spot_img
E martë, 23 Dhjetor, 2025
10:10
Home Blog Page 32

790 policë të angazhuar në ushtrimin me Ambasadën amerikane, Policia: Operacioni u realizua me sukses

0

Policia e Kosovës ka thënë se ushtrimi i përbashkët mes tyre dhe Ambasadës amerikane është realizuar me sukses.

Nga PK-ja është potencuar edhe se, ushtrimi në fjalë ka pasur për qëllim vlerësimin e gatishmërisë institucionale, forcimin e kapaciteteve reaguese dhe koordinimin ndërmjet njësive relevante në situata të mundshme të krizave dhe emergjencave.

Nga policia është njoftuar edhe se gjatë ushtrimit të cilin PK-ja e ka trajtuar mjaft seriozisht, janë angazhuar rreth 790 zyrtarë të profileve të ndryshme.

“Falë profesionalizmit të njësive të angazhuara dhe bashkëpunimit të qytetarëve, ushtrimi u realizua pa incidente, duke ofruar mundësi për të vlerësuar dhe përmirësuar qasjet operacionale të sigurisë. Policia e Kosovës vlerëson lartë performancën e të gjitha Departamenteve, Drejtorive dhe Njësive Policore të angazhuara, e në veçanti falënderojmë qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik, të cilët treguan kulturë të lartë dhe mirëkuptuan riorientimin e ndërprerjet përkohshme të qarkullimit të trafikut në zonën e ushtrimit’’, ka thënë mes tjerash PK-ja.

Komunikata e plotë:

Prishtinë, më 12 dhjetor 2025

Policia e Kosovës  (PK) njofton opinionin publik se ushtrimi i përbashkët në shkallë të gjerë me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë është zhvilluar me sukses të plotë. Ushtrimi, i realizuar në zonën e Ambasadës Amerikane në lagjen Arbëria, ka pasur për qëllim vlerësimin e gatishmërisë institucionale, forcimin e kapaciteteve reaguese dhe koordinimin ndërmjet njësive relevante në situata të mundshme të krizave dhe emergjencave.

Gjatë këtij ushtrimi i cili u trajtua mjaft seriozisht nga PK-ja, u angazhuan rreth 790 zyrtarë të profileve të ndryshme, ku u demonstrua funksionimi efektiv i mekanizmave të komunikimit dhe reagimit të shpejt, si dhe bashkëveprimi i zyrtarëve të Policisë së Kosovës me personelin e sigurisë së Ambasadës Amerikane. Aktivitetet e planifikuara përfshinë përdorimin e mjeteve të specializuara të sigurisë, testimin e procedurave operative dhe simulimin e skenarëve të ndryshëm të menaxhimit të krizave.

Falë profesionalizmit të njësive të angazhuara dhe bashkëpunimit të qytetarëve, ushtrimi u realizua pa incidente, duke ofruar mundësi për të vlerësuar dhe përmirësuar qasjet operacionale të sigurisë. Policia e Kosovës vlerëson lartë performancën e të gjitha Departamenteve, Drejtorive dhe Njësive Policore të angazhuara, e në veçanti falënderojmë qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik, të cilët treguan kulturë të lartë dhe mirëkuptuan riorientimin e ndërprerjet përkohshme të qarkullimit të trafikut në zonën e ushtrimit.

Ky ushtrim konfirmon edhe një herë partneritetin e fuqishëm dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Ambasadës Amerikane dhe institucioneve të tjera të përfshira, me synim garantimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët, institucionet dhe stafin diplomatik në Republikën e Kosovës.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, ndërsa do të vazhdojë me aktivitete të ngjashme që rrisin ndjenjën e sigurinë dhe gatishmërinë institucionale për çdo situatë emergjente.

Fjalët e Agim Bahtirit “mos lësho pe”, LVV-ja i bën pjesë të sloganit

0

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar sloganin për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit. Slogani i LVV-së është “Siguri dhe begati, mos lësho pe”.

Nga LVV-ja është thënë se ata punojnë për siguri dhe begati për Kosovën.

“Ne punojmë për ta pasur shtetin e sigurtë, ekonominë e forcuar, sigurinë e jetës, punës, familjes, sigurinë financiare çdo grua e burrë në vendin tonë”, thuhet mes tjerash nga LVV-ja.

Postimi i plotë:

I ftojmë qytetarët tanë, kudo ku janë e punojnë që të mos lëshojnë pe nga kërkesa për begati e siguri.

Ne punojmë për ta pasuruar shtetin, shoqërinë, ata që nuk kanë, brezat e rinj, e mbi gjitha familjet, prindërit që punojnë çdo ditë me plot sakrifica.

Ne punojmë për ta pasur shtetin e sigurtë, ekonominë e forcuar, sigurinë e jetës, punës, familjes, sigurinë financiare çdo grua e burrë në vendin tonë.

Ne punojmë për siguri dhe begati të vendit tonë. Ne nuk do të lëshojmë pe. Mos lëshoni dhe ju pe për Kosovën të begatë e të sigurtë.

Aksidenti i rëndë në Gllarevë, lëndohen tre persona

0

Tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e aksidentit të rëndë që ka ndodhur disa minuta më parë.

Kështu ka njoftuar për media zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Gashi po ashtu ka bërë të ditur edhe se në aksident kanë qenë të përfshirë dy vetura.

“Një aksident mes dy veturave ka ndodhur në Gllarevë. Si pasojë kanë mbetur të lënduar tre persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor”, tha Gashi.

Kurti mbështet veprimet në Veri: “Ishin të domosdoshme dhe ia kanë vlejtur”

0

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se veprimet e institucioneve të sigurisë në veri të vendit kanë qenë “parimore, ligjore dhe të domosdoshme” për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sigurisë publike.

Në një postim në Facebook, Kurti ka theksuar se rezultatet e këtyre veprimeve kanë qenë të mëdha, duke theksuar mbylljen e 29 nga 37 rrugëve ilegale, eliminimin e strukturave paralele të Serbisë, si dhe largimin e “kriminelëve të mëdhenj” nga zona.

Sipas tij, veprimet kanë bërë që shteti të vendosë rend dhe ligj në 16 për qind të territorit, duke e rikthyer kontrollin institucional.

“Pavarësisht kritikave, ajo që Kosova ka fituar si shtet është shumë më e madhe dhe më e vlefshme sesa çdo gjë tjetër”, shkroi Kurti, duke theksuar se ndërhyrjet kanë qenë të nevojshme dhe efektive.

Komandanti i KFOR-it pret në takim gjeneralin Bashkim Jashari

0

Komandanti i KFOR-it, gjenerali turk Ozkan Ulutash, sot e ka pritur në takim Komandantin e FSK-së, Bashkim Jasharin.

Në këtë takim është biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe për bashkëpunimin në mes të organizatave të sigurisë në vend, përfshirë Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Gjeneralmajor Ulutaş theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm dhe të ngushtë, në dobi të sigurisë së qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetit rajonal”, thuhet në njoftim.

Policia apelon shoferët për kujdes për shkak të mjegullës

0

Policia e Kosovës ka apeluar tek shoferët për kujdes të shtuar për shkak të mjegullës së dendur që ka kapluar vendin gjatë ditëve të fundit.

Nga policia është kërkuar që shoferët të mbajnë në vëzhgim rrugën për ndryshime të papritura të dukshmërisë.

POLICIA E KOSOVËS KUJDES! MJEGULLA MUND TË JETË NJË RREZIK PËR SHOFERËT’’, thuhet në postimin mes tjerash të PK-së.

IPS “Musine Kokalari”: Kosova më së keqi në rajon për të drejtat e punëtorëve dhe pagën minimale

0

Instituti “Musine Kokalari” në një komunikatë për media shkruan se Kosova qëndron nën mesataren e rajonit sa i përket të drejtave të punëtorëve.

Sipas njoftimit, Kosova vazhdon të renditet nën mesataren e rajonit për nga të drejtat e punëtorëve, me pjesëmarrjen më të ulët në tregun e punës (38.6% punësim dhe 43.2% aktivitet).

“Në krahasim, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia shënojnë treg më aktiv dhe nivele më të larta punësimi, ndërsa vendet e tjera të rajonit mbeten nën 50% të aktivitetit”, thuhet në njoftim.

Të dhënat u prezantuan në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës nga  Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari, në kuadër të raportit krahasues 2024 -2025 mbi cilësinë e të drejtave të punëtorëve në Ballkanin Perëndimor.

Raporti evidenton se shumica e vendeve të rajonit përballen me paga të ulëta, orare të  zgjatura pune, mbrojtje të pamjaftueshme në vendin e punës dhe dialog social të  dobët.

Drejtori i këtij instituti, Visa Ymeri, ka thënë se Kosova qëndron më së keqi në rajon edhe për pagën minimale.

“Kosova ka gjithashtu pagën minimale më të ulët në rajon, 342 euro, e cila nuk  mbulon as gjysmën e kostos reale të jetesës. “Këta tregues tregojnë se puna në  Kosovë nuk garanton një standard minimal jetese dhe se politikat aktuale nuk po i mbrojnë mjaftueshëm punëtorët”, tha Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për  Politika Sociale Musine Kokalari.

“Raporti vë në pah edhe shkeljet e orarit ligjor të punës, mungesën e kapaciteteve inspektuese dhe një hendek të thellë gjinor, me pjesëmarrje të grave në tregun e  punës prej vetëm 34.7% dhe diferencë pagash prej 18.6%. Instituti u bën thirrje institucioneve, sindikatave dhe punëdhënësve që të rrisin standardet e punës dinjitoze në Kosovë dhe në mbarë rajonin”, përfundon komunikata.

Aksidenti fatal në autostradë, raportohet se përveç shoferes ka vdekur edhe pasagjerja

0

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën “Ibrahim Rugova”, në drejtimin Prizren-Suharekë ku për pasojë humbi jetën një grua që po drejtonte një veturë me targa të huaja pas përplasjes me një kamion me targa vendore që po transportonte mallra.

Policia e Kosovës deri tani ka konfirmuar vdekjen e vetëm një personi, por në media u raportua edhe për një viktimë të dytë dhe se të dyja gratë që humbën jetën tragjikisht ishin nga Shqipëria.

Mediumi “Sinjali” raportoi se si pasojë e përplasjes së fuqishme, drejtuesja e veturës, Elizabet Katija, 43 vjeçare, ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, vdekje e cila është konstatuar nga ekipi mjekësor emergjent.

Fillimisht e lënduar rëndë, pasagjerja në veturë, Eorda Sinollari, 32 vjeçare, ka ndërruar jetë më pas nga plagët e rënda. Ajo ishte dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren.

Në aksident është lënduar edhe drejtuesi i kamionit, Munish Grajçefci, i cili ka pranuar trajtim mjekësor.

Mjetet e përfshira në aksident janë një veturë Mercedes GLE, me targa AB, e drejtuar nga Elizabet Katija (viktimë), dhe një kamion Mercedes Atego, i drejtuar nga Munish Grajçefci (i lënduar).

Ushtarët amerikanë trajnohen për gjurmimin dhe rrëzimin e dronëve

0

Ushtarë amerikanë nga Komanda Rajonale-Lindje e KFOR-it, zhvilluan së fundmi trajnim të specializuar për të përmirësuar aftësinë e tyre në zbulimin, gjurmimin dhe neutralizimin e dronëve – një aftësi gjithnjë e më kritike në mjedisin e sotëm të sigurisë, ka njoftuar KFOR-i.

Misioni i NATO-s tha se sistemi ndërpret frekuencën e kontrollit të dronit, duke e detyruar atë të kthehet tek operatori, si dhe mund gjithashtu të ndërhyjë në sinjalet GPS/GNSS, duke bërë që droni të rrijë pezull, të ulet ose të rrëzohet.

“Stërvitje të tilla forcojnë aftësitë teknike, duke theksuar njëkohësisht koordinimin, punën ekipore dhe përshtatshmërinë në reagimin ndaj kërcënimeve ajrore që po evoluojnë vazhdimisht”, tha KFOR-i.

KFOR-i i zotëron këto aftësi dhe i ka përdorur tashmë ato në skenarë operacionalë, duke rritur efektivitetin e misionit në adresimin e sfidave të reja të sigurisë, shtoi misioni.

KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Europian në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

Studiues dhe artistë ndërkombëtarë diskutojnë mbi artin dhe migracionin në Shqipëri

0

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me organizimin e Qendrës së Studimit të Arteve, u mbajt konferenca ndërkombëtare dyditore “Lëvizje dhe kufij”, duke eksploruar ndikimin e negocimit të tyre në art dhe kulturë në Shqipëri dhe më gjerë.

Nëpërmjet studimeve mbi transformimin e qytetit, u analizuan kufijtë dhe lëvizjet dhe raporti i artit me to, duke filluar nga hapësira urbane lokale, deri në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Akad. Stefan Çapaliku, drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve, tha se konferenca e këtij viti është përqendruar në periudhën që shkon nga viti 1991 deri më sot.

Çapaliku tha se, fundi i periudhës së socializmit shtetëror e ripërcaktoi idenë e kufijve edhe një herë. Në letër, liria e lëvizjes u bë një e drejtë e garantuar për të gjithë, por utopia e kufijve të hapur në fillim të viteve 1990 ishte një përvojë traumatike e imigracionit dhe pati një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e artit post-socialist dhe bashkëkohor shqiptar.

Seancën e parë e hapi Franco “Bifo” Berardi, teoricien social, aktivist dhe një nga figurat kyçe në lëvizjen italiane “Autonomia e viteve ’70”, me punimin “Aushvic në breg të detit”, raporton atsh.

Më tej paraqitën punimet shkencore: Sofia Franchini (studente e doktoratës në antropologji sociale në Universitetin e Kembrixhit); Filippo Furri (antropolog, bashkëpunëtor në Institut Convergences Migration, Paris) dhe Ervin Shehu (doktorant në antropologji sociale në Universitetin e Egjeut).

Në ditën e dytë, në sesionin me temën “Drejtësi sociale” prezantuan punimet Silvia Cafora (arkitekte, studiuese në Qendrën e Studimeve Territoriale (CST), Universiteti i Bergamos) dhe Filippo Furri; artisti dhe filozofi Luis Guerra Miranda (Madrid, Spanjë); arkitekti dhe eseisti Skënder Luarasi dhe arkitekti Mehmet Sinan Bermek (Stamboll, Turqi).

Në sesionin me temën “Gjeografi të reja” prezantuan punimet: Dimitra Gkitsa (lektore, Universiteti i Sauthemptonit); Pati Vardhami (kuratore, teoriciene dhe artiste); Niovi Zarampouka-Chatzimanou (kuratore, bashkëdrejtoreshë e Counterpoints Greece dhe themeluese e Pavilion of Imagination) dhe Giuseppe Previtali (profesor asistent në Universitetin e Bergamos).

Në mbyllje të veprimtarisë, dr. Stefano Romano dhe dr. Jonida Gashi bënë analizën e prezantimeve dhe diskutimeve ndërmjetëse të konferencës.