spot_img
E premte, 10 Prill, 2026
20:29
Home Blog Page 968

Aktakuzë kundër pesë zyrtarëve të ndërmarrjes “Ambienti”, i ndanë bonuse vetes për dy vjet

0

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave zyrtarë, A.M., I.B., F.A., Sh.G., dhe N.A., për “Keqpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Konflikt interesi”, Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “Deklarim i rremë nën betim”.

Sipas aktakuzës “të pandehurit A.M, I.B, F.A, Sh.G dhe N.A, si persona zyrtarë të Ndërmarrjes Publike “Ambienti në Pejë, nga vitit 2020 gjer në fund të vitit 2022, duke vepruar si bashkëkryerës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe personat tjerë, tejkalojnë autorizimet e tyre zyrtare, në atë mënyrë që i pandehuri A.M si Kryesues i Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Ambienti” në Pejë, të pandehurit I.B , F.A, Sh.G, si anëtar të këtij bordi dhe i pandehuri N.B si Kryeshef ekzekutiv dhe anëtar i bordit të kësaj ndërmarrje, pa vendim të aksionarit dhe pa mbulesë ligjore vendosin t’i ndajnë vetit bonuse për secilin prej të akuzuarve”.

“Gjithashtu, sipas aktakuzës e cila ka 79 faqe, i pandehuri A.M, si Kryesues i Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Ambienti” në Pejë, akuzohet edhe për veprat penale “Legalizimi i përmbajtjes se rreme” , “Deklarimi i rremë nën betim” dhe veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga KPRK-së. I pandehur, N.A, akuzohet se në cilësinë e Kryeshefit ekzekutiv të “Ambienti” në Pejë duke punësuar me tepër se tetë persona kundërligjshëm, duke kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoriteti zyrtar” dhe veprën penale “Konflikti i interesit”, nga KPRK-së. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila ju vihen në barrë. Gjithashtu, në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Pejë është kërkuar kompensimi i humbjes se demit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës dhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publik ose në shërbim publik. Prokuroria Themelore në Pejë mbetet e përkushtuar për të luftuar kryesit e veprave penale nga kapitulli i korrupsionit”.

Prindërit e ish-policit të arrestuar nga Serbia, kërkojnë ndihmë nga ndërkombëtarët

0

Prindërit e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, kanë dhënë një deklaratë publike për rastin e arrestimit të djalit të tyre nga shteti i Serbisë.

Ata kanë thënë se djali i tyre aktualisht ndodhet në paraburgim në Serbi, mbi bazën e një akuze të padrejtë dhe të pabazë.

“Dëshirojmë të sqarojmë publikisht se Arbnori ka dhënë dorëheqje nga puna më 1 nëntor 2022 dhe që prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me bashkëshorten e tij, duke ndjekur një jetë të qetë dhe të rregullt. Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur një vit më pas, në një kohë kur ai nuk ka qenë pjesë e asnjë institucioni dhe nuk ka pasur asnjë rol që do ta lidhte me atë rast. Çdo përpjekje për ta lidhur emrin e tij me një ngjarje që nuk ka të bëjë me të është jo vetëm e padrejtë, por edhe e dëmshme”, është thënë në këtë deklaratë.

Më tutje, ndërmjet këtij reagimi, ata kanë kërkuar ndihmë nga ana e ndërkombëtarëve.

“Apelojmë tek institucionet ndërkombëtare, organizatat për të drejtat e njeriut dhe tek opinion publik që të mos heshtin përballë kësaj padrejtësie. Secili njeri meriton një proces të drejtë dhe të ndershëm, e kjo nuk po ndodh në rastin e Arbnorit. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësinë e tij me mjete ligjore dhe institucionale, me besimin se e vërteta nuk mund të mohohet”, është thënë në reagimin e prindërve të ish-policit kosovar të Kosovë, i cili para disa ditësh është arrestuar në Serbi.

Deklaratë publike nga prindërit e Arbnor Spahiut:

Ne jemi prindërit e Arbnor Spahiut. Djali ynë ndodhet aktualisht në paraburgim në Serbi, mbi bazën e një akuze të padrejtë dhe të pabazë.

Dëshirojmë të sqarojmë publikisht se Arbnori ka dhënë dorëheqje nga puna më 1 nëntor 2022. dhe që prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me bashkëshorten e tij, duke ndjekur një jetë të qetë dhe të rregullt.

Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur një vit më pas, në një kohë kur ai nuk ka qenë pjesë e asnjë institucioni dhe nuk ka pasur asnjë rol që do ta lidhte me atë rast. Çdo përpjekje për ta lidhur emrin e tij me një ngjarje që nuk ka të bëjë me të është jo vetëm e padrejtë, por edhe e dëmshme.

Kjo është arsyeja pse ne, si prindër, e konsiderojmë ndalimin e tij një shkelje të rëndë të të drejtave të tij si qytetar, e cila bie ndesh me çdo parim të drejtësisë dhe logjikës ligjore. Ai është i pafajshëm dhe nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen për të cilën po mbahet.

Apelojmë tek institucionet ndërkombëtare, organizatat për të drejtat e njeriut dhe tek opinion publik që të mos heshtin përballë kësaj padrejtësie. Secili njeri meriton një proces të drejtë dhe të ndershëm, e kjo nuk po ndodh në rastin e Arbnorit.

Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësinë e tij me mjete ligjore dhe institucionale, me besimin se e vërteta nuk mund të mohohet.

Në emër të familjes,

Prindërit e Arbnor Spahiut

Sara Hoxha dhe Erik Fullani shijojnë bregdetin

0

Prej disa ditësh rrjeti po zien nga thashethemet për një lidhje të mundshme mes Sarës Hoxha dhe Erik Fullanit.

Dyshimet nisën pas disa postimeve të dyshimta nga i njëjti destinacion në jug të vendit, por tashmë duket se çdo dyshim është konfirmuar me këto pamje ekskluzive të siguruara nga IconStyle.

Në foto, Sara dhe Eriku shihen duke shijuar një ditë plazhi në shoqërinë e njëri-tjetrit, të relaksuar dhe të buzëqeshur, në një ambient privat dhe larg syve të publikut.

Thaçit i vazhdohet sërish paraburgimi

0

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj tjerë ndaj Hashim Thaçit në rastin ku bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, akuzohen për krime lufte.

Vendimi është marrë më 11 qershor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Prokuroria kishte pretenduar se Thaçi vazhdon të paraqesë rrezik për arratisje pasi ai është në dijeni për akuzat serioze të konfirmuara ndaj tij. Po ashtu, ata e mbështesin këtë argument me faktin çështja e Prokurorisë ka përfunduar dhe tashmë Thaçi ka njohuri të plotë edhe për provat që janë kundër tij.

Prokuroria kishte pretenduar gjithashtu se së shpejti Thaçi do të ketë informacione të ndjeshme në lidhje me dëshmitarët dhe provat që do t’i paraqesë mbrojtja e viktimave. Veç kësaj, fakti që Thaçi ka aktakuzë për pengim të procedurave, sipas Prokurorisë, e rritë motivin e tij që ai të arratiset.

Ndërsa, mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq ka thënë se as gjykatësi i procedurës paraprake dhe as trupi gjykues nuk kanë konstatuar ndonjëherë se ka rrezik që Thaçi të arratiset nga drejtësia.

Ndërsa, lidhur me këtë aspekt, trupi gjykues ka thënë se Prokuroria vazhdimisht po përsëritë argumente që janë shqyrtuar dhe refuzuar më parë.

Kurse sa i përket argumentit të ri të Prokurorisë, që Thaçi do të ketë informacion të ndjeshëm për dëshmitarët e mbrojtjes së viktimave, trupi gjykues theksoi se nuk është argument bindës për të mbështetur pretendimet që Thaçi ka rrezik të arratiset.

Sipas trupit gjykues, ky argument mund të ishte më i përshtatshëm të shqyrtohet tek pjesa e pengimit të procedurave.

Si rrjedhojë, trupi gjykues ka thënë se nuk ka informacione të mjaftueshme që Thaçi mund të ikë nga drejtësia në këtë fazë të procedurës.

Tek pika e pengimit të procedurave, Prokuroria kishte thënë se Thaçi paraqet një rrezik të tillë duke u bazuar në klimën e përgjithshme të ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve në Kosovë.

Veç kësaj, Prokuroria ka theksuar se përfundimi i çështjes së tyre e rrit rrezikun për pengim pasi që i akuzuari ka njohuri të plotë mbi çështjen dhe dëshmitarët mund t’i ekspozohen rreziqeve.

“ZPS thekson gjithashtu se informacioni i ndjeshëm i është zbuluar mbrojtjes, përfshirë të akuzuarin, duke rritur rrezikun e ekspozimit ndaj publikut dhe duke dëmtuar mbrojtjen e dëshmitarëve në rast lirimi”, thuhet në vendim.

Mbrojtja e kishte kundërshtuar argumentin e mbrojtjes, duke pretenduar se rreziku i pengimit të procedurave duhet të ulet me kalimin e kohës dhe me përfundimin e çështjes së Prokurorisë.

Po ashtu, mbrojtja ka argumentuar se dëshmitarët që pret t’i thërrasë mbrojtësi i viktimave janë ekspertë ndërkombëtarë dhe jo dëshmitarë të ndjeshëm, prandaj nuk ka asnjë rrezik për ndërhyrje.

Trupi gjykues ka thënë se duke u mbështetur edhe në faktin që janë konfirmuar akuzat që Thaçi ka tentuar që të pengojë drejtësinë, lirimi i tij nuk do të ishte në përputhje me mbrojtjen efektive të dëshmitarëve.

Si rrjedhojë, u konkludua që Thaçi përbën rrezik që të pengojë vazhdimin e procedurave të DhSK-së.

Prokuroria kishte parashtruar se Thaçi vazhdon të paraqesë rrezik për kryejnë e krimeve të tjera duke përfshirë ato ndaj dëshmitarëve që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në fazat e mëvonshme në këtë çështje.

Trupi gjykues ka rikujtuar gjetjet e tij të mëparshme, se rreziku që Thaçi mund të kryejë krime të tjera vazhdon të ekzistojë.

“Trupi fjykues thekson faktin se gjykimi në këtë çështje është në vazhdim, se identitetet e dëshmitarëve të ndjeshëm janë zbuluar për z. Thaçi, dhe se çdo rrezik për kryerjen e mëtejshme të krimeve duhet të shmanget”, thuhet në vendim.

Trupi gjykues është i mendimit që asnjë masë alternative duke përfshirë edhe lirimin me kusht, nuk i zbusin mjaftueshëm rreziqet ekzistuese të këtij procesi. Si rrjedhojë, u urdhërua që t’i vazhdohet paraburgimi Thaçit edhe për dy muaj të tjerë.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimitdhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Ismajli ka gjasa ta prejë biletën për në Turqi

0

Rënia e Empolit nga Serie A në atë B, ka vënë në dyshim qëndrimin e mëtejmë të mbrojtësit të kombëtares, Ardian Ismajli.

Sipas mediave italiane me shumë gjasa pritet që destinacioni i tij i radhës të mos jetë Italia, pasi Ismajlin po e kërkon Beshiktashi.

Përfundimi i kontratës me Empolin si dhe performanca e sezonit të fundit, bëjnë që të jetë ndër më të kërkuarit nga futbollistët kuqezi.

Napoli prej kohësh monitoronte situatën e Ismajlit, por nuk ia doli të konkretizojë diçka me Empolin, të paktën për momentin.

Rinovimi me Empolin është çështje e pamundur, pasi Ismajli e ka refuzuar prej kohësh.

Ndaj në këto kushte, një lëvizje e mbrojtësit kuqezi drejt Superligës turke nuk është një destinacion për t’u mos marrë në konsideratë.

Prej disa javësh skuadra e Besiktas është interesuar për Ismajlin, ndaj pritet që në ditët në vijim drejtuesit e klubit nga Stambolli të intesifikojnë kontaktet me agjentin e futbollistit.

Nëse ky transferim konkretizohet, atëherë Ismajli do të bashkohet me Ernest Muçin.

Sigurisht nëse ky i fundit nuk transferohet diku tjetër gjatë verës, duke qenë se edhe e ardhmja e fantazistit kuqezi duket për momentin të jetë e paqartë.

Konflikti Izrael-Iran, kryetari i naftëtarëve të Kosovës: Çmimet e naftës po rriten, këto janë aktualet

0

Kryetari i shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, Fadil Bernjani ka njoftuar se “çmimet e naftës po rriten për shkak të tensioneve në mes të Izraelit dhe Iranit.

“Njoftim mbi zhvillimet e fundit ne lindje te mesme dhe ndikimin ne sektorin e naftes: Cmimet e naftes po rriten per shkak te tensioneve ne mes te Izraelit dhe Iranit. Kjo po shkakton frike per nderprerje te furnizimit duke ndikuar ne rritjen e cmimeve”, shkroi Bernjani në një postim në Facebook.

“Irani prodhon nje pjese te madhe te naftes ne bote dhe kontrollon ngushticen e Hormuzit, nje pike ku kalon afersisht 20% e naftes boterore. Cdo eskalim i kesaj situate do te ndikoj me shume ne rritjen e naftes ndersa ndonje marreveshje paqeje e ndermjetesuar nga SHBA mund te qetesoj tregun e naftes. Cmimi i naftes ne Kosove sigurisht qe ndikohet gjithashtu nga keto zhvillime gjeopolitike per shkak qe Kosova importon pjesen me te madhe te naftes”, shtoi ai.

Çmimet aktuale në Kosovë sipas Bernjanit janë: Diesel: 1.14€-1.24€ dhe Benzine: 1.15€-1.25€.

Nis gjykimi për Masakrën e Mejës

0

Ka nisur gjykimi ndaj Momir Stojanoviq dhe 52 personave të tjerë të akuzuar si pjesëmarrës në Masakrën e Mejës.

Aktakuza për këtë rast është ngritur me 8 dhjetor 2023.

Të gjithë personat akuzohen në mungesë.

Avokati Arianit Koci, gjatë seancës ka thënë se i akuzuari Mihill Abazi ka vdekur qe një kohë të gjatë. Koci ka theksuar se këtë informacion ia ka dhënë djali i të akuzuarit, Sokoli, i cili është gjithashtu i akuzuar në këtë çështje.

Kjo masakër ndodhi në prill të vitit 1999, kur u vranë 370 shqiptarë të Kosovës, trupat e të cilëve u gjetën më pas në tetë varreza masive në Batajnicë të Serbisë.

Aktakuza, e ngritur në dhjetor të vitit 2023 dhe u plotësua në prill të vitit 2024, përfshin 53 persona, ndër të cilët i dyshuari kryesor është Momir Stojanoviq, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës, i cili ka qenë edhe drejtor i Agjencisë Ushtarake dhe të Sigurimit të Serbisë.

Në mesin e të akuzuarve janë edhe Franko Simatoviq “Frenki”, komandant i Njësisë për Operacione Speciale (JSO), e formuar nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore i Serbisë në fillim të viteve ’90; Sreten Çamoviq, ish-shef i Sigurisë; Verolub Zhivkoviq, ish-shef i Shtabit të Korpusit të Prishtinës; Illija Todorov, ish-komandant i Brigadës së 63-të Parashutiste, dhe Dragan Zhivanoviq, ish-komandant i Brigadës së 52-të Raketore të Artilerisë.

Kurti pyetet për paralajmërimin e Trump se do t’i kthehet Kosovës dhe Serbisë, ky është reagimi i tij

0

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i mundur dhe për t’u arritur kjo, duhet që t’i bëhet trysni Beogradit që të zbatojë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur më 2023.

Kështu u përgjigj Kurti në pyetjen nëse mund të ketë shpejt një marrëveshje me Serbinë, pas një deklarate të bërë një ditë më parë nga presidenti amerikan, Donald Trump, lidhur me raportet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kurti përsëriti qëndrimin se Kosova dhe Serbia veçse e kanë arritur një marrëveshje për normalizim, që tha se po shkelet nga Beogradi, teksa përsëriti kërkesat e Kosovës për këtë proces.

“Për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Millan Radoiçiqin, kriminelin i cili na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pas, të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit. Njëkohësisht, ta tërheqin edhe atë letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja [serbe, Ana] Bërnabiq ka thënë që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti.

Trump shkroi të dielën në Truth Social se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia ishin “duke shkuar drejt një përplasje të ashpër” dhe ishte gati shpërthimi i një lufte, por shtoi se ai e ndaloi atë, duke e akuzuar pasardhësin e tij, ish-presidentin Joe Biden, se e “ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish”.

Gjatë mandatit të parë të Trumpit, më 2020, Kosova dhe Serbia arritën në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.

Pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale nëntorin e vitit të kaluar, Kurti ishte pyetur lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit.

Atëbotë, ai po ashtu kishte deklaruar se së pari duhej të zbatohet marrëveshja e arritur më 2023 në Bruksel, dhe aneksi për zbatimin e saj, për të cilin palët u dakorduan në Ohër.

“Besoj që normalizimi është i mundur, trysnia duhet të jetë mbi Beogradin dhe gjithmonë e mirëpresim rolin e SHBA-së, që është aleatja jonë kryesore, partnerja e pazëvendësueshme dhe mikja speciale në tri fusha kryesore. E para është mbrojtja, e dyta është diplomacia, dhe e treta është zhvillimi”, tha Kurti për gazetarët më 16 qershor.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve nuk është nënshkruar nga palët, për shkak të refuzimit të Serbisë që të bëjë një gjë të tillë. Por, Bashkimi Evropian – që ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – insiston se marrëveshja është obligative për palët.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Kosova dhe Serbia që nga shtatori i vitit 2023 nuk kanë zhvilluar takim të dialogut në nivel të lartë politik. Së voni, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka bërë me dije se po bëhen përgatitje për një takim të ri të dialogut në nivel të lartë politik.

Panairi i Librit “Prishtina 2025”: Më pak vizitorë, më shumë shfaqje

0

Panairi i Librit “Prishtina 2025” u mbajt edhe këtë vit në ambientet e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, duke sjellë sërish në vëmendje rëndësinë e librit dhe të leximit në jetën kulturore të vendit.

Megjithatë, ndryshe nga vitet e kaluara, ky edicion u karakterizua nga një numër më i ulët vizitorësh dhe blerësish, çka reflekton qartë një rënie të interesimit shoqëror për librin.

Për botuesit dhe autorët pjesëmarrës, mungesa e entuziazmit të publikut dhe e përkrahjes së drejtpërdrejtë u përkthye në shitje më të ulëta dhe një atmosferë më të zbehur.

Të dhënat e Storm• dhe komentet nga pronarët e shtëpive botuese tregojnë për një prirje shqetësuese: leximi po humbet terren, sidomos te të rinjtë.

Ajo që bie në sy në këtë kontekst është prania e politikanëve në panair, të cilët shpesh marrin pjesë në këto ngjarje jo si mbështetës të vërtetë të librit, por si figurë publike në kërkim të shfaqjes mediatike.

Shumë prej tyre duket se janë aty më tepër për të krijuar një imazh të kultivuar sesa për të dhënë kontribut real në promovimin e leximit dhe të politikave kulturore.

Kjo prani formale, e shkëputur nga përkushtimi i vërtetë institucional, nuk arrin të fshehë mungesën e një strategjie afatgjatë për nxitjen e kulturës së leximit në Kosovë.

Në përmbyllje, Panairi i Librit “Prishtina 2025”, megjithëse vazhdon të mbetet një ngjarje e rëndësishme në kalendarin kulturor, dëshmon se sfidat për librin dhe lexuesin janë më të mëdha se kurrë.

Pa një angazhim më të thellë institucional dhe shoqëror, rrezikojmë të kthejmë librin në një objekt simbolik, por gjithnjë e më pak të pranishëm në jetën tonë të përditshme.

Storm Ekskluzive: Udhëheqësit Iranianë në negociata për t’u larguar drejt Rusisë

0

Pas katër ditë konflikti, drejtues të lartë dhe njerëzit e afërt të udhëheqësit të Iranit, kanë nisur përgatitjet për t’u larguar nga Republika Islamike.

Sipas mediumit ‘Iran International’, Ali Asghar Hejazi, zëvendësshefi i stafit të Ali Khameneit, së bashku me disa zyrtarë të tjerë të lartë, janë në bisedime me autoritetet ruse për të evakuuar veten dhe familjet e tyre nga vendi nëse është e nevojshme.

Ky informacion tregon se një zyrtar i lartë rus kontaktoi Hejazin dhe e siguroi atë se nëse situata përkeqësohej, ai dhe familja e tij do të evakuoheshin nga Irani përmes një korridori të sigurt.

Sipas raportit, individë të tjerë nga zyrtarë të lartë të Republikës Islamike kanë marrë telefonata të ngjashme dhe disa prej tyre po finalizojnë rrugët e tyre të daljes.

I njëjti medium raporton se Ali Khamenei u zhvendos në një bunker nëntokësor në Lavizan, që ndodhet në verilindje të Teheranit.

Sipas këtij raporti, të gjithë anëtarët e familjes së udhëheqësit të Republikës Islamike, përfshirë Mojtabën, janë duke qëndruar me të.

Burimi diplomatik shtoi se Izraeli mund ta kishte eliminuar Khamenein që natën e parë të operacionit, por qeveria izraelite vendosi ta mbante gjallë për t’i dhënë udhëheqësit të Republikës Islamike një mundësi të fundit për të vendosur për çmontimin e plotë të programit të pasurimit të Teheranit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i kishte dhënë Khameneit dy muaj kohë për të rënë dakord të çmontonte programin e pasurimit të uraniumit të qeverisë iraniane gjatë negociatave bërthamore me Shtetet e Bashkuara, por udhëheqësi i Republikës Islamike i injoroi paralajmërimet e tij dhe të Izraelit.

Me fillimin e sulmeve ajrore izraelite, Khamenei-t i është dhënë përsëri mundësia të lëshojë një urdhër për çmontimin e programit të pasurimit, bazuar në një vlerësim realist të aftësive ushtarake të Izraelit.