spot_img
E premte, 3 Prill, 2026
05:57
Home Blog Page 3

Alarm për njehsorët: Arrin në 206 numri i kërkesave për verifikim, Kusari-Lila jep detajet

0

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, gjatë seancës së sotme në Kuvend, ka dhënë detaje rreth procesit të verifikimit të njehsorëve elektrikë pas ankesave të shumta të qytetarëve për faturime të fryera.

Sipas raportimit të Ekonomia Online, ministrja bëri të ditur se pas aktualizimit të kësaj çështjeje në publik, numri i kërkesave për verifikim ka pësuar rritje të hovshme.

„Agjencia e Metrologjisë, në kuadër të ministrisë sonë, parasheh verifikimin e jashtëzakonshëm të njësive matëse. Në bazë të nenit 26 të projektligjit, është themeluar një grup punues ad-hoc, i përbërë nga përfaqësues të Agjencisë së Metrologjisë dhe nën mbikëqyrjen e Inspektoratit Qendror të Tregut. Deri në momentin kur çështja u bë publike, nuk kishim asnjë kërkesë në Zyrën për Mbrojtjen e Konsumatorit, por gjendja ka ndryshuar menjëherë“, deklaroi Kusari-Lila.

Rritja e numrit të kërkesave dhe gjetjet teknike Ministrja specifikoi se vetëm gjatë ditës së djeshme janë pranuar 70 kërkesa, ndërsa sot ky numër ka arritur në 206 kërkesa për verifikim të njehsorëve.

„Verifikimi ka filluar dhe rezultatet do të bëhen publike në fund të ditës. Nga të dhënat e deri tanishme, problemet teknike të identifikuara nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e vëllimit apo sasisë së energjisë së matur, por me tarifat ose kohët tarifore“, theksoi ajo, duke lënë të kuptohet se njehsorët po llogarisin tarifën e shtrenjtë në kohën kur duhet të ishte ajo e lira.

Paralajmërim për sanksione Kusari-Lila nënvizoi se Ligji për Metrologjinë është i qartë sa u përket pasojave për subjektet që nuk respektojnë standardet. Ajo bëri me dije se të gjitha analizat do t’i dërgohen Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për marrjen e masave të mëtutjeshme.

„Neni 46 i Ligjit për Metrologjinë parasheh sanksione dhe dënime si për subjektet fizike, ashtu edhe për organizatat. Ne do të veprojmë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me Ligjin për Inspektoratin dhe Mbikëqyrjen e Tregut për të mbrojtur interesin e konsumatorëve“, përfundoi ministrja.

Kurti bën thirrje për bashkëpunim: Zgjedhjet janë të panevojshme

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në foltoren e Kuvendit sot kërkoi që të punojnë bashkë dhe tha se zgjedhjet janë të panevojshme.

Duke aluduar në partitë opozitare, Kurti tha se “bllokadat, grackat, kleçkat, taktikat nuk janë mendësi e zhvillimit, por e ngecjes”.

“Nuk e kemi luksin e vonesës, nuk e kemi luksin e bllokadës dhe nuk kemi nevojë për zgjedhje të reja të sërishme si ikje nga përgjegjësia që na takon. Kosovën, institucionet e saj legjitime, me vullnet të shprehur rishtazi e qartësisht nga qytetarët duhet ta lënë të punojë. Ka pasë mjaftueshëm zgjedhje e rizgjedhje dhe qytetarët kanë folur mjaftueshëm. Tani na duhet të punojmë, sa më shumë që të mundemi bashkë dhe jo të kemi bllokada të reja që nuk e lënë vitin e vjetër të jetë në të kaluarën. Bllokadat, grackat, kleçkat, taktikat nuk janë mendësi e zhvillimit, por e ngecjes. Është koha që të ecim përpara dhe të jemi në krye të detyrës, veçanërisht në këto rrethana jo të lehta globale”, tha ai.

Sidoqoftë, vitin e kaluar, që u konsiderua i humbur për Kosovën, Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të shkurtit nuk arrit të formojë institucionet me insistimin në zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryeparlamentare pavarësisht se s’kishte marrë mbështetjen e Kuvendit në disa seanca radhazi.

Kurti mbron Ligjin për Media: „Financimet me thasë parash po e deformojnë perceptimin e qytetarit“

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga foltorja e Kuvendit, ka mbrojtur projektligjin e ri për Këshillin e Pavarur të Mediave (KPM), duke theksuar se liria e fjalës nuk mund të ndërtohet mbi fshehtësinë e financave dhe interesat e padukshme.

Sipas raportimit të Ekonomia Online, Kurti u shpreh kritik ndaj mënyrës se si operojnë disa media, duke përmendur si shqetësim serioz raportimet për financime me „thasë parash“, të cilat sipas tij dëmtojnë etikën dhe integritetin e debatit publik.

„Një demokraci nuk jeton vetëm nga bota e çliruar, por edhe nga fjala e lirë. Dhe kjo duhet të jetë e lirë për të qenë e vërtetë. Por fjala nuk mund të jetë e lirë nëse është e kapur nga interesat e fshehta. Raportimet për financime me thasë parash nuk janë vetëm një problem i etikës profesionale; ato janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për integritetin e debatit publik“, deklaroi kryeministri.

Transparenca si mbrojtje ndaj manipulimit Kurti nënvizoi se paratë e padukshme në media orientojnë narrativën dhe deformojnë realitetin për qytetarët, duke i bërë ata pre të manipulimit.

„Një qytetar i dezinformuar nuk është qytetar i lirë. Ai është i manipuluar dhe, siç shpjegojnë edhe raportet, ky manipulim vjen direkt nga armiqtë tanë, të cilët fatkeqësisht gjejnë argatët e tyre brenda nesh. Ne nuk kemi asnjë interes të kufizojmë mediat; përkundrazi, duam që ato të jenë më të forta, më të pavarura dhe më hulumtuese. Por pavarësia nuk mund të ndërtohet mbi financime që ushqejnë shpifjen“, theksoi ai.

Krahasimi me modelin e Bashkimit Evropian Kreu i qeverisë sqaroi se ligji i ri kërkon transparencë të plotë të pronësisë, ashtu siç ndodh me çdo biznes tjetër, për të mbrojtur gazetarët dhe mediat e ndershme.

„Ligji për KPM-në nuk është për të kontrolluar median, por për ta mbrojtur atë nga kapja. Censura është pengesë e lajmit të drejtë, jo e lajmeve të pavërteta me financime të dyshimta. Me të njëjtën logjikë ka vepruar edhe Bashkimi Evropian kur ka mbyllur transmetimin e portaleve dhe televizioneve ruse“, përfundoi Kurti.

Haradinaj kritikon ashpër Kurtin: Ushqen zagarë me fy shqiptarë

0

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e akuzoi kryeministrin Albin Kurti për mashtrim dhe përgjegjësi për çmimet e larta, ndërsa kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ia ndërpreu fjalën.

“Sot erdh mashtruesi para nesh me një mashtrim ideal”, tha Haradinaj, ndërsa Haxhiu i tha “kujdes fjalorin”.

“Ju luftem, mashtrimi nuk është fyerje. Sot ndodhi një mashtrim në këtë foltore e po dua ta demaskoj”, tha Haradinaj.

Ai tha se Kurti mban përgjegjësi për rritjen e çmimeve dhe faturat e shtrenjta të energjisë elektrike.

“Oligarkët tu kryeministër janë tu shitë e tu ble energji. Edhe po ju shtohen kompanitë përditë njerëzve të afërm të tu”, tha ai.

Haradinaj tha se Kurti “shpenzon më së shumti pare duke ushqy zagarë me i fy shqiptarët”.

Këtu, Haxhiu kërkoi që Haradinajt t’i ndalet fjala.

Ai pati një përplasje me Haxhiun më pas, e cila i kërkoi të ulej në vend.

Rritet pjesëmarrja e grave në ekonomi, afro 40% e fuqisë punëtore në Kosovë

0

Pjesëmarrja e grave në ekonomi në Kosovë po vazhdon të shënojë rritje, duke reflektuar një rol gjithnjë e më të rëndësishëm të tyre në tregun e punës.

Sipas të dhënave të Administrata Tatimore e Kosovës për muajin tetor 2025, gjithsej 162,062 gra janë të punësuara, duke përbërë 39.5% të fuqisë punëtore aktive në vend. Përfaqësimi i tyre është më i theksuar në sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe shërbimeve.

Në të njëjtën kohë, 19,331 biznese individuale udhëhiqen nga gra, çka tregon rritjen e rolit të tyre edhe në sipërmarrje. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë realizuar 289,885 shërbime tatimore digjitale nga gratë, duke dëshmuar përfshirjen e tyre në përdorimin e teknologjisë dhe formalizimin e aktiviteteve ekonomike.

Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e angazhuar për të mbështetur fuqizimin ekonomik të grave dhe për të rritur pjesëmarrjen e tyre në ekonominë formale në vend.

Kadrijaj kritikon Qeverinë për rezolutën e luftës: “A kemi të drejtë t’i fyejmë viktimat? Tërhiqni librin e Shkëlzen Gashit”

0

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka kritikuar ashpër qeverinë pasi propozimi i opozitës për futjen e draft-rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike si pikë e parë e rendit të ditës, nuk u miratua.

Sipas raportimit të Ekonomia Online, Kadrijaj pyeti mazhorancën se cila është arsyeja që po e zvarritin votimin e një dokumenti që synon mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

„Muaji mars është muaji i epopeve të rëndësishme në luftën e UÇK-së: Epopeja e Jasharëve, Epopeja e Dukagjinit, si dhe përvjetorët e masakrave të tmerrshme. Dje, kryeministri Kurti ishte në Krushë, para disa ditësh nderuam viktimat në Beleg, ku ende ka të pagjetur. A kemi të drejtë ne si shtet t’i fyejmë këto viktima? Nuk kemi të drejtë. Po bëjmë padrejtësi“, deklaroi ajo.

Thirrja për Andin Hotin dhe kritikat për librin e Shkëlzen Gashit Gjatë fjalës së saj, Kadrijaj pati edhe një kërkesë specifike për Andin Hotin (Kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur), duke i bërë thirrje që të iniciohet amendimi i Ligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës.

“Unë po i lutem ministrit: amendoni ligjin. Ti Andin, si djali i Ukshin Hotit – njeriut që ende nuk i dihet varri, ashtu si edhe shumë viktimave të tjera – e di peshën e kësaj historie. Historia e qytetarëve të Kosovës nuk mund të ndryshohet me ligjërime e as me organizime të tilla”, shtoi deputetja.

Më tej, ajo kërkoi tërheqjen e menjëhershme të librit për masakrat në Kosovë të autorit Shkëlzen Gashi, i cili sipas saj përmban të pavërteta dhe është financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

“Është turp që vetë shteti i Kosovës ka shpërndarë libra me të pavërteta nëpër Evropë. Tërhiqeni atë libër dhe ashpërsoni sa më shpejt ligjin për mbrojtjen e luftës”, përfundoi Kadrijaj.

Dolce e bën verë, ekspozon format bombastike nga Maldive

0

Ish-banorja e spektaklit “Big Brother VIP Kosova”, Dolce, ka nisur disa ditë pushimi larg zhurmës së përditshme në Kosovë dhe Shqipëri.

Përmes disa fotografive të postuara nga Maldivet, biondja u kujdes që të rrëmbejë vëmendjen e fansave të saj të shumtë. Ajo ndau disa imazhe në rrjetet sociale, ku vuri në pah format e saj trupore, duke u shfaqur mjaft provokuese.

Në fotografitë e publikuara, Dolce nuk ka hezituar të theksojë linjat bombastike, të cilat janë komentuar gjerësisht nga ndjekësit e saj. “I kripur🧂☀️”, ka shkruar ajo krahas imazheve që kanë marrë mijëra pëlqime brenda pak minutash.

Bukuroshja po shijon temperaturat e larta në ishujt ekzotikë, duke dëshmuar se po kalon një periudhë mjaft të mirë pas përfundimit të rrugëtimit të saj televiziv.

Lushaku-Sadriu për ‘dallaveret’ me njehsorë: Qytetarët u mashtruan

0

Gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka hedhur akuza të rënda ndaj institucioneve dhe kompanive energjetike, duke deklaruar se qytetarët po mashtrohen me llogaritjen e shpenzimit të energjisë elektrike.

Lushaku-Sadriu u bëri thirrje organeve kompetente të veprojnë, duke ritheksuar se bazuar në hulumtimet e bëra nga Visar Azemi (LDK), ka rezultuar se njehsorët në Prishtinë dhe Ferizaj nuk e llogarisin saktë kohën e shpenzimit.

„Dua ta ngre një temë që është shumë e rëndësishme për çdo familje në Kosovë; një çështje që ka të bëjë me një mashtrim përmes keqllogaritjes së shpenzimit të energjisë elektrike. Kjo prek secilin prej nesh. Është një padrejtësi që po bëhet prej muajsh apo vitesh me radhë“, deklaroi deputetja.

Dështimi i tarifës së lirë Sipas Lushaku-Sadriut, thirrjet e qeverisë për kursim dhe shfrytëzim të rrymës pas orës 22:00 po dalin të jenë të kota për shkak të defekteve teknike në matje, të cilat rëndojnë buxhetin e familjeve kosovare.

“Teksa kemi dëgjuar Qeverinë që u ka bërë thirrje qytetarëve ta kursejnë energjinë elektrike, të presin e të shpenzojnë pas orës 22:00, ne sot kemi parë që shumica e njehsorëve nuk e llogarisin saktë kohën. Kjo çon te një llogaritje më e madhe dhe faturim më i shtrenjtë për çdo familje”, shtoi ajo.

Deputetja e LDK-së hodhi gishtin e përgjegjësisë drejt institucioneve rregullatore dhe kompanive të shpërndarjes, duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme për këtë “vjedhje” teknike që po u bëhet qytetarëve në emër të shpenzimeve të energjisë.

Nagavci thirrje për unitet në Kuvend: Përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit është e secilit deputet

0

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje për unitet të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se proceset e rëndësishme kushtetuese kërkojnë pjekuri të lartë politike.

Nagavci u shpreh se pret bashkëpunim nga secili përfaqësues i popullit, në një moment kur vendi po hyn në një fazë vendimtare pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Rifillimi i punës së Kuvendit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është një moment që kërkon qartësi, seriozitet dhe përgjegjësi. Jemi rikthyer jo vetëm në formalitetin e rendit të ditës, por në thelbin e funksionit tonë si përfaqësues të qytetarëve. Kuvendi i Republikës është vendi ku merren vendimet; nuk ka asnjë adresë tjetër ku mund të zhvendoset kjo përgjegjësi. Në këtë fazë kemi nevojë për unitet dhe bashkëpunim”, deklaroi Nagavci.

Zgjedhja e presidentit si test i pjekurisë politike Më tej, ajo nënvizoi se figura e presidentit duhet të shërbejë si simbol i unitetit, prandaj procesi i zgjedhjes duhet të udhëhiqet nga vullneti i përbashkët.

“Para nesh kemi një proces të rëndësishëm kushtetues, zgjedhjen e presidentit të Republikës, ku nga secila e secili prej nesh kërkohet pjekuri politike. Në emrin e çdo deputeti nënshkruhet serioziteti i këtij institucioni. Presidenti, si figurë e unitetit të popullit, thërret për një proces që duhet të udhëhiqet nga bashkëpunimi. Përgjegjësia është e jona. Qytetarët presin nga ne që të marrim vendime”, shtoi Nagavci.

PDK-ja lëshon seancën e Kuvendit: Rezoluta për historinë e luftës shkakton përplasje mes Çitakut dhe Haxhiut

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka lëshuar seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, pasi propozimi i tyre që rezoluta për mbrojtjen e viktimave të luftës të vendoset si pikë e parë e rendit të ditës, nuk u miratua.

Ky veprim u paralajmërua nga deputetja e kësaj partie, Vlora Çitaku, pas një debati me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Ndonëse kryeparlamentarja Haxhiu përmendi nevojën për diskutime mes grupeve parlamentare, Çitaku theksoi se PDK-ja është e gatshme për takime, por jo për kompromise që prekin thelbin e rezolutës.

Sipas Çitakut, kjo nismë është më e rëndësishme se çdo marrëveshje ndërkombëtare që ishte paraparë për votim.

“Kryetare, grupet parlamentare dhe të gjithë deputetët e kanë pranuar tekstin e rezolutës dje; ka pasur kohë të mjaftueshme që grupet të japin vërejtjet e tyre. Megjithatë, ne jemi të gatshëm të ulemi bashkë, sepse për ne, dhe për secilin deputet, nuk ka asnjë çështje tjetër më të rëndësishme se trajtimi i kësaj rezolute dhe votimi i saj në unanimitet”, deklaroi ajo.

„Më e rëndësishme se marrëveshjet ndërkombëtare“ Çitaku i kujtoi kryetares Haxhiu se opozita kishte dhënë votat për marrëveshjet ndërkombëtare, por mbrojtja e të vërtetës historike mbetet prioriteti kryesor.

„Jemi të gatshëm të takohemi, por nuk jemi të gatshëm të bëjmë kompromis. Ua dhamë votat për marrëveshjet ndërkombëtare, por kjo rezolutë në mbrojtje të së vërtetës historike dhe të viktimave është më e rëndësishme se çdo marrëveshje tjetër. Ju lutem kryetare, punë tjetër ne nuk kemi; rrijmë këtu edhe pesë orë, ta kryejmë sot dhe ta kryejmë si pikë të parë të rendit të ditës“, shtoi deputetja e PDK-së.

Pas largimit të grupit parlamentar të PDK-së, i vetmi që qëndroi në sallën e seancave nga radhët e këtij subjekti ishte deputeti Nait Hasani.