spot_img
E diel, 21 Dhjetor, 2025
16:07
Home Blog Page 20

Osmani shkon për ta uruar Pecin në Mitrovicë të Jugut, pritet me lule

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkuar në Mitrovicë të Jugut për ta uruar Faton Pecin për detyrën e Kryetarit të kësaj komune, për të cilën detyrë u betua të premten e 12 dhjetorit.

Peci priti në takim Osmanin, ndërkohë që aty Presidentja u prit edhe nga dy vajza të cilat i dhuruan lule.

Osmani uroi Pecin për marrjen e detyrës, e ku së bashku vazhduan rrugën për në zyrë të kryetarit, e që pas këtij takimi do të ketë deklarim për media. /EO

I akuzuari për vrasjen e të dashurës argjentinase në Fushë-Kosovë paraqitet para Gjykatës

0

I akuzuari për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase në Fushë-Kosovë, Endrit Nika është dërguar të hënën në Gjykatën Themelore, ku po përballet me drejtësinë për vrasjen e rëndë në gusht të vitit 2023.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Nika akuzohet se më 1 gusht të 2023-tës, pas një mosmarrëveshjeje me viktimën M.K-U., fillimisht e kishte goditur atë në mënyrë të vazhdueshme dhe kishte tentuar ta shkelë me veturë në parkingun e një hoteli në Fushë-Kosovë.

Pas kësaj, të dy kishin hyrë në dhomën e hotelit ku po qëndronin, ku i akuzuari dyshohet se ka vazhduar dhunën fizike ndaj viktimës me qëllim që ta privojë nga jeta.

Aktakuza thekson se Nika e ka shtyrë dhe goditur viktimën deri në një qoshe të dhomës, duke ia pamundësuar largimin, dhe më pas ka nxjerrë kornizën e dritares, duke e hedhur atë nga dritarja e katit të gjashtë të hotelit.

“Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK”, thuhet tutje në aktakuzë.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon Nikën me veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 28 maj të këtij viti, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.

Në seancën gjyqësore, përmes video-lidhjes, po marrin pjesë edhe familjarët e viktimës. Ndërkohë, i akuzuari ka kërkuar që gjatë procedurës gjyqësore t’i caktohet përkthyes i gjuhës gjermane, duke deklaruar se ka lindur dhe është rritur në Zvicër.

Rama: Në Prishtinë duhet bashkëpunimi i ndërsjellë me nivelin qendror

0

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka uruar që bashkëpunimi mes komunës dhe nivelit qendror të përparojë, sa i përket projekteve madhore që kryeqyteti synon.

Rama përmendi Lojërat Mesdhetare 2030, nikoqire e të cilave do të jetë Prishtinë, ku për të njëjtat shtoi se bashkëpunimi me nivelin qendror, është i pashmangshëm.

Pos tjerash, ai thotë se tanimë kryeqyteti ka vizion, transmeton Klankosova.

“Kryeqyteti ka vizion, e dimë kah po shkojmë. Nuk është një vend që pret që dikush t’i tregojë kah të shkojë vendi”, tha ai.

Aksident trafiku në Prishtinë, vdes një zyrtar policor

0

Një aksident trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “Zagrebi” në Prishtinë, ku ka vdekur një zyrtar policor.

Lajmin për media e ka konfirmuar Enis Pllana nga Policia.

“Sot rreth orës 06:30 në rrugën Zagrebi në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku ka qenë e përfshirë një veturë. Njësitet policore dhe emergjenca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga këta të fundit është konstatuar vdekja e viktimës (zyrtar policor), që dyshohet të ketë ndodhë para aksidentit.  Me rastin është duke u marrë Njësia Rajonale e Trafikut, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të sqaruar shkaqet e sakta të aksidentit.”

Rritje e çmimeve me 5.3% në nëntor krahasuar me një vit më parë

0

Për një kilogramë karrota, pagoi 0.80 cent. Të njëjtin perime, qytetari nga Prishtina, thotë se ditë më parë e kishte marrë për 0.50 cent, këtu në “Tregun e Gjelbër”.

Një rritje e tillë e çmimeve, sipas Ragip Tërhollit, ndikon shumë në xhepin e konsumatorëve.

“Nuk është vetëm ky artikull, po çdo artikull, çdo ditë hypin, asnjë ditë nuk i ki çmimet e njëjta. Mafia e tregtarëve e kanë rrok në dorë edhe ata luajnë me çmime se prodhime vendore nuk kemi, prodhimet e jashtme ata luajnë me çmime si të duan”, shprehet Ragip Tërholli.

Të njëjtin hall e ka edhe qytetari tjetër, Adem Krasniqi.

“Shumë po rriten se jo pak, sa një qytetar nuk mundet me i përballu këto çmime me rrogë që e ka këtu”, thotë ai.

Se ka pasur rritje çmimesh e thotë edhe raporti i fundit i publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas ASK-së, gjatë muajit nëntor të këtij viti, çmimet u ngritën për 5.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Mirëpo në “Tregun e Gjelbër” në kryeqytet po e mohojnë një gjë të tillë.

“Unë si tregtar këtu që jam qe një kohë të gjatë, këtë vit veç ka rënie të çmimeve te pemët e perimet, e këto tjerat ushqimore po i shohim edhe vet që blejmë çdo ditë ka ngritje, por tek pemët e perimet ka rënie të çmimeve. Ka ankesa siç e thash edhe më herët, por krejt këto produkte që i shesim tash ne janë më lirë se më herët se në sezon të verës, më lirë janë tash se më herët”, thotë Beqir Avdiu – tregtar.

Nga shoqata “Konsumatori” thonë se me situatën aktuale të çmimeve, populli vetëm po varfërohet.

“Rritja e çmimeve, rritje e inflacionit e rrit buxhetin dhe nga ky buxhet i rritur me “dhunë”. Ne asgjë nuk marrim ne po varfërohemi siç është varfëruar shtresa e ashtuquajtur e varfër, tash po i kërcënohet varfërimi edhe shtresës së ashtuquajtur të mesme e cila kryesisht jeton me linja kreditore. Pra punët nuk janë aq mirë sa na thonë, por janë mirë se ne jemi të durueshëm”, është shprehur Selatin Kaçaniku.

Por cilët janë faktorët që po ndikojnë në rritje të inflacionit?

“Për fat të keq ekonomia e Kosovës e ka një strukturë me një varshmëri shumë të lartë në import ku kemi mbi 86% raportin e importit me eksportin. Kjo është një indikator që në mas të madhe çmimet përcaktohen nga kostot e furnizimit, kosto e prodhimit të transportit, dhe gjithë këtë zinxhirin e furnizimit për shkak të tregtisë së lartë që kemi me botën. Pra në një anë është inflacioni importuar në vendin tonë, në anën tjetër janë ndryshimet sezonale të kërkesës, pritshmëria se në dhjetor ka një rritje të kërkesë për produkte sigurisht që ndikon paraprakisht që tregtarët të i rrisin çmimet jo vetëm me mbuluar kërkesën por edhe me shfrytëzuar rastin me i rrit profitet e tyre”, thekson Besnik Avdijaj – ekonomist.

Ngritje çmimesh ka pasur edhe në produktet e tjera si: transporti (18,1%); pemë (16,1%); energji elektrike (15,5%); bileta të fluturimeve (14,6%); mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit (14,1%); kafe, çaj dhe kakao (14,0%); mish (13,7%); qumësht, djathë dhe vezë (10,5%).

Haziri: LVV-ja synon kapjen e pushtetit përmes tri shtyllave kryesore

0

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka paralajmëruar se, sipas tij, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje synojnë të kontrollojnë tre pushtetet kryesore në Kosovë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kryesinë e Kuvendit, pozicionin e kryeministrit dhe detyrën e presidentit.

Haziri thekson se vetëm vota e qytetarëve mund të ndalë këtë proces.

“Deri në prill lufta ka me qenë, nëse vazhdon mos me lëshu pe, ju duhet me prit që kandidatja për kuvend ka me qenë e njëjta që këtë vit i ka dështuar si propozim sepse ajo i ka ditët e numëruar si kandidate për kryetar të kuvendit me u ba ushtruese e detyrës së presidentit. Edhe kapja e pushtetit në tri shtyllat kryesore ka me qenë mirëseardhja e vitit të ri”, ka theksuar Haziri.

Ai ka shtuar se kapja e pushtetit në tri shtyllat kryesore të shtetit do të paraqitet si “mirëseardhje e vitit të ri”, duke e cilësuar këtë si rrezik serioz për demokracinë në vend.

“E ka të kryer. Vetëm qytetarët mund të mos ia japin këtë mandat. Nëse del parti e parë, është proces që ka me ndodhë. Vetëm një fuqi e ndalë, vota e 28 dhjetorit”, është shprehur ai.

Po ashtu, Haziri ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të shkojë edhe në një palë tjetër zgjedhje, nëse kriza politike vazhdon dhe nuk ka marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja. /Dukagjini

Tërmet në Kosovë

0

Në mëngjes, një tërmet i vogël me magnitudë 3.1 ballë u regjistrua në rajonin kufitar midis Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, sipas Qendrës Evropiane për Monitorimin e Tërmeteve (EMSC).

Tërmeti ndodhi në orën 06:20:10 UTC (07:20 ora lokale), me epiqendrën në koordinatat 42.373° N dhe 21.284° E, dhe një thellësi prej rreth 9 kilometrash.

Lëkundjet e tokës u ndjenë qartë në një zonë rreth 35 kilometrash juglindje të Prishtinës, si dhe afër 11 kilometra verilindje të Ferizajt, pa raportime për dëme materiale apo të lënduar.

Mot i vranët, mjegull dhe temperatura të ulëta

0

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka publikuar parashikimin e motit për këtë javë. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë gjithë javës do të mbajë mot kryesisht i vranët, me intervale të shkurtra me diell dhe pa reshje.

Në orët e para të mëngjesit parashihen mjegulla që do të ulin dukshmërinë horizontale, sidomos në ultësira dhe pranë zonave ujore. Temperaturat e ulëta do të krijojnë kushte për paraqitjen e brymës dhe lokalisht edhe të krahnezës, ndërsa në viset malore pritet të ketë më shumë rreze dielli për shkak të inverzionit termik.

Të hënën moti do të jetë i vranët me intervale dielli, me temperatura minimale nga -4 deri -2°C dhe maksimale nga 5 deri në 8°C, ndërsa era do të fryjë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1–4 m/s.

Të martën parashikohet mot i ngjashëm, me temperatura minimale nga -6 deri -3°C dhe maksimale 5–8°C, ndërsa era do të jetë nga juglindja me shpejtësi 1–3 m/s.

Të mërkurën moti do të mbetet i vranët me intervale dielli, temperaturat minimale do të lëvizin nga -4 deri -2°C, ndërsa ato maksimale nga 7 deri në 10°C, me erë kryesisht nga juglindja 1–4 m/s.

Të enjten pritet mot i vranët me intervale dielli, me temperatura minimale nga -2 deri në 0°C dhe maksimale 7–10°C, ndërsa era do të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi 1–5 m/s.

Të premten moti do të jetë po ashtu i vranët me intervale dielli, temperaturat minimale do të lëvizin nga -2 deri në 0°C, ndërsa maksimalet nga 7 deri në 10°C, me erë të lehtë deri mesatare nga jugperëndimi.

Sipas njoftimit, kushtet agrometeorologjike vlerësohen si relativisht të favorshme për zhvillimin e aktiviteteve bujqësore, veçanërisht për mbjelljet e vonshme të grurit.

Bujqve u rekomandohet rritja e normës së mbjelljes, përdorimi i farës cilësore dhe të certifikuar, si dhe përshtatja e thellësisë së mbjelljes sipas kushteve të tokës, masa këto që do të ndikojnë pozitivisht në mbirjen e bimëve dhe në sigurimin e një rendimenti sa më të qëndrueshëm.

“Express”: Thethi, fshati i vogël malor si Zvicra, por pa turma dhe…

0

Me më pak vizitorë dhe kosto më të ulëta, ky fshat i vogël malor mund të jetë një alternativë e shkëlqyer ndaj Zvicrës, shkruan Hannah Reid për prestigjiozen britanike ”Express”.

I vendosur në rajonin e Shkodrës, në veri të Shqipërisë, Thethi është një nga sekretet më të ruajtura të Evropës.

Ky fshat piktoresk ofron pamje mbresëlënëse të Alpeve Shqiptare, peizazhe natyrore dhe pyje të dendura. Si pjesë e Parkut Kombëtar të Thethit, zona është e rrethuar nga gjelbërimi, pyje dhe natyrë e paprekur. Me një popullsi prej pak më shumë se 300 banorësh, Thethi ofron një arratisje autentike nga ngarkesa, turmat dhe kaosi i destinacioneve më të njohura turistike europiane.

Nëse kërkoni qetësi, aventurë dhe pamje mahnitëse, Thethi në Shqipëri është një destinacion që duhet vizituar patjetër.

Turistët priten me mikpritje të ngrohtë nga vendasit, të cilët kanë jetuar në këtë zonë prej shekujsh, duke ruajtur mënyrën e tyre të jetesës mes një natyre të jashtëzakonshme.

Vizitorët që dëshirojnë të njihen nga afër me kulturën shqiptare mund të qëndrojnë në shtëpitë e familjeve vendase, në bujtina apo në shtëpi të restauruara pranë parkut kombëtar.

Fshati i Thethit mbetet ende mjaft i izoluar dhe gjatë muajve të dimrit është i paarritshëm.

Ky fshat alpin është ideal për udhëtarët që kërkojnë t’i shpëtojnë zhurmës së jetës urbane dhe të tërhiqen në qetësinë e natyrës.

Parku Kombëtar shtrihet në një sipërfaqe prej mbi 26 kilometra katrorë dhe përfshin lumin e Thethit, male shkëmbore, burime kristalore, panorama të gjelbra dhe një luginë që ndodhet rreth 900 metra mbi nivelin e detit.

Një nga atraksionet kryesore të fshatit Theth është ecja drejt Ujëvarës së Grunasit, e vendosur në zemër të Alpeve Shqiptare dhe që nis nga këmba perëndimore e majës së malit Boshi. Ujëvara, rreth 25 metra e lartë, u mundëson vizitorëve të shijojnë pamje mahnitëse të maleve shqiptare dhe shërben si rrugë drejt Syrit të Kaltër të Thethit.

Syri i Kaltër i Thethit arrihet përmes një ecjeje të gjatë prej rreth 17 kilometrash, që lidhet me fshatin Nderlyse. Vetëm shtatë kilometra larg qendrës së fshatit Theth, shpërblimi ia vlen plotësisht, pasi vizitorët mund të admirojnë ujëra me ngjyra bruz dhe smeraldi, të rrethuara nga shkëmbinj gëlqerorë.

Për ata që kërkojnë një përvojë më të qetë në natyrë, vizitorët mund të shijojnë drekën në fshatin Nderlyse, i cili ofron pamje nga pishina natyrore dhe malet përreth.

Për shkak të vendndodhjes së tij të fshehur, Thethi nuk ka bankomat (ATM), ndërsa shumë kafene dhe dyqane ushqimore pranojnë vetëm cash.

Për këtë arsye, vizitorët këshillohen të marrin me vete mjaftueshëm para, pasi çmimet në kafene dhe markete mund të jenë të larta.

Aliaj emocionon Shkodrën me monodramën “And’rrra e Nan’ Terezës – Njerëzorja Hyjnore”

0

Artistja e madhe e skenës shqiptare, Justina Aliaj, solli mbrëmjen e djeshme në Teatrin “Migjeni” një interpretim të fuqishëm dhe thellësisht prekës përmes monodramës “And’rrra e Nan’ Terezës – Njerëzorja Hyjnore”.

Shfaqja u prit me interes të madh nga publiku shkodran, i cili e ndoqi me emocione dhe duartrokitje të gjata në fund të interpretimit.

Përmes një gjuhe artistike të ndjerë dhe një performance plot shpirt, Justina Aliaj përcolli mesazhe të forta mbi humanizmin, sakrificën dhe dimensionin njerëzor e hyjnor të figurës së Nënë Terezës. Monodrama u shndërrua në një rrëfim të thellë shpirtëror, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes artistes dhe publikut.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ndau në rrjete sociale momente nga shfaqja, duke vlerësuar lart interpretimin dhe pritjen e ngrohtë të publikut.

Ai u shpreh se Teatri “Migjeni” vijon të jetë një hapësirë e rëndësishme për ngjarje kulturore me vlera të mëdha artistike dhe kombëtare, ndërsa shprehu mirënjohjen për kontributin e Justinës Aliaj në pasurimin e jetës kulturore të qytetit.

Shfaqja “And’rrra e Nan’ Terezës – Njerëzorja Hyjnore” u konsiderua nga të pranishmit si një ngjarje artistike e veçantë, që rikujton fuqinë e artit për të prekur ndërgjegjen dhe për të përcjellë vlera universale. /atsh