spot_img
E premte, 19 Dhjetor, 2025
23:25
Home Blog Page 230

Osmani: E nderuar të jem e ftuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është e nderuar të jetë e ftuar në Asamblenë Parlamentare e NATO-s, që po mbahet në Slloveni.

Osmani ka publikuar një video në “Facebook”, ku shihet edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Ndryshe, Sllovenia pret Sesionin e 71-të Vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Kryeqyteti i Sllovenisë, Lubjanë, do të mirëpresë Sesionin e 71-të Vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, një ngjarje e rëndësishme ndërkombëtare që mbledh parlamentarë nga vendet anëtare të Aleancës, si dhe përfaqësues të partnerëve të saj.

Rrëfimi emocionues i Endritit, djalit të Hashim Thaçit

0

Djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Endriti, ka ndarë disa momente personale nga vizitat në Hagë, ku po mbahet babai i tij.

Ai tregoi se familja e viziton Thaçin çdo muaj, pasi kanë të lejuara deri në tri vizita mujore.

Endriti ndau edhe copëza nga bisedat me të atin, duke dhënë një pasqyrë njerëzore përtej zhvillimeve politike dhe gjyqësore.

“Diskutojmë për tema të ndryshme, për aktivitetet e tij ditore, për librat që lexon. Momenti më i vështirë është kur mbaron takimi, dhe ne duhet ta lëmë brenda. Dhimbje tepër e madhe”, u shpreh ai në një bisedë gjatë podkastit me Grida Dumën.

Më tej, ai u shpreh me fat që është djali i Hashim Thaçit.

“Jam me fat dhe jam shumë i lumtur që jam djali i tij, jam djali i një çlirimtari që fitoi luftën ndaj Serbisë, djali i një arkitekti që e ka bërë pavarësinë e Kosovës me shokët e tij, përgjegjësi e madhe, por krenaria dhe lumturia është në qiell”.

“Nuk e kam menduar që në moshë të re duhet të jem kryefamiljar. Kam qenë 21 vjeç kur babai ka shkuar në Hagë, përgjegjësia ra mbi mua. Sa herë që shkoi atje, ai më thotë që të kujdesem për mamin, gjyshen…”.

Endriti po ashtu tha se çdo ditë e mendon kthimin e tij në Kosovë.

“Çdo ditë. Sa herë që fle dhe zgjohem. Një hero që kthehet në tokën e tij”, tha ai mes tjerash.

Ismaili falënderon qytetarët: E ndërtuam një fushatë me respekt dhe dashuri për Prishtinën

0

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, pas përfundimit të zgjedhjeve të 12 tetorit, përmes një videoje u është drejtuar qytetarëve, aktivistëve dhe mbështetësve të tij.

“Ju falenderoj të gjithëve prej zemrës për dashurinë, besimin, mbështetjen dhe angazhimin tuaj gjatë kësaj fushate. Ju keni qenë frymëzimi im më i madh – faleminderit për gjithçka,” tha Ismaili.

Ai theksoi se fushata e tij ka qenë ndryshe nga të tjerat, e ndërtuar me respekt, me vlera dhe me dashuri të madhe për Prishtinën.

“Edhe pse jemi rritur gjithandej dhe jemi partia e dytë në Asamble, ky nuk është rezultati për të cilin kemi shpresuar, por prapë jam shumë krenar për punën ekipore dhe frymën pozitive që kemi përfaqësuar në qytet. Faleminderit të gjithëve nga zemra. Shihemi në Prishtinë,” përfundoi ai.

Lidhja për Prishtinën thotë se kanë fituar 4 ulëse në kuvendin komunal të Prishtinës

0

Lidhja për Prishtinën ka fituar katër ulëse në kuvendin komunal të Prishtinës. Kështu tha shefi i shtabit të kësaj partie, Granit Begolli.

“Shumëkush ka thënë se është e pamundur të themelohet Lidhja e Prishtinës dhe të garohet me sukses në kaq pak kohë. Por ja që bashkë ia dolëm! Në zgjedhjet e 12 tetorit, Lidhja e Prishtinës fitoi 4 ulëse në Kuvendin Komunal të Prishtinës, një arritje e jashtëzakonshme për një lëvizje të re qytetare që u ngrit nga dashuria për qytetin tonë. Na priftë e mbara për rrugëtimin që na pret!”, ka shkruar ai.

Kurti cakton datën kur do ta prezantoj qeverinë e re

0

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se gjatë kësaj jave do t’i nisë bisedimet për formimin e qeverisë Kurti 3.

“Dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca ku unë mund ta prezantoj kabinetin qeveritar është 26 tetori, këto ditë jemi të përqendruar në analizën e zgjedhjeve lokale, por shumë shpejt, qysh këtë javë do të fillojmë edhe bisedat për qeverinë qendrore, sepse Kosovës i duhet edhe një mandat i qeverisë sonë. Neve na duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit…Duhet të kemi një mandat të rregullt i cili padyshim që do të fillojë posa ta nxjerrim në seancë Kuvendi përbërjen e re të qeverisë Kurti 3”, tha Kurti në konferencë për media.

Ai tha se nuk e presin 26 tetorin për ta formuar qeverinë.

“Unë tregova se kur është afati i fundit, kjo nuk d.m.th. që seanca për qeverinë e re do të jetë më 26 tetori, por 26 tetori është dita e fundit që mund të mbahet ajo. Në momentin që ne konsiderojmë që komunikimi dhe bisedat kanë rezultuar të suksesshme ne pa vonesë, nuk presim 26 tetorin, por 26 tetori është afati i fundit”, tha ai.

I pyetur në konferencën për media për se me kë prej partnerëve preferon ta formoj qeverinë e re, ai hezitoi të përgjigjet, duke thënë se duhet t’i lihet kohë komunikimeve dhe bisedave që do të zhvillohen.

Lista Serbe pranon ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhje

0

Lista Serbe ka pranuar haptazi se shteti i Serbisë ka pasur rol vendimtar në zgjedhjet lokale të mbajtura në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Kryetari i saj, Zlatan Elek, ka deklaruar publikisht se “fitorja” e partisë që ai udhëheq është rezultat i mbështetjes së Serbisë.

“Faleminderit presidentit Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe Zyrës për Kosovë. Kjo është fitore e Serbisë në Kosovë”, deklaroi Elek, duke lënë të kuptohet qartë ndërhyrja e Beogradit në proceset zgjedhore në Kosovë.

 

Kurti do hetime për exit poll-et pas zgjedhjeve, Kusari: E frikshme…

0

Juristja e medias, Flutura Kusari, i ka ftuar organet e ndjekjes që “të qëndrojnë sa më larg idesë së hetimit të raportimeve dhe kompanive që bëjnë exit polls” pasi kryeministri në detyrë, kryetari i LVV-së, Albin Kurti i ftoi ato që ta bëjnë këtë.

“Kryeministri Kurti i paska ftuar organet e drejtësisë që të hetojnë raportimet (exit polls por indirekt i ka përfshirë edhe mediat) për rezultatet e zgjedhjeve dhe paska vendosë që ka qenë ndërhyrje në procesin zgjedhor. Kjo është e pasaktë. Procesi zgjedhor ka qenë i përfunduar kur janë publiku exit polls. Unë i ftoj organet e ndjekjes me qëndru sa më larg, sa më larg, idesë së hetimit të raportimeve dhe kompanive që bëjnë exit polls”, shkroi ajo.

Kusari tha se ia merr mendja që “KPM-ja është duke i fërku duart dhe duke e shiku mundësinë me u përzi meqë Kurti ka bërë thirrje”.

“Edhe organet e ndjekjes edhe KPM-ja duhet të qëndrojnë larg kësaj teme dhe asnjë hetim nuk duhet të hapet”, shkroi ajo.

“Exit pollat ia kanë huqë por ato duhet me pagu me kredibilitet ashtu siç duhet me pagu me kredibilitet moderatorët e emisioneve që na kanë ofru informacione të pasakta, sidomos nëse i angazhojnë përsëri të njëjtat kompani”, shtoi Kusari.

Ajo shkroi se “mendësia e Albin Kurtit, VV-së dhe e njerëzve rreth tij që me e përdorë ligjin penal me i ndëshku këdo që thotë diçka që atij nuk i pëlqen është e frikshme por sigurisht që do të jetë e pasuksesshme”.

“Qytetarët kampionë zgjodhën kryetarin kampion!”

0

Reagimi i Ramiz Lladrovcit pas fitores: “Qytetarët kampionë zgjodhën kryetarin kampion”

Drenas, 13 Tetor 2025 – Pas një fushate të ashpër dhe një rezultati që theu parashikimet e shumë analistëve, Ramiz Lladrovci ka reaguar publikisht duke falënderuar qytetarët e Drenasit për mbështetjen dhe besimin që ia dhanë për një tjetër mandat si kryetar komune.

Në një mesazh të shpërndarë në rrjete sociale, Lladrovci e quajti veten “kryetarin kampion”, duke theksuar se fitorja ishte rezultat i besimit të ndërsjellë mes tij dhe qytetarëve të cilët ai i cilësoi si “kampionë”.

“Krenar me juve qytetarë të Drenasit – qytetarë të zemrës së Kosovës! E di se e jetuat e përjetuat këtë fushatë ndoshta më rëndë se unë dhe familja ime, por, edhe ju edhe unë e kemi ditur se jemi në rrugën e drejtë, prandaj fituam,” u shpreh Lladrovci.

Ai vlerësoi lart qëndrueshmërinë dhe integritetin e elektoratit të Drenasit, duke nënvizuar se “fitorja nuk e befasoi qytetarin, por vetëm amatorët politikë.”

Në mesazhin e tij, Lladrovci përmendi edhe sfidat personale dhe politike që ka përjetuar gjatë fushatës, duke i përshkruar ato si të padrejta ndaj dikujt që ka kontribuar për lirinë e Kosovës. Megjithatë, ai tha se “qytetari e dinte drejtësinë e kësaj rruge, prandaj u fitua.”

Një nga pikat më të theksuara në reagimin e tij ishte referenca ndaj garës në komunën fqinje:

“Kemi marrë më shumë vota “Për Drenasin Kampion” se PDK në Skenderaj,” deklaroi ai, duke dhënë një mesazh të qartë politik për përmasat e fitores së tij.

Në përmbyllje, Lladrovci premtoi vazhdimin e qeverisjes transparente dhe llogaridhënëse, duke riafirmuar zotimin për zhvillim të mëtejshëm dhe respekt të ndërsjellë me qytetarët.

Parku i Besimit, destinacion unik i arkitekturës ndërkombëtare

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndau sot pamje nga projekti fitues për ndërtimin e Parkut të Besimit, i cili do të ndërtohet në Petrelë (Tiranë).

Ky park prej 120 mijë metrash katrorë është ideuar të ketë disa hapësira që do të përfaqësojnë besimet fetare të shqiptarëve, ku çdo fe do të ketë rrugën e saj, me elementë sipas shkrimeve të shenjta të çdo besimi, duke nisur që nga objektet e kultit, deri te bimët, që përmenden në librat e shenjtë. Parku i Besimit do të ndërtohet në kodrat e Petrelës, në një zonë që dikur shërbente si kazermë ushtarake.

Projekti është realizuar nga studioja me famë botërore BIG (Bjarke Ingels Group), që u shpall fitues të dielën pas një gare ku morën pjesë dymbëdhjetë kompani ndërkombëtare.

Kryeministri Rama, në postimin e tij në rrjetet sociale, thekson se ky projekt i shton vendit tonë një tjetër destinacion unik të arkitekturës ndërkombëtare dhe jo vetëm.

Në finale për projektin u zgjodhën dymbëdhjetë studio arkitekturore ndërkombëtare nga Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda dhe Italia. Nga dymbëdhjetë kompanitë finaliste, u përzgjodhën pesë dhe në fund, juria zgjodhi fituese kompaninë daneze “Bjarke Ingels Group”.

Kryeministri, i pranishëm në ceremoninë e zhvilluar për shpalljen e fituesit, tha se procesi ka qenë ndër më kompleksët, më emocionalët dhe më të ndërlikuarit.

Kryeministri theksoi dëshirën për të realizuar më shumë parqe të ngjashme në të ardhmen dhe vlerësoi lart kontributin e të gjithë konkurrentëve.

Parku i Besimit, i konceptuar si një hapësirë simbolike e bashkëjetesës fetare dhe harmonisë kulturore, pritet të jetë një vepër ikonike që do të pasurojë peizazhin dhe identitetin shpirtëror të vendit. Projekti është vlerësuar për qasjen e tij gjithëpërfshirëse, inovative dhe për mënyrën si i jep jetë bashkëjetesës midis natyrës, njeriut dhe besimeve.

Parku i Besimit pritet të kthehet në një nga pikat më të rëndësishme të promovimit të bashkëjetesës dhe diversitetit në Shqipëri, duke pasqyruar vlerat unike të tolerancës ndërfetare që e karakterizojnë vendin tonë.

Presidentja e KE-së nis turin ballkanik, arrin në Tiranë

0

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen mbërriti në Tiranë mëngjesin e sotëm, ku u prit në aeroport nga ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Më pas, presidentja e Komisionit Evropian është drejtuar drejt Presidencës ku është takuar me Presidentin Bajram Begaj.

Pas takimit me kreun e shtetit, diplomatja evropiane është mirëpritur me një ceremoni mirëseardhje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Pas ceremonisë, kreu i qeverisë dhe presidentja e KE-së po zhvillojnë një takim kokë më kokë në ambientet e Kryeministrisë, për të vijuar me një takim bilateral mes delegacioneve të të dyja palëve.

Në orën 11:15, kryeministri Edi Rama dhe presidentja Ursula von der Leyen do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp në Kryeministri, ku pritet të japin detaje rreth temave të diskutuara.

Pasditen e kësaj të hëne, Von der Leyen do të mbajë një fjalim në Konferencën Rajonale të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, përpara se të udhëtojë për në Tivat të Malit të Zi, më pas në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut.

Vizita e Presidentes së KE-së vjen në një moment kyç për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, sa i përket hapjes së grupkapitujve me Bashkimin Evropian.

Muajin e kaluar, në Bruksel në Konferencën e 6-të ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, (16 shtator) Shqipëria çeli 4 kapituj të grupkapitullit “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, duke e çuar në 24 numrin e grupkapitujve të hapur brenda 11 muajsh.