spot_img
E enjte, 9 Prill, 2026
14:51
Home Blog Page 7

Dobruna emërohet zv/ministër i parë në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar Agon Dobrunën në pozitën e zëvendësministrit të parë në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

“Kryeministri Kurti e uroi z. Dobruna për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja”, tha Zyra e Kryeministrit, në një njoftim për media.

Gara për anëtarë të KGJK-së: Komisioni për Legjislacion interviston javën e ardhshme 23 kandidatë

0

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka njoftuar se të martën dhe të mërkurën e javës së ardhshme do të intervistohen në Komisionin për Legjislacion 23 kandidatë për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Lajmin e ka bërë të ditur Tahiri përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ku theksoi rëndësinë e këtij procesi për sistemin e drejtësisë në vend. Sipas tij, ky proces intervistimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rendin dhe ligjin në Kosovë.

“Sot, Komisioni për Legjislacion, pas shqyrtimit të aplikimeve, ka caktuar intervistimin e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Të martën dhe të mërkurën do të intervistohen gjithsej 23 kandidatë”, ka shkruar Tahiri.

Deputeti shtoi se ky institucion luan një rol kyç në garantimin e sundimit të ligjit, andaj përzgjedhja e anëtarëve të rinj kërkon seriozitet të lartë.

„Ky proces intervistimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rendin dhe ligjin në Kosovë, pasi bëhet fjalë për një institucion shumë serioz dhe me rol kyç në garantimin e sundimit të ligjit në vend“, përfundoi ai.

Hapet gara për Avokatin e Popullit: Komisioni parlamentar miraton shpalljen e konkursit

0

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka marrë vendim unanim për shpalljen e konkursit për pozitën e Avokatit të Popullit.

Sipas raportimit të Ekonomia Online, vendimi u mor gjatë mbledhjes së mbajtur këtë të mërkurë, ku anëtarët e komisionit shqyrtuan procedurat e nevojshme për plotësimin e këtij institucioni të rëndësishëm kushtetues.

Kryetarja e Komisionit, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, bëri të ditur se propozimi për shpalljen e konkursit kaloi pa asnjë votë kundër apo abstenim.

„Me të gjitha votat ‘për’ është votuar ky propozim“, deklaroi shkurtimisht Mulhaxha-Kollçaku pas përfundimit të procesit të votimit.

Ky konkurs vjen si domosdoshmëri për të siguruar vazhdimësinë dhe funksionalitetin e institucionit të Avokatit të Popullit, i cili ka për mision mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pas shpalljes zyrtare, pritet që të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore të dorëzojnë aplikimet e tyre brenda afateve të përcaktuara.

Nga miqësi në romancë: Aurora dhe Labi i “Big Brother” nuk fshihen më

0

Dy ish-banorët e spektaklit “Big Brother”, Aurora dhe Labi, duket se nuk e kanë më qëllim fshehjen e raporteve të tyre të afërta nga syri i publikut.

Dyshja është parë mbrëmjen e kaluar në Prishtinë, teksa po shijonin një darkë së bashku në një nga restorantet e ushqimit të shpejtë në kryeqytet. Ky takim, i cili nuk është i pari javëve të fundit, ka nxitur sërish spekulimet për natyrën e marrëdhënies së tyre.

Daljet e shpeshta dhe prezenca e vazhdueshme pranë njëri-tjetrit po shihen nga ndjekësit si një konfirmim i heshtur se miqësia e nisur brenda shtëpisë më të famshme në vend, ka kaluar pragun dhe është shndërruar në një romancë dashurie.

Ndonëse asnjëri prej tyre nuk ka bërë ende një deklaratë zyrtare në rrjetet sociale, imazhet e shkrepura në Prishtinë flasin për një raport mjaft të afërt dhe komod mes dyshes. Fansat e tyre tashmë janë në pritje të konfirmimit të parë si çifti më i ri i showbiz-it shqiptar.

“Lahuta e Malcís”, poema epike e botuar 89 vjet më parë nga At Gjergj Fishta

0

Më 8 prill të vitit 1937 u botua e plotë “Lahuta e Malcís” e Gjergj Fishtës, një nga krijimet më mahnitëse të letërsisë shqiptare.

Poema epike përbëhet nga 15.613 vargje dhe është fryt i një pune tridhjetëvjeçare, ku Fishta ndërthur dokumentimin historik me artin poetik.

Vepra përshkruan përleshjet kufitare për mbrojtjen e trojeve nga fqinjët malazezë në Hot e Grudë, Lidhjen e Prizrenit, përpjekjet diplomatike pas Kongresit të Berlinit, shpresat e Revolucionit Xhonturk dhe sfidat e luftërave ballkanike, duke e çuar rrëfimin deri te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë.

Përtej vlerës letrare, “Lahuta e Malcís” shërben si një arkivë poetike e kujtesës kolektive, ku historia dhe arti gërshetohen për të ndërtuar narrativën kombëtare. Përmes saj, Fishta dokumenton ngjarjet, ngjall krenari dhe vetëdije kombëtare, duke e kthyer poezinë në një mjet të fuqishëm të identitetit shqiptar.

Stili i Fishtës, i mbështetur në dialektin gegë, figurat letrare dhe ritmin epik, e bën “Lahutën e Malcís” një vepër unike që ruan autenticitetin e gjuhës dhe traditës. /atsh

Asnjë panel në fushë: Çfarë po ndodh me parkun diellor milionësh në Rahovec?

0

Teksa kanë kaluar dy vjet që kur një konsorcium prej katër kompanish fitoi një ankand për ndërtimin e një parku diellor në Rahovec, as edhe një shenjë e tij nuk duket gjëkund.

Afati për fillimin e prodhimit të energjisë nga ky projekt është nëntori i 2026-tës, i cili mund të shtyhet deri në majin e vitit pasues, ndërsa Qeveria e Kosovës mban një garanci prej 7.5 milionë eurosh në rast shkeljeje. /REL

TELEFERIKU I GËRMISË / Sveçla i reagon Ramës: S’është ndarë asnjë cent në buxhetin e Komunës

0

Dje, përmes një postimi, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se do ta rikthejnë teleferikun e Germisë.

Rreth kësaj ka reaguar asamblisti i LVV-së në kryeqytet, Gëzim Sveçla. Ky i fundit ka thënë se në buxhetin e komunës nuk figuron asnjë kod buxhetor për teleferikun  në Gërmi, dhe se nuk është ndarë asnjë euro, as për studim, hulumtim apo analizë.

“Pra, po flasim për një projekt që promovohet publikisht, por që nuk është i planifikuar financiarisht’’, ka thënë mes tjerash Sveçla.

Postimi i plotë:

Në buxhetin e Komunës së Prishtinës për vitin 2026, të propozuar nga vetë kryetari dhe të miratuar nga Kuvendi Komunal, nuk figuron asnjë kod buxhetor për teleferikun në Gërmi. As një euro e ndarë. As për studim, hulumtim apo analizë.

Pra, po flasim për një projekt që promovohet publikisht, por që nuk është i planifikuar financiarisht.

Parku Gërmia, i mbrojtur ligjërisht, po mbytet çdo ditë nga lagjet e betonizuara që po e rrethojnë dhe nga kundërmimi i kanalizimit të hapur që derdhet në rrugë, nga Pishina e Gërmisë deri në Taukbashqe. Megjithatë, mbetet ende oaza e vetme e gjelbër e Prishtinës dhe pikërisht për këtë arsye nuk guxon të trajtohet si terren eksperimentesh.

Rama: Po e rikthejmë teleferikun e Gërmisë

Zulfaj: Masat e Bashkimit Evropian nuk u hoqën pse foli ish-presidentja Osmani

0

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka thënë se masat e BE-së nuk janë hequr vetëm sepse ish-presidentja Vjosa Osmani ka folur.

“Janë dhjetëra takime mes vendosjes së masave të padrejta dhe heqjes së tyre. Sikur të ishte çështje fjalësh, shpresoj që ish-pesidentja i kishte hequr menjëherë, e jo më shumë se dy vite më pas”, ka shkruar Zulfaj në Facebook.

Sipas tij, masat e padrejta, siç tha, të vendosura nga ish-emisari nga dosja e Epstein-it (Miroslav Lajçak v.j.) u hoqën kur pati zgjedhje të reja dhe tranzicion paqësor të pushtetit në katër komunat në veri.

“E pse pati pjesëmarrje në zgjedhje dhe tranzicion paqësor? Sepse kur i bojkotuan zgjedhjet, nuk u kthyen më pa zgjedhje të reja. E kur u kthyen jo vetëm që pati tranzicion paqësor, por edhe respekt për flamurin e Republikës së Kosovës, që valëvitet në çdo komunë sot”, ka shtuar Zulfaj.

Ai tutje tha se edhe kryeministri Albin Kurti ka folur, por siç tha, ai më shumë ka vepruar.

Reagimi i Zulfajt vjen pasi ish-presidentja Osmani mbrëmë në një intervistë televizive tha se kanë ekzistuar keqkuptime mes Qeverisë së Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtarë, e të cilat sipas saj janë tejkaluar pasi ajo ka folur me aleatët.

“Ne kemi arritur që t’i eliminojmë ato keqkuptime duke diskutuar me aleatët tanë dhe në dhjetor janë hequr ato masa”, tha Osmani.

Përfshihet nga zjarri fabrika e stiroporit në Prizren

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se një fabrikë për prodhimin e stiroporit në Prizren është përfshirë nga zjarri, ku si pasojë, janë shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Në raport bëhet e ditur se një punëtor i fabrikës ka marrë trajtim mjekësor për shkak të problemeve me frymëmarrje si pasojë e tymit.

“Fsh. Mushnikovë, Prizren  07.04.2026 – 03:00. Raportohet se si pasojë e një zjarri në një fabrikë për prodhimin e stiroporit, janë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipi i zjarrfikësve që e kanë shuar zjarrin. Një person, punëtor i fabrikës, ka kërkuar trajtim mjekësor për shkak të problemeve me frymëmarrjen si pasojë e tymit. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori’’, ka njoftuar Policia.

Prezantoi rrejshëm pasaportën diplomatike, arrestohet një grua në Aeroportin e Prishtinës

0

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një grua në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, e njëjta ka prezantuar rrejshëm një pasaportë diplomatike dhe një ID e një distinktiv të cilat edhe i janë sekuestruar.

“ANP. Adem Jashari 11.03.2026 – 15:30. Raportohet se gjatë prezantimit të dokumenteve në shkuarje nga Prishtina për në Dyseldorf, e dyshuara femër kosovare, ka prezantuar një pasaportë diplomatike një ID dhe një distinktiv, të cilat janë sekuestruar. Me 07.04.2026 me vendim të prokurorit ndaj të dyshuarës është iniciuar rasti dhe pas përfundimit të procedurave e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin policor.