spot_img
E premte, 26 Dhjetor, 2025
04:35
Home Blog Page 49

Trump s’e heq dot nga mendja Biden-in: gati një vit në detyrë, ende i fiksuar me paraardhësin

0

Gjithmonë në mendjen e tij: Fiksimi i Trump-it me Joe Biden-in nuk po shuhet

Pas gati 11 muajsh në detyrë, prirja e ish-presidentit amerikan Donald Trump për t’u marrë me Joe Biden-in është më e dukshme se kurrë.

Edhe pse nuk është më në Shtëpinë e Bardhë, Trump vazhdon ta ketë Joe Biden-in në qendër të deklaratave të tij publike – nga tubimet me mbështetës, te intervistat televizive e deri te postimet në rrjete sociale. Çdo zhvillim i madh politik në SHBA po shërben shpesh vetëm si pretekst për ta rikthyer në skenë emrin e Biden-it.

Në fjalimet e tij, Trump shpesh e paraqet Biden-in si simbol të “dobësisë” së Amerikës dhe si përgjegjës kryesor për sfidat ekonomike, të sigurisë dhe të politikës së jashtme me të cilat po përballet vendi. Ai i rikthehet vazhdimisht rezultatit të zgjedhjeve presidenciale dhe ngre dyshime mbi procesin zgjedhor, duke e përdorur Biden-in si figurën kryesore kundër së cilës mobilizon bazën e tij elektorale.

Kjo vëmendje e vazhdueshme ndaj Biden-it shihet nga analistët si strategji politike e Trump-it për të qëndruar në qendër të vëmendjes dhe për të ruajtur ndikimin brenda Partisë Republikane. Duke e përdorur Biden-in si “kundërshtarin ideal”, ai synon të mbajë të unifikuar votuesit e tij dhe të paraqitet si alternativa kryesore për zgjedhjet e ardhshme.

Megjithatë, kritikët vlerësojnë se ky fokus i pandërprerë te Biden tregon edhe një lloj varësie politike: Trump duket se nuk mund të ndërtojë narrativë të re pa iu kthyer vazhdimisht rivalit të tij. Në vend se të artikulojë platforma të reja konkrete, ai shpesh kufizohet në sulme personale dhe retorikë të përsëritur kundër administratës aktuale.

Nga ana tjetër, vetë Biden në shumicën e rasteve është përpjekur të shmangë përplasjet e drejtpërdrejta me Trump-in, duke u fokusuar në agjendën e tij qeverisëse. Por prania e vazhdueshme e emrit të tij në fjalorin e Trump-it dëshmon se beteja politike mes tyre, të paktën në retorikë, nuk ka përfunduar – përkundrazi, po hyn në një fazë edhe më të ashpër.

Ndërkohë, mbetet të shihet nëse ky fiksim afatgjatë i Trump-it me Biden-in do ta forcojë pozitën e tij politike në opinionin amerikan, apo do të lodhë gradualisht edhe vetë mbështetësit e tij, të cilët mund të presin më shumë zgjidhje konkrete dhe më pak retorikë personale.

“Kurti po shkel ligjin, po blen vota”

0

Në prag të zgjedhjeve, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vendosi ta rris pagën minimale në 500 euro.

Një propozim të tillë para dy viteve, ministri i tij i Financave e konsideronte si propozim tallës që nuk ka askund në botë.

Por, sipas shoqërisë civile, Kurti po vazhdon ta shkelë ligjin.

Ekonomisti Safet Gërxheliu tha se para se të merrej një akt i tillë, do të duhej edhe konsultim me sektorin privat, ngase sipas tij kjo është e papërballueshme, andaj paralajmëron edhe reduktim të stafit nga kompanitë. /Klankosova

Kabineti i Osmanit takon zyrtarin e DASH, kërkohet rikthimi i dialogut strategjik SHBA-Kosovë

0

Shefja e stafit të Presidentes, Learta Holla bashkë me këshilltaren Kryesore për Politikë të Jashtme, Rejhan Vuniqi, dhe Këshilltaren Politike, Donika Kadaj-Bujup kanë pritur në takim Lyn Debevoise, Zëvendësdrejtoreshë e Zyrës për Evropën Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve.

Siç thuhet në njoftimin e presidencës, gjatë takimit u diskutua për partneritetin strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raportet dypalëshe, si dhe domosdoshmërinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha kyçe, si siguria, ekonomia dhe politikës e jashtme.

Njoftimi i plotë:

Presidenca në takim me zyrtarin e DASH

Shefja e Stafit të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Learta Hollaj, së bashku me Këshilltaren Kryesore për Politikë të Jashtme, znj. Rejhan Vuniqi, dhe Këshilltaren Politike, znj. Donika Kadaj-Bujupi, pritën gjatë javës në takim znj. Lyn Debevoise, Zëvendësdrejtoreshë e Zyrës për Evropën Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve.

Gjatë takimit u diskutua për partneritetin strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raportet dypalëshe, si dhe domosdoshmërinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha kyçe, si siguria, ekonomia dhe politikës e jashtme.

Delegacioni i Presidentes nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, duke theksuar se rikthimi i Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA mbetet prioritet i rëndësishëm në avancimin e interesave të përbashkëta.

U potencua gjithashtu angazhimi i Presidentes Osmani për forcimin e koordinimit të përhershëm me institucionet amerikane dhe vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në të gjitha fushat me interes të dyanshëm.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe rëndësia e procesit të rregullt zgjedhor, zhvillimet e fundit të sigurisë, si dhe nevoja për krijim sa më të shpejt të institucioneve pas zgjedhjeve.

Në takim u rikonfirmua përkushtimin për të çuar përpara projektet strategjike, nxitjen e investimeve amerikane në sektorët me potencial të lartë dhe avancimin e objektivit të përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike.

Hodaj shpjegon kushtet që Kilaj duhet të respektojë pas lirimit nga Specialja

0

Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, është liruar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pasi gjykatësi vendosi se mbajtja e tij në paraburgim nën akuzat për pengim të drejtësisë nuk ishte “as e arsyeshme, as proporcionale”.

Avokati Taulant Hodaj, në emisionin FIVE ka sqaruar se lirimi i Kilajt me kusht nuk lidhet me ose mos pranimin e fajësisë.

Ai ka shpjeguar se vendimi për lirimin e Kilajt është bërë duke marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim dhe peshën e veprës penale.

“Në rastin e caktimit të paraburgimit shikohet pesha e veprës penale, mënyra dhe lartësia e dënimit, dhe gjithmonë është në praktik që në rastet kur kalon një kohë të konsiderueshme në paraburgim kalon kohën siç parashihet me ligjin e aplikueshëm atëherë zakonisht duhet të lirohet apo të shihet masat tjera të sigurisë. Pra masa e paraburgimit është vetëm më e rënda dhe gjykata ka vlerësuar drejtë që peshojnë më shumë argumentet në favor të lirimit me kusht, sesa mbajtjen në paraburgim të tij”, ka deklaruar ai.

Kushtet që Kilaj duhet të respektojë, sipas tij përfshijnë, moskontaktimin me dëshmitarët, mosmanipulimin me prova, mosndikimin e dëshmitarëve dhe përgjigjen ndaj thirrjeve të gjykatës.

Avokati Hodaj ka theksuar se mund të ketë edhe kushte të tjera që nuk mund t’i bëjnë publike.

Hodaj gjithashtu sqaron se lirimi i Kilajt nuk hap rrugë për të tjerët me akuzat për krime lufte.

“Nuk mund të diferencohen veprat penale kundër administrimit të drejtësisë apo krimeve të luftës, pesha e veprës penale dhe lartësia e dënimit dallon. Nëse në këtë rast vepra penale kundër krimeve të lutës do të ishte dënimi minimal 1 2 3, do të ishte aplikuar e njëjta por dënimet janë të larta dhe për atë nuk e kanë aplikuar deri tani”, ka deklaruar Hodaj.

Kilaj akuzohet së bashku me ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi, ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliun për pengim të drejtësisë në gjyqin për krime lufte ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Gjykata Speciale e liron me kusht Isni Kilajn

Aktakuza për sulmin në Ibër-Lepenc, Kurti falënderon Prokurorinë Speciale dhe partnerët ndërkombëtarë

0

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, informon se të dhënat e inteligjencës tregojnë se tre serbët e akuzuar për shpërthimin në kanalin e ujit, Ibër-Lepenc, kanë qenë të lidhur ngushtë me strukturat shtetërore të Serbisë.

Pas aktakuzës së ngritur, Kurti ka falënderuar “institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës dhe FBI-në nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për punën profesionale të kryer në këtë rast”.

“Mund t’ju siguroj se, në bazë të informacioneve të inteligjencës, të akuzuarit kanë qenë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë dhe janë në mesin e të përfshirëve në realizim të sulmit”, deklaron Kurti në një status në Facebook.

Reagimi i plotë:

Pas një bashkëpunimi të shkëlqyer, hetimi të suksesshëm të kryer nga institucionet relevante të inteligjencës dhe sigurisë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me datë 8 dhjetor 2025, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave lidhur me shpërthimin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit të datës 29 nëntor 2024.

Siç e kam thënë në konferencën e jashtëzakonshme, pak orë pas shpërthimit të kanalit, në bazë të informacioneve që kam marrë nga institucionet e sigurisë, sulmi ka ardhur nga Serbia, fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor.

Tashmë është në rrugë të mbarë hetimi i këtij rasti, ku janë siguruar prova se pikërisht tre serbët e akuzuar ishin në vendin e ngjarjes natën kritike, për ç’gjë falënderoj institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës dhe FBI-në nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për punën profesionale të kryer në këtë rast.

Mund t’ju siguroj se, në bazë të informacioneve të inteligjencës, të akuzuarit kanë qenë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë dhe janë në mesin e të përfshirëve në realizim të sulmit.

Procesi gjyqësor do ta dëshmojë se të akuzuarit ishin pjesë e strukturave ilegale të Serbisë, të lidhur ngushtë me mikun e Vuçiqit, terroristin Millan Radoiçiq, dhe strukturat tjera shtetërore të Serbisë që planifikuan dhe urdhëruan sulmin terrorist.

Përkundër faktit se Beogradi zyrtar mohonte përgjegjësinë dhe u angazhua fuqishëm përmes veprimeve hibride në dezinformimin e opinionit, duke ngritur dyshime nga më të ndryshmet për përgjegjësit apo motivet e aktit terrorist, aktakuza e ngritur dhe epilogu i rastit, pa fije dyshimi, do të konfirmojnë të dhënat dhe vlerësimet e institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat me siguri të plotë i kam thënë edhe më parë në dy konferenca për medie (më 29.11.2024: https://kryeministri.rks-gov.net/…/adresimi-i…/ dhe më 24.12.2024: https://kryeministri.rks-gov.net/…/adresimi-i-plote-i…/) si dhe gjatë vizitës në Varagë të nesërmen (https://www.facebook.com/share/p/1AaYQ1whaq/?mibextid=wwXIfr).

Integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë, sundimi i rendit dhe ligjit për të gjithë qytetarët pa dallim, janë vlera jetike për të cilat angazhohemi ditë e natë dhe për të cilat nuk do të ndalemi asnjëherë. Rasti i fundit dëshmon që në Kosovë nuk kalon pa ndëshkim terrorizmi, sado perfid të jetë, dhe nuk mund të kalojë pa u vërejtur dhe dekonstruktuar dezinformimi.

Falënderojmë institucionet e sigurisë, partnerët ndërkombëtarë në krye me ShBA-të, institucionet, aktorët tjerë dhe qytetarët, për kontributin që po ofrojnë për një Kosovë gjithnjë e më të sigurt e paqësore, më të fuqishme në aspektin ekonomik, ligjor, integrues dhe demokratik.

KFOR-i i dhuron pajisje zjarrfikësve të Komunës së Prishtinës

0

Ekipi i Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak (CIMIC) dhe Ekipi i Monitorimit Ndërlidhës (LMT) i Komandës Rajonale Lindje të misionit KFOR, i udhëhequr nga NATO, mori pjesë në një ceremoni zyrtare për të dorëzuar pajisje të reja zjarrfikëse Departamentit të Zjarrfikësve të Komunës së Prishtinës.

Ky donacion ka për qëllim të rrisë aftësinë e zjarrfikësve për t’iu përgjigjur shpejt dhe në mënyrë efektive emergjencave, duke përmirësuar sigurinë e tyre gjatë operacioneve të rrezikshme dhe duke mbrojtur banorët e Kosovës.

“Donacioni i KFOR-it rrit aftësinë e zjarrfikësve për t’iu përgjigjur shpejt dhe në mënyrë efektive emergjencave, duke përmirësuar sigurinë e zjarrfikësve gjatë operacioneve të vështira dhe duke mbrojtur njerëzit që jetojnë në të gjithë Kosovën. Në përputhje me mandatin e KFOR-it, aktivitetet e CIMIC synojnë të promovojnë mirëqenien e të gjithë njerëzve në Kosovë duke mbështetur institucionet lokale”, thuhet në njoftim.

Ekspozita “Komunikim”, pjesë e bashkëpunimit mes FAB dhe Fakultetit të Arteve në Prishtinë

0

Fakulteti i Arteve të Bukura Tiranë ka rinisur marrëdhënien historike mes tij dhe Fakultetit të Arteve në Prishtinë, në kuadër të të cilës do të ketë një seri ekspozitash të përbashkëta, shkëmbime eventesh dhe studentësh.

Ky dialog viziv mes dy institucioneve i ka fillesat në vitet ’70, por ditën e djeshme rinisi tradita me ekspozitën e pedagogut të Pikturës në Fakultetin e Prishtinës, Agron Bytyçi.

Ekspozita vetjake e Bytyçit, e titulluar “Komunikim”, do të presë adhuruesit e pikturës në Galerinë FAB deri më 22 dhjetor.

Kuratori i saj është prof. asc. dr. Zef Paci, historian arti. Në tekstin e tij kuratorial, Paci shprehet për autorin Bytyçi se, prirja artistike e autorit, me anë të simbolikës së çuditshme, me copëzimin e peizazhit të mistershëm, lëviz në territorin e surrealizmit.

Në rininë e tij, gjatë kohës së studimeve akademike, Bytyçi është ndeshur dhe joshur nga surrealizmi dhe figurativiteti surrealist.

Ajo çka mbisundon përherë në të gjitha peizazhet është prania njerëzore me personazhe enigmatikë të ardhur prej kohësh të ndryshme. Shtresëzimi ndodh më së shumti në zonën e kokës si një fragmentim i mendimit e vetëdijes. Personazhet, duke ruajtur diçka solemne, në caqet e patetikes e të kitch-it, të denatyruar si skulptura a manekinë plastikë, kthehen vërtet në muza shqetësuese.

Fjalori surrealist i artistit përcjell tema bashkëkohore të shekullit XXI mbi mekanizimin, fragmentimin, robotizimin emocional të subjektit në epokën digjitale, mbi trysninë e informacionit dhe komunikimin e këputur.

Sipas Pacit, pikturat e Agron Bytyçit, përcjellin një atmosferë të fortë psikologjike, ku qeniet shndërrohen në simbolet e krizave të mbrendshme të njeriut bashkëkohor dhe përbëjnë një alegori moderne të ankthit social.

50-vjetori i ASHAK, Gjinushi: Akademia, kala e rezistencës intelektuale

0

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) feston 50-vjetorin e themelimit.

Me këtë rast, kreu i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, gjendet në Prishtinë, ku mori pjesë në ceremoninë e organizuar në nder të këtij përvjetori.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Gjinushi tha se, në periudhat më të vështira të historisë sonë kur hapësira e lirisë ngushtohej dhe të drejtat themelore mohoheshin, Akademia u shndërrua në një kala të rezistencës intelektuale.

“Këtu u mbrojt fjala shqipe, kultura, trashëgimia e historia e popullit shqiptar në Kosovë; këtu u ruajt vijueshmëria e mendimit shkencor; këtu u mbajt gjallë ideja se e vërteta dhe dija nuk mund të shtypen. Ky kontribut, i bërë pa bujë, është një nga faqet më të ndritshme të historisë së ASHAK-ut”, u shpreh akad. Gjinushi.

Kreu i ASHSH përmendi faktin se bashkëpunimi mes dy akademive ka ardhur duke u rritur, mbështetur tashmë në protokolle e projekte konkrete, marrëveshje dhe programe të përbashkëta, duke u bërë një shembull i shkëlqyer se si dy institucione të dijes dhe mendimit akademik brenda së njëjtës hapësirë kombëtare e kulturore mund të rrisin kapacitetet e tyre duke punuar së bashku.

Gjinushi veçoi projektin për hartimin e Enciklopedisë Shqiptare. Ky projekt është një prej nismave më të mëdha dhe më ambicioze të ndërmarra prej shkencave shqiptare.

“Fakti që dy akademitë tona po e zhvillojnë së bashku këtë detyrë të madhe, tregon jo vetëm pjekurinë e bashkëpunimit, por edhe ndërgjegjen e përbashkët për përgjegjësinë që kemi ndaj historisë, trashëgimisë e kulturës sonë kombëtare, të bazuara mbi të vërteta shkencore”, tha Gjinushi.

Transiti i pasigurt: Kosovarët “nën gjykimin” e Serbisë

0

Kur Tefik Mustafa u kthye në Kosovë pas më shumë se një viti në burgjet e Serbisë, familja e tij e pa të thyer fizikisht dhe emocionalisht.

Sot ai është në Zvicër, duke trajtuar problemet me shikim dhe një krizë nervore – pasoja këto të drejtpërdrejta të kushteve të rënda në burgun ku u mbajt, sipas familjes.

Historia e tij është vetëm një nga shumë rastet e ngjashme të viteve të fundit, kur qytetarë të Kosovës janë arrestuar nga autoritetet serbe gjatë udhëtimeve transit.

Nga udhëtim transit, në 13 muaj paraburgim

Djali i tij, Qamili, rrëfen se Tefik Mustafa – shtetas i Kosovës dhe i Italisë – u nis më 1 qershor 2024 drejt Sllovenisë, përmes Serbisë – rrugë që e kishte përdorur dhjetëra herë më parë.

Në vendkalimin kufitar të Merdares, midis Kosovës dhe Serbisë, ai u ndalua nga policia serbe.

“E detyruan që telefonatën e fundit me familjen ta bënte në gjuhën serbe. Pastaj, për 79 ditë nuk na lejuan asnjë kontakt”, rrëfen Qamili për Radion Evropa e Lirë.

Pas një muaji paraburgim në Prokuple, Tefiku u transferua në një burg të sigurisë së lartë në Beograd.

Sipas të birit, ai u akuzua për organizimin e rrëmbimit të tre policëve serbë në qershor të vitit 1999, në magjistralen Prishtinë-Gjilan.

Për familjen, akuza ishte absurde, sepse, siç thotë Qamili, Tefiku as që ndodhej në Kosovë në atë kohë.

Nga viti 1997, ai jetoi dhe punoi në Gjermani, deri më 2004, kur u kthye për herë të parë në Kosovë, pas përfundimit të luftës, thotë Qamili.

Prokuroria kërkoi 27 vjet burg, por Gjykata e dënoi me një vit. Në fund, sipas Qamilit, Tefikun “e shpallën të pafajshëm” dhe e liruan pas 13 muajsh në paraburgim.

“Nuk kanë gjetur fakte. Plus, kur e kanë liruar babanë, e kanë shpallur të pafajshëm”, thotë ai.

Qamili pretendon se gjatë kohës në burg, Tefikut i është dëmtuar rëndë shikimi për shkak të ambientit të errët, në të cilin është mbajtur.

“Babai, për momentin, gjendet në Zvicër. Ka shkuar për vizitë dhe për trajtim mjekësor, lidhur me problemin me sy, por edhe për një lloj ‘bllokade’… është një lloj krize nervore”, shpjegon ai.

Po sipas tij, familja ka shitur prona dhe është futur në borxhe “për të paguar qindra mijëra euro”, që avokatët serbë kërkonin për ta nxjerrë të lirë.

Gjashtë të arrestuar dhe një i zhdukur më 2025

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me shtetasit e Kosovës, të arrestuar në Serbi këtë vit.

Por, burime të REL-it brenda MPJD-së konfirmojnë se deri më tash këtë vit janë regjistruar gjashtë raste arrestimesh dhe një rast rrëmbimi nga autoritetet serbe.

Të arrestuarit, sipas tyre, dyshohen për “krime lufte” ose “vepra kundër rendit kushtetues të Serbisë”.

Rastet e të arrestuarve në Serbi, sipas burimeve në MPJD

Arbnor Spahiu – i arrestuar në qershor nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në Banjskë; u lirua më 21 nëntor.

Lulzim Halili – i arrestuar në korrik, i akuzuar për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.

Sasha Gjorgjeviq – i arrestaur në korrik, nën dyshimet për “bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHISH), përmes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)”; mbetet në paraburgim.

Behar Preniqi – i arrestuar në gusht, si “pjesëtar i dyshuar i UÇK-së”; mbetet në paraburgim.

Hazir Haziri – i arrestuar në shtator nën dyshimet për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.

Avni Qenaj – i arrestuar në nëntor për “krime lufte”; gjykata në Beograd i dha një muaj paraburgim.

Millan Vukashinoviq dyshohet se është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në Leposaviq – pjesa veriore e Kosovës – më 1 nëntor.

Më 14 gusht, autoritetet serbe kanë njoftuar se i kanë ndaluar edhe dy persona me inicialet X.E. dhe B.E. (Xhemajl dhe Bashkim Emini) në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se si pjesëtarë të UÇK-së, “kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile”. Pesë ditë më pas, ata janë liruar.

Shifrat që nuk i di askush

Avokatët nga Kosova nuk mund t’i mbrojnë qytetarët e ndaluar në Serbi pa licenca serbe, por bashkëpunojnë me avokatë vendas.

Arianit Koci, i angazhuar në disa prej rasteve, thotë se shifrat zyrtare janë “relativisht të pasakta”.

“Ka raste kur biznesmenë të caktuar janë ndaluar – me pretendimet se kanë kryer krime të luftës – dhe më pas janë liruar. Por, ata kanë insistuar që të mos bëhen publike këto informata, për shkak se, sipas tyre, ata duhet të vazhdojnë të kalojnë nëpër Serbi”, thotë Koci për Radion Evropa e Lirë.

Ai përmend edhe rastin e një ish-polici që u ndalua për disa orë dhe u lirua pa u marrë vesh nga askush.

“Ka shumë raste të tilla”, thotë ai dhe shton se Serbia “i zvarrit qëllimisht procedurat”.

“Në rastin e Hazir Hazirit, dëshmitarët e kanë shfajësuar. Por, prokuroria tani kërkon ta kontrollojë telefonin e tij të vitit 2025 për një ngjarje të vitit 1999. Si është e mundur kjo?”, pyet ai.

Sipas tij, Haziri ka kaluar dhjetëra herë më parë nëpër territorin e Serbisë dhe nuk është ndaluar deri në shtatorin e sivjetmë.

“Qytetarët janë [dëm] kolateral. Gjithmonë pëson individi kur dy shtetet kanë probleme. Këtë mekanizëm, si duket, Serbia po e shfrytëzon në mënyrë brutale”, shton Koci.

Arrestimet si instrument politik

Ekspertët, gjithashtu, vlerësojnë se këto ndalime ndodhin zakonisht kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë rriten.

Në dy vjetët e fundit, ato kanë qenë të larta, për shkak të disa veprimeve të Qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin e saj edhe në pjesën veriore të vendit, ku popullata shumicë serbe vazhdon të jetë e ndikuar nga pushteti në Beograd.

Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, thotë se qytetarët janë bërë “kolateral politik”.

“Është një lojë ‘ping-pong’. Është një kolateral që e paguajnë qytetarët e Kosovës për shkak të raporteve të tensionuara me Serbinë, si dhe për shkak se Kosova dhe Serbia kanë mbetur nën hijen e interesimit ndërkombëtar, si pasojë e luftimeve në Ukrainë dhe zhvillimeve në Lindjen e afërt”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Serbia po simulon “reciprocitet”, duke pretenduar se po arreston kosovarë si kundërpërgjigje për procedurat në Kosovë ndaj serbëve.

“… por, çdo ndalim i jashtëligjshëm është shkelje e të drejtave të njeriut. Arrestimi e pastaj lirimi i shfajëson në letër, por dëmi ndaj personit është i pariparueshëm”, thotë ai.

Shala kritikon klasën politike në të dyja vendet që po i përdor këto raste vetëm për retorikë, pa bërë përpjekje për të ndërtuar mekanizma të vërtetë bashkëpunimi, me ndërmjetësim ndërkombëtar ose ndërinstitucional.

Gjatë këtij viti, MPJD-ja e Kosovës ka përsëritur disa herë thirrjen që shtetasit kosovarë të shmangin udhëtimin përmes territorit të Serbisë, duke vlerësuar se “Serbia nuk është më një territor, i cili ofron siguri minimale për integritetin fizik dhe juridik të shtetasve të Republikës së Kosovës, në veçanti ndaj shqiptarëve”.

Territori i këtij vendi shfrytëzohet sidomos nga shtetasit që duan të kalojnë në territor të BE-së, duke hyrë fillimisht nga Serbia në Hungari, si dhe anasjelltas nga diaspora që viziton Kosovën.

Prishtina dhe Beogradi i kanë hequr dokumentet për hyrje-dalje nga vera e vitit 2022.

Mes tjerave, ato kanë edhe Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, të arritur qysh në vitin 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunimi në praktikë gati se nuk ekziston.

Arrestimet si pasojë e mungesës së dialogut

Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, e sheh valën e arrestimeve të shtetasve të Kosovës në Serbi, si dhe të serbëve të Kosovës, si pasojë të drejtpërdrejtë të ndërprerjes së dialogut politik mes dy vendeve.

Sipas tij, që nga takimi i fundit i nivelit të lartë në shtator të vitit 2023, komunikimi mes palëve është “praktikisht i shkatërruar”.

“E gjithë kjo tregon se dialogu nuk po funksionon. Arrestimet pa asnjë koordinim janë dëshmi se të gjitha kanalet e komunikimit janë rrënuar”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Gogiqit, arrestimet e shtetasve të Kosovës në Serbi janë edhe rezultat i presionit të brendshëm politik.

Procedurat penale të nisura në Kosovë kundër disa zyrtarëve serbë – përfshirë edhe drejtues të Listës Serbe për shkelje të dyshuara të ligjeve në Kosovë – kanë krijuar pritshmëri te publiku në Serbi që Beogradi të “përgjigjet”.

Për ta qetësuar këtë opinion, thotë Gogiq, autoritetet serbe shpesh arrestojnë kosovarë gjatë transitit.

Por këto lëvizje, sipas tij, janë edhe një mesazh politik për Prishtinën: “Është simptomatike që arrestimet ndodhin pothuajse paralelisht, në të dyja anët.”

Gogiq shton se tensionet e brendshme në Serbi – protestat e shumta kundër pushtetit që prej nëntorit të kaluar – e ushqejnë po ashtu këtë dinamikë.

Një pjesë e opinionit e akuzon presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për “butësi” ndaj Kosovës, dhe arrestimet shërbejnë si përgjigje politike ndaj këtyre kritikave, sipas tij.

Gogiq paralajmëron se pa bashkëpunim mes dy sistemeve të drejtësisë – qoftë edhe përmes misionit të BE-së në Kosovë, EULEX – qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë do të vazhdojnë të përballen me pasiguri juridike, duke mos e ditur se “çfarë i pret” kur hyjnë në territorin e palës tjetër. /REL

Policia përmbyll fushatën “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”

0

Policia e Kosovës ka përmbyllur sot fushatën globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”, e cila u zhvillua nga data 25 nëntor deri më 10 dhjetor 2025, në të gjitha komunat e vendit.

Policia ka treguar se gjatë kësaj periudhe ka realizuar një sërë aktivitetesh vetëdijësuese në nivel vendi, duke përfshirë shfaqjen e video-spoteve sensibilizuese, shpërndarjen e fletushkave dhe posterave informues, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për raportimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës përmbyll fushatën

“16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”

Prishtinë, 10 dhjetor 2025

Policia e Kosovës, përmes Divizionit të Policimit në Bashkësi/Drejtorisë për Parandalimin dhe Hetimin e Dhunës në Familje, sot  përmbyll fushatën globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”, e cila u zhvillua nga data 25 nëntor deri më 10 dhjetor 2025, në të gjitha komunat e vendit.

Gjatë kësaj periudhe, në kuadër të projektit “Zëri që dikur heshti, sot dëgjohet” Policia e Kosovës ka realizuar një sërë aktivitetesh vetëdijësuese në nivel vendi, duke përfshirë shfaqjen e video-spoteve sensibilizuese, shpërndarjen e fletushkave dhe posterave informues, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për raportimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave. Përmes angazhimit të vazhdueshëm të njësiteve të Policimit në Bashkësi, janë zhvilluar takime informuese me qytetarë, nxënës, përfaqësues lokalë dhe institucione partnere, me fokus të veçantë parandalimin e dhunës me bazë gjinore.

Në shenjë solidariteti dhe përkushtimi  institucional, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës u ndriçua me dritë portokalli nga ora 17:00 deri në 24:00, si simbol i mbështetjes globale për fushatën kundër dhunës me bazë gjinore. Ky aktivitet përmbyllës realizohet me përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke reflektuar angazhimin e përbashkët institucional në luftimin e dhunës dhe mbështetjen e viktimave.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin, identifikimin dhe trajtimin profesional të të gjitha formave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, si dhe në forcimin e bashkëpunimit me komunitetin, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Policia e Kosovës thekson edhe një herë se lufta kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore nuk kufizohet në 16 ditë – ajo është përgjegjësi e përditshme dhe përkushtim i vazhdueshëm.

Inkurajojmë qytetarët që të raportojnë çdo rast dhune, duke telefonuar numrin 192, linjën e veçantë 0800 19999, ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.

Zëri juaj shpëton jetë.

Policia e Kosovës – Për një shoqëri, të sigurt dhe të drejtë për të gjithë.