ta marrim këtë dhe ne jemi gati”, ka thënë për RTK Ursula von der Leyen.

Kosova ka aplikuar në vitin 2022 për statusin e kandidatit, por deri më tani nuk është trajtuar nga Këshilli i BE-së. Për të mandatuar Komisionin Evropian të punojë në opinionin përkatës, kërkohet një vendim unanim nga të gjitha shtetet anëtare.

Presidentja e Komisionit Evropian tha se edhe çështja e masave është në duar të shteteve anëtare, të cilat duhet të vendosin njëzëri për heqjen e tyre.

“E njëjta vlen edhe për masat. Ne jemi absolutisht gati t’i heqim masat, por edhe këtu na duhet unanimiteti i vendeve anëtare, të cilin tash nuk e kemi, por po punojmë shumë që ta marrim, sepse gjithsesi është me rëndësi që edhe Kosova të lëvizë”, ka deklaruar von der Leyen, duke shtuar se, pavarësisht rrethanave, Kosova ka mbështetje të plotë nga institucionet evropiane.

De Croo: BE-ja është “i vetmi partner i besueshëm” për Ballkanin Perëndimor

0

Bashkimi Evropian është “partneri i vetëm i besueshëm dhe i palëkundur” për vendet e Ballkanit Perëndimor, tha kryeministri belg Alexander De Croo në Bruksel të mërkurën në mbrëmje, para fillimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor.

“Në botën e sotme gjeopolitike, ne duhet të bëjmë të qartë se ne jemi i vetmi partner real që ka Ballkani Perëndimor dhe se aspiratat e tyre për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian janë reale”, argumentoi De Croo.

Që nga nisja e pushtimit ushtarak rus të Ukrainës në vitin 2022, politika e zgjerimit evropian ndaj gjashtë vendeve të BP-së ka marrë një vrull të ri.

De Croo theksoi gjithashtu se pranimi në BE duhet të bazohet në meritat dhe reformat konkrete të secilit vend kandidat. Ai tha se “nuk jam tifoz” i një situate si në vitin 2004, kur 10 vende iu bashkuan bllokut njëherësh.

Shala: Skandali i Qeverisë me rezervat shtetërore është jashtëzakonisht i rëndë

0

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka hedhur akuza ndaj Qeverisë së Kosovës lidhur me çështjen e rezervave shtetërore.

Ai përmes një postimi në rrjetin social në Facebook u shpreh se për shkeljet ligjore e procedurale në këtë proces ishin në dijeni edhe ministrja e kryeministri.

“Gjatë këtij mandati, vazhdimisht kam alarmuar se skandali i Qeverisë Kurti me rezervat shtetërore është tejet i rëndë. Për shkeljet ligjore e procedurale në këtë proces ishin në dijeni edhe ministrja e kryeministri”, ka shkruar Shala.

Prandaj, ata kanë përgjegjësi politike e ligjore për këtë skandal korrupsioni, ka shtuar më tutje deputeti i PDK-së.

Hoti: Serbia do të dorëzojë informacionet për të zhdukurit përmes kushtëzimit nga BE-ja

0

Kosova dhe Serbia janë pajtuar të martën për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar nga Kosova për të Pagjeturit, Andin Hoti, ka thënë se është një hap i rëndësishëm dhe se Serbia përmes kushtëzimit nga Bashkimi Evropian do t’i dorëzojë informacionet që posedon.

Ai tutje, tha se mbledhja e këtij komisioni do të mbahet brenda muaji dhe do të kryesohet nga BE.

“Me qenë se është çështje komplet humane, unë besoj që Bashkimi Evropian mundet pak me direkt, pak ma në mënyrë më të fuqishme me ndërhy në këtë pjesë. Brenda një muaji do të mbahet mbledhja e parë ku do të kryesohet nga BE këtë komision të përbashkët… Unë e besoj që nuk zbatohet prej Serbisë. Kjo si shqetësim do të ngritët në nivele hierarkike…dhe me pas do të raportohet të 27 vendet anëtarë të Be-së. Unë mendoj që përmes kushtëzimit, Serbia do t’i dorëzojë informacionet që i ka”, ka deklaruar ai në Tëvë1.

Tutje, ai tha se kërkim falja nga Serbia nuk është e mjaftueshme për krimet që ka bërë.

“Pa pranim të krimit të Serbisë unë nuk mendojë që ndonjëherë në këtë botë do të kemi normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Jo vetëm pranim, pagim të krimeve që i ka bërë, pa i kompensu anën materiale të krimeve sepse ana njerëzore nuk kompensohet, pa kërku falje…”, ka thënë ai.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Mbledhja e Qeverisë, ZKM-ja tregon çfarë vendime u morën

0

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 238, ku janë marrë disa vendime.

Në këtë mbledhje ndër tjerash është miratuar vendimi për themelimin e Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri.

Zyra e kryeministrit ka treguar për të gjitha vendimet që u morën në këtë mbledhje.

Më poshtë vendimet e marrë gjatë mbledhjes së Qeverisë:

Miratuar Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Shëndetësisë. Kjo fushë ndërlidhet me përmirësimin e cilësisë dhe qasjes në shërbime shëndetësore, dhe me riorganizim të sektorit të shëndetësisë. Kështu do të fuqizohen kapacitetet inspektuese dhe rritjen e efektivitetit në zbatimin e legjislacionit të shëndetësisë.

Miratuar Projektligjin për Prodhimin, Kultivimin, Grumbullimin, Përpunimin, Tregtimin, Kontrollin e Duhanit, Produktet e Duhanit dhe Produktet e Ndërlidhura. Ky projektligj ndërlidhet me Programin Kombëtar për Integrim Evropian, ku është paraparë edhe kjo masë legjislative.

Aprovuar Rregulloren për Detyrat, Përbërjen, Funksionimin dhe Kompensimin e Komisioneve në Agjencinë Antidoping. Në kuadër të reformës ligjore sportive të realizuar gjatë këtij mandati, kemi hartuar dhe miratuar edhe Ligjin Antidoping të Kosovës. Ky ligj krijon ambient të sigurt dhe të shëndetshëm për zhvillimin e aktivitetit sportiv. Përmes këtij ligji, themelohet Agjencia Shtetërore Anti-Doping, ku në proces të funksionalizimit të plotë të kësaj Agjencie, u aprovua kjo rregullore.

Emëruar Vedat Maxhunin në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Emëruar Luan Sylajn në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Themeluar Task Forcën për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve.

Aprovuar kërkesën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për transfer të mjeteve buxhetore në shumë prej 450 mijë euro, deri nën 25% të ndarjes së ndikuar negativisht në total të kategorisë së shpenzimeve Investimeve kapitale të nën-programit Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për mbulimin e obligimeve.

Miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të menaxhuara dhe administruara nga AKP të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të Komunës së Hanit të Elezit si në vijim:

o   Rindërtimi i fushës së futbollit;

o  Rregullimi i pronësisë për fabrikën e ujit;

o   Ndërtimi i qendrës për kulturë dhe rini; dhe

o  Zgjerimi i rrugës pranë terminalit doganor.

Miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për realizimin e projektit: Varrezat e Fshatit dhe Fusha Sportive në Dobërçan, Komuna e Gjilanit.

Miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për realizimin e projektit: Çerdhe e fëmijëve, hapësirë gjelbëruese dhe infrastrukturë rrugore, në Komunën e Gjilanit.

Nisur procedurat për ndërtimin e objektit të Spitalit në Ferizaj në vlerë totale prej 27.9 milionë euro.

Aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje.

Miratuar Koncept-dokumentin për Zhvillimin e Kornizës Rregullative të Tregjeve Financiare të Republikës së Kosovës. Kjo hap rrugën për vendosjen e themeleve të tregjeve financiare në Kosovë, për bono të korporatave dhe bursën e kapitalit, që do të mundësojë zgjerimin e mundësive për qasje në financa të ndërmarrjeve tona.

Miratuar në parim nismën për negocimin e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe KfË, Frankfurt Am Main, dhe Pastrimi Sh. A, për projektin “Zhvillimi Urban i Përshtatshëm për Klimën II”.

Miratuar në parim nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe KfË, Frankfurt Am Main, dhe Pastrimi Sh. A, për projektin “Zhvillimi Urban i Përshtatshëm për Klimën II”.

Ndarë 350 mijë euro për organizimin e pjesëmarrjes së Kosovës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, me Kosova House.

Shqipëria trajnon ushtarët ukrainas në Komandon e NATO-s

0

Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të marrin pjesë në Komandën e NATO-s në Wiesbaden, Gjermani, për ndihmë dhe trajnim të forcave ukrainase.

Vendimi u miratua sot në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, katër ushtarakë shqiptarë do të angazhohen në këtë mision, i cili ka për qëllim dhënien e ndihmës dhe trajnimin e personelit të Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Misioni është planifikuar të zgjasë tre vjet, me rotacion çdo 180 ditë.

Arrestohet një person në Veri pasi sulmoi zyrtarët policorë dhe të KEDS-it

0

Njësitë policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut, gjersa ishin duke asistuar zyrtarët e Kompanisë Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) për vendosjen e njehsorëve të energjisë elektrike në lagjen “Kroi i Vitakut” janë kanosur nga një banor.

Gjatë bastisje në shtëpinë e tij, Policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme të mjeteve për prodhimin e kriptovalutave.

Lajmin për media e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Ai ka bërë të ditur se pas kërcënimeve te vazhdueshme dhe sulmit ndaj zyrtareve policorë, i dyshuari me inicialet R.R. i lindur më 1986 është arrestuar.

“Një zyrtar policor ka pranuar tretmanin mjekësor pasi ishte goditur me mjet të fortë. Mbi dyshime të bazuara dhe të arsyeshme njësitë policore kanë kryer bastisje në shtëpinë e personit ku kanë gjetur një sasi të konsiderueshme të mjeteve për prodhimin e kriptovalutave (RIGA) të cilat janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor”, ka thënë ai.

Ai bëri të ditur se të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të rastit, ku pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë.

Nuk i eci në Manchester United, klubet evropiane nisin ti përgatisin ofertat

0

Joshua Zirkzee mund të rikthehet në Itali vetëm gjashtë muaj pas bashkimit me Manchester United.

Disa klube të mëdha anembanë kontinentit, duke përfshirë Juventusin, po e ndjekin me vëmendje sulmuesin e Man United.

Gjigantët italianë janë ndër klubet e tjera evropiane që janë të interesuar për produktin e akademisë së Bayern Munichut.

Dhe kjo mund të nënkuptojë se ai bëhet viktimë e rinovimit të skuadrës së Man United nga Ruben Amorim, me të ardhmen e Marcus Rashford në ajër gjithashtu pas mospërfilljes dhe intervistës së tij të fundit të skuadrës.

Juventusi, i cili është i vendosur të shtojë fuqinë e zjarrit nën drejtimin e Thiago Motta-s, thuhet se po planifikon të rrisë ndjekjen e tyre për Zirkzee.

Ai shënoi 14 gola në 58 paraqitje nën drejtimin e Motta-s në Bologna, duke kontribuar në kualifikimin e tyre për Ligën e Kampionëve në sezonin 2023-24.

Ish-menaxheri i tij dhe bardhezinjtë tani e shohin atë si një zgjidhje afatgjatë për nevojat e tyre sulmuese dhe drejtori sportiv Cristiano Giuntoli ka përshkruar tashmë strategjinë e tij për ta sjellë sulmuesin në Torino.

Edhe pse Zirkzee mund të dëshirojë të qëndrojë në Man United nëse ai fillon të marrë më shumë minuta në ekip nën Amorim.

Ai dukej se kishte fituar një vend titullari kur shënoi dy gola në fitoren 4-0 ndaj Evertonit në fillim të dhjetorit.

Por 23-vjeçari ka grumbulluar vetëm 57 minuta futboll që nga tre ndeshjet e Premierligës kundër Arsenalit, Nottingham Forestit dhe Manchester Cityt.

Sipas Tuttosport, agjenti i tij Kia Joorabchian tani ka organizuar një takim me drejtorët e Man United dhe shefin Amorim për të diskutuar perspektivat e një lëvizjeje.

Juventusi është i interesuar për një transferim në janar, konkretisht një mundësi huazimi me opsion blerjeje.

Zirkzee nuk i ka përmbushur pritshmëritë te Man United, pasi ka shënuar vetëm tre gola dhe ka asistuar dy herë.

Shënimi në debutimin e tij në Man United dukej se i bëri atij një bujë rreth potencialit të tij, por që atëherë ai ka bërë vetëm pesë startime me të kuqe.

Dhe me menaxherin që e nënshkroi, Erik ten Hag, i shkarkuar, ai do të duhet të përpiqet të fitojë Amorimin.

Gjithsej 607 minutat e tij të luajtura në Man United që kur iu bashkua klubit në verë mund ta kthejnë kokën drejt një huazimi në janar.