spot_img
E hënë, 29 Dhjetor, 2025
21:39
Home Blog Page 84

Ambasadori gjerman, Rudolph: Rugova, avokat i rezistencës

0

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka bërë homazhe para varrit të Rugovës.

Ambasadori gjerman në Kosovë, përmes rrjeteve sociale, ka bërë të ditur se ka bërë homazhe para varrit të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ai e ka vlerësuar figurën e Rugovës si avokat i rezistencës paqësore.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

“Duke nderuar trashëgiminë e Presidentit Ibrahim Rugova, një avokat i rezistencës paqësore dhe i zgjidhjes jodhunore të konflikteve”, ka shkruar në ‘BlueSky’ ambasadori gjerman.

57 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

0

Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

Sipas raportit, në këtë periudhë nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 27 aksidente me të lënduar dhe 30 të tjera me dëme materiale.

Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 2,296 gjoba trafiku.

Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 28 persona, prej të cilëve 19 i ka dërguar në mbajtje.

Çmimet në Kosovë, të paralajmëruara për rritje me fluksin e mërgatës

0

Analisti i ekonomisë, Arton Muhaxheri, ka paralajmëruar se vendi rrezikon të përballet me rritje të çmimeve gjatë sezonës së ardhjes së mërgatës, sidomos çmimet e shportës së konsumatorit në markete dhe ato të derivateve.

“Gjasat që të ndodhë një gjë e tillë janë reale, sepse këtë fenomen e kemi parë pothuajse çdo vit gjatë sezonit të ardhjes së diasporës”, deklaroi ai.

Muhaxheri tha se kur kërkesa për konsum rritet, tregu i përgjigjet me shtrenjtim, mirëpo sipas tij “problemi kryesor është se çmimet rrallëherë kthehen në nivelin e mëparshëm pasi mërgimtarët largohen”.

Analisti kritikoi dhe institucionet përgjegjëse, duke thënë se ato prej kohësh kanë braktisur pergjegjësitë e tyre për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet sezonale.

“Ajo që duhet theksuar është se institucionet të cilat e kanë për detyrë ta menaxhojnë këtë proces dhe ta mbrojnë tregun nga abuzimet sezonale, prej kohësh kanë hequr dorë nga përgjegjësitë e tyre”, theksoi Muhaxheri.

Sipas Muhaxherit, organet kompetente sillen si vëzhgues, duke lejuar tregun të funksionojë pa asnjë kontroll efektiv.

“Në vend që të veprojnë, ato po sillen si spektatorë të rëndomtë, ndërsa qytetarëve çdo ditë po u bëhet më e vështirë të përballojnë jetesën”, përfundoi Arton Muhaxheri.

Adem Demaçi, 34 vjet nga nderimi me Çmimin Saharov nga Parlamenti Evropian

0

Parlamenti Evropian më 4 dhjetor 1991 i ndau Çmimin Saharov, veprimtarit Adem Demaçi, duke e konsideruar si luftëtar të paepur për lirinë e mendimit dhe mbrojtës të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Duke e pranuar çmimin si homazh për popullin e Kosovës, Demaçi tha se “liria e fjalës është hapi i parë, vendimtar drejt demokracisë. Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog e vërteta nuk mund të vendoset dhe pa të vërtetën përparimi është i pamundur.”

Këtë çmim deri më tash e kishin marrë: Saharov, emrin e të cilit e mban, Dubçeku, Nelson Mandela, Marçenko, Aung Sun, disa nga të cilët (Mandela, Aung Su) u bënë më vonë edhe fitues të çmimit Nobel. Me këtë rast, në Parlamentin Evropian, Demaçi tha se “duke më nderuar mua, keni nderuar popullin tim të shumëvuajtur, por gjithmonë liridashës, paqedashës e krenar”.

Çmimi Saharov për lirinë e mendimit, i pagëzuar sipas disidentit dhe shkencëtarit nga Bashkimi Sovjetik Andrej Saharov (Andrei Sakharov) është themeluar në dhjetor 1988 nga Parlamenti Evropian për të nderuar individët apo organizatat që i kanë kushtuar jetën e tyre mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Çmimi Saharov ndahet çdo vit rreth datës 10 dhjetor, ditë në të cilën Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut në vitin 1948, që është e njohur edhe si Dita e të Drejtave të Njeriut.

Më 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid i dha Çmimin Special për Paqe, kundër racizmit, ksenofobisë, për qëndrim paqësor e tolerant dhe për përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të mbështetur në të drejtat e njeriut dhe në shumësi kulturore dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën, kur qarqet serbe e akuzonin për luftënxitje.

Në shkurt të vitit 1994, pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë e kandiduan shkrimtarin Adem Demaçi për çmimin Nobel për letërsi. Në shtator 1994 u kandidua sërish-tani për çmimin Nobel për Paqe, me ç’rast theksoi se “ky është një nder për mua dhe një mirënjohje për popullin shqiptar”.

Ndërkaq, më 14 dhjetor 1995 Adem Demaçit iu dorëzua Çmimi për të Drejtat e Njeriut i Universitetit të Oslos. Demaçi, duke shprehur falënderimin për këtë çmim, tha: Këtë mirënjohje nuk e kuptoj vetëm si mirënjohje të punës dhe të luftës sime për të drejtat e popullit tim, por edhe si dëshirë të qeverisë e të intelegjencisë paqedashëse norvegjeze që t’i tërheqë vëmendjen opinionit të gjerë ndërkombëtar për problemin e Kosovës.

Adem Demaçi u lind në Prishtinë, më 26 shkurt të vitit 1936. Me prejardhje ishte nga fshati Lupq i Podujevës.Demaçi është ndër emrat më të rëndësishëm në Kosovë të përpjekjeve paqësore për liri dhe për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ishte bërë i njohur qysh në fëmijëri si zë revoltues në bankat e shkollës. Demaçi nuk hezitonte asnjëherë të dënonte padrejtësitë e shumta të regjimit serb.

Në vitin 1958 është dënuar 5 vjet me burg për shkak të shkrimeve dhe bindjeve të tij, politike e atdhetare. Në vitin 1963 ka themeluar në Prishtinë organizatën e quajtur “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, me program unik kombëtar të çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo Lëvizje kishte arritur të zgjerohej në shumë qendra të Kosovës, por edhe në trojet e tjera shqiptare nën pushtimin Jugosllav. Për shkak të vazhdimit të  aktivitetit atdhetar, Adem Demaçi dënohet 15 vjet burg.

Edhe në vitin 1975 regjimi jugosllav e kishte dënuar 15 vjet burg. Demaçi ka mbajtur rreth 28 vjet, disa prej tyre në qeli i vetëm, gjatë kohës së regjimit të egër në RSFJ-së. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990 Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut deri në vitin 1995.

Gjatë periudhës 1998-1999 ka qenë zëdhënës politik i UÇK-së, në zyrën e tij, në Prishtinë.

Pas luftës ai u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave joshqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre. Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare. Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.

Ai ishte autor i disa librave: Fërkime, Gjarpijtë e gjakut, Libër për Vet Mohimin, Heli e Mimoza, Nëna Shegë e pesë gocat, Shkrumbnajë e dashur, Dashuria Kuantike e Filanit, Alb Prometeu, Politika, Pushka dhe Tung vargu im. Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik 2018.

Drogat dhe alkooli, shkaktarët kryesorë të dhunës në familje

0

Dhuna në familje vazhdon të jetë temë diskutimi në tryeza të ndryshme dhe pjesë e statistikave të organeve gjegjëse. Përgjatë nëntë muajve të fundit, këtë emër mbajnë mbi 700 kallëzime penale, rreth 600 aktakuza të ngritura e mbi 400 aktgjykime.

Zyrat për mbrojtjen e viktimave pasqyrojnë se nga 772 raste të ofrimit të mbrojtjes, 703 mbajnë emrin dhunë në familje. E ndër shkaktarët më të shpeshtë të dhunës janë përdorimi i drogave dhe alkoolit. E numri i përdoruesve të substancave psikotrope ka shënuar rritje, përfshirë edhe te fëmijët e moshave 12-13 vjeçe.

Përdoruesit e substancave psikotrope si drogat dhe alkooli, mbesin si shkaktarët kyc të dhunës në familje. Në diskutimet në kuadër të aktiviteteve të “Javës së Viktimave të Krimit”, u shfaq domosdoshmëria për një bashkëpunim më të madh institucional.

“Sa i përket statistikave të prokurori të shtetit për periudhën 9 mujore të dhunës në familje, kallëzime penale për këtë periudhë kohore janë 762, janë të ngritura 574 aktakuza dhe kërkesa për caktimin e paraburgimit janë gjithsej 115, ndërsa kërkesa të aprovuara janë 80, aktgjykime dënuese janë diku 406 aktgjykime”, tha Zejnullah Gashi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“Janar-shtator të vitit 2025 në periudhën 9 mujore, në këtë periudhë gjithsej raste që janë trajtu nga zyra për mbrojtjen ndihmë viktimave kanë qenë 772, ku prej tyre raste të dhunës në familje kanë qenë 703, do me thënë pjesa më e madhe e rasteve që trajtojmë janë raste të dhunës në familje”, tha Mema Mjeku, zyra për mbrojtje ndihmë viktimave, raporton televizioni publik.

“Deri në tetor të këtij viti janë 318 raste të dhunës të trajtuara aktualisht e që po shtohen dita-ditës, si pasojë dhe si kryes të dhunës kryesisht janë edhe përdoruesit e substancave narkotike apo psikotrope”, tha Bajram Shala, drejtor i Qendrës për Punë Sociale.

Diskutimet nxorën në pah se numri i përdoruesve të substancave psikotrope ka shënuar rritje, përfshinë edhe fëmijët e moshave 12-13 vjeç.

Moti i vranët dhe me riga shiu herë pas here

0

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njofton se sot mban mot kryesisht i vranët dhe herë pas here me riga shiu.

“Temperaturat minimale: 1 deri 3°C, temperaturat maksimale: 7-10°C, era fryn nga jugperëndimit, 1-5 m/s”, njofton IHMK.

Nis edicioni i dytë i Festivalit të Letërsisë Evropiane në Tiranë

0

Rikthehet për një edicion të dytë Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë (FELT) për të kremtuar kulturën evropiane në Shqipëri.

FELT 2025 do të sjellë 12 autorë, të cilët përfaqësojnë 13 shtete anëtare të BE-së, dhe do të zhvillohet më 2-6 dhjetor 2025.

I organizuar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri, në partneritet me Institutin Italian të Kulturës dhe në bashkëpunim me ambasadat e shteteve anëtare të BE-së, ai mbledh së bashku shkrimtarë të njohur nga Irlanda, Austria, Gjermania, Sllovenia, Spanja, Holanda, Kroacia, Republika Çeke, Bullgaria, Greqia, Franca, Italia dhe Polonia, të cilët do të lidhen me lexuesit shqiptarë dhe do të vizitojnë shkolla të mesme dhe universitete.

Me qëllim nxjerrjen në pah të diversitetit të zërave evropianë, promovimin e letërsisë bashkëkohore dhe angazhimin e publikut shqiptar me autorë dhe krijues nga e gjithë Evropa, festivali ofron një platformë për dialog, mirëkuptim dhe rrëfim historish përmes formateve dinamike.

“Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë ka të bëjë me krijimin e hapësirave, harqeve dhe urave që i bashkojnë njerëzit përmes historive. Në partneritet me ambasadat e shteteve anëtare të BE-së dhe Institutin Italian të Kulturës, po paraqesim një duzinë shkrimtarësh bashkëkohorë evropianë – disa prej të cilëve janë përkthyer edhe në shqip. Ne duam që ky festival të jetë një mundësi për biseda, eksplorim dhe lidhje, ku autorët, përkthyesit e tyre dhe lexuesit të takohen për të eksploruar botën e sotme dhe sfidat e saj përmes fuqisë së letërsisë”, tha Ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato.

“Instituti Italian i Kulturës është i kënaqur që bashkëpunon përsëri në një nismë që sjell në Tiranë zërat e shkrimtarëve evropianë që mishërojnë vlerat më të mira si diversiteti kulturor, shumëgjuhësia, pasuria krijuese e kulturës evropiane dhe i ndan ato me publikun shqiptar”, tha Drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera.

FELT do të zhvillohet në disa vendndodhje, që nga Shtëpia e Evropës deri te Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Ansambli Popullor në Tiranë, Vila 31 x Art Explora, Biblioteka Kombëtare “Sotir Kolea”, Qendra e Kulturës “Tulla”, Biblioteka “Babel” dhe Teatri Kombëtar i Kukullave, duke krijuar hapësira diskutimesh dhe bisedash, si dhe duke lehtësuar qasjen e autorëve të rinj në audienca të ndryshme ndërgjeneracionale dhe specifike. Festivali ofron mundësi për të eksploruar ide, zhanre, histori dhe koncepte, duke shërbyer si një forum për dialog kuptimplotë, si dhe duke i ftuar pjesëmarrësit të njihen me traditat e pasura letrare dhe të fitojnë njohuri më të thella mbi shoqëritë bashkëkohore.

Ndërsa letërsia ushqen arkitekturën e mendimit, duke zhvilluar imagjinatën tonë dhe duke ndërtuar ndërgjegjen, shkrimtarët evropianë që i bashkohen FELT-it përmes veprave të tyre letrare dhe dialogëve, eksplorojnë një gamë të larmishme temash. Ndër to janë shkrimi dhe përkatësia shumëgjuhëshe, shkrimi në një gjuhë minoritare, identiteti, migrimi në letërsinë bashkëkohore dhe kujtesa kulturore evropiane, problemet me shëndetin mendor, roli i familjes në jetën dhe karrierën e shkrimtarëve, sfidat me të cilat përballen shkrimtarët e rinj, sfidat shoqërore si inteligjenca artificiale, lufta dhe konflikti, letërsia në tranzicion, temat e zhvendosjes, rritja dhe qëndrueshmëria.

Sesionet e leximit nga veprat e Maja Haderlap-it, Begoña Oro-s, Michał Rusinek-ut, Barbara Stock-ut(Libri i Vinsentit), Přemysl Vinš-it mbi veprën e KarelČapek-ut, Djamel White – Fighting Words, MilenaSelimit, Ena Katarina Haler-it, Christos Kythreotis-it, Nadia Terranova-s, Dario Voltolini-it dhe Philippe Collin-it zbulojnë peizazhet letrare shumëngjyrëshe të autorëve evropianë.

Programi përfshin angazhime ditore në shkolla dhe biseda mbrëmësore të hapura për publikun, si dhe shfaqje artistike bashkëkohore, takime pune mbi shkrimin krijues dhe bashkëpunime eksperimentale që kombinojnë fjalën e folur dhe muzikën mbi temën e kujtesës letrare. Festivali pasqyron diversitetin gjuhësor, kulturor dhe tematik të letërsisë evropiane. FELT i fton pjesëmarrësit të eksplorojnë ndikimin transformues të leximit dhe rrëfimit të historive në formësimin e një Evrope më të ndërlidhur dhe më empatike. /BalkanWeb

Reali shijon më në fund fitoren

0

Pas 3 barazimeve, Real Madridi rikthehet te fitorja në kampionatin spanjoll të futbollit.

Dhe këtë e bëri në një transfertë të vështirë sic është San Mames në Bilbao me Los Blancos që mposhtën bindshëm, Athletic me rezultatin 3-0 në ndeshjen e javës së 19 të përafruar për shkak të Superkupës së Spanjës.

Në minutat e para Reali i Madridit kishte shumë vrull dhe një lojë asfiksuese dhe arriti të zhbllokojë rezultatin që në minutën e 7 pikërisht me Mbappe.

Me kalimin e minutave Athletic Bilbao filloi të shfaqej në zonën e skuadrës merenges teksa pati dy mundësi shumë të mira për të barazuar rezultatin.

Por në të dyja rastet ishte Courtois që ndërhyri duke shpëtuar portën e tij.

Në minutën e 43, skuadra e Xabi Alonso i ndëshkoi sërish baskët teksa shënoi edhe golin e dytë me Camavingan dhe me avantazhin 2-0 të Realit të Madridit u mbyll pjesa e parë.

Në fillimin e pjesës së dytë, Athletic u përpoq të bënte dicka, por në minutën e 59 Kylian Mbappe shënoi sërish duke e cuar rezultatin në 3-0 ndërkohë që ai vetë realizoi një dygolësh personal.

Ishte ky moment që goditi akoma më rëndë për Athletic Bilbaon që u duk pa forcë për të reaguar dhe kështu fitorja i shkoi Realit të Madridit që në këtë mënyrë iu përgjigj suksesit të Barcelonës dhe shkon në 36 pikë, 1 më pak se katalanasit kryesues, ndërsa Bilbao mbetet me 20 pikë në vendin e tetë, jashtë zonës evropiane në klasifikim.

Ish-i i dy banoreve të BBVK përflitet se do të hyj në shtëpinë e famshme

0

Ish-konkurrenti i “Ferma VIP”, Lim Hoti, përflitet se do të jetë banor i “Big Brother VIP Kosova”.

Vetë Limi ka “ndezur” dyshimet e publikut, duke publikuar momente teksa ka ndjekur episodet e spektaklit nga Prishtina.

Të shumta kanë qenë komentet në rrjetet socialë për hyrjen e tij në BBV Kosova, pasi ai më herët ka pasur lidhje romantike me dy nga konkurrentet e shtëpisë, Bia Khalifën dhe Alba Pollozhanin.

Kujtojmë se më këtë të fundit Lim Hoti krijojë një romancë gjatë eksperiencës së tyre në “Ferma Vip”, ky dyshja madje u përfol se kryen marrëdhënie seksuale.

Deri më tani nuk është konfirmuar nga vetë ai pjesëmarrja në BBV. Mbetet për t’u parë se si do të evoluojë loja dhe marrëdhëniet mes banorëve dhe sidomos mes Limit dhe dy ish-partnereve të tij.

Sami Kurteshi “godet” AGK, mediat dhe gazetarët, i quan kriminelë e vrasës

0

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në KQZ, Sami Kurteshi, ka eskaluar në sulm brutal ndaj mediave.

Pasi ai ofendoi gazetarët në qendrën e KQZ-së, Kurteshi ka sulmuar sërish mediat duke i quajtur si “vrasës me pagesë”.

Ai ka përmendur direkt emrat e disa mediave.

Kurteshi sulmoi edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), që doli në mbrojtje të gazetarëve nga sulmet e Kurteshit.

Postimi i plotë:

ALEANCA e GRUPEVE KRIMINALE (AGK) në MBROJTJE të VRASËSVE me PAGESË!

Aleanca e Grupeve Kriminale (AGK), ashtu sipas një tradite të saj rutinë, e tërbuar qenka vënë sërish në mbrojtje të  pronarëve të altoparlantëve të krimit të organizuar dhe dezinformimit – VRASËSVE me PAGESË – me emrat si „Vox“, „periskopi.com“, „Klan-tv“, „gazetaexpress.com“, „telegrafi.com“, „reporteri.net“, „insajderi.com“, „paparaci.com“ e ndonjë tjetër të ngjashme.

Aleanca e grupeve kriminale, lutjen e zëshme e të qartë shqip për respektim të hapësirës së punës për KQZ dhe të mediave, e kualifikon si „pengon fizikisht gazetarët“ dhe shprehet e „shokuar me sjelljen agresive dhe dënon ashpër cenimin fizik të gazetarëve“ nga unë, Sami Kurteshi, anëtar i KQZ.

Një qenie a grup qeniesh që shpif e gënjen hapur, që lutjen e qartë e të zëshme në gjuhën shqipe, për ndalimin e mësymjes fizike të të ashtuquajturve gazetarë, kamerambajtës në hapësirën e caktuar për mbledhje të KQZ, ose është idiot në kuptimin e plotë të fjalës, ose-ose, mendje e çakorduar kriminale prej vrasësi me pagesë, kur e quan „cenim fizik të gazetarëve“ dhe „pengim fizik të gazetarëve“, dhe si sjellje“recidivist në sulmet ndaj gazetarëve“.

Pikërisht ky reagim, dëshmon pa dyshim për veprime të motivuara e të dirigjuara të „gazetarë/eve“ e „kameramanëve“ të shashtrisur prej kërcënimeve, shantazheve, yshtjeve, keqtrajtimeve nga bosat dhe bosat e bosave të tyre, që janë dëshmuar si vrasës me pagesë të dinjitetit të njeriut.

Përpjekja e kësaj aleance kriminale, me impotencë reale dhe prepotencë verbale – AGK, në stilin „mbrojtja më e mirë është sulmi“ për monopolizimin dhe mbytjen e shprehjes së lirë, për ngulfatjen e zërit të qytetarit aktiv, ka rrëshqitur në veprime të padyshimta kriminale.

Sidoqoftë, veprimet e tilla banditeske e të ngjashme, të „gazetarëve“ dhe „kameramanëve“ të yshtur nga pronarët gërgasës dhe bosët e tyre vrasës me pagesë të dinjitetit të njeriut, megjithë jargavitjen kriminale dhe lutjen djallëzore-fajësuese të aleancës së grupeve kriminale (AGK), do të përballen me të njëjtën përgjigje.

Kështu do ta gjeni, sa herë dhe kurdo që kodin e gazetarisë e zëvendësoni me veprime kriminale e banditeske!