spot_img
E enjte, 9 Prill, 2026
12:29
Home Blog Page 8

Osmani: Në dhjetor e janar Kurti s’kishte asnjë hezitim të më mbështeste për Presidente, më pas gjithçka ndryshoi

0

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Albin Kurti në dhjetor dhe janar i kishte thënë se e ka përkrahjen e Vetëvendosjes për të garuar edhe për një mandat.

Më pas, thotë Osmani se gjithçka ndryshoi dhe Kurti nuk e mbështeti më.

“Dikur dhjetor dhe janar Kurti më ka thënë se e kam mbështetjen e tij, dhe më pas gjithçka ka ndryshuar. Në asnjë moment nuk ka pasur hezitim kandidaturën time”, ka thënë ajo mes tjerash në “Pressing” të T7.

Çfarë presidence pati Kosova për 5 vjet?

Haxhiu shpreh gatishmëri për zgjidhjen e çështjes së presidentit

0

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se është e hapur që të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së kreut të shtetit.

“Tashmë takimet po vazhdojnë. Ka pasur edhe dje takim për këtë qëllim dhe [takimet] do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Unë jam shumë e hapur që të ndihmoj, nëse mundem, në këtë drejtim”, tha Haxhiu, gjatë takimit me Avokatin e Popullit të Shqipërisë, Endrit Shabani.

Ende pa marrëveshje për presidentin, afrohet afati kushtetues

Vaçe Zela fituese e 11 çmimeve të para në Festivalin e Këngës në RTSH

0

Më 7 prill 1939, lindi në Lushnjë këngëtarja Vaçe Zela, e cila do të kthehej në ikonën e padiskutueshme të skenës sonë muzikore.

Vaçe Zela përfundoi studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve dhe më pas nisi rrugëtimin e saj muzikor, duke spikatur që në Festivalin e Parë të Këngës në 1962, duke fituar çmimin e parë me këngën “Fëmija i parë”.

Nga arkivi i ATSH-së përzgjodhëm disa fotografi të artistes, e cila ka fituar 11 herë çmimin e parë në Festivalet e Këngës në RTSH.

Karriera e saj u pasurua përmes angazhimeve në institucionet kryesore të kohës. Ajo lëvroi me mjeshtëri si muzikën e lehtë, ashtu edhe atë popullore. Si pjesë e Ansamblit Shtetëror, Vaçe Zela i dha një frymë emancipuese dhe moderne këngës shqiptare. Përmes interpretimeve legjendare si “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Trëndelinë”, “Moj e bukura More”, ajo la një gjurmë të pashlyeshme në historiografinë kulturore.

Vaçe Zela është vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit”. /atsh

Çitaku: Hallet e vërteta janë çmimet e larta, pagat e ulëta, pensionet poshtëruese…

0

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi Presidenca e Kosovës ka njoftuar se ka hapur profile të reja zyrtare në rrjetet sociale, duke synuar siç thuhet në njoftim të sigurojë vazhdimësinë e komunikimit me qytetarët.

Në reagimin e saj Çitaku deklaron se “punë vërtetë e madhe janë çmimet e papërballueshme të gjërave më bazike. Punë vërtetë e madhe është mafia energjetike.

Punë vërtetë e madhe janë rrogat e ulëta, që i kanë sjellë punëtorët tanë në prag të varfërisë.

Pensionet poshtëruese, me të cilat nuk përballohen as ilaçet”.

Reagimi i plotë:

Pashë Zotin, a për llogari të Facebook-ut dhe Tëitter-it po bëni beteja?

Kjo është tallje me qytetarët. Hajgare koti. Inate provinciale.

Po punë e madhe kush e ka Facebook-un.

Punë vërtetë e madhe janë çmimet e papërballueshme të gjërave më bazike. Punë vërtetë e madhe është mafia energjetike.

Punë vërtetë e madhe janë rrogat e ulëta, që i kanë sjellë punëtorët tanë në prag të varfërisë.

Pensionet poshtëruese, me të cilat nuk përballohen as ilaçet.

Këto janë hallet.

Aktivitetet e Haxhiut, Presidenca paralajmëron njoftime në profile të reja

Çfarë presidence pati Kosova për 5 vjet?

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se për pesë vite Kosovën kanë arritur ta vendosin në piedestalet më të larta të përfaqësimit ndërkombëtar, “të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare dhe ta përfaqësojë vendin si në Samitin e NATO-s ende pa qenë Kosova anëtare”.

Po ashtu, “ta bëjnë Kosovën pjesë të Bordit të Paqes së themeluar nga Trump”.

Osmani e nisi bisedën me punën e saj përgjatë pesë viteve duke thënë se qëllimi ka qenë “që ta përfaqësojë denjësisht çdo qytetar të Republikës së Kosovës dhe t’i japin zë qytetarëve në platformat që kurrë nuk kanë pasur zë më herët”.

“Çka e them me bindje të plotë është që gjithnjë ka qenë qëllimi i mirë, që të mbrohet interesi qytetar dhe i shtetit tonë”, tha Osmani në Pressing.

Ajo falënderoi çdo qytetar për mbështetjen, duke thënë se “qytetarët kanë qenë burim i frymëzimit”.

Tutje, ajo është pyetur për sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat i cilësoi të padrejta.

Osmani tha se Kosova u sanksionua përkundër se u sulmua nga bandat kriminale serbe.

“Sanksionet kanë qenë tërësisht të padrejta që i janë vendosur Kosovës përkundër faktit se sulmi atë ditë më 2023 kanë ardhur nga bandat serbe të dirigjuara nga Beogradi”.

“Pastaj kanë qenë keqkuptime të Qeverisë me aleatët tanë. Ne kemi arritur që t’i eliminojmë ato keqkuptime duke diskutuar me aleatët tanë dhe më dhjetor janë hequr ato masa”, ka thënë ajo.

Ndalohen punonjës të Postës së Serbisë në Veri të Kosovës për “shpërndarje të paligjshme” të dërgesave

0

Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin se, si punonjës të Postës së Serbisë, kanë shpërndarë në mënyrë “të paligjshme” dërgesa postare.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se këta persona janë ndaluar pas një njoftimi se po shpërndanin letra.

“Morëm informacion se kishin dërgesa postare me vete, kryesisht bëhej fjalë për vendime nga gjykatat [e Serbisë]. Kjo është e paligjshme për Kosovën, letrat gjyqësore duhet të arrijnë përmes Ministrisë së Drejtësisë”, tha Elshani.

Ai shtoi se të ndaluarit janë liruar pas marrjes në pyetje dhe se me këtë rast tani po merret Departamenti për Krime Ekonomike.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar për koment Postës së Serbisë dhe po pret përgjigje.

Po ashtu, Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet brenda Postës së Serbisë se punonjësit e saj në Kosovë kanë vazhduar të punojnë pjesërisht në terren edhe pas mbylljes së institucioneve.

Institucionet e Serbisë në Kosovë konsiderohen nga autoritetet e Kosovës si paralele dhe të paligjshme, ndërsa mbyllja e tyre ka nisur në fillim të vitit 2024, pavarësisht kritikave të bashkësisë ndërkombëtare se fillimisht duhej të gjendej një zgjidhje alternative për ofrimin e shërbimeve për qytetarët, të cilët kryesisht vijnë nga radhët e komunitetit serb.

Për shembull, serbët nga Kosova marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, disa prej të cilave u janë paguar në sportelet e Postës së Serbisë, si shtesat për fëmijë ose për lehonat, pensionet, ndihma sociale dhe të ngjashme.

Radio Evropa e Lirë në fillim të vitit 2025 ka publikuar edhe rrëfimin e një punonjësi në një nga institucionet e Serbisë, i cili ka deklaruar se disa ditë në javë punon edhe nga shtëpia, nga Kosova.

Përveç Postës së Serbisë, gjatë dy vjetëve të fundit janë mbyllur edhe Banka Postare e Kursimeve, Banka Kombëtare e Serbisë, drejtoritë e Fondit për Sigurime Pensionale dhe Invalidore, qendrat për punë sociale, ndërmarrjet komunale publike, organet e përkohshme komunale dhe shumë institucione të tjera.

Beogradi zyrtar refuzon t’i mbyllë këto institucione, dhe shumicën i ka zhvendosur në zonat kufitare brenda territorit të Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më parë se me mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë rreth 5.800 persona kanë mbetur pa vendet e tyre të punës, por se ata do të vazhdojnë të marrin pagat. /REL

Ende pa marrëveshje për presidentin, afrohet afati kushtetues

0

Ndonëse kanë mbetur edhe tri javë për përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, megjithatë as sot nuk u pa ndonjë lëvizje që mund të çonte në një marrëveshje për një emër konkret.

Sipas njohësve të fushës, qasja aktuale e partive politike nuk jep asnjë garanci për një zgjidhje të qëndrueshme.

“Këta kërkojnë që të ketë një kandidat ose të ketë një marrëveshje politike, ndërsa Partia Demokratike kërkon që kandidati për president t’i takojë vetëm asaj partie në qoftë se nuk dëshiron z. Kurti ta çojë vendin në zgjedhje, përndryshe unë pres që do të kemi zgjedhje dhe ato do të mbahen sigurisht më 7 qershor”, tha Sadik Zeqiri, analist politik.

“Takimet mes kryeministrit Kurti dhe kryetarit të LDK-së, dhe më vonë ndoshta edhe me atë të PDK-së, do të vijojnë me këtë logjikë. Pra, të taktizimit politik deri në një moment kur ndoshta duhet të dakordohen edhe njëherë për të prodhuar një zgjidhje tjetër. Aktualisht nuk do të ketë mundësi të gjetjes së ndonjë zgjidhjeje kreative mes partive politike për zgjedhjen e presidentit të republikës”, tha Dorajet Imeri, analist politik.

Ndërkohë, sipas analistëve, në gjendjen aktuale më shumë vihet fokusi në akuzat e ndërsjella sesa në gjetjen e një zgjidhjeje për të shmangur zgjedhjet.

“Kryeministri Kurti, si fitues absolut i zgjedhjeve, do të duhej të bënte kompromis normal që të shmangnim zgjedhjet e reja. Por, në anën tjetër, edhe opozita nuk do të duhej të ishte kaq pasive, të priste vetëm emra nga kryeministri Kurti, por do të duhej të bashkëpunojë mes vete, sepse aktualisht është e përçarë”, tha Artan Muhaxhiri, analist, raporton televizioni publik i Kosovës.

Bazuar në vendimin e Kushtetueses, 28 prilli është afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, duke shmangur kështu zgjedhjet e parakohshme. Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin deri në këtë datë, vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja.

Kinematografia malazeze me film në shqip: “Nderi” në garë për Oscar

0

“Nderi”, filmi i suksesshëm malazez në gjuhën shqipe, vjen për herë të parë në Tiranë dhe Prishtinë. Filmi me regji nga Nikola Vukčević, është kandidati zyrtar i Malit të Zi për çmimin Oscar® (98th Academy Awards) dhe ka fituar 20 çmime ndërkombëtare në 31 festivale ndërkombëtare, duke përfshirë festivalet e kategorisë A: Cairo International Film Festival dhe IFFI GOA, si dhe Palm Springs International Film Festival.

“Nderi” ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në Mal të Zi me mbi 20,000 bileta të shitura. Premiera në Tiranë do të mbahet më 8 prill në Cineplexx, ndërsa Prishtina e mirëpret filmin më 9 prill.

Filmi rrëfen për ngjarje reale të Luftës së Dytë Botërore. Rrëfimi ndjek një fëmijë ortodoks malazez, i cili duke ikur nga një njësi fashiste, gjen strehë në shtëpinë e një familjeje myslimane shqiptare. Kryefamiljari, Nuredin Doka, përballet me një zgjedhje fatale: të rrezikojë jetën e familjes së tij për të shpëtuar një fëmijë të panjohur, apo të shkelë parimin më të shenjtë, besën.

Në role kryesore interpretojnë Edon Rizvanolli, Alban Ukaj, Xhejlane Tërbunja, Selman Jusufi, Nikola Ristanovski, Elez Adžović dhe aktorë të tjerë të njohur.

Në konferencën për mediet, në Tiranë, ishte i pranishëm regjisori Nikola Vukcevic si dhe Esmira Beqoviq, përfaqësuese e Ambasadës së Malit të Zi në Tiranë.

“Është një nder i veçantë për ne, që në kuadër të shënimit të 20 vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, ky film i vlerësuar me çmime të shfaqet premierë dhe të kemi mundësinë ta prezantojmë para publikut në Tiranë”, u shpreh Beqoviq.

Ndërsa regjisori Vukcevic tha se, ky film ka vendosur një rekord absolut në Malin e Zi, për shitjen e biletave.

“Kjo histori u prit shumë mirë në Mal të Zi gjatë dy muajve të fundit të distribucionit të filmit. Të gjitha ndryshimet tona, të gjitha dallimet tona janë pasuria e Malit të Zi dhe mënyra se si e pranojmë tjetrin, ashtu siç e tregon dhe kjo histori. Për këtë arsye mendoj se edhe në Shqipëri mund të pritet dhe vlerësohet shumë ky film që mund ta shihni e dëgjoni në gjuhën tuaj”, tha Vukcevic.

Më tej ai ngriti lart profesionalizmin e aktorit Edon Rizvanolli, i cili ka mbaruar një shkollë të shkëlqyer filmi në New York, Institutin Strasberg, një nga shkollat më të mëdha të shekullit të 20-të.

Filmi do të vijojë të shfaqet për publikun në Tiranë, ndërsa më tej do të shfaqet sërish në Beograd dhe në Podgoricë në Mal të Zi.

Projekti 15-milionësh i xhamisë shqiptare mobilizon opinionin në Zvicër

0

Tre këshilltarët të SVP-së: Christian Vogel, Sascha Schmid dhe Philipp Köppel ngrenë pyetje kritike në parlamentin e St. Gallen-it lidhur me xhaminë e re.

Një shoqatë e myslimanëve shqiptarë po planifikon të ndërtojë një xhami të re të madhe në Fürstenlandstrasse, St. Gllen. Projekti është ende në fazat e hershme; ende nuk janë paraqitur aplikime zyrtare për ndërtim.

Lidhur me ndërtimin e xhamisë, që do të kushtojë rreth 15 milionë franga, është raportuar gjerësisht ditëve të fundit në mediat zvicerane dhe ato shqiptare, shkruan Albinfo.ch.

Plani është për një ndërtesë të re me një sipërfaqe prej afërsisht 1,000 metrash katrorë dhe hapësirë ​​për disa qindra besimtarë. Kostoja totale vlerësohet deri në 15 milionë franga zvicerane, me rreth dhjetë milionë që shkojnë për ndërtim dhe pesë milionë të tjera për tokën, kishte shkruar gazeta “Blick”.

Projekti po drejtohet nga Bashkësia Islame El-Hidaje, e cila ka drejtuar një xhami më të vogël në St. Gallen për disa vite. Shoqata tashmë po mbledh fonde në mënyrë aktive për projektin në shkallë të gjerë. Sipas deklaratave të përfaqësuesve të shoqtës, ata kanë gjeneruar rreth tre milionë franga zvicerane deri më tani, duke përfshirë edhe ato nga ngjarjet e mbledhjes së fondeve në rajon.

Përveç një salle lutjesh, ndërtesa e planifikuar do të përfshijë edhe përdorime të tjera, si hapësirë ​​tregtare dhe një kafene, e cila do të jetë e hapur edhe për jo-myslimanët.

Detajet në lidhje me financimin dhe afatet e mëtejshme kohore janë ende të hapura. Nismëtarët mbeten të rezervuar publikisht, pasi projekti është ende në fazat e hershme të zhvillimit.

Ndërkohë në Kantonin ku pritet të ndërtohet xhamia, janë dëgjuar zëra që e kontestojnë atë.

Kështu, tre këshilltarët kantonalë të SVP-së, Christian Vogel, Sascha Schmid dhe Philipp Köppel ngrenë pyetje kritike në parlamentin e St. Gallen-it lidhur me xhaminë e re të madhe, shkruan gossau24.ch.

Qeveria e St. Gallen-it duhet të arsyetojë xhaminë e re të planifikuar në qytetin e St. Gallen-it: Tre këshilltarë kantonalë të SVP-së kanë paraqitur një mocion duke kërkuar përgjigje në lidhje me financimin, kuadrin ligjor dhe ndikimin e mundshëm social të projektit, transmeton albinfo.ch.

Ata kërkojnë që qeveria e St. Gallen të sqarojë tetë pyetje.

Përveç tre nënshkruesve fillestarë, mocioni mbështetet nga shtatë këshilltarë të tjerë kantonalë të SVP.

Në vazhdim, theksime nga mocioni i SVP-së në Parlamentin e Kantonit.

“Ne kërkojmë që qeveria e St. Gallenit t’u përgjigjet pyetjeve të mëposhtme individualisht: Çfarë masash po merr qeveria e St. Gallenit kundër ekstremizmit islamist brenda dhe përreth xhamive?; Si e monitoron kantoni origjinën dhe taksimin e duhur të kompensimit të tyre?; Çfarë masash po merr qeveria e St. Gallenit për të parandaluar formimin e shoqërive paralele me rregullat e tyre islamike ose sistemet ligjore rreth xhamive?; Çfarë masash po merr qeveria e St. Gallenit për të parandaluar që xhamitë të krijojnë dhe praktikojnë rregulla që bien ndesh me rendin dhe kulturën zvicerane (për shembull, barazia gjinore, shamitë për vajzat, refuzimi për të shtrënguar duart, ndarja e grave)?; Nga vijnë paratë për xhaminë e re të planifikuar në St. Gallen?; Çfarë masash po merr qeveria e St. Gallen për të parandaluar shtetet islamike, degët e tyre fetare ose kulturore, ose organizata të tjera të huaja që të kontribuojnë para në xhaminë e planifikuar në St. Gallen dhe në këtë mënyrë të ushtrojnë ndikim te myslimanët në kanton?

Qeveria tani ka tre muaj për të dhënë një përgjigje me shkrim. Këshilltarët kantonalë deklarojnë pa mëdyshje se hedhin poshtë shoqëritë paralele islamike, financimin e huaj dhe çdo shkelje të vlerave zvicerane.

“BLICK”: Shqiptarët po planifikojnë të ndërtojnë xhami 15 milionë frangëshe në St. Gallen

Aktivitetet e Haxhiut, Presidenca paralajmëron njoftime në profile të reja

0

Presidenca e Kosovës ka njoftuar se ka hapur profile të reja zyrtare në rrjetet sociale, duke synuar, siç thuhet në njoftim, të sigurojë vazhdimësinë e komunikimit me qytetarët.

Ky vendim vjen pasi profilet ekzistuese sipas njoftimit janë marrë në administrim nga zyra e presidentes së mëparshme  Vjosa Osmani dhe, sipas njoftimit, nuk përfaqësojnë më komunikimin zyrtar të institucionit.

Sipas Presidencës, profilet e reja do të menaxhohen drejtpërdrejt nga institucioni dhe do të shërbejnë si burimi i vetëm i informacionit zyrtar.

Në njoftim theksohet se komunikimi institucional nuk duhet të lidhet me mandate individuale, ndërsa profilet në rrjetet sociale konsiderohen pronë e Presidencës dhe do të mbeten në përdorim të saj pavarësisht ndryshimeve në krye të institucionit.

Komunikata e plotë:

Presidenca e Republikës së Kosovës njofton se ka krijuar profile të reja zyrtare në rrjetet sociale, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së komunikimit me qytetarët

Pas përfundimit të mandatit të Presidentes së mëparshme, profilet ekzistuese janë marrë në administrim nga zyra e saj dhe nuk përfaqësojnë më komunikimin zyrtar të Presidencës. Institucionet publike nuk janë të lidhura me mandate individuale, ato duhet të kenë komunikim të qëndrueshëm, të qartë dhe me vijimësi, në shërbim të qytetarëve.

Për këtë arsye, profilet e reja zyrtare do të administrohen drejtpërdrejt nga institucioni i Presidencës dhe do të shërbejnë si burimi i vetëm i informacionit zyrtar nga ky institucion.

Ky hap siguron që komunikimi zyrtar të mbetet i lidhur me institucionin, duke ruajtur dhe garantuar vazhdimësinë institucionale në funksion të informimit të qytetarëve.

Profilet në rrjetet sociale janë pronë e Presidencës dhe do të mbeten në përdorim të institucionit më të lartë të shtetit, pavarësisht se kush ushtron funksionin e Presidentit/es.