spot_img
E premte, 19 Dhjetor, 2025
14:00
Home Blog Page 225

Kusari-Lila: Zgjedhjet, opsioni më i mirë për situatën aktuale politike në vend

0

Pas deklaratës së Kryeministrit në detyrë Albin Kurti se do ta prezantojë kabinetin e ri qeveritar më së largu më 26 tetor në Kuvend, mbetet e paqartë nëse ai i ka numrat e mjaftueshëm për ta formuar Qeverinë e re.

Lidhur me këtë çështje, Indeksonline ka kontaktuar shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka bërë të ditur se brenda javës do të nisin bisedimet për krijimin e qeverisë, por ka theksuar se nuk do të ketë bashkëpunim me dy parti specifike.

“Gjatë javës kemi me filluar bisedat për formimin e Qeverisë. Ka pasur bisedime fillestare por jo diçka specifike. Sa i përket bashkëpunimit me subjektet tjera politike, kemi qëndrimin se nuk bashkëpunojmë me dy parti, në këtë rast, bëhet fjalë për PDK-në dhe Listën Serbe,” ka deklaruar Kusari-Lila.

Ajo ka shtuar se për bashkëpunime eventuale me LDK-në dhe partitë tjera, vendimet do t’i marrë vetë Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje si mandatar për formimin e Qeverisë.

“Ndërsa me të tjerët mbetet me shiquar a ka vullnet për bashkëpunim apo jo. Sa i përket ftesave, për LDK-në dhe të tjerët duhet të flasë dhe të vendosë vetë Kurti dhe LVV-ja si mandatar për formimin e Qeverisë’’.

E pyetur nëse janë të gatshëm për zgjedhje të reja në rast se nuk krijohet Qeveria, Kusari-Lila u shpreh se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për situatën aktuale politike në vend.

“Unë mund të flas në emër të Alternativës. Unë them se zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet e reja, sepse tashmë është bërë një periudhë e gjatë prej kohës së mbajtjes së zgjedhjeve dhe ka pasur disa ndryshime të cilat kërkojnë ri konfirmim të besimit të qytetarëve. Por natyrisht, për zgjedhje gjithmonë jemi gati,” u shpreh ajo.

Në lidhje me zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor, Kusari-Lila tha se procesi në përgjithësi ka shkuar mirë, por pranoi se Alternativa ka pasur disa sfida, sidomos në komunën e Gjakovës.

“Procesi zgjedhor në tërësi ka shkuar shumë mirë. Sa i përket Alternativës, ne kemi pasur sfidat tona për arsye se kemi pasur tash e gjashtë vite bashkëpunim me VV-në dhe çështje të subjektivitetit ka pasur paksa huti, sidomos në Komunën e Gjakovës, pasi që listat e ndara për kandidatë për Asamble shpeshherë kanë rezultuar me votë ku është votuar LVV-ja duke menduar Alternativën,” ka shpjeguar Kusari-Lila.

Ajo shtoi se prezantimi i vonshëm i kandidatëve për kryetarë komunash ka ndikuar në performancën e tyre, dhe se përgatitjet për zgjedhjet lokale duhet të fillojnë më herët dhe të jenë më të koordinuara me aktivitetin politik të partisë.

Ndryshe, procesi i balotazhit në zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahet më 9 nëntor, ku 17 komuna do të përballen në raundin e dytë të votimit për të zgjedhur kryetarët e tyre.

Mungon dëshmitari, ndërpritet seanca ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit

0

Në mungesë të dëshmitarit Skender Muqolli është ndërprerë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Muqolli mban pozitën e udhëheqësit të Departamentit të Tregut të Energjisë pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mosparaqitjen e dëshmitarit Muqolli në shqyrtim gjyqësor, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti njoftoi se përmes e-mailit e ka njoftuar Gjykatën se për arsye shëndetësore nuk do të paraqitet në Gjykatë.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme u ndërpre.

Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 8 tetor 2024. I pafajshëm ai u deklarua edhe në seancën e 3 korrikut 2025.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 19 gusht 2024, akuzon Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Policia shqipton mbi 1,900 gjoba në trafik brenda 24 orëve

0

Policia e Kosovës njofton se për 24 orë ka shqiptuar 1,925 gjoba në trafik.

Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit, janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, ku 18 kanë qenë me lëndime, ndërsa 20 me dëme materiale.

Policia njofton se janë arrestuar 19 persona, ndërkaq 12 të tjerë janë dërguar në mbajtje, kurse 1 person u dërgua në vuajtje të dënimit.

Policia e Kosovës: 30 persona me byzylykë elektronikë për dhunë në familje

0

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se 30 persona janë vendosur nën mbikëqyrje me byzylykë elektronikë gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, të gjithë të përfshirë në raste të dhunës në familje.

Në përgjigje për IndeksOnline, policia ka sqaruar se të gjithë personat e vendosur nën këtë formë të monitorimit elektronik janë të gjinisë mashkullore dhe ndodhen nën mbikëqyrje në përputhje me dispozitat e Kodit penal të Republikës së Kosovës.

“Gjatë kësaj periudhe të monitorimit, reagimi i policisë në raste të shkeljeve ka qenë i menjëhershëm”, thuhet në përgjigjen zyrtare.

Sipas Policisë së Kosovës, rajoni i Prishtinës aktualisht ka numrin më të madh të personave që janë nën këtë formë mbikëqyrjeje.

Monitorimi elektronik përmes byzylykut është një masë që përdoret për të ndaluar kontaktin apo afërsinë e dhunuesit me viktimën dhe për të siguruar zbatimin e urdhrave mbrojtës, pa pasur nevojë për ndalim fizik në çdo rast.

Çmimet rriten sërish, inflacioni shënon rritje, arrin në nivelin 4.7%

0

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) ishte më i lartë për 4.7% në shtator 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, pra gusht të vitit të kaluar.

Ndërkohë, inflacioni mujor shënoi një rënie prej -0.2% në krahasim me gushtin 2025. Rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimit në disa kategori të mallrave dhe shërbimeve.

Ndër to, çmimet e pushimeve të organizuara u rritën me 23.1%, biletat e fluturimeve me 22.5%, energjia elektrike me 17.4%, kafeja, çaji dhe kakaoja me 14.2%, si dhe pemët me 13.0%.

Rritje të ndjeshme kanë pasur edhe mishi (12.1%), qumështi, djathi dhe vezët (8.8%), shërbimet hoteliere (8.3%), dhe vajrat e yndyrat (6.8%).

Këto nëngrupe kanë pasur ndikimin më të madh në inflacionin vjetor, me një efekt të përbashkët prej 4.9 për qind në IHÇK.

Në anën tjetër, rënie e çmimeve është regjistruar te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, me -3.1%, duke ndikuar me -0.2 për qind në indeksin e përgjithshëm. Në krahasim me muajin gusht 2025, çmimet mesatare të konsumit në shtator ranë për 0.2%.

Kjo rënie mujore është shpjeguar me uljen e çmimeve te karburantet dhe lubrifikantët (-3.6%), pemët (-2.8%), biletat e fluturimeve (-1.6%), dhe energjinë elektrike (-1.2%).

Megjithatë, disa kategori shënuan ngritje, përfshirë lëndët djegëse të ngurta si druri e peletët (1.4%), qumështin, djathin dhe vezët (1.1%), blerjen e automjeteve (0.6%) dhe shërbimet hoteliere (0.4%).

ASK bën të ditur se këto luhatje të çmimeve ndikojnë drejtpërdrejt në normën mujore dhe vjetore të inflacionit, e cila matet përmes indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit (IHÇK).

Në disa komuna përfundon procesimi i të gjitha vendvotimeve

0

Nëpër Qendrat Komunale të Numërimit tashmë ka vazhduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për asamble.

Sipas përditësimit të fundit të KQZ-së, në disa komuna është duke vazhduar procesimi i votave nga vendvotimet, e në disa të tjera ka përfunduar.

Në Gjakovë ka përfunduar numërimi i të gjitha kutive të vendvotimeve.

Sipas të dhënave të KQZ-së,  prin AAK me 32, 30 përqind, pasuar nga Vetëvendosje me 18, 73 përqind, PDK me  15, 50 përqind e LDK me 12,52 përqind.

Procesimi i të gjitha vendvotimeve ka përfunduar edhe në Gjilan, ku prin Lëvizja Vetëvendosje.

Në Pejë po ashtu janë procesuar të gjitha votat. E para është Lidhja Demokratike e Kosovës.

Të gjitha vendvotimet janë procesuar edhe në Podujevë.

Edhe në Komunën e Vushtrrisë ka përfunduar numërimi i votave për Kuvendin Komunal.

Bazuar në rezultatet tanimë finale del se PDK-ja mori 38.32% të votave për asamble, kurse Vetëvendosje 26.10%.

Po ashtu, LDK-ja mori 21.36% dhe Nisma 5.53% të votave.

Asnjë bashkëpunim qeverisës me Kurtin, qëndrimi i opozitës

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar të shtunën liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për të tentuar ta formojë Qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme.

Presidenca e Kosovës njoftoi në Facebook se Osmani e nënshkroi dekretin të shtunën për mandatimin e Kurtit, i cili është kryeministër në detyrë, për ta bërë Qeverinë e re.

Vendimi vjen pasi Kuvendi i Kosovës u konstituua përfundimisht me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe të fundit nga pakica serbe.

Pas mandatimit, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nëse arrihet një komunikim i suksesshëm për përbërjen e Qeverisë së re, atëherë nuk do të pritet afati i fundit kohor për formimin e saj, i cili është 26 tetori.

Kurti njoftoi se tashmë ka nisur një numërim mbrapsht drejt krijimit të Qeverisë Kurti 3.

Pas dekretimit të Albin Kurtit nga Presidentja Vjosa Osmani si mandatar për formimin e Qeverisë së re, Partia Demokratike e Kosovës ka mohuar çdo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje.

Deputeti i kësaj partie, Ferat Shala ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës as nuk ka pasur ide, as qëllim e as kurrfarë aktiviteti në lidhje me ndonjë koalicion, duke shtuar se qëndrimet e partisë janë të qarta.

“As nuk ka pasur ide, as qëllim as kurrfarë aktiviteti në lidhje me këtë, qëndrimet e Partisë Demokratike janë të njohura nuk kemi asnjë lloj koalicioni, as nuk planifikojmë me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ai.

Shala tha se partia nuk ka ndërmend të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe nuk do të marrë pjesë në asnjë koalicion qeverisës, për shkak të dëmeve që, sipas tij, kjo parti i ka shkaktuar Kosovës.

“Nuk besoj që Partia Demokratike, voton një qeveri të Lëvizjes Vetëvendosje e cila e cila ka qenë deri tash në pushtet dhe Kosovës i ka pru izolim ndërkombëtar, sanksione evropiane, skamje dhe varfëri ekonomike dhe shumë dëme tjera që i ka sjell ekonomikisht dhe politikisht Kosovës”, tha ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bashkohet me Vetëvendosjen në koalicion për Qeverinë e re.

Deputeti i kësaj partie, Alban Zogaj ka deklaruar se qëndrimi i partisë nuk ka ndryshuar.

Rikujtojmë qëndrimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, të dhënë para disa muajve, sipas të cilit partia nuk ka plan të bashkëpunojë me Vetëvendosjen.

“Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta. Ky ishte qëndrimi ynë paraelektoral dhe mbetet i njëjtë”, ka thënë ai.

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbëreshë Krasniqi, ka deklaruar se partia e saj nuk ka marrë asnjë ftesë për takim nga Lëvizja Vetëvendosje pas dekretimit të Albin Kurtit.

Ajo ka shtuar se çështja e mundësisë për koalicion me Vetëvendosjen ende nuk është trajtuar brenda partisë, por ka theksuar se Nisma ka shqetësimet e veta.

“Nuk e kemi trajtuar këtë çështje, por i kemi shqetësimet tona”, tha Krasniqi.

Sipas deputetes, shqetësim për Nismën mbetet mbajtja e pozitës së kryeparlamentarit nga Dimal Basha.

“Për neve nuk është i denjë që Dimal Basha me mbajt pozicionin e kryeparlamentarit, ai duhet të dorëhiqet dhe të ketë aty një emër tjetër”, tha ajo, raporton Front Online.

Kur u pyet nëse Nisma do ta votonte qeverinë Kurti 3, Krasniqi tha se në rast se Dimal Basha dorëhiqet dhe kërkon falje mund të ketë hapësirë për diskutim, por në situatën aktuale partia nuk është e gatshme ta mbështesë.

“Ne rast se Dimal Basha dorëhiqet dhe kërkon falje, mendoj se ka hapësirë me diskutu por në këtë situatën e njëjtë nuk mendoj se nisma është e gatshme me i dhanë votë”, deklaroi ajo.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se nuk pranon koalicion për formimin e Qeverisë.

Deputetja Time Kadrijaj ka konfirmuar se AAK nuk do ta votojë Qeverinë “Kurti 3’’.

Çejku: Humbja më e madhe në këto zgjedhje është Veriu, Kurti e la të pamenaxhuar

0

Ish-ambasadori Arben Çejku thotë se priste rezultat më të dobët për Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në zgjedhjet për kryetarët e komunave.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Çejku u shpreh se humbja më e madhe në këto zgjedhje, ishte veriu i Kosovës, të cilin sipas tij, Kurti e la të pamenaxhuar.

Çejku shtoi se pezullimi i dialogu me SHBA, nuk i garanton Kosovës vijueshmërinë e reformave.

“Përballë reagimeve amerikane, prisja që do të kishte rezultat më të dobët zgjedhor. Mendoja se elektorati i Kosovës do i lexonte këto mesazhe. Mesa duket, elektorati kryesisht në zonat rurale, nuk është i vëmendshëm. Humbja e tij më e madhe është veriu. Është investuar katër vite, e ka lënë veriun e pamenaxhuar. Nuk ka pasur akses të mirëfilltë për ta menxhuar veriun. shtë tjetër gjë të Ka ndodhur që pas 4 vitesh, të njëjtët aktorë rikthehen dhe do t’i vënë barrierat e tyre. Në stadium, ju i dëgjuat thirrje për Kosovën dhe goli i Manajt, nuk kishin përgjigje më të madhe. Zoti Kurti nuk ka rritur t’i japë përgjigje këtij niveli. Ai po lexon edhe sjelljen e Vuçiçit, sesi mbahet në pushtet. Nuk është rastësi kjo. Si ka mundësi, ka ardhur Kosova në momentin që kreu i qeverisë refuzohet nga SHBA? Kjo nuk i garanton Kosovës vijueshmëri të reformave, njohjes dhe të afrimit me SHBA? Problemi është, cili është dialogu Kosovë-SHBA, që është ndaluar. Problemi është, në raport me ato që kanë investuar për shtetin e Kosovës”, theksoi ai.

Osmani: NATO nuk është vetëm forcë, por simbol i paqes dhe shpresës

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar në Lubjanë Çmimin “Women for Peace and Security” nga Asambleja Parlamentare e NATO-s.

Në fjalimin e saj, ajo e cilësoi këtë çmim si një nder të veçantë, të cilin e pranoi në emër të popullit të Kosovës dhe sidomos të grave të vendit që, siç tha ajo, “kanë udhëhequr rezistencën paqësore, kanë luftuar për liri dhe kanë ndërtuar paqen”.

Në fjalimin e saj para delegatëve të Asamblesë, presidentja Osmani theksoi se ky çmim ka një domethënie të veçantë, sepse “rruga e Kosovës drejt lirisë dhe paqes është ndërtuar bashkërisht nga burrat dhe gratë e saj”.

Ajo përkujtoi kontributin e grave të Kosovës gjatë periudhës së rezistencës paqësore, gjatë luftës dhe në ndërtimin e institucioneve të pasluftës, duke theksuar se “gratë e Kosovës udhëhoqën rezistencën, luftuan për liri, ndezën qirinjtë e paqes dhe frymuan jetë në institucionet e reja me dhembshuri, vendosmëri dhe guxim”.

“E pranoj këtë çmim në emër të grave të Kosovës, nënave dhe bijave që ende presin drejtësi për të dashurit e tyre, dhe të vajzave të reja që udhëheqin me vizion për një Kosovë ku barazia nuk është ëndërr e largët, por përpjekje e përditshme,” tha Osmani.

Në fjalimin e saj, presidentja kujtoi momentin kur aeroplanët e parë të NATO-s fluturonin mbi qytetet e Kosovës, duke e përshkruar atë si “tingullin e shpresës që po kthehej”, dhe si simbolin më të fuqishëm të paqes. “Atëherë mësuam një të vërtetë që do të na përcaktojë gjithmonë: edhe kombet e vogla mund të mbajnë të vërtetat më të mëdha të botës, se liria nuk njeh madhësi, dhe guximi nuk ka gjini”, u shpreh ajo.

Osmani shprehu mirënjohje të thellë për rolin vendimtar të NATO-s në çlirimin dhe ruajtjen e paqes në Kosovë, duke theksuar se “NATO nuk është thjesht një fortesë force, por një simbol i paqes, një forcë për të mirë dhe një shembull i gjallë i asaj që kombet mund të arrijnë kur bashkohen në mbrojtje të vlerave”.

Ajo theksoi gjithashtu përparimin e Kosovës në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe sigurisë, duke nënvizuar se vendi renditet ndër më të sigurtat në Evropë dhe botë. “Ky është rezultati i vlerave që kemi zgjedhur, lirisë, demokracisë dhe drejtësisë”, tha Presidentja.

Në pjesën qendrore të fjalimit, Osmani theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave në vendimmarrje:

“Paqja pa gratë është e paplotë, siguria pa gratë në tryezë është e paqëndrueshme dhe demokracia pa gratë është një punë e papërfunduar”.

Ajo rikujtoi se Kosova e ka vendosur Agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria” në zemër të zhvillimit kombëtar, jo si politikë të rastësishme, por si “bindje ndërgjegjeje”. Presidentja përmendi Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që mbahet çdo vit në Prishtinë, si dhe themelimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, e vetmja e këtij lloji në Evropë, e cila funksionon nën patronazhin e Presidencës.

“Kjo qendër lidh organizatat e drejtuara nga gratë me partnerë ndërkombëtarë për të forcuar përfshirjen dhe për të amplifikuar zërat e tyre në ndërtimin e paqes,” tha Osmani.

Presidentja u ndal edhe te sfidat e mbetura, duke theksuar se dhuna me bazë gjinore, diskriminimi dhe pabarazia vazhdojnë të prekin shoqëritë në mbarë botën. “Kundër këtij realiteti duhet të veprojmë së bashku, gra e burra, me përkushtim të palëkundur për drejtësi,” tha ajo, duke theksuar rëndësinë e fuqizimit ekonomik, arsimor dhe politik të grave.

Në vijim, presidentja Osmani solli mesazhin se historia e Kosovës është mishërim i agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria”, pasi gratë kanë qenë thelbësore në çdo fazë të historisë, nga lufta e deri te ndërtimi i institucioneve. Ajo theksoi se guximi i grave të mbijetuara të luftës është “ndërgjegjja e kombit tonë” dhe se si Presidente, ka bërë mision të saj që gratë të kenë vend në çdo tryezë vendimmarrjeje.

Në fund të fjalimit, Osmani theksoi se historia e Kosovës është një mesazh për botën: “Paqja nuk është e përhershme nëse nuk ndahet. Dhe historia na mëson: mos i qetësoni diktatorët, mos i lejoni autokratët të forcohen, sepse çdo herë që tolerohen, viktima janë të pafajshmit – sidomos gratë dhe fëmijët”.

Ajo bëri thirrje për unitet të demokracive përballë agresionit dhe dezinformimit, duke thënë se “aleancat e ndërtuara mbi vlera mund të shpëtojnë jetë” dhe se “bashkimi i kombeve të lira është gjithmonë më i fortë se aleancat e diktatorëve”.

“Kur gratë dhe burrat udhëheqin krah për krah, kombet janë më të forta. Kur kombet bashkohen, paqja zgjat. Kur paqja zgjat, njerëzimi triumfon”, tha në mbyllje presidentja e Kosovës, duke falënderuar Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe aleatët që vazhdojnë të mbështesin Kosovën drejt anëtarësimit të plotë në familjen euroatlantike.

“Ky çmim do të qëndrojë në Zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës, por çdo ditë do të frymëzojë një popull të tërë,”, përfundoi Osmani, duke shtuar se synimi i përbashkët duhet të jetë “një shekull i drejtësisë, shpresës dhe barazisë, ku liria nuk ka kufij dhe guximi nuk ka gjini”.

BE-ja kërkon veprim të shpejtë: Certifikoni rezultatet e raundit të parë

0

Bashkimi Evropian (BE) mirëpret zhvillimin paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës të raundit të parë të zgjedhjeve lokale.

Një zëdhënës i BE-së ka nënvizuar se institucionet me seli në Bruksel, mirëpresin pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në votime, si dhe një mbulim mediatik të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës që, siç thuhet, kontribuon në një proces zgjedhor transparent.

“Për ato komuna ku kryetarët e komunave u zgjodhën në raundin e parë, ne bëjmë thirrje për certifikim dhe zbatim të shpejtë të rezultateve të zgjedhjeve përmes një tranzicioni të rregullt të qeverisjes lokale. Për komunat e tjera, ku do të mbahen zgjedhjet e balotazhit për kryetar bashkie, ne bëjmë thirrje për një zhvillim po aq paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës më 9 nëntor”, ka porositur zëdhënësi i Bashkimit Evropian.