spot_img
E shtunë, 11 Prill, 2026
10:54
Home Blog Page 9

Haxhiu përkujton dëshmorët dhe martirët e 9 prillit: Sakrifica e tyre mbetet dëshmi e lirisë sonë

0

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar sot 9 prillin e vitit 1999, një nga ditët më të dhimbshme dhe më të rënda të luftës çlirimtare në Kosovë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haxhiu ka nderuar të rënët e kësaj date historike, duke vënë theksin te rëndësia e ruajtjes së kujtesës kolektive për sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të kombit.

“Në mesin e tyre kishte burra dhe gra, por edhe djem dhe vajza të reja, që nuk zgjodhën të tërhiqen përballë dhunës, por të qëndrojnë. Emra si Luminije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu dhe Mukadeze Muhaxheri-Lika mbeten dëshmi se sakrifica për liri nuk ka qenë kurrë e njëanshme, por e përbashkët, e barabartë dhe e pakushtëzuar”, shkroi ajo.

Haxhiu nënvizoi se pas 27 vjetësh, përgjegjësia institucionale dhe qytetare mbetet ruajtja e integritetit të kësaj sakrifice, e cila ishte po aq e palëkundur sa edhe qëndresa e popullit të Kosovës.

„Sot, 27 vjet më pas, i kujtojmë me nderim të gjithë të rënët e 9 prillit, me përgjegjësinë që kjo sakrificë të ruhet e plotë, ashtu siç ishte edhe qëndresa e tyre. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të kombit“, përfundoi mesazhin e saj u.d. presidentja Haxhiu.

Tragjedi në Deçan: Humb jetën një punëtor, Policia nis hetimet për vdekjen

0

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Deçan, ku një punëtor ka humbur jetën në vendin e tij të punës.

Lidhur me këtë rast tragjik, Policia e Kosovës ka dhënë detaje në raportin e saj të përditshëm, duke bërë të ditur se rasti është iniciuar si „hetim i vdekjes“. Sipas njoftimit zyrtar, viktima u gjet pa shenja jete rreth orës 14:00, ndërsa vdekja u konstatua menjëherë nga mjeku kujdestar.

Në vendin e ngjarjes, përveç njësive policore, kanë dalë edhe inspektorët e punës dhe prokurori i shtetit, për të ekzaminuar rrethanat në të cilat ka ndodhur incidenti.

“Deçan / 08.04.2026 – 14:00. Një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku. Në vendin e ngjarjes, përveç njësive policore, kanë dalë edhe inspektorët e punës dhe prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion”, thuhet në raportin policor.

Autoritetet po punojnë për të zbardhur nëse rasti ka lidhje me mungesën e sigurisë në punë apo shkaqe të tjera shëndetësore. Rezultatet e obduksionit pritet të hedhin dritë mbi shkakun e saktë të vdekjes së viktimës.

Emërimi i anëtarit në KQZ, Cakolli: Osmani bëri shkelje, çështja mund të përfundojë në Kushtetuese

0

Derisa ka mbetur edhe pak kohë për emërimin e anëtarit të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), dilema kryesore vazhdon të mbetet nëse ky post duhet t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje apo Partisë Demokratike të Kosovës.

Eugen Cakolli, menaxher i programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), vlerëson se ish-presidentja Vjosa Osmani nuk i ka ushtruar kompetencat e saj kushtetuese në këtë proces.

Cakolli, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se situata mund të komplikohet edhe më tej, sidomos për shkak se ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, vjen nga radhët e LVV-së.

“Në radhë të parë ajo çfarë është e qartë është që Presidentja Osmani nuk i ka ushtruar kompetencat e saj kushtetuese, përkatësisht ka bërë shkelje me rastin e mosemërimit të anëtarit të mbetur të KQZ-së, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të mos e pranuar rastin e saj. Në këtë drejtim, afatet e përcaktuara ligjore tashmë janë shkelur dhe për mua ka qenë e pakuptimtë se si presidentja në ditët e fundit të mandatit të saj nuk e ka ushtruar një kompetencë e cila është kompetencë ekskluzive e saj. Derisa tani kur kemi ushtruese të detyrës së presidentit të vendit, besoj që situata mund të komplikohet edhe më tej sepse meqenëse zonja Haxhiu, edhe pse është ushtruese e detyrës, ajo vjen të ketë pozitë edhe brenda Lëvizjes Vetëvendosje por edhe si kryetare e Kuvendit“, tha ai.

Ai shpjegoi edhe se kujt i takon anëtari.

“Në rast të një emërimi i cili nuk do të ishte në përputhje me praktikën dhe legjislacionin në fuqi, e sipas të cilit anëtari i dytë i takon në këtë rast Partisë Demokratike të Kosovës, meqenëse modeli që aplikon Kosova është modeli strikt i përfaqësimit, ku nuk merret parasysh proporcionaliteti në Kuvend. Pra, nuk ka rëndësi se sa deputetë ka një subjekt politik, për sa kohë që kualifikohet grupi parlamentar si i tillë, atëherë automatikisht edhe ndarja e vendeve bëhet në të njëjtën formë“, thotë Cakolli.

Ai paralajmëroi se, nëse anëtari emërohet nga radhët e LVV-së, çështja mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Derisa në rast se zonja Haxhiu do të nxjerrë një vendim për emërimin e anëtarit të tretë në këtë rast të Lëvizjes Vetëvendosje, unë besoj që lehtësisht kjo çështje do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Gjë që në radhë të parë rrezikon që ta minojë edhe më tutje kredibilitetin dhe besueshmërinë e publikut ndaj KQZ-së, dhe në anën tjetër padyshim do të ishte një indicie se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit do të mund të përdorej për të shtyrë përpara agjendën partiake të cilës i takon në fakt edhe vetë zonja Haxhiu, pa dashur që të spekuloj mbi vendimmarrjen e saj“, u shpreh ai.

Cakolli përmendi edhe precedentin e vitit 2021, duke theksuar se praktika ka qenë e qartë.

“Sipas vlerësimit tim, vendimi i vetëm i ligjshëm dhe konsistent me atë çfarë ka ngjarë deri më tani, përfshirë edhe rastin e vitit 2021 kur kemi qenë ekzaktësisht në të njëjtën situatë, pra kur ka pasur më shumë propozime sesa që ka pasur vende të mbetura për t’u ndarë brenda KQZ-së, presidentja Osmani, ngjashëm si paraprakisht presidenti Thaçi edhe më herët presidentja Jahjaga, kanë emëruar anëtarët e KQZ-së sipas modelit strikt të përfaqësimit. Dhe që i njëjti garanton një lloj besueshmërie më të madhe në fakt në KQZ, sepse KQZ-ja nuk është Kuvend në miniaturë ku reflektohet balanca politike, por është trupë e cila do të duhet që të paraqitej edhe në sytë e publikut si trupë e pavarur dhe e cila administron në mënyrë të paanshme me procesin zgjedhor“, thekson ai.

Ai rikujtoi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese nga po ai vit.

“Në këtë drejtim, Gjykata Kushtetuese në rastin e ushtruesit të detyrës së presidentit Jakup Krasniqi, pati nxjerrë në atë periudhë një opinion, përkatësisht vendim sipas të cilit i njihet i gjithë diskrecioni i plotë kushtetues ushtruesit të detyrës së presidentit për të gjithë gamën e vendimmarrjes që ai përfaqëson sipas nenit përkatës të Kushtetutës. Që i bie se në këtë rast nuk ka asnjë modalitet tjetër, përveçse zonja Haxhiu të jetë ajo e cila emëron anëtarin e mbetur të KQZ-së dhe e kompleton përbërjen e këtij institucioni. Por, ajo çfarë mbetet të shihet është nëse do të ndiqet pra praktika e deritanishme dhe kuadri ligjor, apo do të kemi një vendim i cili lehtësisht do të mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.

Të mërkurën Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, me një kërkesë zyrtare për procedimin e emërimit të anëtarit të dytë të kësaj partie në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare që nuk mbajnë vende të rezervuara. Në rast se ka më pak grupe parlamentare, grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.

11 prilli është afati i fundit ligjor për ta bërë emërimin.

Rijetësimi i Kalasë së Shkodrës, Gonxhja: Hapësirë e gjallë kulturore dhe turistike

0

Një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore po hyn në një fazë të re zhvillimi përmes projektit “Rijetësimi i Kalasë së Shkodrës”, një investim i financuar nga BERZH dhe Bashkimi Europian, me zbatues Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci vizituan nga afër kalanë e Shkodrës.

“Ky projekt synon transformimin e kalasë në një hapësirë të gjallë kulturore, turistike dhe edukative, duke përmirësuar infrastrukturën, aksesin dhe përvojën e vizitorëve, ndërkohë që ruan me rigorozitet vlerat historike dhe arkitektonike të saj”, tha Gonxhja.

Gonxhja u shpreh se “në këtë kuadër, është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, bashkisë Shkodër dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për realizimin dhe zbatimin e këtij nënprojekti strategjik”.

Projekti parashikon ndërhyrje në hapësirat e parkimit, sinjalistikë orientuese, si edhe restaurimin e muzeut të kështjellës, duke rritur cilësinë e shërbimeve për vizitorët.

Gjatë 2025 kalaja e Shkodrës u vizitua nga rreth 178 mijë vizitorë. Ndriçimi i ri i instaluar i ka dhënë kalasë një pamje tërësisht të re, duke nxjerrë në pah madhështinë dhe vlerat e këtij siti arkeologjik, një prej simboleve më të rëndësishme të Shkodrës. /atsh

Tahiri thotë se era e zgjedhjeve po ndihet qartë

0

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e përshkroi si “dinamike” ditën e djeshme, ndërsa folli për zhvillimet në Kryesinë e Kuvendit dhe për “kalkulime elektorale”.

“Dje ishte një ditë dinamike, por mbi të gjitha dëshmi se institucionet tashmë po funksionojnë në frymën e përgatitjeve për zgjedhje. Pse?”, shkroi ai.

“Në Kryesi, qasja e GP të VV-së ishte e ngurtë, pasi çdo iniciativë e opozitës po refuzohet. Rezoluta për vlerat e lirisë nuk u fut në rend dite si pikë e parë, qëndrim i pabesueshëm dhe dëshmi e standardeve të dyfishta. Kjo mungesë vullneti nuk është rastësi, por reflektim i kalkulimeve elektorale”, shtoi Tahiri në një postim në Facebook.

Postimi i plotë:

Dje ishte një ditë dinamike, por mbi të gjitha dëshmi se institucionet tashmë po funksionojnë në frymën e përgatitjeve për zgjedhje. Pse?

Në Kryesi, qasja e GP të VV-së ishte e ngurtë, pasi çdo iniciativë e opozitës po refuzohet. Rezoluta për vlerat e lirisë nuk u fut në rend dite si pikë e parë, qëndrim i pabesueshëm dhe dëshmi e standardeve të dyfishta. Kjo mungesë vullneti nuk është rastësi, por reflektim i kalkulimeve elektorale.

Ndërkohë, proceset formale vazhdojnë: intervistimi për Gjykatën Kushtetuese përfundoi me 6 emra për seancë, ndërsa në Komisionin për Legjislacion u vendos që të martën të intervistohen 23 kandidatët për KGJK-në.

Kur i sheh të gjitha bashkë, bllokadat, refuzimet dhe vonesat, është e qartë se fokusi nuk është më vendimmarrja, por pozicionimi politik.

Era e zgjedhjeve po ndihet qartë.

Policia intensifikon kontrollet, mbi 2,500 gjoba në një ditë

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se brenda 24 orëve janë shënuar 26 aksidente trafiku me të lënduar.

Gjithashtu, edhe 31 aksidente të tjera me dëme materiale.

Në të njëjtën kohë, Policia ka shqiptuar 2 mijë e 542 tiketa trafiku për shkelësit e rregullave.

27-vjetori i Betejës së Koshares: Simbol i qëndresës dhe guximit

0

Sot shënohet 27 vjetori i Betejës së Koshares, një prej betejave më të rëndësishme dhe më të suksesshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së Kosovës.

Më datën 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, Brigada 138 e UÇK-së në krye me komandantin Agim Ramadani luftoi me ushtrinë okupatore serbe për të thyer kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Përveç marrjes së kontrollit të kufirit, Beteja e Koshares kishte rëndësi strategjike të veçantë në krijimin e një rrjeti të qëndrueshëm të mbështetjes dhe logjistikës për UÇK-në.

Kjo betejë ishte e ashpër dhe e përgjakshme, por UÇK-ja arriti të fitojë betejën duke dëshmuar vendosmëri dhe guxim në front. Si pasojë, kjo betejë u bë motiv për rritjen e numrit të vullnetarëve që u bashkuan me radhët e UÇK-së për të luftuar për lirinë e vendit.

18 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës

0

Sot bëhen 18 vjet që nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Miratimi i saj ishte një moment historik që shënoi fillimin e një epoke të re për Kosovën.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të të njëjtit vit. Si akti më i lartë juridik në vend, Kushtetuta e Kosovës u garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Nëpërmjet Kushtetutës së saj, Kosova është definuar si një shtet i pavarur dhe sovran, me një sistem demokratik të qeverisjes dhe me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si vlera themelore të shoqërisë. Kushtetuta e Kosovës gjithashtu mbron dhe promovon diversitetin kulturor dhe gjuhësor të vendit dhe siguron një ambient të sigurt dhe paqësor për të gjithë qytetarët e saj.

Kushtetuta e Kosovës, e cila në pjesë rrjedh nga pakoja e Ahtisarit, i dha të drejta specifike minoriteteve që jetojnë në Kosovë

18 vjet pas miratimit të Kushtetutës, Kosova vazhdon të përballet me sfida, por ka arritur të promovojë vlerat e saj kushtetuese, duke ndërtuar një shoqëri të lirë, demokratike dhe të hapur për të gjithë qytetarët e saj.

Dita e sotme në Republikën e Kosovës është ditë feste.

Moti sot me diell dhe vranësira të shpërndara

0

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njofton se sot mban mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga shiu.

“Temperaturat minimale: -1-2°C, temperaturat maksimale: 9-12°C, era fryn nga veriperëndimi 1-4m/s”, njofton IHMK.

“S’bëj kompromis” – Haradinaj reagon ashpër ndaj komentuesit që e quajti vrasës

0

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka folur rreth komentuesit i cili e quajti vrasës.

Ai u shpreh se beson që i njëjti i ka rënë pishman dhe deklaroi se e ka denoncuar.

Haradinaj tha se nuk do të bëj asnjë kompromis në lidhje me këtë, derisa ai të dal para gjykatës.

“Jam i bindur që i ka rënë pishman, nëse vjen në Aeroport, e presin policia, jo vetëm që është denoncuar, por asnjë kompromis nuk do ta bëj, ky do të dal para gjyqit, vetëm nëse nuk e shkel kurrë Kosovën. Boll më”, tha ai në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.