spot_img
E diel, 21 Dhjetor, 2025
18:04
Home Blog Page 21

Hamza: Asnjë luftëtar i lirisë nuk do të jetë kurrë vetëm

0

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, në një tubim para të pranishmëve deklaroi; “Asnjë luftëtar i lirisë nuk do të jetë kurrë vetëm, as sot, as nesër, as në Hagë”.

Ai tha se e pret me padurim kthimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Haga, duke potencuar; “Bashkë për UÇK-në. Përpara për Kosovën”.

Mjegulla përfshin disa komuna, Policia apelon për kujdes në trafik

0

Si pasojë e kushteve atmosferike, në rajonin e Ferizajt, përfshirë komunat: Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani Elezit, është vërejtur prezencë e mjegullës, veçanërisht në zonat me pozitë më të ulët gjeografike dhe në afërsi të lumenjve, duke ulur dukshmërinë në rrugë, njofton policia.

Prandaj, Policia apelon tek të gjithë shoferët e automjeteve që të respektojnë këto këshilla.

Postimi i plotë:

KUJDES, SHOFERË!

MJEGULLA PARAQET RREZIK NË KOMUNIKACION

Si pasojë e kushteve atmosferike, në rajonin e Ferizajt, përfshirë komunat: Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani Elezit, është vërejtur prezencë e mjegullës, veçanërisht në zonat me pozitë më të ulët gjeografike dhe në afërsi të lumenjve, duke ulur dukshmërinë në rrugë.

Policia apelon tek të gjithë shoferët e automjeteve që të respektojnë këto këshilla:

Ndizni dritat e shkurtra dhe dritat e mjegullës;

Mos përdorni dritat me rreze të gjata;

Ngadalësoni dhe mbani shpejtësinë nën kontroll;

Mbani krahun e djathtë të rrugës;

Rritni vëmendjen ndaj ndryshimeve të papritura të dukshmërisë.

Mjegulla mund të krijojë iluzione optike dhe t’ju bëjë të mendoni se po lëvizni më ngadalë se sa në të vërtetë.

Siguria në trafik është përgjegjësi e përbashkët!

Kurti: Apeli im është që të kemi “triumf” për konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë

0

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë në Zvicër për të mbajtur tubime me mërgimtarë.

Ai ka dhënë edhe një intervistë në “albradio”, ku foli për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ka kërkuar pjesëmarrje në zgjedhje për siç thotë ai fitore që bëhet triumf.

Sipas tij, të jesh i pari nuk mjafton, duhet fitore më e madhe për formimin e institucioneve.

“Na nevojitet një fitore më e madhe që bëhet triumf, qartazi të jesh i pari, edhe i pari më i madh se i dyti e i treti së bashku nuk po mjafton. Andaj është apeli im që të ketë pjesëmarrje masive për një fitore të madhe që bëhet triumf për formimin edhe të Kuvendit edhe të Qeverisë”, ka thënë Kurti.

Një qytetar bën pelegrinazh për Hashim Thaçin në meshën e shenjtë në Vatikan

0

Sali Bislimi, një qytetar me prejardhje nga Topilla e Shtimes në Kosovë, tha se ka bërë pelegrinazh për ish-presidentin Hashim Thaçi, në meshën e shenjtë dhe baliziken e Shën Pjetrit në Vatikan.

Ai jeton dhe vepron në Zvicër dhe drejton organizatën joqeveritare Zëri Perëndimor i Kosovës.

Deklarata e tij, e publikuar në Facebook:

Pelerinazh per Presidentin Hashim Thaçi dhe UÇK, ne meshen e shenjte ne bazeliken Shen Pjetri ne Vatikan e udhehequr nga Papa Leone ne jubeleun e te burgosurve!

Perfektura Papale me akordon dy bileta per te marr pjese ne kete meshe te shenjt.

Ishte kenaqesi dhe krenari qe ne mesin e shume besimtareve ngrita zerin larte per ish Presidentin te vendit tim i cili po vuan burgun politike, dhimbja tjeter eshte sepse eshte i sanksionuar ne kufizim te vizitave, qe kjo rendon dinjitetin njerzor.

Vatikani modern gjithmon ka mbrojt kauzat çlirimitare, ne kete rast edhe Presidenti Hashim Thaçi e meriton.

Takova edhe kardinalin Anglez ne Vatikan me perkushtim dhe dashuri me bekoj mua dhe flamurin e UÇK qe shpetoi bashke me Naton nje popull nga barbaria serbe.

Kesaj radhe me shoqeroi miku im nga Zvicra Damjan Markaj i cili u kujdes per mua ne qdo hap te levizjes time.

Damjanit shume here ju mbushen syt me lote duke perkujtuar luften si 12 vjeqar te cilet ja kishte shpetuar jeten UCK bashke me Naton.

Para 100.000 njerzeve te mbledhur mbrenda dhe jasht bazelikes isha mjaft i emocionuar me ngritijen e flamurit te shejt te UÇK dhe Hashim Thacit Lider te lirise dhe Pavarsise.

Takuam edhe dy prifterinje te ri te Kosoves ne Vatikan

Don Meritonin dhe Don Danielin te cilen me zemer dhe shpirt ishin me solidaritet te plote per te kindapuarit tone ne Hage.

Ju bej thirrje klerit katolik dhe atij musliman ne vendin tone qe te punoni me shume per Kosoven Evropiane, sepse populli yne i shume vuajtur meriton.

Edhe ne si komb kemi dhen shume ne histori per ta mbrojtur kete Vatikan bashke me kontributin e Gjergj Kastriotit dhe Papave me origjine Shqiptare.

Vatikani eshte i shenjt ne, edhe pse akoma nuk e njofte shtetin e Kosoves, uroj ta bej sa me shpejt!

Rrofte Papa Leon bashke me Ameriken dhe popullin Shqiptar!

Amen🙏🙏🙏

Një person plagoset në Pejë

0

Një person ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Pejës dhe i njëjti dyshohet se është plagosur aksidentalisht nga dikush tjetër.

Fadil Gashi, zëdhënës në Policinë Rajonale të Pejës, tha për media se i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor për intervistim.

“Pas orës 19:00 policia është njoftuar nga Spitali i Pejës se një person ka shkuar atje i lënduar nga arma e zjarrit. Ai dyshohet se është plagosur aksidentalisht nga një person. I plagosuri është jashtë rrezikut për jetë, ndërkaq i dyshuari është shoqëruar për në stacion policor, ku pritet të intervistohet”, tha Gashi.

Çeku: FSK-ja i plotëson standardet për anëtarësim në NATO

0

Kandidati për deputet nga AAK-ja, gjenerali Agim Çeku, ka folur në një perspektivë ushtarake dhe politike mbi çështjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Në një intervistë për KosovaPress, ai bën një ndarje të qartë dhe thelbësore: në NATO nuk anëtarësohet vetëm ushtria, por anëtarësohet shteti. Ai argumenton se FSK-ja tashmë i plotëson standardet profesionale, duke qenë shpesh më e avancuar se forcat e armatosura të shumë vendeve ish-komuniste kur ato u anëtarësuan. Problemi, sipas Çekut, nuk qëndron tek ushtarët, por te politika.

Ish-kryeministri është jashtëzakonisht kritik ndaj politikës së jashtme të viteve të fundit, të cilën e cilëson si “pasive, jo bindëse dhe jo kredibile”. Ai thekson se për t’u bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike, një shtet duhet të jetë partner i besueshëm, të ketë miq të fuqishëm dhe të reflektojë stabilitet rajonal.

“Politika e jashtme është ajo që krijon aleanca të reja… ne po shohim që këto gjëra nuk po ndodhin,” shprehet ai me keqardhje. Në vend që të forcohen lidhjet me SHBA-të dhe fuqitë evropiane, diplomacia aktuale, sipas tij, po i dobëson ato, duke e lënë Kosovën të izoluar në një kohë kur rreziqet gjeopolitike janë në rritje.

Çeku sjell në vëmendje faktin se rruga drejt NATO-s ishte trasuar qysh në vitin 1999 dhe thotë se ishte vizioni i tij dhe i bashkëluftëtarëve të tij që nga fillimi. Ai akuzon qeverinë aktuale se me veprime, të cilat i quajti amatore diplomatike, po rrezikon këtë projekt jetik. Sipas tij, Ministria e Jashtme duhet të udhëhiqet nga diplomatë me përvojë, dhe jo të përdoret për politika të brendshme elektorale.

Ai thotë seAAK-ja dhe Ramush Haradinaj kanë planin më konkret dhe më të sinqertë për këtë proces, duke ofruar garancinë se në qeverisjen e tyre, fokusi do të zhvendoset nga popullizmi te diplomacia reale dhe efektive që e çon Kosovën në NATO.

Osmani nderohet në qytetin e Papëve, përmend Rugovën, Skënderbeun e Nënë Terezën

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se mbrëmë në Anagni, qytetin e Papëve në Itali u nderua me Çmimin Bonifacio VIII nga Akademia Bonifaciana.

Ky çmim, ajo tha se iu nda si “njohje për angazhimin institucional për paqen, si dhe bashkëpunimin ndërkulturor dhe ndërfetar”.

“Në frymën e vlerave që qëndrojnë në themelet e kësaj Akademie prestigjioze, e cila vendos primatin tek drejtësia, dinjiteti dhe paqja, ky vlerësim, i cili më herët i ishte ndarë edhe Papa Gjon Palit II, forcon përkushtimin tim ndaj këtyre vlerave të përhershme”, shkroi Osmani në një postim në Facebook, ku publikoi një video të fjalimit të saj në atë ceremoni.

Në fjalën e saj, presidentja e Kosovës tha se kosovarët kanë nxjerrë mësimin jetik se “paqja kërkon që viktimat të dëgjohen dhe padrejtësia të përballet, jo të injorohet”.

Ajo e përmendi lidhjen e fortë mes presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe Selisë së Shenjtë.

“Prandaj sot dëshiroj të kujtoj lidhjen e thellë mes presidentit tonë historik, babait themelues të shtetit, Dr. Ibrahim Rugova, dhe Selisë së Shenjtë, si edhe me Italinë. Presidenti Rugova e konsideronte Papën Gjon Palin II si një mik të vërtetë të Kosovës, një udhëheqës vizionar që e kuptoi vuajtjen tonë dhe zgjodhi të fliste atëherë kur kishte më së shumti rëndësi. Ai na mësoi se rezistenca pa urrejtje nuk është dobësi, por forcë e rrënjosur në vetë qytetërimin. Në pikëtakimin mes besimit dhe lirisë, Presidenti Rugova ndërtoi një urë mes vendit tonë dhe një bote që besonte në të drejtën e popujve për të jetuar të lirë dhe, mbi të gjitha, për të jetuar në paqe”, tha ajo.

Ajo foli gjithashtu për figura si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe Nënë Tereza.

“Në një qytet ku fati i Evropës është gdhendur në gur, është e pamundur të mos kujtohet Gjergj Kastrioti, heroi ynë kombëtar. Shekuj më parë, ai mbrojti themelet e qytetërimit evropian, duke ndihmuar në ruajtjen e besimit dhe vlerave që më pas ndriçuan epokën moderne. Shembulli i tij na kujton të gjithëve se paqja është një mision që duhet mbajtur gjallë çdo ditë, nga çdo brez. Atleta Christi ishte titulli që Selia e Shenjtë ia dha kësaj figure madhore të historisë sonë të përbashkët, të cilin Papa Françesku e vlerësoi si një mbrojtës heroik dhe të guximshëm të vlerave shpirtërore dhe të krishterimit. Nga perandorët ilirë Kostandini i Madh dhe Justiniani I, të cilët e transformuan botën romake duke përqafuar krishterimin dhe duke ngulitur parimet e krishtera në të drejtën romake, te shenjti ilir Shën Jeronimi, përkthimi i Shkrimeve të Shenjta nga i cili i dha botës Biblën në formën e saj të qëndrueshme, e deri te Papa Klementi XI, Papa Albani – këto figura të shquara iliro-shqiptare nga trojet tona, Dardania e lashtë, Kosova e sotme – hodhën themelet mbi të cilat krishterimi lulëzoi dhe qytetërimi perëndimor u zhvillua për mijëvjeçarë”, tha ajo.

Osmani tha se ” trashëgimia e tyre formësoi jo vetëm identitetin shpirtëror të Europës, por edhe arkitekturën morale dhe juridike të botës perëndimore”.

“Të nderuar të ftuar, me këtë rast dëshiroj të kujtoj edhe Shën Terezën, një bijë e popullit tonë dhe një simbol universal i dhembshurisë, paqes dhe njerëzimit. Përmes shërbimit të saj vetëmohues, ajo i tregoi botës se forca e vërtetë qëndron në dashuri, përulësi dhe kujdes për më të pambrojturit. Ajo përfaqëson një urë të thellë morale mes Kosovës, Selisë së Shenjtë dhe vlerave universale të humanizmit. Kosova e sotme, e lirë, demokratike dhe europiane, është gjithashtu një vazhdim i idealeve të saj”, tha ajo.

Osmani tha se çmimin po e pranonte “në emër të një populli që ka vuajtur shumë, por që gjithmonë ka zgjedhur shpresën dhe guximin për të parë drejt së ardhmes”.

“Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqësinë mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë, si edhe miqësinë mes Kosovës dhe Italisë”, tha ajo.

Policia ndalon “person me interes” pas sulmit me armë në Brown University: Dy studentë të vrarë, nëntë të plagosur

0

Policia në Providence, Rhode Island, ka marrë në ndalim një “person me interes” pas të shtënave në Brown University, ku u vranë dy studentë dhe u plagosën nëntë të tjerë, kanë konfirmuar zyrtarët lokalë. Kryetari i bashkisë së Providence, Brett Smiley, bëri të ditur se urdhri “shelter-in-place” (qëndroni të strehuar) është hequr të dielën në mëngjes, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Sipas autoriteteve, sulmuesi hapi zjarr të shtunën pasdite brenda ndërtesës së inxhinierisë dhe fizikës Barus & Holley, në kohën kur kampusi ishte në regjim provimesh, dhe më pas u largua nga vendngjarja, duke nxitur një operacion të gjerë kërkimi gjatë natës me pjesëmarrjen e qindra efektivëve.

Presidentja e Brown University, Christina Paxson, deklaroi se viktimat janë studentë, ndërsa autoritetet shëndetësore raportojnë se një i plagosur është në gjendje kritike por stabile, shtatë janë në gjendje stabile dhe një është liruar nga spitali.

Zyrtarët nuk kanë dhënë ende detaje shtesë për personin e ndaluar, motivin apo ecurinë e hetimeve. Megjithatë, policia ka bërë të ditur se aktualisht nuk po kërkohen të dyshuar të tjerë, ndërsa pjesë të kampusit mbeten të kufizuara për publikun gjatë hetimeve.

Çfarë dimë deri tani për të shtënat gjatë Hanukkah në Bondi Beach

0

Bondi Beach ndodhet në lindje të Sydneyt, në shtetin e New South Wales, në bregun lindor të Australisë.

Është një nga plazhet më të njohura të Australisë, që tërheq miliona vizitorë çdo vit dhe përbën një atraksion të rëndësishëm turistik.

Çfarë ndodhi në Bondi Beach?

Policia e New South Wales (NSW) reagoi ndaj raportimeve për të shtëna me armë rreth orës 18:47 sipas kohës lokale (07:47 GMT), ndërsa pamjet video tregojnë qindra persona duke ikur nga zona bregdetare.

Në deklaratën e parë të publikuar në platformën X, Policia e NSW u bëri thirrje personave në vendngjarje të strehohen, ndërsa qytetarëve të tjerë t’i shmangen zonës.

Përveç konfirmimit nga policia se një nga sulmuesit është vrarë, detajet për viktimat dhe të plagosurit mbeten të kufizuara.

Policia ka konfirmuar se 12 persona, përfshirë njërin nga personat e armatosur, kanë humbur jetën. Një tjetër sulmues raportohet se ndodhet në gjendje kritike.

Zyrtarët kanë bërë të ditur se 29 persona të tjerë janë dërguar në spital, ndërsa dy policë janë qëlluar me armë gjatë incidentit.

Një dëshmitar okular, Barry, i cili po merrte pjesë në ngjarjen e Hanukkah në Bondi bashkë me fëmijët e tij, tha se dëgjoi të shtëna armësh.

Ai i tha BBC-së se pa dy burra mbi një urë duke qëlluar drejt turmës.

Sipas tij, kishte trupa njerëzish të shtrirë në tokë. Ai dhe fëmijët e tij arritën të largohen me makinë bashkë me një mik.

Cilat janë zhvillimet e fundit?

Policia ka bërë thirrje për qetësi ndërsa po zhvillon hetimet.

Autoritetet kanë shpallur të shtënat e së dielës si sulm terrorist.

Një zonë e ndaluar është vendosur rreth vendngjarjes, ndërsa policia po përdor pajisje speciale për të kontrolluar pajisje shpërthyese të improvizuara (IED) të gjetura në një makinë të lidhur me sulmuesin e vrarë. Qytetarëve u është kërkuar sërish të shmangin zonën.

Asnjë gur nuk do të lihet pa u kthyer” në këtë hetim, deklaroi Komisioneri i Policisë së New South Wales, Mal Lanyon, gjatë një konference për media.

Ai tha se policia nuk do të publikojë informacione për sulmuesit në këtë fazë dhe u bëri thirrje qytetarëve për qetësi, duke theksuar se “kjo nuk është kohë për hakmarrje”.

Lanyon shtoi se policia kishte qenë “në dijeni” për njërin nga të dyshuarit, por kishte “shumë, shumë pak informacion” për të.

Policia tha se nuk mund të konfirmojë nëse ka pasur një sulmues të tretë apo persona të tjerë të përfshirë, por hetimet janë ende në vazhdim.

Shefi i shërbimit australian të inteligjencës, Mike Burgess, tha më vonë se ishte ende herët për të dhënë detaje nëse personat ishin në radarët e shërbimeve të sigurisë, duke shtuar:
Njëri prej këtyre individëve ishte i njohur për ne, por jo si një kërcënim i menjëhershëm – prandaj duhet të shqyrtojmë çfarë ka ndodhur.”

Gjatë një fjalimi televiziv, kryeministri australian Anthony Albanese e quajti sulmin në Bondi Beach “një akt të antisemitizmit të keq, një akt terrori që ka goditur zemrën e kombit tonë”.

Sot kemi parë australianë që vrapuan drejt rrezikut për të ndihmuar të tjerët. Këta janë heronj dhe guximi i tyre ka shpëtuar jetë”, shtoi ai.

Çfarë është Hanukkah?

Hanukkah, ose Chanukah në hebraisht, është festa hebraike e dritës.

Fjala Hanukkah do të thotë “përkushtim” dhe feston një nga mrekullitë më të mëdha në historinë hebraike.

Datat e Hanukkah ndryshojnë çdo vit, por ajo bie gjithmonë në nëntor ose dhjetor dhe zgjat tetë ditë.

Një aktivitet për shënimin e ditës së parë të festës po zhvillohej në Bondi Beach në momentin e të shtënave.

Një fletëpalosje digjitale për ngjarjen, të quajtur “Chanuka by the Sea 2025”, tregonte se ajo ishte planifikuar të mbahej pranë këndit të lojërave për fëmijë në plazh, nga ora 17:00 sipas kohës lokale (06:00 GMT), të dielën.

Ngjarja ishte organizuar nga qendra hebraike Chabad of Bondi dhe ishte planifikuar të përfshinte argëtim live dhe aktivitete “për të gjitha moshat”. Rreth 1,000 persona raportohet se ishin të pranishëm.

Rreth të njëjtës kohë, mediat lokale filluan të raportojnë për persona “të shtrirë në tokë” në zonën e Campbell Parade.

Një video e verifikuar nga BBC duket se tregon dy persona të armatosur duke qëlluar nga një urë e vogël që lidh parkingun në Campbell Parade me vetë plazhin.

Ngjarja e Hanukkah po zhvillohej shumë afër urës nga ku po qëllohej, ndërsa më shumë se 1,000 persona ishin të pranishëm.

Kryeministri i New South Wales, Chris Minns, i bëri homazh një burri që u filmua duke ia rrëmbyer armën njërin prej sulmuesve.

Ai njeri është një hero i vërtetë dhe nuk kam asnjë dyshim se shumë njerëz janë gjallë sonte falë guximit të tij”, tha Minns në konferencë për media.

Në video, burri shihet duke iu afruar fshehurazi sulmuesit dhe duke e kapur fort nga pas.

Më pas, personi i çarmatosur tërhiqet drejt urës, ku sulmuesi tjetër vazhdon të qëllojë.

Ndërsa videoja vazhdon, një burrë tjetër duket se është i plagosur dhe largohet me vrap nga vendngjarja, ndërsa një polic mbërrin pas sulmuesve dhe hap zjarr ndaj tyre.

Një video tjetër e verifikuar tregon disa policë mbi të njëjtën urë. Njëri prej tyre duket se po i jep ndihmën e parë (CPR) një burri të palëvizshëm, ndërsa dikush dëgjohet duke bërtitur: “ai është i vdekur, ai është i vdekur”.

Sa persona u vranë dhe u plagosën?

(Lajmi është në zhvillim)

Ngjarje e rëndë sigurie në Sydney. Autoritetet po hetojnë sulmin e armatosur gjatë një tubimi publik.

Ngjarje e rëndë sigurie në Sydney. Autoritetet po hetojnë sulmin e armatosur gjatë një tubimi publik.

0

Një sulm i rëndë i armatosur ka ndodhur sot në Sydney të Australisë, gjatë një tubimi publik, duke lënë disa persona të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, sipas raportimeve të vazhdueshme të mediave ndërkombëtare, përfshirë BBC.

Ngjarja ka ndodhur në një zonë të frekuentuar të qytetit, ku ishin mbledhur qytetarë për një aktivitet komunitar. Forcat e policisë dhe shërbimet emergjente kanë reaguar menjëherë, ndërsa zona është izoluar plotësisht për arsye sigurie.

Autoritetet australiane kanë konfirmuar se sulmi po trajtohet si incident i rëndë sigurie, ndërkohë që hetimet janë në zhvillim për të sqaruar motivacionin dhe rrethanat e plota të ngjarjes. Sipas informacioneve paraprake, të paktën një i dyshuar është neutralizuar, ndërsa policia po verifikon nëse ka persona të tjerë të përfshirë.

Shërbimet shëndetësore kanë bërë të ditur se një numër i madh i të plagosurve janë dërguar në spitale, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin zonën dhe të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik, ndërsa pritet që autoritetet të dalin me informacione shtesë në orët në vijim.

Lajmi është në zhvillim. Portali do t’ju mbajë të informuar me çdo detaj të ri nga burime zyrtare.