spot_img
E premte, 19 Dhjetor, 2025
02:16
Home Blog Page 221

Ben Blushi: Si mund të përfitojë Kosova nga deliri i Donald Trump

0

SI MUND TË PËRFITOJË KOSOVA NGA DELIRI I DONALD TRUMP

Shkruan: Ben Blushi

Imagjinoni një njeri që lëviz me një avion lluksoz mbi qiejt e  botës dhe aty ku shikon ndonjë zjarr ulet dhe e shuan.

Ky është Donald Trump.

Ai kërkon të shuajë zjarre.

Ka gjetur një lojë të re që po i jep më shumë kënaqësi se pasuria, gratë, golfi dhe zgjedhjet.

E thënë me fjalët e tij, ai kërkon të vendosë paqen në botë.

Dje i testoi dhuntitë si zjarrfikës në Gaza dhe përkohësisht shoi një zjarr që po dilte jashtë kontrollit.

Si një njeri që zbret nga avioni vetëm kur garantohet se ata që e presin do t’i ulen në gjunjë ai shkoi ne Izrael dhe u soll si guvernatorët romakë 2000 vjet më parë.

I dha cifutëve të përulur disa detyra, i premtoi, i lavdëroi, i ngushëlloi, i ngacmoi, i pickoi, caktoi Netanyahun si mëkëmbës deri në zjarrin tjetër dhe iku.

Nga aty shkoi në Egjipt dhe i trajtoi liderët evropianë dhe muslimanë si piromanë të vegjël.

Para se të ikte u mblodhi shkrepset dhe i futi në xhepin e fitoreve të tij.

Tani, në banderolat mikëpritëse që e presin kudo, ai nuk thirret më si President i Amerikës por si Deal Maker më i madh në histori.

Një Kryezjarrëfikës.

Donald Trump beson se historia e ka thirrur të shuajë zjarre.

Ky është deliri i tij që liderët e botës po ia kurojnë me dhurata të përditshme.

Një prej dhuratave që ai pret është cmimi Nobel që mesa duket po ia vonon pak Vladimir Putini, por jo dhe për shumë kohë.

Megjithatë nuk dua të merrem me koreografinë poshtëruese që Donald Trump i imponoi lidervë të botës dje, por me dicka tjetër.

Me Kosovën.

Trump e ka përfshirë Kosovën në listën e zjarreve që ka shuar.

Në fakt nuk është marrë fare me atë zjarr, që frika e palëve e ka lënë në gjendjen që ishte, pa e shuar dhe pa e ndezur.

Duke parë se si i trajton kryezjarrfikësi zjarrvënësit, serbët duhet të jenë të tmerruar dhe as u shkon ndër mend ti fryjnë ndonjë ashkle.

Serbët do presin me shpirt në dhëmbë derisa Trumpi të largohet nga puna dhe t’ia fillojnë prapë.

Mirëpo humbja e kohës nuk i intereson kosovarëve.

Ata nuk duhet të presin.

E parë nga lartësia e avionit të Donald Trump,Kosova pothuajse nuk duket fare.

Tymi i Gazës dhe Ukrainës është aq i dendur sa që nuk lejon të shihet një vatër me prush në mes të Ballkanit.

Kushdo që i sjell ndonjë lajm nga ky vend, me siguri i thotë se ata janë një popull i vogël dhe shumë i ngatërruar me punët e përditshme saqë nuk ndezin dot asnjë zjarr.

Kjo është mirë dhe keq.

Unë besoj se kosovarët duhet të bëjnë cdo gjë që mundet, për ta bindur Trumpin të merret me prushin që po fle për ta shuar një herë e mirë.

Kosovarët duhet ti lënë grindjet e brendshme që po i marrin aq shumë kohë dhe duhet të sillen si ata njerëzit e një fshati të vogël që ia bëjnë me dorë një avioni që sjell ujë në një pyll në mes të flakëve.

Ata duhet ta shfrytëzojnë sic duhet delirin e Donald Trump për të shuar cdo zjarr para se të dalë në pension.

Kosovarët duhet të futen me cdo kusht në listën e sukseseve të Trumpit.

Ata kosovarë që e lexojnë mbrapsht cdo gjë, duhet të dinë se serbët po luten që mundësisht Trump mos merret fare me cështjen e Kosovës këto tre vjet që i kanë mbetur.

Për rrjedhojë kosovarët duhet të bëjnë të kundërtën.

Ata duhet t’i krijojnë kryezjarrëfikësit iluzionin se mund ta shuajë prushin e fjetur me një të fryrë të buzëve.

Në këtë mënyrë mund të arrinin një marrëveshje të madhe.

Trumpi është i lumtur të arrijë marrëveshje aty ku të tjerët para tij kanë dështuar.

Në të kundërt, tre vjet më pas cdo gjë mund të kthehet në pikën zero.

Kushdo që do të vijë në Shtëpinë e Bardhë pas Donald Trump, nuk do vuajë nga deliri i tij si kryezjarrëfikës i botës.

Atëherë me shkrepset e gatshme franceze, angleze, ruse, turke, kineze dhe arabe zjarret në botë do fillojnë sërish.

Nga Gaza deri në Kosovë.

Por atëherë mund të jetë vonë prandaj prushi që mban të gjallë flakët mes serbëve dhe kosovarëve duhet shuar tani.

Me pompën e delirit të Donald Trump, e cila mesa duket funksionon.

Po bënin fotografi pranë ujit, vetura bie në Liqenin e Ujmanit

0

Një veturë ka përfunduar në liqenin e Ujmanit, pasi që e njëjta ka rrëshqitur.

Kjo është konfirmuar nga ana e Policisë së Kosovës, nga ku, në një prononcim për Kossev, kanë thënë se vetura ka rënë në liqen, derisa dy persona, kanë qenë duke bërë fotografi aty afër.

Siç njoftohet nga policia, personat kishin harruar të tërhiqnin frenin e dorës. Përveç dëmeve materiale në makinë, të lënduar nuk ka.

Aktualisht është duke u punuar për tërheqjen e automjetit në rrugë. Siç shpjegon Baliqi, ata kishin harruar të tërhiqnin frenin e dorës.

Zbardhet dinamika e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja

0

Prokuroria e Tiranës ka zbardhur të plotë mekanizmin e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ndodhur në sallën e gjyqit më 6 tetor 2025.

Referuar pamjeve të kamerave të sigurisë, rezulton se pranë sallës nr. 3 kanë hyrë Gjon Shkambi dhe nipi i tij, Elvis Shkambi, si dhe Ragip dhe Ervis Kurtaj.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Astrit Kalaja, Elvis Shkambi, i cili ndodhej në sallë, ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri të tipit pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit.

Njëkohësisht, pas këtij veprimi, Elvis Shkambi ka drejtuar pistoletën ndaj Ragip Kurtajt dhe Ervis Kurtajt, të cilët tentuan të largohen nga salla, dhe ka qëlluar një herë me armë zjarri në drejtim të tyre. Si pasojë, Ervis Kurtaj është dëmtuar në krahun e djathtë, ndërsa Ragip Kurtaj është dëmtuar në pjesën e brinjëve, në anën e majtë.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit – një pistoletë me mbishkrimin “Welt Waffen W Germany, Cal. 7.65 mm, Browning” – me të cilën dyshohet se Elvis Shkambi ka kryer krimin. Gjatë kontrollit të armës është konstatuar se ajo kishte një fishek në folenë e saj, gati për qitje, dhe në karikator ishin edhe dy fishekë të tjerë të vendosur.

Në parkingun e Xhamisë së Namazgjasë është gjetur automjeti i markës “Mercedes-Benz”, me targë AA900AA, në pronësi të Gjon Shkambit.

Gjatë këqyrjes dhe kontrollit të automjetit janë gjetur dhe sekuestruar 31 copë fishekë të kalibrit 9 mm, në dukje fishekë manovër.

KQZ nis publikimin e rezultateve të kandidatëve për asamble komunale

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tashmë ka nisur publikimin e rezultateve edhe për kandidatët e asambleve komunale.

KQZ ka bërë të ditur se publikimi i këtyre rezultateve bëhet në platformën e KQZ-së: https://resultslocal2025.kqz-ks.org

Në këtë platformë mund të gjendet edhe rezultatet për kryetarë të komunave; dhe,  rezultatet e subjekteve politike për Kuvendet Komunale.

AAK-ja i thotë jo bashkëpunimit me Albin Kurtin

0

Time Kardiaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha se partia e saj nuk do të bashkëpunojmë me Lëvizjen Vetëvendosje për qeverinë e re.

Ajo riktheskoi se AAK është pro një qeverie me partitë ish-opozitare, në të kundërtën, sipas saj, vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Ne si Aleancë kemi qenë tepër të qartë me deklarime qysh prej përfundimit të këtyre zgjedhjeve. Ne kemi thënë që s’bëjmë, jemi për qeverinë e ish-partive opozitare, përndryshe vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Jo, nuk pranojmë të jemi pjesë e qeverisë së Albin Kurtit”, tha Kadriaj për 21Media.

Kadriaj, po ashtu, u shpreh kundër një Qeverie Kurti 3, duke renditur arsyet pse e mendon një gjë të tillë.

“Jo nuk duhet të ketë për shkak të performancës së keqe, për shkak të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të sanksionit nga Bashkimi Europian, për shkak të izolimit, të gjithë të këqijave, aferave korruptive, izolimit të vendit, për shkak të keqqeverisjes, shtrenjtimit të energjisë elektrike”, deklaroi Kadriaj.

Protesta në Tiranë për ish-krerët e UÇK-së, flasin Rama, Moisiu e Ahmeti

0

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka njoftuar sot kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare që do të mbahet me 17 tetor në orën 17:00 në Tiranë, ku do të bëhet thirrje për një gjykim të drejtë në Hagë të krerëve të UÇK-së.

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati ka bërë të ditur këtë në konferencën për media, ku tregoi edhe se do të mbajë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Po ashtu, Gucati tregoi se nga Kosova drejt Tiranës do të nisen 60 autobusë.

Protestë e ngjashme u zhvillua edhe në Hagë më 14 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

Në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.

Humbja nga Kosova ka gjasa që ta detyroj trajnerin suedez që t’i paketoj valixhet

0

Në Suedi po vlerësohet “Fiasko” humbja që kjo kombëtare e pësoi nga Kosova të hënën mbrëma në Goteborg.

Danezi Jon Dahl Tomasson ka refuzuar të jap dorëheqje nga posti i selektorit, por ai pritet të shkarkohet së shpejti.

Sipas gazetës së njohur “Sportbladet”, thuajse të gjitha figurat e futbollit në Suedi kanë bërë thirrje për largimin e Tomassinit.

Suedia e ka vetëm një pikë, ndërsa ka humbur tri ndeshjet e fundit.

Megjithatë suedezët pritet të paraqiten në plejofin e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, si fituesë të njërit prej grupeve në Ligën e Kombeve.

Tashmë po përmenden emra se kush mund ta zëvendësojë Tomassonin në postin e selektorit të Suedisë. Por vendim zyrtar nuk ka ende.

Shpallet lista e konkurrentëve për Fest 64

0

Janë zbuluar emrat e këngëtarëve pjesëmarrës në Festivalin e fundvitit në RTSH.

Komisioni Përzgjedhës i Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH, me drejtore artistike artisten Elhaida Dani, ka shpallur zyrtarisht listën e artistëve që do të ngjiten në skenën magjike të këtij edicioni, transmeton RTSH.

Këtë vit janë përzgjedhur 28 artistë, mes të cilëve spikasin emra të njohur të muzikës shqiptare, rikthime të rëndësishme të artistëve që kanë lënë gjurmë në muzikën moderne, por edhe zëra të rinj që do të prekin për herë të parë skenën e Festivalit si një trampolinë e vërtetë për të nisur ngjitjen në karrierën e tyre muzikore.

Mes emrave që do të garojnë këtë vit është këngëtarja shumë e dashur nga Kosova, Fifi, e cila në këtë edicion vjen në duet me Tiri Gjocin, me të cilin ka bashkëpunuar edhe më herët.

Po ashtu, në listë gjendet edhe Alis, i cili në Festivalin e 63-të u vlerësua me vendin e tretë me këngën “Mjegull”. Një tjetër rikthim është ai i artistit Vedat Ademi.

Në garë do të jenë edhe Evi Reçi, Sheila, Kamela Islamaj, Gerta Mahmutaj, Erik Lloshi, Enxhi Nasufi dhe Gresa Gjocera, ndërsa në këtë edicion rikthehen gjithashtu Lorenc Hasrama, Luna Çausholli dhe Kleansa Susaj.

Grupi “2 Farm”, pjesëmarrës në Festivalin e 61-të, është një tjetër rikthim i shumëpritur.

Përveç artistëve të njohur, Festivali do të mirëpresë edhe emra të rinj që garojnë për herë të parë.

Një prej tyre është Egzon Pireci, me origjinë nga Prizreni, i cili e ka nisur rrugëtimin artistik që në moshë të vogël.

Në Festivalin e Këngës garon edhe Iris Neziri, një tjetër emër i njohur për publikun.

Gjithashtu emra të tjerë që do të bëhen pjesë e këtij edicioni janë Threex, Sihana Haxhnikaj, Savjana Vjerdha, Sara Kapo, Rigersa Loka, Rezarta Smaja, Malvina Likaj, Kimi, Ghiti, si edhe Endri Kaçaçi.

Ndërkohë, surpriza e këtij edicioni është pjesëmarrja e aktorit të njohur Erand Sojli, që këtë herë do të ngjitet në skenë si këngëtar.

Lista e plotë:

2 Farm
Alis
Egzon Pireci
Endri Kaçaçi
Enxhi Nasufi
Erand Sojli
Erik Lloshi
Evi Reçi
Fifi & Tiri Gjoci
Frensi
Gerta Mahmutaj
Ghiti
Gresa Gjocera & Bledi Kaso
Inis Neziri
Kamela Islamaj
Kimi
Kleansa Susaj
Lorenc Hasrama
Luna Çausholli
Malvina Likaj
Rezarta Smaja
Rigersa Loka
Sara Kapo
Savjana Vjerdha
Sheila
Sihana Haxhnikaj
Threex
Vedat Ademi

Festivali i 64-t i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar do të vijë nën drejtimin artistik të Elhaida Danit për katër net me radhë dhe publiku do të ketë mundësi të shijojë muzikën e artistëve të preferuar.

Nata e parë dhe e dytë do të jenë netët konkurruese, nata e tretë do t’i kushtohet Nostalgjisë, një natë shumë e dashur për publikun, ndërsa nata e katërt do të jetë Finalja e Madhe.

Ashtu si edhe vitin e kaluar, gjatë muajit nëntor pritet të publikohen edhe këngët konkurruese të artistëve pjesëmarrës, duke i dhënë publikut mundësinë të njihet më herët me krijimet e tyre muzikore.

Ejup Maqedonci nderohet në SHBA

0

Ministri në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci është nderuar me një nga vlerësimet më të larta ushtarake ndërkombëtare, duke u futur në Sallën e Famës (Hall of Fame) të Kolegjit të Luftës të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (US Army War College).

Në ceremoninë e mbajtur në Shtetet e Bashkuara mori pjesë edhe Gjenerali Randy A. George, Shef i Shtabit të Ushtrisë së SHBA-së, gjë që e shtoi edhe më shumë rëndësinë e këtij nderimi.

Përmes një postimi në Facebook, ai theksoi se ky çmim nuk është vetëm një arritje personale, por një reflektim i punës së përbashkët me shumë profesionistë të mbrojtjes në Kosovë gjatë gjithë karrierës së tij.

“Këtë vlerësim nuk e llogaris vetëm si një arritje personale, por edhe një pasqyrim i përkushtimit, profesionalizmit dhe përpjekjes së përbashkët të të gjithë atyre me të cilët kam pasur fatin dhe mundësinë të shërbej gjatë karrierës sime”, ka shkruar Maqedonci.

Maqedonci falënderoi Kolegjin e Luftës të Ushtrisë së SHBA-së për këtë nderim, si dhe për mundësinë që i ishte ofruar vite më parë për të përfunduar studimet në këtë akademi prestigjioze ushtarake, të cilat ai i cilësoi si formuese për karrierën e tij profesionale dhe jetën personale.

“Ky nderim më forcon më tej bindjen time në fuqinë e shërbimit, udhëheqjes dhe mësimit të përjetshëm — vlera që kapërcejnë kufijtë dhe bashkojnë të gjithë ata që i shërbejnë vendit dhe komunitetit të tyre”, shtoi ai.

Hashim Thaçit i vazhdohet paraburgimi

0

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim me të cilin ia kanë vazhduar masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi, në rastin ku bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Vendimi është marrë më 10 tetor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Trupi gjykues ka konstatuar se ka mungesë të informacioneve që do të justifikonin konstatimet se Thaçi mund t’i arratiset drejtësisë në rast që lirohet. Por, trupi gjykues është bindur se i akuzuari mund të pengojë procedurat e DhSK-së dhe të kryejë krime ndaj atyre që perceptohen kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë edhe dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi edhe në procedura paralele.

Po ashtu, paneli ka konstatuar se asnjë prej kushteve të tjera alternative nuk mund t’i zbusë mjaftueshëm këto rreziqe.

Si rrjedhojë, u konstatua se paraburgimi ndaj Thaçit edhe për dy muaj të tjerë është i nevojshëm dhe i arsyeshëm.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi