spot_img
E martë, 23 Dhjetor, 2025
19:50
Home Blog Page 255

Kadrijaj: Për shkak të Kurtit jemi vendi me më pak perspektivë në Ballkan

0

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se Kosova është vend i izoluar dhe me më pak perspektivë evropiane nga gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për shkak të siç ka theksuar politikave të kryeministrit në detyrë Kurti.

Ajo tha për RTV21 se Kosova tashmë është vend i sanksionuar nga BE-ja dhe jo vetëm dhe se nuk e di se ku është bazuar qeveria në detyrë e cila ka thënë se Kosova asnjëherë më parë nuk ka përparuar më shumë në rrugëtimin e saj evropian sesa në qeverisjen Kurti.

“Ku po bazohen(zyrtarët qeveritar). Ne jemi vend i izoluar, i sanksionuar kemi sanksione edhe nga ShBA-ja. Një kryeministër që nuk është pritur në asnjë vend tjetër përpos Greqisë pra si ka pas dyert e hapura unë nuk e di për çfarë perspektive po flasin ne kemi ngelë, jemi vendi me pak i zhvilluar dhe më me pak perspektive edhe në Ballkanin Perëndimor. Madje më perspektivë ka Serbia sesa Kosova dhe krejt kjo për shkak të politikave të kryeministrit në detyrë Kurti”, tha Kadrijaj.

Hasani: Kuvendi nuk është i konstituuar, zgjedhja e Rashiqit fund e krye jokushtetuese

0

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituuar.

Përkundër faktit që kryeparlamentari Dimal Basha, në seancën e sotme, konstatoi konstituimin e legjislaturës së nëntë me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar nga komuniteti serb, Hasani thekson se procedura e zgjedhjes së Rashiqit për nënkryetar është “fund e krye, jokushtetuese”.

Ai deklaron se nëse rasti dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, ka bazë të fortë kushtetuese për kontestimin e zgjedhjes së sotme të Rashiq.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare thotë për KosovaPress, se edhe pse Rashiq është serb, nuk e përfaqëson komunitetin serb për qëllimet e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, nënkryetari serb duhet të propozohet nga partia që ka fituar shumicën e votave nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

Një gjë e tillë, sipas Hasanit, është e qartë si në Kushtetutë, ashtu edhe në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, ku siç thotë ai serbët e humbin këtë të drejtë vetëm nëse refuzojnë të propozojnë me shkrim deputetët nga radhët e partisë serbe që ka fituar shumicën e vendeve në Kuvend.

Sipas tij, përdorimi i mundësisë së shortit për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, bëhet vetëm atëherë kur nuk ka konsensus në mesin e komunitetit se kush nga deputetët e tyre duhet të propozohet.

Në lidhje me këtë, Hasani thotë se interpretimi që iu bë sot aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese “është bashibozukçe dhe çon, pa asnjë diskutim, drejt përjashtimit të serbëve lokalë nga shfrytëzimi i të drejtave të tyre kushtetuese.”

Intervista e plotë:

KP: A është konstituar Kuvendi i Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe rregulloren e Kuvendit?

Hasani: Jo. Sot Kuvendi nuk është konstituar. Rashiqi është serb, por nuk përfaqëson komunitetin serb për qëllimet e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Nënkryetari serb propozohet nga partia që ka fituar shumicën e votave nga radhët e deputetëve të komunitetit serb. Kushtetuta është e qartë, ndërsa aktgjykimi i fundit është edhe më i qartë: serbët e humbin këtë të drejtë vetëm nëse refuzojnë të propozojnë me shkrim deputetët nga radhët e partisë serbe që ka fituar shumicën e vendeve në Kuvendin e Kosovës.

KP: Si e keni parë procedurën e zgjedhjes së Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës?

Hasani: Procedura e zgjedhjes së zotit Rashiq sot është, fund e krye, jokushtetuese. E tillë ka qenë edhe kur ai është zgjedhur ministër. Nëse askush nuk e dërgon çështjen në Gjykatën Kushtetuese, zgjedhja e tij mbetet jokushtetuese, por kjo nuk pengon punën e Kuvendit. Nëse çështja e zgjedhjes së tij sot përfundon në Gjykatën Kushtetuese, është e vështirë që një zgjedhje e tillë të shpallet kushtetuese.

KP: A shihni hapësirë që konstituimi i Kuvendit sërish të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese?

Hasani: Po. Ka bazë të fortë kushtetuese për kontestimin e zgjedhjes së sotme të zotit Rashiq. Kjo zgjedhje ka qenë skandaloze, fund e krye jokushtetuese. Ky interpretim që sot iu bë aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është bashibozukçe dhe çon, pa asnjë diskutim, drejt përjashtimit të serbëve lokalë nga shfrytëzimi i të drejtave të tyre kushtetuese. Rezultati final i kësaj politike është federalizimi i Kosovës. Autonomia e Ohrit e vitit 2023, me këtë politikë, po shndërrohet në federalizim të plotë të Kosovës.

KP: Zotëri Hasani, në rastin konkret, nëntë deputetë nga komuniteti serb nuk morën votat për nënkryetar të Kuvendit në gjithsej 27 tentime, tri herë secili. Përkitazi me këtë, si do të duhej të veprohej si mjet debllokues për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb? Kryeparlamentari Basha, duke u bazuar sipas tij edhe në aktgjykimin e fundit të Kushtetueses, propozoi si mjet debllokues hedhjen në short, por meqenëse ishte vetëm një kandidat, ai propozoi drejtpërdrejt zotëri Rashiq?

Hasani: Interpretimi i tillë i Kushtetutës së Kosovës dhe i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese është, siç e thashë, bashibozukçe dhe ka për synim përjashtimin e qëllimshëm të serbëve lokalë nga shfrytëzimi i të drejtave të tyre kushtetuese dhe federalizimin e Kosovës, përkatësisht krijimin e Republikës së Tretë të Kosovës. Shorti hidhet vetëm atëherë kur nuk ka konsensus në mesin e komunitetit se kush nga deputetët e tyre duhet të propozohet. Lista Srpska, si përfaqësuese e serbëve të Kosovës, sot e ka zbatuar aktgjykimin dhe Kushtetutën e Kosovës me përpikëri. Dështimi i zgjedhjes së nënkryetarit serb nga kandidatët e propozuar nuk mund t’u atribuohet deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës. Gjykata Kushtetuese ka thënë qartë se deputetët kanë detyrim kushtetues të votojnë kandidatin e propozuar nga shumica serbe, njësoj siç kanë vepruar me Nenad Rashiqin, i cili, sidoqoftë, nuk është përfaqësues i serbëve të Kosovës. Deputetët nuk duhet të merren me cilësitë e kandidatit serb të propozuar, por me detyrimin e tyre kushtetues – pra, votimin e kandidatit që propozohet sipas urdhrit të aktgjykimit dhe dispozitave të Kushtetutës së Kosovës. Vetëm nëse deputetët serbë nuk propozojnë ndonjërin nga kandidatët që kanë fituar shumicën e votave të komunitetit serb, atëherë mund të vijë deri te humbja e të drejtës së tyre kushtetuese”, përfundon Hasani.

Operacion antidrogë në Gjilan: Arrestohet një person, sekuestrohen drogë, armë dhe para të gatshme

0

Gjilan, 10 tetor 2025 – Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të suksesshëm antidrogë në qytetin e Gjilanit, që ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të substancave narkotike dhe provave të tjera materiale.

Operacioni u realizua nga njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, pas grumbullimit të informacioneve dhe në koordinim me prokurorin kompetent. Gjatë kontrollit në shtëpinë e një të dyshuari, shtetas mashkull kosovar, policia ka gjetur dhe sekuestruar:

  • 23.6 gramë kokainë

  • 39 gramë marihuanë

  • 3 bimë të sapo mbjella të llojit Cannabis Sativa

  • 1 armë zjarri (pistoletë)

  • 2 peshore digjitale

  • 2 telefona mobil

  • 589.35 euro para të gatshme

Lidhur me rastin, Prokuroria ka iniciuar procedurë penale ndaj të dyshuarit për tre vepra penale:

  • Kultivim i bimëve narkotike (neni 272)

  • Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e substancave narkotike (neni 267)

  • Mbajtje e paautorizuar e armëve (neni 366)

Pas intervistimit në stacionin policor, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Donald Trump fiton simpati në Izrael dhe Palestinë pas ndërprerjes së përkohshme të konfliktit dyvjeçar

0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po përfiton rritje të ndjeshme të mbështetjes në mesin e qytetarëve izraelitë, por edhe tek pala palestineze, pas ndërmjetësimit që çoi në ndërprerjen e përkohshme të konfliktit të përgjakshëm dyvjeçar në rajon.

Konflikti, i cili ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima civile — përfshirë një numër të madh fëmijësh — është ndalur pas nismës së Trump për një marrëveshje të përkohshme armëpushimi, që sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, përbën një hap të rëndësishëm drejt uljes së tensioneve dhe mundësisë për bisedime të mëtejshme paqësore.

Ndërhyrja e Trump ka marrë jehonë të veçantë në Izrael, ku mediat vendase, përfshirë edhe gazetën prestigjioze The Jerusalem Post, i kanë kushtuar kopertina dhe artikuj mbështetës, përfshirë një ilustrim me siluetën e tij të formuar nga fytyrat e pengjeve të liruara.

Simpatia ndaj Trump po vërehet gjithashtu edhe në territoret palestineze, ku qytetarë të lodhur nga lufta e vazhdueshme shpresojnë që kjo ndërprerje e dhunës të çojë drejt një zgjidhjeje më të qëndrueshme.

Video/Fatmir Sheholli para Gjykatës

0

Fatmir Sheholli para Gjykatës – pritet vendimi për paraburgim nën dyshimet për spiunazh

Prishtinë, 10 tetor 2025 – Fatmir Sheholli, i arrestuar të enjten nën dyshimet për përfshirje në veprimtari spiunazhi, është paraqitur sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku pritet të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit, duke e konsideruar çështjen si një rast me ndjeshmëri të lartë për sigurinë kombëtare. Arrestimi i Shehollit është bërë në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), e cila sipas burimeve zyrtare, ka qenë e përfshirë aktivisht në hetimet paraprake.

Seanca dëgjimore pritet të nisë brenda ditës, ndërkohë që ky rast ka nxitur reagime të gjera në opinionin publik dhe ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme nga mediat.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur detaje të mëtejshme rreth natyrës së dyshimeve, por burime konfidenciale sugjerojnë se bëhet fjalë për kontakte të dyshimta me struktura të huaja.

Incident në lagjen “Kodra e Trimave”, dyshohet për të shtëna me armë zjarri

0

Dyshohet se në lagjen “Kodra e Trimave” gjatë ditës së premte ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Bazuar në pamjet e “Infokus Plus”, në vendin ku dyshohet për incident, ka dalë Policia e Kosovës dhe vendi është rrethuar.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka përgjigje nga ana e Policisë së Kosovës.

Çka tash pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës?

0

Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Procesi u shoqërua me dhjetëra vazhdime të seancave konstituive, disa vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe më shumë se një kandidaturë për postin e kryeparlamentarit.

Kryetari Dimal Basha dhe katër nënkryetarë u zgjodhën më 26 gusht, por konstituimi mbeti i paplotë, për shkak të mosvotimit të nënkryetarit nga komuniteti serb – një pozicion i përcaktuar me ligj.

Pas sqarimeve dhe kërkesave të bëra nga Gjykata Kushtetuese, të përfshira në aktgjykimin e publikuar më 8 tetor, Kuvendi u mblodh të premten dhe votoi Nenad Rashiqin për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, duke përmbyllur kështu zyrtarisht konstituimin e legjislaturës së re.

Rashiq, ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim dhe kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u propozua pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe dështuan të siguronin votat e nevojshme.

Ai mori 71 vota për, duke siguruar mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe disa deputetëve të komuniteteve joserbe.

Hapi i radhës është formimi i Qeverisë së re.

Presidentja Vjosa Osmani ka detyrë ligjore të emërojë partinë ose koalicionin fitues – në këtë rast koalicionin e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Lëvizjen Guxo dhe Alternativën, si mandatar për krijimin e Qeverisë.

“Kandidati për kryeministër, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”, thuhet në nenin 95 të Kushtetutës.

Kabineti i propozuar duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për t’u miratuar.

Me 48 ulëse të fituara në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta sigurojë shumicën e nevojshme pa një partner koalicioni.

Në rast se nuk arrin të mbledhë 61 vota, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh të ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.

Mandatari ka më pas 15 ditë të tjera kohë për të dorëzuar përbërjen e re të kabintetit qeveritar në Kuvend.

Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

Sa u përket koalicioneve, Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur preferencë për bashkëpunim me partitë e komuniteteve joserbe, të cilat kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvend.

Fillimisht, ajo ka përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me tri subjektet më të mëdha: Partinë Demokratike të Kosovës (24 ulëse), Lidhjen Demokratike të Kosovës (20 ulëse) dhe koalicionin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Nisma (8 ulëse).

Megjithatë, më vonë, Vetëvendosje dhe Nisma janë mbledhur disa herë për të diskutuar mundësitë e daljes nga bllokada institucionale – ndonëse pa rezultat.

Bedri Hamza, kandidati për kryeministër i PDK-së, ka deklaruar më 28 mars se nëse LVV-ja nuk mund ta krijojë Qeverinë brenda afateve ligjore, PDK-ja është e gatshme të marrë përgjegjësinë për formimin e saj.

Ai ka thënë se nuk ka “vija të kuqe” ndaj asnjë partie dhe është i hapur për bisedime.

LDK-ja dhe AAK-ja kanë përjashtuar koalicionin me LVV-në dhe kanë shprehur gatishmëri për të formuar një qeveri së bashku.

Me tre deputetët e saj, Nisma, në anën tjetër, ka thënë se mund të ndihmojë në sigurimin e shumicës së nevojshme prej 61 votash, bashkë me LVV-në dhe partitë e komuniteteve joshumicë.

Konstituimi i Kuvendit bëhet vetëm dy ditë para se Kosova të mbajë zgjedhjet lokale më 12 tetor. /REL

S’i dhanë Trumpit Nobelin për Paqe, Komiteti kthen përgjigje të fortë!

0

Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel ka vendosur t’i japë Çmimin Nobel për Paqen 2025 Maria Corina Machado-s për punën e saj në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për luftën e saj për të arritur një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci.

Çmimi iu nda asaj në mes të lobimit që u bë për presidentin amerikan, Donald Trump.

Duke iu përgjigjur pyetjes për përpjekjen lobuese të Trump për të fituar çmimin, kryetari i Komitetit të Nobelit, Jørgen Watne Frydnes, u shpreh se komiteti pranon mijëra letra çdo vit dhe e merr vendimin e tij në një sallë “të mbushur me guxim dhe integritet.”

Nuk e mori çmimin Nobel për Paqen, por duke zgjedhur Machadon, komiteti ka zgjedhur një figurë politike që e ka lavdëruar presidentin e SHBA-së, gjë që mund të zvogëlojë pasojat, shkruan The Guardian.

Në komentet publike, Machado e ka falënderuar Trumpin për “angazhimin e tij ndaj lirisë dhe demokracisë në Venezuelë”.

Ajo ishte gjithashtu në listën e “100 njerëzve më me ndikim” të revistës TIME të këtij viti. Justifikimi u dha nga askush tjetër përveç Marco Rubio, sekretari i shtetit i SHBA-së, i cili tha se ajo ishte “personifikimi i qëndrueshmërisë, këmbënguljes dhe patriotizmit”.

Nenad Rashiq, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës

0

Kuvendi Kosovës me mbi 70 vota pro, ka zgjedhur Nenad Rashiqin, për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb.

Zgjedhja e tij erdhi pasi Lista Serbe dështoi të marrë besimin e deputetëve për nëntë deputetët e saj të propozuar gjatë tri tentimeve për secilin.

Kjo shtyri, kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, i cili tha se nuk ka nevojë të hidhet shorti, pasi ka mbetur vetëm një kandidat për votim nga komuniteti serb, që në këtë rast ishte Nenad Rashiq.

Banorët e Gazës kthehen në skenat e shkatërrimit total

0

Banorët në qytetin verior dhe perëndimor të Gazës kanë mbetur të tronditur, nga shkatërrimet e papara pas javësh bombardimesh nga ushtria izraelite.

Për herë të parë pas disa javësh, palestinezët kanë hyrë në zonat Sheikh Radwan, al-Karama dhe Beach Camp, ku kanë gjetur blloqe të tëra banimi të rrafshuara, qindra shtëpi dhe pjesën më të madhe të infrastrukturës së zonës të shkatërruar.

Dhjetëra video që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë banorët duke ecur nëpër rrënoja dhe duke filmuar atë që ka mbetur nga lagjet e tyre.

“Kjo është zona e fundit që mund të arrijmë. Ushtria izraelite është ende afër. Shikoni shkallën e shkatërrimit, ata kanë shkatërruar gjithçka”, dëgjohet një banor duke shpjeguar pamjet e para.

Ndërsa disa banorë ishin duke filmuar rrënojat, të tjerë nxituan të ndihmonin ekipet e Mbrojtjes Civile të Hamasit në Gaza për të nxjerrë trupa poshtë rrënojave.

Zëdhënësi Mahmoud Basal i tha BBC-së se tetë trupa u nxorën nga Gaza veriore të premten në mëngjes, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet “me mjete shumë të kufizuara” në zona të tjera.

Skena të ngjashme u raportuan në shumë rrethe të braktisura nga forcat izraelite, të cilat kanë filluar të tërhiqen në linjat e dakordësuara sipas kuadrit të armëpushimit të negociuar në Sharm El-Sheikh midis Hamasit dhe Izraelit.

Rreth 700,000 persona të zhvendosur nga Qyteti i Gazës dhe veriu tani po presin me padurim që tërheqja të përfundojë, në mënyrë që të mund të kthehen në atë që ka mbetur nga shtëpitë e tyre.

Alaa Saleh, mësues që iku me gruan dhe gjashtë fëmijët e tij në Khan Younis tri javë më parë, tha se mezi pret të kthehet në veri sapo të hapet rruga bregdetare.

“Shtëpia ime u shkatërrua një vit më parë. Jetoja në një tendë mbi rrënojat dhe do të kthehem dhe do ta ngre përsëri tendën time. Ne thjesht duam të rindërtojmë. Jemi të lodhur duke jetuar në tenda që nuk na mbrojnë as nga vapa e verës dhe as nga i ftohti i dimrit”.

Nga ana tjetër, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka shprehur gatishmërinë që të ndihmoj “në kthimin e pengjeve dhe të paraburgosurve te familjet e tyre”.

Në një deklaratë, thuhet se ekipet e saj në Gaza, Izrael dhe Bregun Perëndimor, janë “gjithashtu të gatshme të ndihmojnë në kthimin e mbetjeve njerëzore në mënyrë që familjet të mund të vajtojnë të dashurit e tyre me dinjitet”.

“Ata do të sjellin ndihma në Gaza dhe do ta shpërndajnë atë. Ditët në vijim janë kritike. U bëj thirrje palëve t’u përmbahen angazhimeve të tyre”, shkruan presidentja Mirjana Spoljariç, duke thënë se marrëveshja “ofron një shans jetësor për të shpëtuar jetë dhe për të lehtësuar vuajtjet”.

KNKK-ja ka ndihmuar në lehtësimin e shkëmbimeve të mëparshme të pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit.

Ndërkaq Tom Fletcher, shef humanitar i OKB-së, tha se ka mbetur në “kontakt të ngushtë” me ekipet e OKB-së në Gaza, si dhe me civilët, të cilët të gjithë kanë “pritur dhe shpresuar gjatë” për këtë moment.

“Na duhet që armët të heshtin dhe duhet që armëpushimi të zbatohet”, tha ai, ndërsa shpjegoi se OKB-ja ka një plan 60-ditor për ndihmë sapo të jetë në gjendje ta zbatojë atë – me objektivin kryesor për të sjellë ushqime me vlera të larta ushqyese.

Rivendosja e sistemit shëndetësor do të jetë gjithashtu një “sfidë masive”, vazhdoi Fletcher, ndërsa theksoi nevojën për të rindërtuar spitalet, për të sjellë anestetikë dhe qetësues dhimbjesh thelbësorë në Gaza, si dhe për ekspertizë mjekësore.