Udhëheqësit evropianë kanë thënë se ka ende punë për t’u bërë për të siguruar garanci sigurie për Ukrainën.
Komentet erdhën pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua të hënën në Londër me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, atë të Francës Emmanuel Macron dhe atë të Gjermanisë Friedrich Merz për të diskutuar versionin e fundit të një plani paqeje, të hartuar gjatë bisedimeve midis zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë javën e kaluar.
Pas takimit, Franca tha se puna do të “intensifikohet” për të ofruar garanci sigurie për Kievin.
Të hënën në mbrëmje, Zelensky do të udhëtonte për në Bruksel për t’u takuar me zyrtarët e NATO-s dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Starmer tha se duheshin “garanci të rrepta sigurie” në një marrëveshje paqeje për Ukrainën.
Merz deklaroi se ishte “skeptik” në lidhje me disa nga detajet e planit të mundshëm të paqes që vinte nga pala amerikane. “Por ne duhet të flasim për këtë. Kjo është arsyeja pse jemi këtu”, shtoi ai.
Në Kiev dhe në të gjithë Evropën ekziston nervozizëm se SHBA-të mund t’i japin fund mbështetjes për Ukrainën për shkak të zhgënjimit me përparimin e ngadaltë të negociatave.
“Nuk mund t’ia dalim pa amerikanët, nuk mund t’ia dalim pa Evropën dhe për këtë arsye duhet të marrim disa vendime të rëndësishme”, tha Zelensky në Londër.
Javën e kaluar, zyrtarët ukrainas kaluan tri ditë me ekipin negociator të SHBA-së në Florida duke nxitur ndryshime në një propozim paqeje të mbështetur nga SHBA-ja, i cili është konsideruar gjerësisht i favorshëm për Rusinë.
Ukraina po kërkon garanci sigurie për të siguruar që në rast të një marrëveshjeje paqeje, Rusia do të dekurajohet nga kryerja e një pushtimi ose sulmi tjetër.
Çështja e koncesioneve territoriale mbetet gjithashtu një pikë ngërçi midis Moskës dhe Kievit.
SHBA-të kanë propozuar që Ukraina të tërheqë tërësisht forcat e saj nga rajonet lindore, të cilat Rusia është përpjekur t’i marrë me forcë, por nuk ka qenë në gjendje t’i kapë plotësisht, në këmbim të tërheqjes së trupave ruse nga vende të tjera dhe një ndërprerjeje të luftimeve.
Por ky është një opsion i papranueshëm për Zelenskyn, i cili refuzon ta shpërblejë Moskën për agresionin e saj dhe i cili ka paralajmëruar vazhdimisht se Rusia do të përdorë çdo pikëmbështetje në rajonet lindore për të nisur sulme të ardhshme ndaj Ukrainës.