spot_img
E martë, 23 Dhjetor, 2025
06:18
Home Blog Page 248

Një fëmijë goditet nga vetura në kryeqytet

0

Një aksident trafiku ka ndodhur në rrugën “UÇK” në Prishtinë.

Zëdhënësi i policisë rajonale për Prishtinë Enis Pllana, ka konfirmuar se në aksident janë përfshirë një veturë dhe një këmbësor.

“Sot rreth orës 16:00 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku me lëndime në rrugën UÇK në Prishtinë. Si pasojë lëndime ka pësuar një person, i cili ka pranuar tretman mjekësor”, ka thënë Pllana.

Sylvinho zgjedh formatin 4-3-3 kundër Serbisë

0

Shqipëria dhe Serbia do të luajnë sonte në Leskovc, aty ku kuqezinjtë do të kenë shansin e fundit për një vend në “Play Off” të Botërorit 2026.

Sipas mediave, Sylvinho i ka besuar formatit 4-3-3.

Në portë do të jetë Strakosha. Mbrojtja do të përbëhet nga Hysaj, ajeti, Gjimshiti dhe Mitaj. Në mesfushë është treshja Asllani, Laçi dhe Shehu. Ndryshimi i vetëm vjen nga krahu i majtë i sulmit, aty ku nuk do të jetë as Bajrami dhe as Hoxha, por Myrto Uzuni, ndërsa krahu i djathtë i është besuar Brojës. Në majën e sulmit do të jetë sërish Manaj.

Ndërkohë edhe Serbia ka publikuar 11-shen e saj me rreshtimin 3-5-2.

Sfida do të startojë në orën 20:45.

Ben Blushi tregon si u tmerruan botuesit nga romani i tij i ri

0

Shkrimtari dhe publicisti i njohur, Ben Blushi, ka ndarë një histori interesante lidhur me romanin e tij më të ri, që siç shprehet në një postim në rrjetet sociale, pritet të botohet në fillim të muajit nëntor.

Duke u ndodhur në shtypshkronjë për të korrektuar variantin përfundimtar të dorëshkrimit, Blushi tregon për një eksperiencë befasuese që ka kaluar me disa shkrimtarë dhe botues, të cilët e kanë lexuar dhe kanë dhënë reagime të ndryshme.

Një shkrimtar, i pari që ka patur në dorë tekstin, Blushi thotë se “e cilësoi romanin si një vepër që do të ndajë letërsinë shqipe në dy periudha, para dhe pas tij”. Tjetri, më entuziast, i sugjeroi autorit “ta botojë patjetër dhe me çdo sakrificë”.

Por një botuese e ka parë me skepticizëm dhe përgjigjja e saj për autorin ka qenë se nuk mund ta botojë romanin, pasi, sipas saj, “ai lart” nuk do e lejonte. Në fillim, shkruan Blushi, mendoi se bëhej fjalë për një pengesë të natyrës religjioze, por më vonë – siç shprehet, kuptoi se “ai lart” ishte burri i botueses. Një tjetër botues e lexoi romanin deri në mes dhe, i tmerruar, nuk mundi ta vazhdonte. Kurse një botues i tretë, pa hezitim, u shpreh: “Nuk kam frikë. Jam ateist”.

Pas kësaj “përballje” të panatyrshme, Blushi thekson se ka vendosur të zgjedhë botuesin e tretë… Por jo vetëm kaq, ai lë hapur mundësinë për një botues të katërt, pa treguar ende se çfarë shkruhet në vepër.

Autori ka mbajtur mister përmbajtjen e plotë të romanit të ri. Një subjekt që duket se do të ngjallë reagime të forta, kur ai të promovohet dhe zërë vend në stendat e Panairit të Librit muajin e ardhshëm apo libraritë e kryeqytetit dhe jo vetëm.

Shënimi i Blushit në Facebook:

NJË HISTORI E SHKURTËR E ROMANIT TIM TË RI

Isha në shtypshkronjë për të korrektuar variantin përfundimtar të romanit tim të ri që del në fillim të muajit nëntor.

Është herët për të treguar më shumë për përmbajtjen, por për të qetësuar dyshimet e mia ia dhashë dorëshkrimin dy shkrimtarëve dhe tre botuesve.

Shkrimtari i parë tha se ky roman e ndan letërsinë shqipe në dy pjesë: para dhe pas tij.

Shkrimtari i dytë tha duhet ta botosh patjetër dhe me cdo sakrificë.

Botuesja e parë më tha nuk e botoj dot sepse nuk më lë ai lart.

Në fillim mendova se ai lart ishte Zoti, por më vonë mora vesh se ishte burri i saj.

Botuesja e dytë e lexoi deri në mes dhe u tmerrua aq shumë sa nuk lexoi dot gjysmën tjetër.

Botuesi i tretë më tha nuk kam frikë. Jam ateist.

Zgjodha të tretin.

Nuk e di a do më duhet një i katërt.

A do të arrijë Kurti t’i sigurojë 61 vota për Qeverinë e re?

0

Pas konstatimit të djeshëm se seanca e Kuvendit të Kosovës është konstituar me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetari i pestë, sot Lëvizja Vetëvendosje (LVV) menjëherë ka dërguar tek presidentja e Republikës së Kosovës, emrin e Albin Kurtit si mandatar për krijimin e Qeverisë së re.

Sipas Kushtetutës, Kurti tashmë ka në dispozicion vetëm 15 ditë për të krijuar shumicën e thjeshtë prej 61 votash për formimin e institucioneve të reja.

Megjithatë, aktualisht partia që drejton kryeministri në detyrë, ende s’ka asnjë marrëveshje për koalicion me ndonjë prej partive politike, gjë që do t’i siguronte votat e mjaftueshme për bërjen e Qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit ka zvarritur për muaj të tërë procesin e zgjedhjes së kryeparlamentarit në mungesë të numrave për zgjedhjen e tij.

Pas zgjedhjeve të shkurtit, Kurti ka zhvilluar takime me pakicat jo-serbe, përkrahjen e të cilëve e ka, ndërkohë bisedime ka pasur edhe me kreun e NISMA-s, Fatmir Limaj.

Pavarësisht takimeve me Limajn, nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret për ndonjë marrëveshje për bashkëqeverisje, meqë Limaj kërkonte garanci nga Kurti që i ka 61 votat për krijimin e Qeverisë së re, në këmbim të votave të NISMA-s për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Ndërkohë nga Lidhja Demokratike e Kosovës në vazhdimësi kanë refuzuar ftesat e Kurtit për takime rreth krijimit të Qeverisë së re, derisa nga LVV thonë se s’duan institucione të reja që dalin nga një bashkëpunim me PDK-në.

Kurti në Kuvend i ka 56 deputetë, përfshirë Nenad Rashiqin dhe ata të komuniteteve jo-serbe, që janë të pamjaftueshme për votimin e Qeverisë së re, për të cilën kërkohen plotë 61.

Ndonëse s’kanë koalicion me asnjë parti, nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë gjithë kohës thonë se i kanë votat për krijimin e Qeverisë së re.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka shkruar sot se “Qeveria Kurti 3 po vjen”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot pasi ka dekretuar Kurtin për krijimin e Qeverisë së re, ka thënë se pret që një gjë e tillë të bëhet shpejt dhe që institucionet e reja të punojnë për të mirën e qytetarëve.

“Sot, në përputhje me kompetencat kushtetuese, kam mandatuar Kryeministrin në detyrë, z. Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.Uroj që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues, ku do të merren vendime për të mirën e vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani.

Azemi: Mbi 350 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova gjatë 5 viteve të fundit

0

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se numri i qytetarëve të larguar nga Kosova është shumë më i lartë se shifrat zyrtare.

Sipas tij, 350 mijë qytetarë kanë ikur nga Kosova gjatë pesë viteve të fundit.

“Kjo shifër është mbi 350 mijë por 200 mijë janë njerëz të cilët kanë gjetur vende pune kryesisht në Gjermani. Shpeshherë kur i japim disa shifra për udhëheqësit e shtetit, ne po i fryjmë këto shifra. Pjesa dërrmuese e këtyre ikjeve kanë qenë punëtorët të sektorit privat, por edhe në publik”, thotë Azemi.

Sipas tij, paga mesatare nuk mjafton për një jetë dinjitoze.

Ai thotë se mungesa e sigurisë në punë dhe perspektivës ka shtyrë mijëra qytetarë të kërkojnë të ardhme jashtë vendit.“A ka mundësi të më tregoj dikush se a mund të bëjë bazë jetese dikush me këto paga që po merren sot dhe a mund të mbijetoj dikush me 600 euro pagën mesatare. Punëtorët kanë pritë që do të bëhet më mirë por e kanë kuptuar që nuk ka paga të mira, as siguri në punë, as sigurime. As nuk ka pas dhe as nuk ka perspektivë me jetu në Kosovë”, ka deklaruar ai për Front Online.

AIP u bën thirrje partive: Respektoni privatësinë e qytetarëve gjatë zgjedhjeve

0

Një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka përsëritur  thirrjen për partitë dhe subjektet politike për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë zgjedhjeve.

Për të siguruar integritetin zgjedhor, respektimin e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, kjo agjenci ka disa kërkesa për partitë:

  • sigurojnë që çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet mbi bazën ligjore të përpunimit, si- pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj;
  • mos përdoren të dhënat kontaktuese të qytetarëve të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo në forma të tjera për qëllime të marketingut politik;
  • mos ekspozojnë të dhënat personale gjatë komunikimit përmes postës elektronike (e-mail), mesazheve (SMS) apo thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak;
  • respektojnë të drejtën e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përdorimin e të dhënave të tyre për marketing të drejtpërdrejt dhe të ndërpresin menjëherë komunikimin pas paraqitjes së kundërshtimit;
  • shmangin çdo formë të profilizimit apo përpunimit masiv të dhënave të ndjeshme, përveç rasteve kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe janë ndërmarrë masa mbrojtëse përkatëse, përfshirë vlerësimin paraprak të ndikimit mbi të dhënat personale kur është e nevojshme;
  • sigurojnë transparencë të plotë ndaj qytetarëve për mënyrën e përpunimit të të dhënave, duke publikuar politika te qarta të privatësisë në mënyrë të thjeshtë dhe të qasshme.

Agjencia ofron bashkëpunim me Partitë dhe Subjektet Politike për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe ju bën thirrje Partive dhe Subjekteve Politike që gjatë mbajtjes së zgjedhjeve lokale, të dhënat personale të qytetarëve mbrohen dhe ruhen në përputhje me kërkesat ligjore.

Kurti emëron pasuesin e Rashiqit në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim

0

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Nenad Vukmiroviqin ushtrues të detyrës së ministrit për Komunitete dhe Kthim.

Vukmiroviq, i cili deri tani ka shërbyer si zëvendësministër në këtë dikaster, zëvendëson Nenad Rashiqin, pas zgjedhjes në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës.

“I lindur në Mitrovicën e veriut në prill të vitit 1979, Vukmiroviq është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës dhe informatikës. Ai ka përfunduar arsimin fillor dhe të mesëm në qytetin e lindjes dhe më herët ka ushtruar detyrën e drejtorit të Arsimit në Komunën e Mitrovicës së Veriut”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë.

“Kurti e ka uruar Vukmiroviqin për përgjegjësinë e re dhe i ka dëshiruar suksese në përmbushjen e detyrave të tij në krye të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim”, thuhet në njoftimin e ZKM.

Hapat institucionalë drejt formimit të Qeverisë së Kosovës

0

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës të premten i ka hapur rrugë fillimit të procedurave për formimin e Qeverisë së re. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të shtunën mandatoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë të re, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Monitorues të punës së Kuvendit thonë se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt, derisa sqarojnë për KosovaPress, në detaje procedurat dhe afatet ligjore për formimin e ekzekutivit të ri.

Analistë politikë kanë mëdyshje se Kurti i ka numrat për formimin e qeverisë së re, derisa paralajmërojnë shkuarjen në zgjedhje të reja.

Seanca konstituive e Kuvendit ka nisur më 15 prill dhe rreth gjashtë muaj më vonë, më 10 tetor, u kompletua Kryesia pas zgjedhjes edhe të nënkryetarit nga komuniteti serb, duke konstituar legjislaturën e nëntë.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, thotë për KosovaPress, se pas konstituimit të Kuvendit, tash “topi” është te presidentja Vjosa Osmani, e cila duhet ta caktojë mandatarin për formimin e qeverisë.

Sipas tij, pasi LVV-ja si partia e parë ta marrë mandatarin, i ka kohë 15 ditë për formimin e qeverisë së re.

Nëse kjo nuk ndodh, ai shton se duhet të kalohet në raundin e dytë, ku presidentja duhet të mandatojë dikë tjetër për kryeministër. Siç thekson Shala, nuk është e domosdoshme të jetë nga partia e parë në zgjedhje, por kushdo që e dëshmon se i ka 61 vota për formimin e qeverisë në Kuvend.

Në rastin e kundërt, nëse asnjëra palë s’ka vota për shumicë parlamentare, Shala deklaron se presidentja duhet ta shpërndajë Kuvendin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Zgjedhjet e reja të parakohshme sipas analistit politik, Albinot Maloku, janë vullnet i partive politike.

Duke u bazuar në krizën e deritanishme politike, Maloku ka mëdyshje nëse janë numrat për formimin e qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje ka pasur negociata të vazhdueshme për koalicion qeveritar me Nismën Socialdemokrate, e cila ka tre deputetë në Kuvend, për formimin e qeverisë, por pa arritur pajtueshmëri.

Ndërkaq, LVV-ja është refuzuar për koalicion nga LDK-ja.

Pas konstituimit të Kuvendit, anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se do të vazhdojnë komunikimet edhe me deputetë të tjerë për të parë nëse kanë vullnet për të qenë pjesë e qeverisjes.

Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar kryetarin e saj, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, për një tjetër mandat në krye të Qeverisë. Kurti është zgjedhur me votë unanime në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, të mbajtur në fillim të muajit shtator. /KP

Arrestohen shtatë persona në Shtedim të Podujevës

0

Podujevë, 11 tetor 2025 — Policia e Kosovës ka ndërmarrë sot një aksion të suksesshëm në fshatin Shtedim të Podujevës, ku janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme me substanca narkotike.

Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është zhvilluar rreth orës 12:00, nga njësitë e hetimeve të Stacionit Policor në Podujevë, në koordinim me prokurorin e shtetit.

Hetuesit kanë vepruar pas informacioneve operative, të cilat kanë çuar në identifikimin e një lokacioni në fshatin Shtedim, ku dyshohej se zhvillohej aktivitet i paligjshëm me lëndë narkotike.

“Gjatë kontrollit të realizuar në një shtëpi, policia ka arrestuar shtatë persona – shtetas të Republikës së Shqipërisë (pesë femra dhe dy meshkuj). Në vendngjarje është gjetur një sasi e konsiderueshme e substancave narkotike, si dhe aparaturë e përshtatur për tharjen e bimëve narkotike,” thuhet në raportin e policisë.

Në operacion kanë marrë pjesë edhe njësitë intervenuese, ndërsa pas arrestimit të personave të dyshuar, në vendngjarje janë ftuar zyrtarët nga njësiti antidrogë, të cilët, në koordinim me prokurorin e rastit, do të ndërmarrin veprimet e mëtejme hetimore.

Sipas Policisë, rasti po hetohet si “Prodhim dhe shitje e paautorizuar e substancave narkotike, psikotrope ose analoge”, ndërsa hetimet janë në vazhdim për të zbuluar nëse grupi i dyshuar ka lidhje me ndonjë rrjet më të gjerë trafikimi.

Policia e Kosovës gati me urdhrin operativ “Zgjedhjet Lokale 2025”

Prishtinë, 11 tetor 2025 — Policia e Kosovës ka finalizuar të gjitha përgatitjet operacionale për garantimin e sigurisë gjatë zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, përmes hartimit të urdhrit operativ “Zgjedhjet Lokale 2025”.

Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi i këtij urdhri është ofrimi i sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, duke angazhuar numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë nga njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës.

Plani operativ parashikon katër faza kryesore të zbatimit, duke përfshirë:
1️⃣ Fazën parazgjedhore – periudha përgatitore dhe vlerësuese;
2️⃣ Fazën e fushatës – sigurimi i rendit gjatë aktiviteteve zgjedhore;
3️⃣ Ditën e zgjedhjeve (dita Z) – angazhimi maksimal për garantimin e qetësisë publike dhe integritetit të procesit;
4️⃣ Fazën paszgjedhore – transporti nën përcjellje policore i materialit zgjedhor deri në përfundim të procesit.

Gjithashtu, Policia ka caktuar koordinatorë të veçantë për bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe institucionet e tjera relevante. Njëkohësisht është hartuar udhëzues zyrtar për detyrat dhe përgjegjësitë ligjore të policëve gjatë zgjedhjeve.

Në njoftim theksohet se objektivat kryesore të operacionit janë:

  • Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për qytetarët e Kosovës;

  • Sigurimi i Qendrave të Votimit, Këshillave Komunale të Zgjedhjeve dhe depove zgjedhore;

  • Transporti i sigurt i materialit zgjedhor nga dhe në destinacionet e përcaktuara;

  • Procedimi ligjor i çdo vepre penale që cenon të drejtën e votimit, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.

Policia e Kosovës ka bërë thirrje për bashkëpunim qytetar dhe politik, duke kërkuar që çdo informacion i dyshuar për parregullsi apo çështje sigurie të raportohen menjëherë në numrin 192, përmes adresës elektronike info@kosovopolice.com, apo në stacionet më të afërta policore.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit,”thuhet në njoftimin zyrtar.