spot_img
E shtunë, 11 Prill, 2026
11:07
Home Blog Page 1762

Caka-Nimani: Kurti e kontestoi legjitimitetin demokratik të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera

0

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, i është përgjigjur deklaratës që kryeministri Albin Kurti kishte dhënë për televizionin publik, ku ky i fundit e kritikonte Gjykatën Kushtetuese duke thënë se nuk është apolitike, dhe duke i ftuar gjykatësit e kësaj gjykate që të garojë në zgjedhjet e ardhshme.

Caka-Nimani tha ekskluzivisht në Rubikon se është e rëndësishme të sqarohet se Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetenca vetanake për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve.

”Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje nga palët e autorizuara, të përcaktuara me Kushtetutë, Kushtetutë të cilën e ka miratuar Kuvendi i Republikës së Kosovës, në kontekst të ligjeve. Këto janë ligje që janë kontestuar në Gjykatë Kushtetuese nga palët e autorizuara, kur një kërkesë vije në Gjykatën Kushtetuese sipas përcaktimeve kushtetuese, sepse ka kritere të përcaktuara në ligj, sigurisht që Gjykata e ka për detyrë kushtetuese që të trajtojë çështjen që ka para saj dhe të nxjerrë verdiktin e saj”, tha Caka-Nimani në Rubikon.

Caka-Nimani tha se ftesa e kryeministrit Kurti që Gjykata Kushtetuese të garojë në zgjedhje është kontestim i legjitimitetit demokratik të kësaj gjykate dhe të gjykatave të tjera.

”Sa i përket thirrjes për të garuar në zgjedhje, edhe pse jo me një formulim të tillë kjo çështje nuk është detyrimisht e re, dhe ngërthen një shkollë mendimi e cila konteston legjitimitetin demokratik të gjykatave për të nxjerrë vendime, përfshirë anuluar akte të Kuvendit, të cilat janë miratuar nga përfaqësuesit e popullit. Një thirrje e tillë s’mund të nënkuptohet ndryshe përpos si kontestim i legjitimitetit demokratik të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera dhe e them me siguri, sepse kjo është çështje trajtimi në të drejtën kushtetuese nga shkolla të caktuara mendimi që argumentojnë që gjykatat nuk kanë legjitimitetin e duhur për të anuluar vendime të miratuara nga përfaqësuesit e popullit”, tha Caka-Nimani.

Vrasja e Ibush Kllokoqit: Eksperti psikiatër vlerëson se i akuzuari nuk është në gjendje të përballet me gjykimin

0

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së martës është dëgjuar eksperti i psikiatrisë, Jeton Zogaj, në lidhje me rastin ku F.G., akuzohet se në bashkëkryerje me të tjerë kanë kryer veprën penale vrasja e Ibush Kllokoqit në 1999-ën, për të cilin rast tashmë janë dënuar të akuzuarit Nazim Bllaca, Sadik Abazi, Shpresim Uka dhe Bekim Syla.

Për shkak të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit F.G, gjykimi ndaj tij ishte veçuar në 2015-ën.

Eksperti Zogaj, ka deklaruar se si ekip vlerësuese, duke u bazuar në të dhënat që i kanë pasur konstatojnë se tek i akuzuari akuzuarin F.G, ekzistojnë çrregullime mendore.

Ai tha se këto probleme ia pamundësojnë të akuzuarit përcjelljen e shqyrtimit gjyqësor, pasi i njëjti nuk është në gjendje ta kuptojë shqyrtimin dhe as të konsultohet me mbrojtësin e tij dhe po ashtu deklarimet e tij të dhëna nuk janë valide si rezultat i gjendjes së tij.

Në lidhje me këtë, trupi gjykues, në raport me konstatimet e ekspertit psikiatrik, shkresat e lëndës dhe faktet e provat e administruara deri më tani ka gjetur se i akuzuari nuk është i aftë t’i nënshtrohet gjykimit në këtë çështje për shkak të gjendjes së tij psikike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i këtij trupi, gjyqtari Vesel Ismajli ka bërë me dije se trupi gjykues do të marrë vendim mbi paaftësinë për t’iu nënshtruar gjykimit dhe të njëjtin do ta marrë në formë të shkruar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të 29 korrikut 2011, më 9 gusht 1999, i akuzuari F.G, në bashkëkryerje me tani të dënuarit Sadik Abazi, Shpresim Uka dhe Bekim Syla, në bashkëkryerje me Nazim Bllacën (të deklaruar dëshmitarë bashkëpunues nga ish Gjykata e Qarkut në Prishtinë më 4 mars 2011) kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë, e paraparë dhe e dënueshme me nenin 30, (1) dhe (2), të Ligjit Penal të Krahinës Autonome te Kosovës, ndërlidhur me nenin 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (aktualisht i paraparë edhe e me nenet 146 dhe 147, pika 3 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës KPK).

Tutje, në aktakuzë thuhet se të pandehurit e përmendur më sipër e kanë vrarë Ibush Kllokoqin, duke e qëlluar atë me shumë gjuajtje me armë zjarri. Më specifikisht i akuzuari F.G, i ka dhënë natën e vrasjes, Nazim Bllacës një armë zjarri të tipit Skorpion. Pastaj po atë natë së bashku me Shpresim Ukën, Bekim Sylen dhe Sadik Abazin kanë shkuar të shtëpia e viktimës. Shpresim Uka ka pritur afër shtëpisë ndërsa Nazim Bllaca, Sadik Abazi, F.G dhe Bekim Syla, kanë trokitur në derën e shtëpisë së Kllokoqit. Kur viktima kishte dalë tek dera, Nazim Bllaca e kishte vrarë duke e qëlluar me 6 plumba nga arma e përmendur më sipër.

Më tej, në akuzës thuhet se, më 3 nëntor 1999, i akuzuari në bashkëkryerje me tani të dënuarit Sadik Abazi, Shpresim Uka dhe Bekim Syla dhe Nazim Bllacën (të deklaruar dëshmitarë bashkëpunues nga ish Gjykata e Qarkut në Prishtinë më 4 mars 2011) kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, e paraparë dhe e denueshme me nenin 30, (1) dhe (2), të Ligjit Penal të Krahinës Autonome te Kosovës, ndërlidhur me nenet 19 dhe 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (aktualisht i paraparë edhe e me nenet 146 dhe 147, pika 3 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës KPK), sepse të pandehurit e përmendur me sipër kanë tentuar ta privojnë nga jeta Ismet Arifin, duke e qëlluar atë disa herë me armë zjarri.

Trump thotë se do të flas me Putinin dhe Zelenskyn për të ndalur luftën

0

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se do të flasë me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe atë ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një përpjekje për të ndalur “masakrën” midis Moskës dhe Kievit.

Gjatë një konference për shtyp në Mar-a-Lago të hënën, Trump refuzoi të komentonte kur u pyet nëse kishte folur me Putinin që kur fitoi zgjedhjet presidenciale të muajit të kaluar. Megjithatë, Trump tha se ai synon ta bëjë këtë.

“Ne do të flasim me presidentin Putin dhe do të flasim me përfaqësuesit e tij, Zelenskyn dhe përfaqësuesit nga Ukraina”, tha ai. “Duhet ta ndalojmë. Është masakër”, shtoi ai, duke iu referuar konfliktit pothuajse tre-vjeçar midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Është një masakër që nuk e kemi parë që nga Lufta e Dytë Botërore,” vazhdoi ai. “Duhet ndalur. Dhe unë po bëj çmos për ta ndaluar atë”, theksoi Trump.

Donald Trump Zelensky Putin

Trump u zotua në fushatën për t’i dhënë fund konfliktit brenda një dite pas marrjes së detyrës, megjithëse ai ka pranuar që atëherë se bërja e kësaj mund të jetë “më e vështirë” nga sa mendonte më parë. Presidenti i ardhshëm u takua me Zelenskyn në Paris në fillim të këtij muaji dhe tha menjëherë pas zgjedhjeve të muajit të kaluar se ai ka të ngjarë të flasë me Putinin në të ardhmen e afërt.

Trump dhe zyrtarët e mundshëm të kabinetit të tij kanë refuzuar të komentojnë raportet e mediave që pretendojnë se kanë qenë në kontakt me Moskën, ndërsa Kremlini muajin e kaluar mohoi një raport nga Washington Post që sugjeronte se Trump kontaktoi me Putinin me telefon menjëherë pas zgjedhjeve.

Putin ka thënë se deklaratat e Trump për përfundimin e konfliktit “meritojnë vëmendje” dhe se ai është i hapur për bisedime me presidentin e zgjedhur. “Nuk do të ishte e vështirë ta thërras atë vetë,” tha presidenti rus në një takim të Klubit Ndërkombëtar të Diskutimit Valdai në Soçi muajin e kaluar.

Duke qenë se Trump nuk ka zbuluar asnjë detaj mbi llojin e zgjidhjes që synon t’i propozojë Putinit dhe Zelenskit, planet e tij kanë mbetur objekt spekulimesh. Shumica e mediave amerikane kanë parashikuar se Trump do të shtyjë që konflikti të ngrihet përgjatë vijës aktuale të kontaktit, me Ukrainën që të braktisë aspiratat e saj për anëtarësim në NATO në këmbim të garancive të sigurisë nga Perëndimi.

Trump ka thënë shprehimisht se SHBA-ja do t’ia lërë zbatimin e një marrëveshjeje të tillë anëtarëve evropianë të NATO-s.

Moska pohon se çdo zgjidhje duhet të fillojë me ndërprerjen e operacioneve ushtarake nga Ukraina dhe duke pranuar “realitetin territorial” se ajo kurrë nuk do të rimarrë kontrollin e rajoneve të Donetsk, Lugansk, Kherson dhe Zaporozhye, si dhe Krimenë. Përveç kësaj, Kremlini këmbëngul se qëllimet e konfliktit të cilat përfshijnë “neutralitetin ukrainas, çmilitarizimin dhe denazifikimin”, do të arrihen.

FSK-ja dhe Gjermania nënshkruajnë Marrëveshje për Mbrojtjen dhe Sigurinë

0

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, gjatë një vizite zyrtare në Berlin, u prit nga Shefi i Mbrojtjes së Gjermanisë, Gjeneral Carsten Breuer me ç`rast nënshkruan një Marrëveshje Bilaterale në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë ndërmjet Ministrive të Mbrojtjes të të dy vendeve.

Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe teksti

Gjatë takimit bilateral, dy gjeneralët diskutuan sfidat globale dhe rajonale të sigurisë, duke theksuar nevojën për rritjen e bashkëpunimit ushtarak mes forcave të armatosura të Kosovës dhe Gjermanisë.

Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe teksti

Marrëveshja e nënshkruar nga Jashari dhe Breuer, përfshin përkrahjen gjermane për Kosovën në ofrimin e mbështetjes politike, ushtarake dhe ligjore për FSK-në, duke mundësuar përfshirjen e saj në organizata ndërkombëtare.

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti

Fushat e bashkëpunimit të përcaktuara nga kjo marrëveshje përfshijnë stërvitjet dhe trajnimet e përbashkëta, mbështetjen teknike dhe logjistike, si dhe aktivitete të tjera që fuqizojnë kapacitetet e mbrojtjes.

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti

Kjo marrëveshje thekson rëndësinë e aleancës strategjike mes Kosovës dhe Gjermanisë, e cila vazhdon të luajë një rol kyç në zhvillimin dhe fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe tribunë

E përditësuar / Gjuajtje me armë zjarri ndaj një polici në Pejë

0

Arrestohet i dyshuari që shtiu me armë në drejtim të policit në Pejë

Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar personi që dyshohet se shtiu me armë në drejtim të zyrtarit policor në Pejë.

Policia ka njoftuar në detaje se si ka ndodhur ngjarja.

“Sot me datё 17.12.2024, rreth orёs 16:03, deri sa zyrtari Policor ishte duke kaluar zebrat nё rrugën “ Mbreteresha Teutё”, “Përball Policisё”, ka ardhur njё veturё me targa vendore, duke tentuar ta godas me automjet zyrtarin Policor, zyrtari Policor iu ёshtё shmangur goditjes nga kjo veturë, i dyshuari gjatё levizjёs nga dritarja e automjetit ka shtёnё me armё zjarri dy (2) herё nё drejtim tё zyrtarit Policor, mirëpo fatmirësisht zyrtari Policor nuk ёshtё lënduar nga kёto tё shtёna. Personi i dyshuar ёshtё larguar me shpejtёsi tё madhe me veturёn ne fjalё”.

Policia menjëherë ka reaguar mes tjerash ka bёrё sigurimin e vendit tё ngjarjes, aty janё gjetur dhe sekuestruar dy (2) gëzhoja tё kalibrit 7.65mm.

“Stafi menagjues i Drejtorisё Rajonale tё Policisё nё Pejё, hetuesit e Sektorit Rajonal pёr Hetime, Hetuesit e Stacionit Policor nё Pejё, Njёsia pёr reagim tё shpejtё dhe njësi tjera përkatëse, janё vёnё nё kërkim tё personit tё dyshuar, pas njё pune intensive operativo-hetimore, mes tjerash janё realizuar tri (3) bastisje nё lokacione tё ndyshme”, thuhet në komunikatë.

Rreth orёs 18:25, ёshtё arritur te arrestohet i dyshuari i këtij rasti, ёshtё sekuestruar arma e cila dyshohet qё ёshtё përdor nё rast, poashtu ёshtё sekuestruar edhe vetura e cila ёshtё përdorur nё rast.

“Tё gjitha veprimet janё marrё ne koordinim me Prokurorin e shtetit, i dyshuari pas intervistimit me vendim te Prokurorit tё shëtit ёshtё dёrguar nё mbajtje pёr 48-orё, ndërsa rasti cilësohet “Vrasje e Rёndё nё Tentativë” dhe “Mbajtje nё Pronësi, Kontroll ose Posedim i Paautorizuar i Armëve””, thuhet në komunikatë.

Gjuajtje me armë zjarri ndaj një polici në Pejë

Sot rreth orës 16:08 në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Pejë është gjuajtur me armë zjarri në drejtim të një zyrtari policor.

Lajmin për media e konfirmoi Fadil Gashi, zëdhënës i policisë për rajonin e Pejës.

“Zyrtari policor sapo kishte dalur nga stacioni policor dhe ishte duke e kaluar rrugën në zebra, nga një veturë në drejtim të tij është qëlluar me armë zjarri. Për fat të mirë ai ka shpëtuar pa lëndime”, deklaroi Gashi.

“I dyshuari është arritur të identifikohet dhe lidhur me rastin po ndërmerren të gjitha veprimet hetimore për kapjen e tij. Në vendin e ngjarjes ka dalur edhe prokurori dhe njësitet relevante. Aty janë gjetur edhe dy gëzhoja”, theksoi ai.

Bislimi jep detaje nga takimi i sotëm në Bruksel

0

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se në fillim të takimit trelateral, emisari special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajççk, e ka dënuar sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

Bislimi tha se Lajçaku tregoi se BE-ja është e gatshme ta ndihmojë Kosovën në hetimin e plotë të këtij rasti, teksa tha se në takimin bilateral me të, janë trajtuar edhe tema të tjera, si ajo për IBM-in por edhe mundësia e hapjes së pikave kufitare në Izvor dhe Kapi.

“Në takimin bilateral kemi trajtuar tema të ndryshme të rëndësishme, ku te IBM-i kemi diskutuar për mundësinë e riaktivizimit të grupit të përbashkët për implementim, në mënyrë që të trajtohen temat me rëndësi, si ajo e aktivizimit të pikave kufitare në Izovr dhe Kapi, mundësia e hapjes së pikave kufitare sezonale në Mohovc, Breznicë dhe Dobrosin”.

“Pastaj domosdoshmëria që të ketë prezencë 24 orëshe të inspektorëve fito-sanitarë te Dheu i Bardhë dhe mundësia që të fillohet me konsolidimin e 13 certifikatave fito-sanitare mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Kemi adresuar edhe fushën e energjisë, ku i kemi potencuar shkeljet e fundit të Serbisë, sidomos mosaktivizimin e linjave të interkoneksionit, po ashtu edhe sabotimin që Serbia po ia bën marrëveshjeve të Brukselit, duke insistuar në fusnota të shpikura në marrëveshjet regjionale”, tha Bislimi.

Më tej, Bislimi tha se me Lajçakun, kanë trajtuar edhe temën e vizitave zyrtare, ku tha se ka brenga në BE që disa vizita po refuzohen pa sqarime shtesë.

“Po ashtu e kemi trajtuar edhe temën e vizitave zyrtare, ku ka brenga që disa vizita po refuzohen pa sqarime shtesë, një praktikë që e ka instaluar Serbia që moti”, tha ai.

Andin Hoti flet për marrëveshjen për të pagjeturit

0

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjeturit, Andin Hoti, ka thënë se pas tri vitesh dialog dhe tendencave të pajustifikueshme për zvarritje nga ana e Serbisë, sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

Hoti tha se ky hap përben një moment të rëndësishëm në adresimin e shqetësimeve të Kosovës në lidhje me çështjen e personave të zhdukur, të cilën ai e quajti të ndjeshme dhe të rëndësishme për familjet në shoqërinë kosovare.

“Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur”, tha Hoti.

Postimi i plotë:

Pas tre vitesh dialog, bisedimesh të vazhdueshme dhe tendencave të pajustifikueshme për zvarritje nga ana e Serbisë, sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur. Ky hap përbën një moment të rëndësishëm në adresimin e shqetësimeve tona lidhur me këtë çështje kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme për familjet dhe shoqërinë tonë.

Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur. Njëkohësisht, do të shërbejë si platformë, ku më në fund do të mund të adresojmë të gjitha shqetësimet tona sa i përket ngecjeve në proces dhe mosadresimit adekuat të këtyre ngecjeve apo pengesave; përfshirë këtu mungesën e bashkëpunimit të Serbisë në Grupin Punues dhe refuzimin për të hapur arkivat përkatëse.

Shpresojmë që ky hap të shërbejë si një moment përparimi drejt zgjidhjes përfundimtare dhe të shumë vonuar të fatit të personave të zhdukur dhe lehtësimit të dhimbjes së familjeve të tyre, të cilat për shumë kohë kanë pritur drejtësi dhe të vërtetën.

Haradinaj takon studentët, premton krijimin e fondit për financimin e punësimit të parë për të rinjtë

0

Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentë të univesiteteve të ndryshme me të cilët ka biseduar për programin e tij zgjedhor.

Mund të jetë një imazh i 4 persona, pije dhe turmë

Haradinaj ka thënë se kjo ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të dëgjuar dhe për të kuptuar njëri-tjetrin.

Mund të jetë një imazh i 3 persona, ndriçimi dhe turmë

“Gjatë një bashkëbisedimi të frytshëm me studentë të universiteteve të ndryshme ndamë mendime të hapura mbi sfidat dhe perspektivën e të rinjve. Ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të dëgjuar dhe për të kuptuar njëri-tjetrin”, tha ai.

Programi i AAK-së mes tjerash përfshin:

“Gjatë një bashkëbisedimi të frytshëm me studentë të universiteteve të ndryshme ndamë mendime të hapura mbi sfidat dhe perspektivën e të rinjve. Ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të dëgjuar dhe për të kuptuar njëri-tjetrin. Programi ynë mes tjerash përfshin:

– Fond për financim të punësimit të parë të të rinjve; – Harmonizimin e plotë të politikave arsimore, shëndetësore, kulturore, të punësimit dhe të zhvillimit në relacion me gjeneratat e reja;

– Identifikimin e talentëve të veçantë dhe trajtimi institucional i karrierës së tyre”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj është zotuar se mbështetja për rininë do të jetë prioritet.

“U zotova se mbështetja për rininë do të jetë prioritet, duke investuar në arsim cilësor, përkrahje për ndërmarrësit e rinj dhe lehtësira për kalimin nga shkolla në vendin e punës. Përkrahja e tyre e sinqertë dhe vizioni i përbashkët për një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht, anëtare e NATO-s dhe një vend të fuqishëm, na japin energji të reja për punën që kemi përpara”, është shprehur Haradinaj.

“Kam frikë se do ta humbi, e kërkon djalin, por ai s’e do”

0

Biznesmeni shqiptar Elton Ilirjani, i cili jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka arritur të takohet me ikonën muzikës shqipe, Parashqevi Simaku.

Përpara pak ditësh me anë të një posti në rrjetin e tij social, Ilirjani ndau për herë të parë një foto duke u përqafuar me Simakun dhe që prej atij takimi, ai tashmë ka marrë nën krahët e tij artisten e mirënjohur.

Përmes disa mesazheve zanore, Elton Ilirjani shprehu emocionet për këtë ngjarje dhe ndjesitë e Parashqevisë nga ky ndryshim i papritur në jetën e saj.

“Elona e dashur, kemi kaluar tri ditë shumë të vështira. Dy netë pa gjumë. Sot që arrita të fle pak, ajo ka pasur krizë. Nuk duhet të kishte dëgjuar asgjë nga këto që foli Osman Mula e shokë. Nuk e di domethënë. Është keq. Nuk pranon. Po qan. Kam frikë se do të na iki prapë. Jam shumë i trishtuar. Nuk di çfarë të bëj. Nuk janë çështje lekësh. Është çështja që ajo do djalin. Djali s’do ta takojë. Nuk e di. Është një tragjedi e madhe. Nuk e di pse u gjenda këtu në mes të gjithë kësaj. S’di si të sillem. S’di çfarë të bëj. Thjesht i lutem Zotit që ajo të mos iki. Po iku, duhet t’i shkoj mbrapa. Është e vetmja gjë që ndihem i pafuqishëm. Nuk e di. Jam shumë i prekur. Nuk flas dot”.

Më tej, Elton Ilirjani u shpreh:

“Për herë të parë në jetën time ndihem shumë i trishtuar. Është një situatë shumë komplekse. Ajo donte që të dilte, të shijonte një moment të bukur. Ma kërkoi dhe tha ‘dua të këndoj’. Kishte dëgjuar që shqiptarët kishin folur që ajo nuk e donte Shqipërinë e prandaj dolëm atë ditë dhe tha që ‘dua të ndihem si Hirushja’. Unë bëra çdo gjë sipas kërkesës së saj dhe çdo gjë tjetër. Edhe sot prapë do t’i lutem që të bëjmë çfarë të dojë ajo, por e vetmja gjë që do ajo është të takojë djalin e saj. Kaq. Asgjë tjetër. Nuk i duhen as paratë, as fama, asgjë. Do djalin e saj”.

KQPZh: Presim që Serbia t’i hap arkivat

0

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes për zbatimin e deklaratës për personat e zhdukur.

“Pas tre vjetësh dialog, bisedimesh të vazhdueshme dhe tendencave të pajustifikueshme për zvarritje nga ana e Serbisë, sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur”,thuhet në njoftim.

Komisioni ka vlerësuar se ky hap, përbën një moment të rëndësishëm në adresimin e shqetësimeve tona lidhur me këtë çështje kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme për familjet dhe shoqërinë tonë.

”Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur. Njëkohësisht, do të shërbejë si platformë, ku më në fund do të mund të adresojmë të gjitha shqetësimet tona sa i përket ngecjeve në proces dhe mosadresimit adekuat të këtyre ngecjeve apo pengesave; përfshirë këtu mungesën e bashkëpunimit të Serbisë në Grupin Punues dhe refuzimin për të hapur arkivat përkatëse”, thuhet në njoftim.