spot_img
E hënë, 6 Prill, 2026
10:32
Home Blog Page 1816

ATK-ja raporton mbledhjen e 883.6 milionë eurove në tatime

0

Deri me 30 nëntor të këtij viti Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka mbledhur 883.6 milionë euro tatime. Sipas ATK-së kjo vlerë e të hyrave është tregues i fuqishëm i punës profesionale që shtetit i garanton stabilitet.

“Kjo vlerë e të hyrave është tregues i fuqishëm i punës profesionale të stafit të Administratës Tatimore, e cila padyshim shtetit i garanton stabilitet financiar e ekonomik. Të hyrat e inkasuara për këtë periudhë janë hiç më pak se 90.7 milionë euro apo 11.4% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Në komunikatën e ATK-së thuhet se për performancën emirë kanë vlerësime edhe nga FMN-ja.

“Se ka performancë të jashtëzakonshme, këtë së fundi e ka vlerësuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar sipas të cilëve ATK-ja në 7 nga 8 indikatorët është më lartë se vendet në zhvillim, si dhe në 5 nga 8 indikatorët është mbi mesataren e vendeve të zhvilluara”, thotë ATK-ja.

Tutje, nga ky institucion tatimbledhës thonë se sipas FMN-së ATK-ja ka bërë përparim të dukshëm në krijimin e një sistemi tatimor funksional, në ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe në forcimin e planifikimit strategjik, menaxhimin e rrezikut të përmbushjes dhe funksionet themelore të Administratës Tatimore.

Sipas tyre, mbledhja e të hyrave si në vlerë e po ashtu edhe si përqindje të BPV-së, tregon një trend të vazhdueshëm të rritjes.

“Menaxhmenti i lartë do të vazhdoj që të punojnë me përkushtim që ATK të jetë Administrata Tatimore e krahasueshme me Administratat udhëheqëse tatimore në Evropë”, thuhet në komunikatën e ATK-së.

Hoxha: Arrestime të reja të mundshme lidhur me sulmin terrorist në Varragë

0

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se mund të ketë edhe arrestime të reja lidhur me sulmin e fundit terrorist në kanalin e ujit ‘Ibër Lepenc’.

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar 30 ditë paraburgim për J.V, i cili është i dyshuari i dytë për sulmin në kanalin e ‘Ibër-Lepencit’, në Varragë të Zubin Potokut.

Ndërkohë, situata në veri të vendit, pas këtij sulmi mbetet e brishtë. Sulmet e njëpasnjëshme nga grupet kriminale në katër komunat veriore të vendit, e në veçanti sulmi ndaj infrastrukturës kritike, ka bërë që policia ta shtojë masat e sigurisë.

“Arrestime të reja mund të priten. Policia e Kosovës çdo ditë është duke analizuar çdo informacion që posedon dhe ato që mund të vijnë dhe varësisht nga hetimet që janë duke u bërë mund të ketë edhe bastisje të reja dhe arrestime të reja”, tha Hoxha për RTK-në.

Ai tha se aktualisht nuk kanë sinjale për ndonjë sulm të ri në veriun e vendit, megjithatë ka shprehur gatishmërinë e policisë për intervenim, me të gjitha kapacitetet që ka.

“Shpresojmë të mos kemi por në qoftë se ka, ne jemi aty për t’iu përgjigjur. Të gjitha kapacitetet tona i kemi vënë në dispozicion të sigurisë së vendit tonë, në veçanti të veriut të vendit”, shtoi ai.

Policia e Kosovës, sipas Hoxhës, ka bashkëpunim të mirëfilltë me KFOR-in dhe EULEX-in, derisa shtoi se EULEX-i është prezent gjatë bastisjeve që policia kryen atje derisa KFOR-i monitoron situatën në kufijtë dhe së bashku me policinë kanë rritur prezencën edhe përgjatë kanalit të ‘Ibër-Lepencit’.

Kryetari i LDK-së takohet me ambasadoren holandeze

0

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në selinë e partisë ambasadoren e Holandës, Karin Boven, me të cilën kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe në veçanti për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Abdixhiku e ka njoftuar ambasadoren Boven për përgatitjet që po i bën LDK  për zgjedhjet parlamentare, shpalosjen e programit politik “Rruga e Re”, si dhe për “Turneun e Ndryshimit” “i cili po mbahet gjithandej Kosovës, e po ashtu edhe në mërgatë dhe mbështetjen e madhe qytetare që ka marrë ky turne”.

“Në fund të takimit, kryetari Abdixhiku falënderoi ambasadoren Boven për mbështetjen e vazhdueshme, që Holanda i ka dhënë Kosovës, në proceset e rëndësishme të zhvillimit të vendit.”

Paraburgimi vazhdon për të dyshuarit në lidhje me vrasjen mes ‘Sekiraqëve’ dhe ‘Capave’

0

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar paraburgimin pesë të dyshuarve për vrasjen e një personi më 1 shtator në lagjen “Aktash” të Prishtinës, për raste “Sekiraqët” dhe “Capat”.

Mirlinda Gashi, zëdhënëse për media në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka bërë të ditur se pesë të dyshuarit do t’u shtohet paraburgimi me nga dy muaj secilit.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se me datë 29.11.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve K.G, V.A, R.Ll ,S.S dhe F.A”, tha Gashi.

Të dyshuarit janë në përburgim nga shtatori, në vendimin e atëhershëm të gjykatës thuhet:

”Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse nëse të pandehurit K.G, V.A, R.Ll, S.S, F.A lihen në liri, paraqet rrezik se të njëjtit mund të ikin dhe të shmangen nga procedura penale, mund të bëhen të pa arritshëm për organet e ndjekjes dhe gjykatën, poashtu nëse lejohen të mbrohen në liri, të njëjtit mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar në prova si dhe mund të ndikojnë edhe në dëshmitarë, si dhe ekziston edhe rreziku potencial që të pandehurit mund të përsërisin veprat e ngjashme penale, andaj për të evituar rrezikun e përsëritjes së veprave penale, duke marr parasysh mënyrën e kryerjes, e po ashtu edhe ambientin në të cilin është kryer vepra penale, gjykata vlerësoi se është i nevojshëm caktimi i paraburgimit në këtë fazë të procedurës”.

Sokol Bashota pyetet për Rambujenë në Gjykatën Speciale

0

Sokol Bashota po vazhdon për të tretën ditë me radhë dëshminë në Dhomat e Specializuara në Hagë për rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit, avokatit Luka Misetiq për marrëveshjen e Rambujesë.

Për këtë, Bashota tha se kjo marrëveshje u pranua pavarësisht vështirësive që u hasën.  Ai u pyet se çfarë vështirësi kishte për këtë marrëveshje.

Sipas Bashotës, Adem Demaçi kishte hezituar për këtë marrëveshje dhe kishte diskutuar edhe me komandantët e zonave se nuk duhet pranuar për të shkuar në Rambuje, pasi sipas tij, do të dilte diçka e pafavorshme për Kosovën.

“Demaçi kishte thënë se nuk ka diçka të mirë nga kjo konferencë”, tha Bashota.

Pas pyetjeve të Misetiq, seanca po vazhdon me pyetjet e mbrojtjes së Kadri Veselit, avokatit Rodney Dixon, i cili e pyeti për qëndrimet LPK-së gjatë luftës.

Viti jubilar i Puçinit, veprat më të njohura të kompozitorit interpretohen në COD

0

U zhvillua mbrëmë, në COD, aktiviteti “Vissi d’arte, vissi d’amore”, titull frymëzuar nga një arie e famshme e kompozitorit italian Xhakomo Puçini.

Ky aktivitet që u zhvillua për të parën herë, në mjediset e Kryeministrisë, erdhi në kuadër të 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të Puçinit, ngjarje të cilës teatrot më prestigjiozë botërorë i kanë dedikuar vitin jubilar 2024.

Ashtu si në shumicën e kryeqendrave botërore, edhe në Tiranë, përgjatë 2024-ës u realizuan koncerte e vënie në skenë të operave të shkruara nga Puçini. Në përmbyllje të këtij viti, në COD u interpretuan veprat më të njohura të tij, përfshirë romancat për vokal-piano, veprat pianistike (premierë), arie të Suor Angelica për oboe-piano dhe pjesë nga Toska për 4 duar në piano.

Ishin të pranishëm personalitete të shquara të artit muzikor shqiptar si, kompozitori Zef Çoba, sopranoja Shqipe Zani, muzikologja Holta Sina Kilica, sopranoja Eriona Gjyzeli etj. Përveç interpretimeve, u analizua jeta dhe krijimtaria e kompozitorit, duke theksuar rëndësinë e veprave të tij në historinë e muzikës dhe ndikimin e tyre në artin e operës. /atsh

Berisha pas 11 muajsh në Kuvend: Tentuat të varrosnit demokracinë!

0

Pas 11 muajsh nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, kryetari i PD-së, Sali Berisha, është sot në seancën plenare në Kuvend.

Ai u shpreh se 11 muaj më parë u tentua të varrosej demokracia.

Fjalimi i plotë i tij:

Po mbaheni me shpirt ndër dhëmbë.

Unë erdha, ju e dini vetë…

E shoh çehren që u ka rënë, por ia bëtë vetes dhe ju qofshi.

Të nderuar deputetë, të dashur qytetarë.

11 muaj më parë, me datën 21 dhjetor të vitit të kaluar, Edi Rama mendoi se realizoi ëndrrën e tij që të mos shihte më në këtë sallë Sali Berishën, ëndrrën e tij atërore të një Shqipërie pa opozitë.

Në një vendim që zgjati gjithsej 8 minuta, me pasion dhe histeri të madhe, gjysma prej jush atë ditë tentuan të varrosin demokracinë, pluralizmin në Shqipëri.

Votuat duke më mohuar të drejtën e fjalës, sepse fjala ime tmerronte narkodiktatorin dhe shumë prej jush.

Votuat duke mbushur parlamentin me mbi 50 gardistë.

Votuat pa më dhënë fjalën, me mendimin se kjo do ishte dita e fundit e Sali Berishës në parlamentin e Shqipërisë.

Rikujtuat në këtë mënyrë se ishte dhjetor. Në dhjetor të vitit 1946, Enver Hoxha vendosi të eliminojë opozitën e Shqipërisë.

Edi Rama, për të nderuar kujtimin e tij, zgjodhi pikërisht dhjetorin për të larguar Sali Berishën nga parlamenti, për të arrestuar Sali Berishën pa asnjë provë, pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë dosje.

Mirëpo i bëtë llogaritë të gabuara sepse nuk ishte viti 1946.

Është e vërtetë se ju për fatkeqësinë e kombit amerikan, kishit mbështetjen e atyre që ishin larguar nga parimet e mëdha të lirisë të atij kombit dhe ndiqnin axhendën e Xhorxh Sorosit, kësaj monstre të njerëzimit, këtij armiku të egër të kombit amerikan, pastaj edhe miqve të tyre kudo.

Pra, ju me 21 dhjetor votuat për të kompletuar grushtin e shtetit ndaj opozitës shqiptare.

Mirëpo, sot ja ku jam. Unë vij këtu me mesazhin e fitores.

Vij këtu fitimtar, vij këtu për të udhëhequr opozitën drejt fitores.

Edi Rama nxin aty si Edi Metamorfoza, nxin si banor i bodrumeve më të zeza të mafies shqiptare.

Nxin si hajduti më i madh në historinë e kombit shqiptar.

Nxin si armiku më i egër i qenies shqiptare në kohëra.

Nxin sepse në 12 vite u angazhua me të gjitha mjetet për të dhunuar, për të kontrolluar vullnetin politik të shqiptarëve njëlloj si etërit e tij.

U angazhua me çdo mjet për të vjedhur fondet dhe pasuritë publike të shqiptarëve, për t’u bërë miliarder me pronat e shqiptarëve.

U angazhua në mënyrën më makabër kundër Kosovës, kundër interesit kombëtar të shqiptarëve në Kosovë, në zbatim të politikës së serbomadhnisë.

U angazhua duke përdorur armiq persekutorët e presidentit Donald Trump, si McGonigal, kundër Sali Berishës dhe opozitës shqiptare.

U angazhua duke shpenzuar miliona lobime e mashtrime në të katër anët e botës kundër një opozite, e cila ishte në kod, në Kushtetutë dhe në çdo vend të lirë, pushteti moral i vendit dhe pa të cilën demokracia nuk mund të ekzistojë.

I arrestuari i dytë për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit sot del para gjykatës

0

I arrestuari i dytë për sulmin në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit sot do të dalë para Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Mirlinda Gashi, zëdhënëse për media në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka thënë se seanca do të fillojë nga ora 10:30.

“Seanca në fjalë do të jetë seancë dëgjimore për personin në fjalë”, ka thënë Gashi për media.

Policia shqipton 1.364 gjoba trafiku brenda 24 orëve

0

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1.364 gjoba në trafik.

Sipas raportit të policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, 17 aksidente kanë qenë me lëndime e 32 me dëme materiale.

Gjatë kësaj periudhe, policia njofton se janë arrestuar 11 persona, ndërkaq 8 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

DW: A mund të arrestohet Benjamin Netanyahu në Gjermani?

0

A mund të arrestohet kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu nëse vjen në Gjermani? Për këtë çështje ka shpërthyer një mosmarrëveshje e madhe.

Një javë më parë Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë e vuri qeverinë gjermane para një dileme të madhe: Gjykata lëshoi ​​urdhër arresti kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministritizraelittë Mbrojtjes të shkarkuar së fundmi, Joav Galant. Arsyeja: Të dy dyshohen për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës. Që nga themelimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale në vitin 2002, Gjermania ka qenë një nga 124 shtetet nënshkruese dhe konsiderohet si mbështetëse e vazhdueshme e saj. Por si rezultat i gjenocidit ndaj hebrenjve evropianë gjatë epokës naziste, Gjermania është një aleate e ngushtë e Izraelit.

Barenboim: “Jeta e pamundur në Gaza”

Të premten disa ekspertë në Berlin e përshkruan vendimin e Hagës si një thirrje zgjimi edhe për qeverinë federale. Ajo gjithmonë theksonte se qeveria izraelite kishte të drejtë të mbrohej duke përdorur mjete të ashpra pas sulmit terrorist në tetor 2023.

Christine Binzel, profesoreshë e ekonomisë dhe shoqërisë në Lindjen e Mesme në Universitetin e Erlangen-Nurnberg, thotë se Gjykata Ndërkombëtare Penale ka denoncuar vazhdimisht veprimet e Izraelit. Megjithatë, Gjermania refuzoi të mbështesë Gjykatën: “Gjermania nuk e ka përmbushur këtë detyrim për 14 muaj. Gjermania nuk është vetëm vëzhguese, por qeveria federale vazhdon të mbështesë Izraelin politikisht, financiarisht, ushtarakisht dhe ligjërisht edhe sot e kësaj dite. Gjermania është furnizuesi i dytë më i madh me armë pas SHBA-së”.

Scholz dhe Netanjahu gjatë një konferencë për shtyp në mars 2023 në Berlin

Scholz dhe Netanjahu

Michael Barenboim, muzikant dhe profesor në Akademinë Barenboim-Said, shton: “Që nga fillimi i tetorit 2024, Izraeli e ka vendosur veriun e Gazës në një gjendje të plotë rrethimi, duke e bërë të pamundur jetën njerëzore atje.”

Çfarë do të ndodhë nëse Netanjahu viziton Berlinin?

Që nga vendimi i Hagës, qeveria federale është fokusuar në një çështje tjetër: Çfarë do të ndodhë nëse kreu i qeverisë së shtetit mik të Izraelit do të vinte tani për vizitë në Berlin? Gjyqësia gjermane do të duhej të arrestonte Netanyahun. Një vizitë e tillë nuk është planifikuar që kur milicia terroriste Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar. Vizita e tij e fundit në Berlin ishte në mars të vitit 2023.

Zëdhënësi i qeverisë: Arrestimi vështirë i paramendueshëm

Një javë më parë, zëdhënësi i kancelarit Olaf Scholz, Steffen Hebestreit, tha se Gjermania duhet t’i marrë parasysh të dyja: solidaritetin me Izraelin si shtet dhe mbështetjen për të drejtën ndërkombëtare. “Nga njëra anë, është rëndësia e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, të cilën ne e kemi fuqimisht. Dhe nga ana tjetër, rëndësia historike dhe përgjegjësia për Izraelin. Unë e kam vështirë të imagjinoj që ne të kryejmë arrestime në Gjermani mbi këtë bazë. Në këtë pikë, edhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha se qeveria duhet të shqyrtojë me kujdes procesin.

Baza juridike për arrestim

PorBaerbocktani tingëllon pak më ndryshe: “Qeveria federale i përmbahet ligjit, sepse askush nuk është mbi ligjin,” tha politikanja ekologjiste në margjinat e një takimi të ministrave të jashtëm të G7 në Fiuggi të Italisë. Për më shumë: “Në Gjermani zbatohet pavarësia e gjyqësorit, e cila në këtë rast ka arritur në përfundimin se ka prova të mjaftueshme që ajo të ndërmarrë këtë hap tani”.

Annalena Baerbock gjatë një vizite në Jerusalem

Baerbock në Jerusalem

Sipas disa politikanëve gjermanë, një rrugëdalje nga situata e vështirë do të ishte: Gjykata Penale bëhet aktive vetëm nëse shteti në fjalë nuk mund të ndjekë ligjërisht politikanët e vet për krime. Prandaj, Gjermania duhet të punojë për të siguruar që pas përfundimit të luftës të zhvillohet një proces ligjor në Izrael, i cili mund të përfshijë edhe rolin e Netanyahut. Kështu argumenton edhe kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Bundestag, Michael Roth (SPD): “Gjykata Penale po humbet shumë nga besueshmëria e saj, sepse nuk merr masa kundër kriminelëve të luftës dhe diktatorëve si Bashar al-Assad. Por merr masa kundër kreut të qeverisë së një vendi me një gjyqësor të pavarur, ku ai mund të ndiqet penalisht”.

SHBA qëndron fort në anën e Izraelit

Presidenti amerikan Joe Biden, nga ana tjetër, qëndroi në anën e qeverisë izraelite. Ashtu si Izraeli, SHBA dhe Rusia nuk e njohin Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Biden tha: “Më lejoni të jem i qartë përsëri: Çfarëdo që mund të sugjerojë Gjykata Ndërkombëtare Penale, Izraeli dhe Hamasi nuk janë të barabartë – aspak,” tha Biden.

Ai e kishte fjalën për faktin se një urdhër arresti ishte lëshuar jo vetëm kundër dy politikanëve izraelitë, por edhe ndaj një anëtari drejtues të Hamasit. Biden vazhdoi: “Ne do të qëndrojmë gjithmonë me Izraelin kur siguria e tij kërcënohet”. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha se SHBA nuk do të ekzekutonte një urdhër arresti. Kryeministri hungarez, Viktor Orban bëri komente të ngjashme dhe madje e ftoi në mënyrë demonstrative Netanyahun për vizitë në Budapest. Ai shtoi se sigurisht që Netanyahu nuk do të arrestohej në vendin e tij. /DW