spot_img
E premte, 3 Prill, 2026
02:28
Home Blog Page 1766

Zbulohet se si agjentët rusë shpëtuan Asadin: Transponderi i avionit u fik për të shmangur gjurmimin

0

Të dielën, diktatori sirian, Bashar al-Assad, u arratis nga Siria me avion dhe shkoi në Moskë. Tani, historia e arratisjes së tij është bërë publike.

Ndërsa ushtarët e tij u tërhoqën dhe u vunë në rroba civile, fati i al-Asadit ishte në duart e agjentëve rusë. Vladimir Putin vendosi të shpëtojë aleatin e tij kur arriti në përfundimin se nuk mund të bënte asgjë më shumë për të mbështetur regjimin e Asadit, raportoi sot Bloomberg, duke cituar burime të Kremlinit.

Në një moment kritik, Rusia arriti ta bindte Asadin se do të humbiste luftën kundër grupeve të armatosura, të udhëhequra nga ish-dega e Al-Kaedës (HTS) dhe i ofroi atij dhe familjes së tij kalim të sigurt nëse largohej menjëherë nga Siria.

Inteligjenca ruse më pas orkestroi një arratisje dhe nxori Assadin përmes bazës së tyre ajrore në Siri. Sipas një burimi të brendshëm të Kremlinit, transponderi i avionit ishte fikur për të shmangur gjurmimin.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, dhe Putin gjithashtu nuk ka komentuar ende për rënien e regjimit të Asadit.

Burime për Bloomberg zbulojnë gjithashtu se zyrtarët rusë u befasuan nga shpejtësia e kthesës në situatën në Siri, megjithëse po përpiqen të japin përshtypjen e ftohtësisë.

Ata gjithashtu kanë frikë për të ardhmen e dy bazave të tyre kryesore ushtarake në Siri – portit detar në Tartus dhe aeroportit në Khmeimim.

Rusia fillimisht bombardoi forcat e opozitës në një përpjekje për t’i shtypur ato, por pasi ushtria siriane ofroi pak rezistencë ndërsa rebelët pushtuan qytetin e Hamës disa ditë pas kapjes së Aleppos, Kremlini arriti në përfundimin se nuk mund ta mbronte regjimin kur rebelët sulmuan qytetin strategjik të Homsit, tha një nga burimet për Bloomberg.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov zhvilloi bisedime mbi krizën siriane me homologët e tij iranianë dhe turq në Doha një ditë para se Assadi të largohej. Irani, ashtu si Rusia, ka qenë një aleat i ngushtë i Asadit dhe të dy vendet dolën në mbrojtje të tij në vitin 2015, kur Putin dërgoi trupa ruse në Siri për të ndihmuar Assadin të largonte rebelët që rrethonin Damaskun.

Prof. Dr. Emina Daci-Zejnullahu i bashkohet AAK-së, pjesë e listës për deputetë

0

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se Prof. Dr. Emine Daci-Zejnullahu, është bërë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të këtij subjekti politik për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur se kontributi i saj në arsimin e lartë, janë vlera që i duhen shumë vendit.

Mund të jetë një imazh i 2 persona, Zyra Ovale dhe teksti

“Kosova Fituese po forcohet çdo ditë me personalitete të këtij kalibri për të sjellë ndryshimin e vërtetë në qeverisjen e vendit. Me Prof. Dr. Eminen dhe mbarë ekipin tonë, jemi bashkuar të ndërtojmë një Kosovë që krijon mundësi për të gjithë, një Kosovë lidere të zhvillimit rajonal dhe anëtare të NATO-s”, ka thënë Haradinaj.

Mund të jetë një imazh i 5 persona, redaksi dhe teksti

Postimi i plotë:

Mirë se vjen në familjen e Kosovës Fituese, Prof. Dr. Emine Daci Zejnullahu!

Ekspertiza juaj në fushën e ekonomisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm, përvoja e pasur në organizatat ndërkombëtare si dhe kontributi juaj në arsimin e lartë, janë vlera që i duhen shumë vendit.

Kosova Fituese po forcohet çdo ditë me personalitete të këtij kalibri për të sjellë ndryshimin e vërtetë në qeverisjen e vendit. Me Prof. Dr. Eminen dhe mbarë ekipin tonë, jemi bashkuar të ndërtojmë një Kosovë që krijon mundësi për të gjithë, një Kosovë lidere të zhvillimit rajonal dhe anëtare të NATO-s.

“Mirupafshim atje lart”, një roman që zbërthyen pasojat e luftës

0

Tetor 1918. Pasi i mbijetuan masakrës së Luftës së madhe, Alberti dhe Eduardi gjenden të margjinalizuar nga shoqëria.

Në romanin “Mirupafshim atje lart”, shkrimtari francez Pierre Lemaitre, rrëfen trazirat e pasluftës, iluzionet e armëpushimit, hipokrizinë e shtetit që lëvdon të vdekurit e por harron të gjallët.

Fituese e çmimit “Goncourt” në Francë, vepra u shpall më e mira e përkthyer ne shqip nga frëngjishtja këtë vit.

“Libri i Pierre Lemaitre është jehonë e luftës së madhe që shkaktoi pasoja gjatë luftës, por edhe pas saj pasojat ishin tepër të rënda dhe kjo është e vlefshme për çdo periudhë, luftë të madhe e katastrofë”, thotë përkthyesja Lindita Gjetani.

Përmes një stili që të mban mbërthyer dhe duke ndjekur traditën letrare të Dumas apo Hugosë, Lemaitre, sjell fatet e trishta të një brezi të humbur që bën një sakrificë që nuk i njihet.

“Është një libër që të rrëmben që në faqet e para. Nis me 10 ditët e fundit të faqeve të para, parë nga personazhet kryesore të librit. Ka profile psikologjike, në të gjejmë marrëdhëniet njerëzore, ndjejmë dashuri e urrejtje dhe kemi marrëdhëniet mes prindërve e fëmijëve”, tha Gjetani.

T’i mbijetosh luftës duket se nuk është fitorja e madhe, pasi t’i mbijetosh paqes duket po aq e vështirë. E ndërsa konfliktet e ndjekin njerëzimin në çdo epokë, historitë njerëzore e bëjnë më të qartë se çfarë ndodh me njerëzit kur lufta nis e mbaron.

Seanca për Ligjin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut u shty

0

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shtyjë seancën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve për një datë të pacaktuar.

Në këtë seancë, për të cilën do të vendoset se kur do të mbahet, pritet të marrin pjesë ekspertë të fushës dhe përfaqësues të partive politike, të cilët do të paraqesin argumentet e tyre lidhur me kontestimin e Ligjit për gjuhët.

Propozimi për shtyrjen e seancës u bë nga gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, Elizabeta Dukovska, e cila është përgjegjëse për këtë çështje. Kundër këtij vendimi ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila e theksoi se gjykata duhet të jetë ajo që jep fjalën përfundimtare.

Ligji për gjuhët parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2.

Në hapjen e seancës të mërkurën, gjykatësi Fatmir Skënderi propozoi shtyrjen e seancës për dy javë, me qëllim që të sigurohej prania e dy gjykatësve shqiptarë dhe plotësimi i përbërjes së gjykatës. Propozimi u hodh poshtë me votim, dhe pas kësaj gjykatësi Skënderi lëshoi seancën.

Seanca e së mërkurës filloi me mungesën e dy gjykatësve shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, që bojkotuan procesin.

Nëpërmjet bojkotit, Kadriu dhe Ajdari synojnë të bllokojnë nisjen e procedurës për këtë ligj. Kjo lidhet me një konkluzion të miratuar nga Gjykata Kushtetuese gjatë viteve 2022 dhe 2023, që kërkon pjesëmarrjen unanime të të gjithë anëtarëve për procedurat që kanë të bëjnë me Ligjin për gjuhët, Marrëveshjen e Prespës dhe Ligjin për komunikime elektronike.

Bojkotin nga ana e gjyqtarëve shqiptarë e kishte përmendur më herët, Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë i Maqedonisë së Veriut që vjen nga radhët e VLEN-it. Me këtë, sipas tij, “vendimi nuk mund të kishte legjitimitet”.

“Është prononcuar edhe kryetari që duhet të marrin pjesë të gjithë gjykatësit dhe nëse dikush mungon, atëherë nuk ka legjitimitet vendimi”, kishte thënë Mexhiti më 6 dhjetor duke siguruar se “ligji nuk do të preket”.

Ndërkohë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, që udhëheq me Frontin Evropian, deklaroi para njerëzve të mbledhur se data e 11 dhjetorit 2024 i rikujton periudhën e vitit 1989, kur, sipas tij, “Millosheviqi suprimoi autonominë e Kosovës”.

“Të punojmë së bashku. Ne kurrë nuk e kemi kontestuar gjuhën apo kulturën e tyre. Gjithmonë kemi qenë përkrah tyre, duke kërkuar mënyra për të mbrojtur së bashku vlerat tona dhe ato të bashkëqytetarëve tanë maqedonas. Në fund të fundit, jetojmë nën të njëjtin qiell dhe na ngroh i njëjti diell. Ne dëshirojmë që vendi ynë të jetë në paqe dhe i integruar në Bashkimin Evropian”, tha Ahmeti, pas vendimit, duke shtuar se paqja nuk duhet të cenohet, dhe vendimet e Kushtetueses nuk duhet të merren në mënyrë të njëanshme.

BDI-ja edhe më herët ka shprehur shqetësim se nëse neni 23, paragrafi 5 i Ligjit për gjuhët abrogohet, atëherë ai mund të bëhet i pazbatueshëm.

Para Gjykatës Kushtetueses në Shkup të pranishëm janë edhe liderë të tjerë të Frontit Evropian në opozitë, si Zijadin Sela, lider i njërit fraksion të Aleancës për Shqiptarë, si dhe një numër i madh qytetarësh dhe simpatizantësh partiakë.

Çfarë është Ligji për përdorimin e gjuhëve?

Ligji për përdorimin e gjuhëve përbëhet nga 25 nene.

Ky ligj hyri në procedurë parlamentare më 5 shtator 2017. Presidenti i atëhershëm, Gjorgje Ivanov, refuzoi ta dekretonte, duke argumentuar se ligji ishte antikushtetues. Megjithatë, më 11 janar 2018, Ligji për gjuhët u miratua me 69 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.

Opozita, e udhëhequr asokohe nga VMRO-DPMNE-ja, nuk mori pjesë në seancë.

Sikurse presidenti Ivanov, edhe opozita e cilësoi ligjin si antikushtetues.

Ndryshimet kryesore që solli ligji i ri ishin: “përdorimi i gjuhës shqipe edhe në procese gjyqësore, në bankënota dhe në uniforma policore”.

Pas miratimit, ligji u kundërshtua nga 13 iniciativa të paraqitura nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme. Mes këtyre ishte edhe partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE, e cila në atë kohë ishte në opozitë dhe ishte angazhuar se do të bënte “korrigjime” pasi të kthehej në pushtet.

Megjithëse VMRO DPMNE-ja e kontestonte thuajse çdo aspekt, që nga mënyra e miratimit të ligjit deri te përmbajtja e tij, tani kryeministri Hristijan Mickoski, i cili vjen nga kjo parti, theksoi se “nuk do të ndodhë asgjë” dhe siguroi se situata është “nën kontroll”.

“I lus bashkëqytetarët shqiptarë, maqedonas të gjithë, të jenë të qetë. E gjithë puna është nën kontroll, gjithçka është nën kontroll, të mos lejojmë të biem pre e provokimeve të këtyre njerëzve”, deklaroi të martën Mickoski.

Më herët, ai kishte thënë se nuk po kontestohet i gjithë ligji, por “vetëm dy a tri dispozita”.

Çka po kontestohet?

“Iniciatorët kundërshtojnë tërësinë e Ligjit nga aspekti i Amendamentit V të Kushtetutës, sepse zgjeronte kornizën kushtetuese të dhënë në këtë amendament në lidhje me përdorimin e gjuhëve të komuniteteve joshumicë dhe përcaktonte barazinë e një gjuhe tjetër që flitet nga të paktën 20% e qytetarëve, me gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Republikës dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare”, thuhet në raportin përmbledhës të Gjykatës Kushtetuese për atë që është objekt i kundërshtimit të 13 nismave.

Rrjedhimisht, nenet apo pjesët e neneve për të cilat propozohet nisja e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë, janë gjithashtu pjesë e vërejtjeve të Komisionit të Venecias.

Cilat janë këto vërejtje?

Në vitin 2019, Komisioni i Venecias kishte dhënë vlerësim për Ligjin për gjuhët, duke thënë se disa dispozita të tij tejkalonin standardet ndërkombëtare për gjuhët rajonale dhe të pakicave.

Komisioni kërkoi:

Rishikimin e dispozitave për dygjuhësinë në procedurat gjyqësore, duke rekomanduar që këto përcaktime të hiqen ose të kufizohen, për shkak të vështirësive teknike dhe administrative që mund të shkaktojnë.

Masa për zbatimin efikas të kërkesave gjuhësore, bazuar në dispozitat e Ligjit të mëparshëm të vitit 2008, për të garantuar zbatueshmërinë e tyre pa krijuar konfuzione, ndonëse ai, sipas njohësve të drejtësisë, përfshinte një interpretim të ngushtë.

Revidimin e nenit 3 të Ligjit për gjuhët, i cili parashikon përdorimin e gjuhës shqipe në komunikimet institucionale dhe fusha të tjera, duke kërkuar një përcaktim më të qartë të fushës së zbatimit për të shmangur keqkuptimet dhe konfliktet në praktikë.

Akademikët shqiptarë me letër ndaj Kushtetueses

Ngjashëm sikurse 13 inicativat e lartpërmendura, mbi 250 intelektualë shqiptarë kanë nënshkruar një letër të hapur, cila i drejtohet Gjykatës Kushtetuese që të veprojë me profesionalizëm dhe jo me vendime të motivuara politikisht, sepse, siç thuhet, “vendimet arbitrare mund të sjellin pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike”.

Ata përkujtojnë se e kaluara e punës së Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar “tensione dhe pakënaqësi, sa herë që ka marrë vendime të njëanshme dhe arbitrare, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike dhe kanë cenuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve për barazi dhe drejtësi, të realizuara përmes rrugëve institucionale”.

Ligji për përdorimin e gjuhëve ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Balancuesi, tashmë i shfuqizuar, dhe Ligji i gjuhëve u përfshinë në rendin e ditës pak muaj pasi VMRO DPMNE-ja mori pushtetin në Maqedoninë e Veriut. /REL

Prokuroria Speciale: Mbledhja e provave për sulmin në Zubin Potok po vazhdon

0

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se janë duke vazhduar hetimet dhe mbledhja provave ndaj rastit të sulmit të 29 nëntorit në kanalin e ujit në Zubin Potok.

Udhëheqësja e zyrës për komunikim publik nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Liridonë Kozmaqi, tha për rtv21 se dy persona gjendet në mas paraburgimi për shkak të dyshimin për përfshirje në këtë sulm.

“Ju informoj se rasti për të cilin keni pyetur gjendet në fazën e hetimeve, mbledhjen dhe analizimin e provave në Prokurorinë Speciale. Deri tani kemi dy persona, të cilët gjenden në masën e paraburgimit. Në këtë fazë të hetimeve ky është i gjithë informacioni që mund të bëhet publik”, tha Kozmaqi për rtv21.

Të pandehurit dyshohen për veprat penale Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, Kryerja e veprës terroriste dhe armëmbajtje pa leje. Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) kishte njoftuar se lidhur me sulmin terrorist të 29 nëntorit në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit”, ishin shoqëruar në Polici 10 të dyshuar. Prej tyre, D.V., dhe D.M., u ndaluan, ku të parit iu caktua masa e paraburgimit, ndërsa i dyti është liruar në procedurë të rregullt. Kurse, më 1 dhjetor u ndalua edhe një i dyshuar. Po ashtu, Prokuroria Speciale kishte njoftuar se lidhur me rastin e ndodhur më 29.11.2024 në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potok-ut, respektivisht në pjesën e kanalit të “Ibër Lepencit’, se më 30.11.2024, Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin Special nga Prokuroria Speciale ka kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme dhe pajisje tjera. Bashkimi Evropian e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin e 29 nëntorit në Zubin Potok.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka thënë për rtv21 se hetimet në lidhje me sulmin terrorist ndaj infrastrukturës kritike Ibër Lepenc janë duke u zhvilluar nga institucionet e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, tha se për hetimet e sulmit në Zubin Potok janë në komunikim edhe me ndërkombëtarët.

“Jemi në komunikimin të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë. Ne mirëpresimin mbështetjen e ofruar nga ata për hetim të plotë të sulmit të 29 nëntorit. Policia jonë ka partneritete me shtetet perëndimore demokratike dhe në hetimet që bën sigurisht se do të mund të ndihmohet edhe prej tyre, por këto janë çështje të ekspertizës teknike”, tha Kryeziu.

Haxhiu bën thirrje për mbrojtjen e vajzave dhe grave

0

Në vend të një ceremonie përmbyllëse për “16 ditët e aktivizmit”, fushatës globale kundër dhunës me bazë gjinore”, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dal me një video mesazh duke adresuar kështu rëndësinë e përpjekjeve për të eliminuar dhunën me bazë gjinore dhe për të ndërtuar një shoqëri të barabartë dhe të sigurt për të gjithë.

Në këtë video mesazh, Haxhiu thotë se kanë bërë shumë, por janë të vetëdijshëm që kanë shumë punë përpara.

Haxhiu ka bërë thirrje që të gjithë pa dallim gjinie të jenë të bashkuar për të mbrojtur vajzat e garat në Kosovë.

“Kemi bërë shumë, por jemi të vetëdijshëm që kemi ende shumë punë përpara. Andaj në vend të një ceremonie përmbyllëse ju bëjë thirrje që të vazhdojmë punën e të qëndrojmë të bashkuar pa dallim gjinie, burra e gra sepse vetëm së bashku do të arrijmë të mbrojmë vajzat e gratë në vendin tonë, sot e çdo ditë tjetër”.

Kjo fushatë nisi me 25 nëntor ku ora e parë në gjitha shkollat e vendit iu kushtua ndërgjegjësimit kundër dhunës me bazë gjinore.

Për 16 ditë të kësaj fushate janë organizuar mbi 70 aktivitete në mbarë vendin, diskutime e tryeza, aktivitete kulturore e sportive, vizita e takime me gra.

Gëzim Sveçla para Gjykatës, Prokuroria kërkon caktimin e arrestit shtëpiak

0

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Gëzim Sveçla, i cili para pak ditës demoloi mikrofonin në sallën e mbledhjeve të komunës së Prishtinës, është dërguar në Gjykatë, ku edhe pritet të mbahet seancë dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë.

Në lidhje më këtë, Prokuroria Themelore e Prishtinës, në një përgjigje për media, ka thënë do të kërkoj caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj tij.

I njëjti, nga prokuroria është thënë se hetohet për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

‘‘Ju njoftojmë se prokurori i rastit në këtë çështje penale ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve për shkak të veprës penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321 i KPRK-së, si dhe ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit, si masë për sigurimin e prezencës së tij në procedurë penale dhe se do të ndërmerren me kohë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast’’, është thënë nga Prokuroria.

Rama: Komuna e Prishtinës pa automjete pas skadimit të kontratës së AQP-së, kërkohet zgjidhje nga Qeveria

0

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna e tij ka mbetur pa automjete pasi kontrata e lidhur nga Agjencia Qendrore e Prokurorisë skadoi më 6 dhjetor.

Ai ka alarmuar se mungesa e automjeteve ka vështirësuar operimin e Inspekcionit dhe Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë zgjidhje.

Rama ka thënë se kontrata e AQP-së përfshinte institucionet qendrore dhe lokale dhe se ishin marrë me qira 76 vetura.

“Pas skadimit të kontratës, të gjitha veturat janë kthyer, duke lënë Komunën e Prishtinës pa automjete funksionale. Kjo ka vështirësuar ndjeshëm operimin e drejtorive si Inspeksioni dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca.   Komuna i bën thirrje urgjente Qeverisë së Kosovës që të gjejë zgjidhje, përgjegjësi kjo e AQP-së. Mosveprimi i tyre po pengon rëndë funksionimin e komunave dhe institucioneve publike!”, ka shkruar mes tjerash Rama.

Postimi i plotë:

KOMUNA E PRISHTINËS MBETET PA AUTOMJETE!

Kontrata e lidhur nga Autoriteti Qendror i Prokurimit (AQP), që vepron nën Ministrinë e Financave ka skaduar me 6 dhjetor. Kjo kontratë përfshinte institucione qendrore dhe lokale, përfshirë Komunën e Prishtinës, e cila kishte marrë me qira 76 vetura.

Pas skadimit të kontratës, të gjitha veturat janë kthyer, duke lënë Komunën e Prishtinës pa automjete funksionale. Kjo ka vështirësuar ndjeshëm operimin e drejtorive si Inspeksioni dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca.

Komuna i bën thirrje urgjente Qeverisë së Kosovës që të gjejë zgjidhje, përgjegjësi kjo e AQP-së. Mosveprimi i tyre po pengon rëndë funksionimin e komunave dhe institucioneve publike!

Kryeqyteti mbetet i angazhuar për të përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve, por mungesa e mjeteve për operim përbën rrezik për shërbimet dhe sigurinë publike.

Trajtimi i interesit publik kërkon prioritet!

Promovimi i librit “Në luftë hibride”: Një pasqyrë e sfidave në sektorin e sigurisë

0

storm•/Books: Sot në Prishtinë bëhet promovimi i librit “Në luftë hibride: vitet sfiduese në sektorin e sigurisë 2018-2022”, me autor Burim Ramadani.

Libri trajton tema që përfshijnë aspektet teorike dhe shkencore të luftës hibride, por njëkohësisht sjell edhe përvojën praktike të autorit, i cili për disa vite ka qenë në krye të Inspektimit të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës.

Kjo përzierje mes analizës praktike dhe shkencore e bën librin jashtëzakonisht intrigues dhe të vlefshëm për lexuesit, veçanërisht për ata që janë të interesuar në sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Libri adreson sfidat dhe ndikimet e luftës hibride, një fenomen me ndikim të madh dhe të dëmshëm në shoqëri dhe shtete në kohët moderne.

Nagavci: Rinia jonë është jashtëzakonisht e suksesshme, po shënon fitore në mbarë botën

0

Dy ministra të kabinetit qeveritar, Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, dhe Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë, morën pjesë në Simpoziumin e Teknologjisë Mjekësore, ku diskutuan për rëndësinë e shëndetit dhe edukimit.

Nagavci në këtë ngjarje, e para e këtij lloji jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon tha se shëndeti është gjëja më e rëndësishme që njeriu ka në jetë, por edukimi, tha ajo, është bazamenti i një jete të shëndetshme dhe të suksesshme.

“Kur bashkojmë forcat me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera, përpjekjet janë edhe më efektive. Fatmirësisht Kosova ka një rini të jashtëzakonshme vitale, ka ekspertë që janë të dëshmuar e po korrin suksese në tërë botën. Që nga marrja e mandatit kemi punuar fort në të gjitha dimensionet për të përmirësuar jetën në Kosovë”, tha Nagavci e cila tregoi se pjesë e simpoziumit janë personalitete të shquara të fushave mjekësore jo vetëm nga Kosova, por edhe profesorë, kirurgë e hulumtues nga universitete prestigjioze.

E para e Ministrisë së Arsimit tregoi se institucioni që ajo udhëheqë me theks të veçantë ka punuar në ndërkombëtarizmin e arsimit të lartë.

Tregoi se kanë mbështetur me bursa për herë të parë vajzat për t’i inkurajuar që ta zhvillojnë potencialin e tyre në fushat që tradicionalisht kanë qenë të mbizotëruara nga djemtë.

“Pa arsim nuk ka zhvillim e pa edukim nuk ka industri, kjo është e vërteta historike që e shoqëron rrugëtimin e secilit individ të formuar.”, tha Nagavci në këtë ngjarje.

Vitia: Mbështesim zhvillimin e avancimin e teknologjive të avancuara mjekësore

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia e quajti këtë si ngjarje të rëndësishme për avancimin e fushës së shëndetësisë në Kosovë e më gjerë.

Sipas tij, simpoziumi është mundësi e shkëlqyer për të ndarë të gjitha eksperiencat e fundit në këtë fushë e për të diskutuar sfidat që paraqiten para tyre.

“Përparimet në fushën e implanteve ortopedike janë një dëshmi e mundësive të mëdha që teknologjia dhe inxhinieria mjekësore ofrojnë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe cilësisë së shëndetit të pacientëve tanë. Si MSH kemi për qëllim të  mbështesim zhvillimin e avancimin e teknologjive të avancuara mjekësore për të përmirësuar cilësinë e kujdesit shëndetësor në vendin tonë. Përpjekjet tona janë të fokusuar në forcimin e infrastrukturës shëndetësore, përmirësimin e trajnimeve dhe rritjen e qasjes në pajisje dhe teknologji moderne mjekësore”, tha ai.