spot_img
E premte, 3 Prill, 2026
23:31
Home Blog Page 1823

Shormaz: Vuçiq po e mohon aktin e Ibër-Lepencit, siç bëri me Banjskën

0

Dragan Shormaz, ish-bashkëpartiaku i presidentit serb, thotë se Aleksandar Vuçiq mohon se qëndron pas aktit terrorist në Ibër-Lepenc, ashtu siç ka mohuar edhe sulmin terrorist në Banjskë.

“Gjithë ditën Aleksandar Vuçiq dhe grupi i tij justifikohen “nuk jemi ne, nuk është Serbia”! Pra, si pas Banjskës ju nuk ishit i dyshuar dhe nuk e keni ekstraduar apo gjykuar Radoiçiqin!”, ka thënë Shormaz.

Megjithatë, ai thotë se pak kush i beson presidentit serb pas fshehjes që ai bëri për vdekjen e 15 serbëve në Novi Sad nga rënia e murit të stacionit hekurudhor.

“Kush mund t’ju besojë kur keni treguar se jeni gati të bëni gjithçka për të “fshehur” përgjegjësinë për 15 të vdekur!”, ka shkruar ai në platformën “X”.

(VIDEO) FSK-ja aktivizohet për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, patrulla të vendosura në Obiliq dhe Vushtrri

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët e para të mëngjesit të sotëm ka qenë edhe angazhimi i FSK-së në patrullime dhe vëzhgim të pikave të infrastrukturës kritike në lokacione të ndryshme në Kosovës.

Kurti ka treguar se patrulla të FSK-së janë vendosur në regjionin e Obiliqit dhe Vushtrrisë.

“Ndër vendimet e dala nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë, që e mbajtëm në orët e para të mëngjesit ishte angazhimi i FSK-së në mbështetje të autoriteteve civile përmes detyrave të patrullimeve dhe vëzhgimit të pikave të infrastrukturës kritike në lokacione të ndryshme në Kosovë.

Pas vizitës në Varagë të Zubin Potokut, kësaj radhe me ministrin e Mbrojtjes, Maqedonci ishim në pikat statike dhe patrullat ushtarake të vendosura në regjionin e Obiliqit dhe Vushtrrisë. Jemi të përkushtuar për garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve”, ka shkruar Kurti.

Sveçla: Serbia përgjegjëse për shpërthimin në Ibër-Lepenc, 8 persona të arrestuar

0

Tetë persona janë arrestuar për rastin e sulmit terrorist në kanalin e ujit Ibër – Lepenc.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në konferencën e jashtëzakonshme ka thënë se Beogradi zyrtarë është përgjegjës për shpërthimin në Ibër-Lepenc.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale e terroriste. Sipas tij, janë konfiskuar një arsenal armësh, eksplozivësh e uniformash.

“Pas hetimeve intensive, sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione kemi realizuar kontrolle, ku janë arrestuar 8 persona si të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste. Kontrolli është realizuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe AKI-në. Në këto aksione janë konfiskuar armë, eksplozivë, uniforma e gjëra tjera që do t’i shërbejnë hetimit…Qeveria e Kosovës me institucionet e saj nuk do të ndalet derisa të gjithë këta kriminelë e terroristë të arrestohen dhe të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme ka deklaruar se shumica e pajisjeve janë të prodhimit serb, por që disa pajisje janë ekskluzive ushtarake që nuk gjenden as në tregun e zi.

“Eksplozivi i përdorur mbrëmë është material që vështirë që gjendet, pos që furnizimet janë nga magazinat e ushtrisë. Ne besojmë se ato kanë dalë nga magazinat e ushtrisë së Serbisë. Policia e Kosovës do ta verifikojë këtë”, ka theksuar Sveçla.

Sveçla, ka thënë se përgjegjëse për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, Kosova e mban përgjegjëse Serbinë.

“Sulmet e vazhdueshme të grupeve kriminale terroriste siç janë sulmet e fundit me granata në Zveçan dhe tani edhe sulmi i fundit terrorist i ndodhur mbrëmë ndaj infrastrukturës kritike janë sulme që dirigjohen nga Serbia dhe për këtë e mbajmë përgjegjës Beogradin zyrtar”, ka thënë ai.

Sveçla e ka cilësuar shpërthimin në Zubin-Potok si aktin më të rëndë të pasluftës.

“Ky sulm terrorist s’është vetëm një sulm i rëndomtë, por i organizuar dhe planifikuar mirë nga grupe apo organizata që janë profesioniste në kryerjen e sulmeve të tilla terroriste e të cilat shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike. Pra synimi i tyre ka qenë të maksimizohet dëmtimi ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë ministri.

Hoxha: Janë konfiskuar arsenal armësh e uniformash ushtarake

Kurse, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se tri sulmet e fundit në veri janë kualifikuar si sulme terroriste që kanë pasur synim ta cenojnë sigurinë e Kosovës. Sipas tij, të arrestuarit mund të kenë lidhje me kryeterroristin Milan Radoiçiq, porse ka shtuar se mbetet punë e hetuesisë për të konfirmuar rolin e secilit të arrestuar.

Drejtori i Policisë ka thënë se gjatë bastisjeve të sotme kanë konfiskuar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 zolla, 3 granata dore, 2 armë AK47, 1 revole, municion të kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, para dhe pajisje të tjera.

Ndërsa në një bastisje të ndarë në Zveçan, Policia ka konfiskuar sasi të konsiderueshme armatimi, 2 AK47, 3 revole, 1 armë gjuetie, 2 armë rekreative, 6 karikator të AK47, municion e uniforma ushtarake.

Ai ka dhënë detaje edhe për shpërthimin në Ibër-Lepenc.

“Në bazë të hetimeve në vendin e ngjarjes, dyshohet se në këtë sulm është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit 15-20 kilogram, e cila ka qenë e vendosur në një çantë të zezë dhe e cila është aktivizuar me detonatorë mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, ka sqaruar Hoxha.

Hoxha, ka thënë  se gjatë muajve të fundit institucionet e Kosovës janë sfiduar nga grupet e caktuara kriminale dhe terroriste, të cilat me përdorimin e armëve kanë për qëllim të cenojnë dhe të kërcënojnë sigurinë dhe rendin kushtues të Republikës së Kosovës.

“Që nga muaji qershor i vitit 2024, në komunat me shumicë serbe në veri të vendit janë evidentuar 10 raste të sulmeve me mjete shpërthyese, të cilat ishin të drejtuara ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim etniciteti, pronës së tyre, ndaj institucioneve të Kosovës, si dhe ndaj infrastrukturës kritike të vendit”, ka theksuar Hoxha.

Konferencë e jashtëzakonshme e policisë, pas sulmit në Ibër-Lepenc

Policia e Kosovës është duke mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media në Qendrën Njësive Speciale “Enver Zymberi” në Mitrovicë. Në konferncë janë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë Gazmend Hoxha.

Kjo paraqitje i dedikohet zhvillimeve në veri të vendit, pas sulmit terrorist të ndodhur ndaj infrastrukturës kritike, gjegjësisht dëmtimit të kanalit të ujit të Ibër-Lepencit.

Siç është bërë e ditur gjatë ditës, disa të dyshuar janë arrestuar në fshatrat e Zubin-Potokut, pas bastisjeve nga Policia e Kosovës lidhur me shpërthimin në Ibër-Lepenc.

Përveç arrestimeve, është raportuar se policia ka konfiskuar edhe disa materiale të ndryshme. Kështu ka konfirmuar kryeministri Albin Kurti.

“Institucionet tona të sigurisë janë duke bërë përpjekje maksimale për zbardhjen e rastit dhe deri tani ato kanë kryer bastisje ku ka edhe të arrestuar, dëshmi e prova materiale. Të gjithë këta kriminelë dhe terroristë do të përballen me drejtësinë”, ka theksuar Kurti.

Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.

MSH: Uji i Ibër-Lepencit, i pashëndetshëm për konsum

0

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se uji i patrajtuar që kalon në kanalin e Ibër-Lepencit nuk është për momentin i pastër për pije.

MSH-ja përmes një postimi në “Facebook” ka apeluar te qytetarët që informacione të merren nga njoftimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së.

“Pas shpërthimit në kanalin e Iber-Lepencit në komunën e Zubin Potokut, IKSHPK, respektivisht Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Mitrovicë, në bashkëpunim me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” kanë marrë mostrat e ujit të patrajtuar për të kryer analizat e nevojshme. Sipas analizave të para, të kryera në ujin e patrajtuar, uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit nuk është për momentin i pastër për pije, ndërkohë që përveç analizave mikrobiologjike dhe atyre bakteriologjike, IKSHPK/QRSHP Mitrovicë, do të analizojë edhe paramatra të tjerë që kanë të bëjnë me praninë e metaleve në ujë”, thuhet në njoftim.

IKSHPK është në bashkëpunim të ngushtë me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi në Mitrovicë dhe KRU “Prishtina”, do të monitorojnë ujin nga Kanali i Ibër Lepencit dhe do t’i kryejnë të gjitha analizat e nevojshme për t’u siguruar që uji, para se të lejohet për pije, t’i përmbush parametrat e lejuar.

“Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK sigurojnë qytetarët që janë duke u ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që uji që përdoret në zonat e prekura nga pasojat e shpërthimit t’i përmbushë standardet e lejuara.

Ju lutemi që t’i merrni informatat nga njoftimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së!”, vijon njoftimi.

Tirana Art Weekend, Gonxhja: Nxitje për krijimtari bashkëkohore dhe promovim të artit

0

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh sot se një tjetër aktivitet i është shtuar Tiranës, si një mundësi për të promovuar artistë të ndryshëm bashkëkohorë.

Tirana Art Weekend është ngjarja e parë publike e AVAN (Albanian Visual Arts NetWork), që mbledh aktorët kryesorë të skenës së pavarur të arteve pamore në Shqipëri dhe përreth, duke ofruar një platformë për ekspozita dhe shfaqje artistike të ndryshme.

“Kjo fundjavë arti është një mundësi për t’u njohur me punën e shumë artistëve, hapësirave të ndryshme ekspozuese, organizatave kulturore dhe kolektivave artistikë lokalë, të cilët janë bashkuar nën një program të përbashkët, i cili përfshin aktivitete të ndryshme si ekspozita, prezantime dhe diskutime. Tirana Art Weekend ka për qëllim të promovojë dhe të mbështesë krijimtarinë bashkëkohore, duke e vendosur Tiranën në qendër të skenës ndërkombëtare të artit, përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes artistëve, institucioneve dhe komunitetit”, thotë Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në kuadër të Javës Kombëtare Kulturore, si dhe nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, dhe është një mundësi për të festuar dhe përforcuar lidhjet kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera evropiane.

Gjatë kësaj fundjave arti, Tirana Art Weekend sjell dhjetëra artistë të njohur, si dhe projekte që përfshijnë një gamë të gjerë mediatikash dhe shprehjesh artistike. /atsh

Ukraina nën presion, Rusia përparon në vijën e parë

0

Instituti për Studimin e Luftës, tha të shtunën se forcat ruse kishin avancuar kohët e fundit pranë Kupiansk, në Toretsk dhe pranë Pokrovsk dhe Velyka Novosilka, një rrugë kyçe logjistike për ushtrinë ukrainase.

Ndërkohë, forcat ajrore të Ukrainës njoftuan të shtunën se kishte dhjetë sulme ruse me dronë, nga të cilat tetë u rrëzuan mbi rajonet e Kievit, Cherkasy, Kirovohrad, Dnipropetrovsk dhe Kherson.

Një dron u kthye në territorin e pushtuar nga Rusia, ndërsa droni i fundit u zhduk nga radarët, shpesh një shenjë e përdorimit të mbrojtjes elektronike.

Dhe ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se 11 drone ukrainas ishin rrëzuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit.

Si kryebashkiaku i Soçit, Andrey Proshunin, ashtu edhe kreu i rajonit të Dagestanit të Rusisë, Sergey Melikov, të dy në jugperëndim të Rusisë, thanë se dronët ishin shkatërruar në rajonet e tyre gjatë natës.

Në fillim të kësaj jave, Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha se aleanca “duhet të shkojë më tej” për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër një pushtimi rus.

Ndihma ushtarake për Kievin dhe hapat drejt përfundimit të luftës pritet të jenë në krye të axhendës kur ministrat e jashtëm të anëtarëve të NATO-s të takohen në Bruksel për një mbledhje dy-ditore që fillon më 3 dhjetor.

Të premten, presidenti ukrainas njoftoi një numër ndryshimesh në udhëheqjen ushtarake, duke thënë se nevojiteshin ndryshime në menaxhimin e personelit për të përmirësuar situatën në fushën e betejës.

Gjenerali Mykhailo Drapatyi, i cili udhëhoqi mbrojtjen e Kharkivit gjatë ofensivës së re të Rusisë në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës këtë vit, u emërua kreu i ri i Forcave Tokësore të Ukrainës. Oleh Apostol u emërua si zëvendës komandanti i ri i përgjithshëm përgjegjës për përmirësimin e trajnimit ushtarak.

Komandanti i Përgjithshëm Oleksandr Syrskyi njoftoi gjithashtu të premten se do të forconte njësitë në Donetsk, Pokrovsk dhe Kurakhove me rezerva shtesë, municione, armë dhe pajisje ushtarake.

 

Reshje bore në Kukës dhe Tropojë, fshatrat pa energji elektrike

0

I gjithë territori i Qarkut Kukës është i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët dhe reshje bore në lartësinë mbi 600 m.

Si pasojë e këtyre kushteve të motit të gjitha akset nacionale rrugore vazhdojnë të  jenë nën trysninë e rënies së gurëve, inerteve dhe ngricave duke krijuar vështirësi  në qarkullimin normal të mjeteve në disa segmente rrugore.

Subjektet kontraktore kanë punuar gjatë gjithë kohës me të gjitha kapacitetet për mbajtjen funksionale të tyre, raporton Top Channel.

Aktualisht të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht.

Nga bashkia Kukës, Tropojë dhe Has nuk kemi raportime për ndonjë problematikë emergjente.

I gjithë Qarku i Kukësit furnizohet normalisht me energji elektrike, përveç nj. Adm. Llugaj bashkia Tropojë, fshati Vlahen, nj. adm. Golaj dhe fshatrat Pogaj e Kishaj.

Zhvillimet në Veri: Osmani takon Maqedoncin, Jasharin dhe Ajetin

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se sot gjatë ditës ka mbajtur takim me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti pas sulmit të mbrëmshëm në Ibër-Lepenc.

Presidenca tha se në takim u fol për situatën e shkaktuar nga ky sulm dhe masat që kanë marrë institucionet për këtë rast.

“Pas sulmit të fundit terrorist në infrastrukturën vitale të Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani, gjatë ditës ka takuar edhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti. Në këto takime u diskutua për situatën e shkaktuar nga sulmi në kanalin Ibër-Lepenc dhe masat që kanë ndërmarrë institucionet tona për ta menaxhuar situatën e krijuar. Presidentja Osmani ka shprehur vlerësim të lartë dhe mirënjohje për të gjitha institucionet e Kosovës për menaxhimin e suksesshëm të situatës së krijuar”, thuhet në reagim.

Për këtë rast, Osmani më herët është takuar edhe me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani.

Si u krijua rrethi qiellor 3600-vjeçar nga Nebra”

0

Shkencëtaret për herë të parë kanë kryer një analizë gjithëpërfshirëse të procesit të prodhimit të diskut qiellor nga Nebra, një artefakt nga epoka e bronzit, mbi 3600 vjet i vjetër.

Rrethi i bronzit, i zbuluar në vitin 1999 pranë qytetit gjerman Nebra, në rajonin lindor të Saksoni-Anhaltit, konsiderohet si paraqitja më e vjetër e njohur e qiellit në botë.

Studimi u përqendrua në procesin e detajuar të farkëtimit të bazës prej bronzi të diskut.

U zbulua se metali ishte ngrohur në rreth 700 gradë Celsius dhe kishte kaluar nëpër dhjetë cikle ngrohjeje dhe farkëtimi, një proces trajtimi termik që e bën materialin më pak të fortë dhe më të lehtë për t’u përpunuar.

Arkeologu Harald Meller tha se hulumtimi ishte përqendruar në procesin e prodhimit të bazës së bronzit të diskut dhe jo te elementët prej ari të bashkangjitur në të.

Teknikat moderne të analizës, duke përfshirë ekzaminimin e mikrostrukturës dhe skanimin, konfirmuan mjeshtërinë e lashtë të krijimit të tij.

Një mostër e marrë në vitin 2002 dhe e analizuar përsëri gjatë studimit ofroi të dhëna shtesë mbi ndërtimin e diskut, së bashku me matjet e fortësisë.

Rrethi qiellor nga Nebra, me paraqitjet e tij të arta të Diellit, Hënës dhe yjeve, u përdor nga shoqëritë e epokës së bronzit për 400 vjet.

Në vitin 2013, disku u shtua në regjistrin e kujtesës botërore të UNESCO-s, i cili mbledh objekte me rëndësi për njerëzimin dhe konsiderohet një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike gjermane.

Kërkimi u realizua në bashkëpunim me Zyrën Shtetërore për Administrimin e Trashëgimisë dhe Arkeologjisë të Saksoni-Anhaltit, Universitetin Otto von Guericke në Magdeburg dhe kompaninë DeltaSigma Analytics.

QUINT-i viziton Gjuriqin: Serbia e gatshme të ofrojë rrymë dhe të marrë pjesë në rregullimin e dëmeve në kanal

0

Përfaqësuesit diplomatikë të QUINT-it dhe të BE-së kanë shkuar në zyre të ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, pas sulmit që ndodhi mbrëmë në kanalin e Ibër-Lepencit.

Gjuriq para tyre pretendoi se “ishte qartazi sabotim dhe se Serbia pa mëdyshje e dënon një akt të tillë” dhe se ky akt ishte i drejtuar kundër stabilitetit të rajonit.

Për më tepër, Gjuriq tha se Serbia është e interesuar që të gjejë dhe të arrestojë autorët dhe se për këtë është e gatshme të bashkëpunojë me ndërkombëtarët.

“Serbia kërkon përcaktimin e motivit të sulmit në këtë objekt jetik infrastrukturor dhe është e gatshme të bashkëpunojë me praninë ndërkombëtare në Kosovë për të ndriçuar të gjitha rrethanat dhe përfundimisht për të gjetur dhe arrestuar përgjegjësit”.

Gjithashtu, Gjuriq para diplomatëve të huaj pretendoi se “Serbia është e gatshme t’i ndihmojë autoritetet lokale dhe Prishtinën në furnizimin me energji elektrike deri në riparimin e dëmtimit të kanalit Ibër-Lepenc dhe është e gatshme të ndihmojë në çdo mënyrë në riparimin e dëmeve”.

Ndërkaq, akuzat e bëra nga Kosova se Serbia qëndron pas sulmit, Gjuriq u mundua t’i paraqesë si të pabaza dhe tha se po synojnë “diskreditimin e Beogradit në një moment të ndjeshëm”.

Po ashtu, Gjuriq vazhdoi propagandën se policia përdor dhunë ndaj qytetarëve serbë në veri.

“Është e rëndësishme që ndërkohë, përpara se hetimi të japë disa përgjigje konkrete, të gjithë të përmbahen nga akuzat e pabaza dhe të drejtojnë gishtin në mënyrë arbitrare ndaj kujtdo dhe që policia në terren në kryerjen e veprimeve hetimore të mos e përdorë këtë situatë si arsyetim për çdo dhunë dhe shkelje të të drejtave të njeriut të qytetarëve”.

Siç raporton Danas, në takim morën pjesë përfaqësues të Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, SHBA-së dhe delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi.