spot_img
E premte, 10 Prill, 2026
18:48
Home Blog Page 969

Masakra e Mejës përballet me drejtësinë, por jo edhe të akuzuarit

0

Seanca fillestare për rastin e masakrës në Mejë dhe në fshatrat tjerë në rajonin e Gjakovës mbahet sot, e hënë, më 16 qershor, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ky krim ndodhi në prill të vitit 1999, kur u vranë 370 shqiptarë të Kosovës, trupat e të cilëve u gjetën më pas në tetë varreza masive në Batajnicë të Serbisë.

Aktakuza, e ngritur në dhjetor të vitit 2023 dhe e plotësuar në prill të vitit 2024, përfshin 53 persona, ndër të cilët i dyshuari kryesor është Momir Stojanoviq, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës, i cili ka qenë edhe drejtor i Agjencisë Ushtarake dhe të Sigurimit të Serbisë.

Në mesin e të akuzuarve janë edhe Franko Simatoviq “Frenki”, komandant i Njësisë për Operacione Speciale (JSO), e formuar nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore i Serbisë në fillim të viteve ’90; Sreten Çamoviq, ish-shef i Sigurisë; Verolub Zhivkoviq, ish-shef i Shtabit të Korpusit të Prishtinës; Illija Todorov, ish-komandant i Brigadës së 63-të Parashutiste, dhe Dragan Zhivanoviq, ish-komandant i Brigadës së 52-të Raketore të Artilerisë.

Roli i JSO-së në luftën në Kosovë

Në fillim të dekadës së fundit të shekullit XX, Shërbimi i Sigurimit të Shtetit i Serbisë – i njohur më vonë si Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit, BIA – themeloi Njësinë për Operacione Speciale (JSO).

Në atë kohë, ky shërbim drejtohej nga Jovica Stanishiq – njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të presidentit të atëhershëm jugosllav, Sllobodan Millosheviq.

Dorë e djathtë e tij ishte Franko Simatoviq, i njohur si “Frenki”, themelues i JSO-së dhe përgjegjës për koordinimin e njësive paramilitare në frontet e luftës në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

Në maj të vitit 2023, Gjykata në Hagë dënoi përfundimisht Stanishiqin dhe Simatoviqin me nga 15 vjet burg, për mbështetjen dhe inkurajimin e krimeve të luftës në Bosnje e Hercegovinë, në vitin 1992.

Ata u shpallën fajtorë për krime në Bijelinë, Doboj, Zvornik, Tërnovo, Sanski Most dhe Bosanski Shamac.

Njësia për Operacione Speciale, me këtë emër, mori pjesë edhe në luftën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Në një intervistë për organizatën ndërkombëtare, Human Rights Watch, një polic serb që kishte shërbyer për gjashtë muaj në Kosovë më 1998, i përshkroi pjesëtarët e JSO-së, të njohur edhe si “Frenkistët”, si jashtëzakonisht brutalë.

“Frenkistët i vrasin të gjithë. Besomëni, nuk doni t’i shihni”, kishte deklaruar ai në një intervistë të përfshirë në librin e HRW-së “Me urdhër: Krimet e luftës në Kosovë”, i cili u botua në serbisht në vitin 2003 nga Samizdat B92.

Në mesin e të akuzuarve për krimet në Mejë dhe fshatrat tjerë përreth Gjakovës janë edhe zyrtarë të tjerë të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Serbisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët akuzohen për planifikimin dhe zbatimin e operacionit “Reka”, gjatë të cilit u vranë 370 civilë shqiptarë.

Ata akuzohen për vrasje, dhunë fizike dhe seksuale, tortura, plaçkitje dhe dëbim etnik të shqiptarëve.

Gjyqi në Prishtinë mbahet në mungesë të të akuzuarve, pasi ata nuk janë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore të Kosovës.

Prokurorja Drita Hajdari, tani në pension, ka deklaruar më herët se rasti i Mejës është trashëguar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), i cili në vitin 2013 ka hapur hetimet ndaj 18 personave.

Ajo ka bërë të ditur se, pas marrjes së lëndës në fund të vitit 2018, prokurorët vendorë kanë vazhduar dhe zgjeruar hetimet edhe ndaj 35 personave të tjerë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të akuzuarve në këtë rast në 53.

Në raportin e EULEX-it për monitorimin e sundimit të ligjit, të publikuar në nëntor të vitit 2024, thuhet se aktakuza për krimet në Mejë është rast me përparësi të madhe dhe se përfshin një doktrinë të ndërlikuar ligjore të përgjegjësisë komanduese.

“Për herë të parë trajton edhe shfarosjen e fshatrave të tërë – gjë që e rrit edhe më tej kompleksitetin e saj”, thuhet në raport.

Kandiq: Të akuzuarit ndodhen në Serbi, të mbrojtur nga përgjegjësia penale

Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, thotë se krimi në Mejë nuk është sqaruar kurrë mjaftueshëm për t’u sjellë drejtësi viktimave dhe për të kontribuar në vendosjen e drejtësisë pas luftës në Kosovë.

Ajo shton se shumica e trupave të të vrarëve në Mejë dhe në fshatrat përreth, pranë Gjakovës, janë zhvarrosur nga varret masive në kompleksin e policisë në Batajnicë, por se 15 persona të tjerë janë ende të zhdukur.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Kandiq thotë se para Gjykatës së Hagës janë paraqitur dhe vërtetuar prova të shumta, të cilat u kanë mundësuar autoriteteve gjyqësore në Serbi t’i fillonin procedurat dhe ta ndiqnin penalisht krimin më të madh në Kosovë, në mënyrë që përgjegjësit të ndëshkoheshin.

Por kjo, siç thotë ajo, nuk ka ndodhur kurrë.

Fondi për të Drejtën Humanitare, shton Kandiq, ka iniciuar rastin e Momir Stojanoviqit, të dyshuarit kryesor për krimet në Mejë, në vitin 2015, dhe më pas, sipas saj, prokurori i EULEX-it ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për të, po atë vit.

Ajo thotë se Fondi për të Drejtën Humanitare i ka kërkuar Prokurorisë për Krime Lufte në Serbi t’i niste hetimet, por se përgjigjja ka qenë “zhgënjyese” – se Momir Stojanoviq “nuk figuron në dokumentacionin dëshmues”.

“Krimi është i tmerrshëm, krimi është më i madhi [në Kosovë]. Vetëm përfaqësuesit më të lartë të Korpusit të Prishtinës të Armatës së Tretë janë mbajtur përgjegjës për atë krim, por ekziston një listë shumë e gjatë e atyre që i përkasin atij rangu oficerësh, me pozicione të rëndësishme… dhe askush nuk është mbajtur përgjegjës”.

“Të gjithë janë në Serbi, disa prej tyre janë në pension, por të gjithë janë në Serbi, të mbrojtur nga përgjegjësia penale, sepse nuk ka vullnet politik për t’i ndëshkuar, sidomos ato krime në Mejë, Korenicë dhe fshatra të tjerë pranë kufirit me Shqipërinë”, thotë Kandiq.

Gjykimi në mungesë

Gjykimi në mungesë në Kosovë është mundësuar me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, në vitin 2022, por vetëm me kusht që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Megjithatë, Kodi i Procedurës Penale përcakton se personat që gjykohen në mungesë, për shkak se autoritetet nuk kanë arritur të sigurojnë praninë e tyre, kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që nga hyrja në fuqi e ligjit për gjykimet në mungesë deri në shkurt të vitt 2025, janë ngritur pesëmbëdhjetë aktakuza në mungesë, kundër 73 anëtarëve të forcave serbe, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Aktgjykimi i parë në mungesë u dha në dhjetor të vitit 2024 në rastin e Çedomir Aksiqit, i cili u dënua me 15 vjet burg për krime lufte kundër popullatës civile, të kryera midis janarit dhe majit të vitit 1999 në territorin e komunës së Shtimjes në Kosovë.

“Gjykimet në mungesë nuk sjellin drejtësi”

Kandiq vlerëson se “kur politika e zëvendëson ligjin, atëherë nga drejtësia penale kemi gjykime në mungesë”.

“Për ata që nuk janë të disponueshëm, për ata që janë në Serbi, jeta e mëtejshme do të jetë e tillë që nuk do të mund të lëvizin askund, jashtë Serbisë, sepse do të arrestohen. Sa i përket drejtësisë, lind pyetja nëse gjyqësori i Kosovës do të jetë në gjendje t’i provojë krimet kundër të të gjithë të akuzuarve, nëse gjyqi do të duket si një forum ku do të dëgjohen vetëm rrëfimet e viktimave, pa asnjë komunikim me autoritetet gjyqësore të Serbisë”, thotë Kandiq.

Ajo shton se gjykimet në mungesë nuk sjellin drejtësi, nëse nuk ka bashkëpunim institucional midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas saj, Bashkimi Evropian duhet të gjejë një zgjidhje për këtë bashkëpunim brenda kornizës së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, “në mënyrë që të ngrihen aktakuza të dokumentuara dhe me cilësi të lartë dhe që mund të çojnë në rezultate efektive në praktikë”.

Në të kundërtën, thekson Kandiq, gjykimet në mungesë nuk do të sjellin ndryshime të mëdha, përveç faktit se edhe Kosova, edhe Serbia do t’i mbrojnë qytetarët e tyre të dënuar për krime lufte.

Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se gjykimet për krime lufte në mungesë “shkojnë kundër standardeve evropiane për gjykime të drejta”, sepse të akuzuarit nuk janë në gjendje ta mbrojnë veten.

Në proceset gjyqësore në mungesë në Kosovë, të akuzuarit përfaqësohen nga avokatë të caktuar me detyrë zyrtare.

“Për ne, ky nuk është gjyq i drejtë”, ka thënë Blakaj, duke shtuar se vendimet në mungesë janë “drejtësi e rreme” për viktimat ose anëtarët e familjeve të tyre, të cilët, fillimisht, mund të ndihen të lehtësuar, por, me kalimin e kohës, do të mbeten të zhgënjyer, pasi të dënuarit do të vazhdojnë të jenë të lirë.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri më 1999, janë vrarë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, janë ende në kërkim. /REL

Trump për Iranin dhe Izraelin: Ka shumë mundësi që të arrihet një marrëveshje

0

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u bëri thirrje Izraelit dhe Iranit të gjejnë një marrëveshje mbrëmë, edhe nëse mund t’u duhet të luftojnë të parët.

“Irani dhe Izraeli duhet të gjejnë një marrëveshje dhe do ta gjejnë një marrëveshje”, shkroi presidenti i SHBA-së në rrjetin e tij social Truth Social përpara nisjes së tij për në samitin e G7 në Kanada.

Trump i bëri këto komente ndërsa Izraeli dhe Irani vazhduan sulmet e tyre për të katërtën natë radhazi.

“Mendoj se është koha për të bërë një marrëveshje dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Ndonjëherë ata duhet të luftojnë, por do të shohim se çfarë do të ndodhë. Mendoj se ka një shans të mirë që të ketë një marrëveshje”, shtoi presidenti i SHBA-së.

Mot i kthjellët dhe i ngrohtë sot – deri në 29°C

0

Kjo javë parashihet të karakterizohet kryesisht me mot të kthjellët dhe temperatura relativisht të larta.

Reshje të izoluara janë të mundshme të martën, të mërkurën dhe të premten, kryesisht në formë shtrëngatash afatshkurta, me intensitet të ulët dhe shpërndarje të kufizuar gjeografike.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka parashikuar për sot mot me diell dhe vranësira të pakta.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-29 gradë Celsius.

Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-5m/s.

Sipas IHMK-së, indeksi UV mbetet i lartë pothuaj gjatë gjithë javës, prandaj kërkon të respektohen këshillat e IKSHP.

Liderët e rajonit mblidhen në Tiranë

0

Tirana do të presë këtë të hënë drejtuesit më të lartë të 13 shteteve për të diskutuar në takimin e Ministerialit të Procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore.

Takimi pritet të nisë në orën 11:30, ku fjalën hapëse do ta mbajë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Nga ora 11:40 deri më 13:00, do të mbahet turneu i tavolinës sipas radhës së folësve.

Tema e diskutimit do të jetë “Rritja e Konkurrueshmërisë së Rajonit dhe Rritjes Gjithëpërfshirëse si Rrugë drejt Integrimit në BE për Pjesëmarrësit Aspirantë të SEECP-së”.

Më pas, parashikohet të mbahet deklarata e këtij samiti. Për rreth 20 minuta, deri në orën 13:30, do bëhet dorëzimi i kryesisë së SEECP-së.

Ndërsa në orën 14:30, Presidenti i vendit, Bajram Begaj do të bëjë pritjen e delegacioneve.

Procesi i bashkëpunimit në Europën Juglindore përfshin 13 vende pjesëmarrëse dhe synon dialogun dhe bashkëpunimin i cili përmbyll një vit të suksesshëm të Presidencës shqiptare nën moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.

Tirana mori kryesimin për periudhën korrik 2024 – qershor 2025, pas kryesimit të mbajtur më parë nga Shkupi ndërsa do t’i pasohet në vijim Sofjes.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore u iniciua në vitin 1996 gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Sofje, ndërsa Samiti i parë u zhvillua në Kretë në vitin 1997.

Policia e Shtetit njoftoi një ditë më parë planin e masave për të garantuar mbarëvajtjen e samitit ditën e sotme.

Sipas njoftimit, do të ketë bllokime dhe kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore, konkretisht:

-Në ardhje të delegacioneve Aeroporti i Rinasit– Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës-Tiranë” – Unaza e Re – Rrethrrotullimi i Saukut – Rruga e Elbasanit– Rruga “George Ë Bush” – Rruga “Urani Pano”-Rruga “Dervish Hima”.

-Në largim të delegacioneve: Rruga “George Ë Bush” – Rruga e Elbasanit– Rrethrrotullimi i Saukut – Unaza e Re – Sheshi “Shqiponja” – Autostrada “Tiranë-Durrës” – Mbikalimi i Kasharit – Aeroporti i Rinasit.

Gjithashtu, gjatë zhvillimit të aktivitetit, do të ketë ndalim të përkohshëm të qarkullimit, parkimit të automjeteve si dhe lëvizjes të këmbësorëve, në rrugën “Ludovik Shllaku” dhe Rrugën e DIbrës.

Orari i kufizimeve do të varet nga mbërritja e delegacioneve në Aeroportin e Rinasit.

Alban Janova nis zyrtarisht detyrën si Noter në Komunën e Drenasit

0

Komuna e Drenasit tashmë ka një emër të ri në shërbimet noteriale: juristi me përvojë të gjatë, Alban Janova, ka filluar zyrtarisht punën si Noter, duke hapur dyert e zyrës së tij më 16 qershor 2025, në adresën Rruga “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”, Nr.15.

Me një karrierë të ndërtuar mbi baza të forta profesionale dhe integritet të lartë, Janova sjell në këtë rol përvojën e tij shumëvjeçare në sistemin juridik dhe administrativ të Kosovës. Ai ka shërbyer për një kohë të gjatë në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), ku ka dhënë kontribut të vyer në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe çështjeve ligjore të proceseve brenda sistemit shëndetësor publik.

Përveç kësaj, ai ka qenë pjesë e ekipit profesional të zyrës juridike “Aldo Law Firm”, ku ka trajtuar me përkushtim çështje komplekse ligjore kryesisht në fushën civile, kontraktore, administrative dhe marrëdhënieve të punës duke dëshmuar qartësi juridike, korrektësi profesionale dhe përkushtim ndaj klientit.

Hapja e zyrës noteriale nga Janova pritet të sjellë një frymë të re në Drenas, duke ofruar shërbime noteriale me standarde të larta profesionale, në përputhje me ligjin dhe nevojat e qytetarëve. Pjesë e stafit profesional të zyrës noteriale do të jetë edhe Bujar Bublaku, i cili ka shërbyer për një periudhë të gjatë në zyrën e noterit tashmë i pensionuar Hajzer Bublaku.

Zyra do të jetë e hapur çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 16:00.

Udhëheqës të lartë iranian dhe civilë izraelit të vrarë nga sulmet e mbrëmshme mes dy vendeve

0

Pesë të vrarë dhe rreth 300 të lënduar, është bilanci i sulmeve iraniane ndaj Izraelit.

Ministria e shëndetësisë e Izraelit njoftoi se 287 persona u shtruan në spital në të gjithë vendin gjatë natës.

Një person është në gjendje të rëndë dhe 14 të tjerë janë plagosur lehtë, përfshirë dy në një spital për fëmijë në lindje të Tel Avivit.

Gjithashtu ka pasur raportime se tre persona janë nxjerrë nga rrënojat në qytetin portual të Haifës.

Kjo do ta çonte numrin e njerëzve të vrarë gjatë natës në Izrael në tetë.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë për të mbijetuar të bllokuar nën rrënoja në Izraelin qendror pas sulmeve me raketa të Iranit. Qytetet e Tel Avivit, Bnei Brak dhe Petah Tikva u goditën të gjitha.

Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se “banorët e Teheranit do ta paguajnë çmimin së shpejti” pas një nate tjetër sulmesh nga Irani.

Ai etiketoi udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, një “vrasës frikacak që qëllon me armë në frontin e brendshëm civil në Izrael”.

Nga ana tjetër, raportohet se kreu i agjencisë së inteligjencës së Iranit është vrarë në një sulm izraelit ndaj Teheranit.

Mohammed Kazemi, kreu i Organizatës së Inteligjencës së Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), drejtoi njërën nga dy agjencitë kryesore të inteligjencës së vendit.

Ai u vra së bashku me zëvendësin e tij, Hassan Mohaqiq, dhe Moshen Bagheri, një oficer i tretë i inteligjencës, gjatë sulmit në kryeqytetin e Iranit.

Benjamin Netanyahu njoftoi vdekjet gjatë një interviste me median amerikane Fox Neës, me pretendimet e tij të konfirmuara nga media shtetërore iraniane pak kohë më vonë.

Vdekja e tyre i shtohet listës së udhëheqësve ushtarakë iranianë dhe shkencëtarëve bërthamorë të vrarë në sulmet izraelite që nga e premtja.

Ata përfshijnë kreun e IRGC-së, komandantin e forcës së saj ajrore dhe kreun e grupit të raketave tokë-tokë të IRGC-së, me Izraelin që pretendon se më shumë se 20 komandantë të lartë ushtarakë janë vrarë.

Paralajmërohet mbyllje e bizneseve e largime nga puna pas vendimit të ZRRE-së

0

Që nga data 1 qershor bizneset të cilat kanë më shumë se 50 punëtorë kanë dalë në treg të hapur të energjisë elektrike.

Kësisoj të njëjtat pritet që për këtë muaj të paguajnë të shumëfishtë energjinë.

E për këtë, për herë të dytë të mërkurën mbi 1300 biznese dolën në protestë për të kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike.

Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë ky vendim do të ketë pasoja të mëdha të bizneset dhe në ekonominë e vendit.

“Ne veç se i kemi rastet e para të bizneseve të cilat vetëm e kanë mbyllur krejt, i kanë dërguar punëtorët tek shpija. Kemi biznese që kanë planifikuar ta ndërpres kontratën me 200 bujq, nga të cilët ata kanë marrë qumështin për prodhimin e produkteve të qumështit. Të tjerët po presin të shohin se si do të reflektoj kostoja e pagesës së energjisë elektrike pasi nuk ka asnjë çmim që po ofrohet nga asnjëra palë”, ka thënë Kushtrim Ahmeti.

Kurse sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve, në vend nuk ka kushte për liberalizim të tregut të energjisë.

Kjo pasi siç thotë ai, ende vetëm një operator mund të ofrojë energji elektrike për kompanitë.

“Ne kur flasim për tregun e hapur, tregun e lirë, të gjithë mendojnë që është një mundësi e mirë për të furnizuar me energji elektrike më lirë. Është e kundërta pasi prapë ofertat janë nga një operator ekonomik, janë më të shtrenjta rreth 250-300% më shtrenjtë se sa janë çmimet aktuale”, ka thënë Agim Shahini.

Bizneset, të mërkurën kanë kërkuar që brenda 10 ditëve, ZRRE-ja të pezullojë vendimin dhe liberalizimi i tregut të energjisë elektrike të bëhet pas një viti në mënyrë tranzicionale./Teve1/

Zgjedhjet lokale – Raportohet se Sami e Nuredin Lushtaku pritet të garojnë në Skenderaj, këta janë kandidatët e Komunave tjera

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tashmë edhe zyrtarisht e ka caktuar 12 tetorin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë.

E pas caktimit të datës së zgjedhjeve, edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve së shpejti pritet që të miratoj planin e aktiviteteve që përket me mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, mbi numrin e vëzhguesve, formën e fletëvotimeve, buxhetin e angazhuar dhe çështje tjera.

Derisa tashmë data është caktuar, edhe disa parti politike kanë filluar t’i caktojnë kandidatët e tyre për kryetarë të Komunave.

Në shumicën e Komunave, kryetarët aktual do të jenë kandidat për kryetar edhe për një mandat, por do të ketë Komuna ku kryetarët aktual do të zëvendësohen me emra tjerë.

Gara zgjedhore në nivel lokal pritet të jetë interesante, pasi që subjektet politike janë kujdesur që kandidatët e tyre të fortë t’i dërgojnë në Komuna të ndryshme. Madje, disa ministra të Qeverisë “Kurti 2” pritet të garojnë në nivel lokal.

Kryetari i degës së PDK-së, në Skenderaj, Sami Lushtaku shprehet për “Front Online” se është i gatshëm t’i hyjë garës për kryetar të kësaj Komune.

Ai thotë se njëherë s’ka asgjë zyrtare përveç gatishmërisë për ta udhëhequr Skenderajn.

“Kur dalim zyrtarisht do ta kuptoni. Njëherë s’ka asgjë zyrtare. Jam i gatshëm t’i hyjë garës nëse partia është e pajtimit”, shprehet Lushtaku.

Kryetari i Listës “IDEAL”, Nuredin Lushtaku do të garojë në zgjedhjet lokale e 2025 si kandidat për kryetar të Skenderajt. Ai shprehet i bindur se do të fitojë.

Lushtaku pret përkrahje edhe nga ish-kreu i Skenderajt, Bekim Jashari.

“Po do të kandidoj me iniciativën “Ideali”, besoj që do ta kem edhe përkrahjen e Bekim Jasharit. Mos me mendu që e fitojmë nuk kandidojmë hiç”, theksoi Lushtaku.

Kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka konfirmuar rikandidimin për një mandat tjetër në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.“Jam kandidat i Degës së PDK-së në Drenas edhe për një mandat. Propozimi i shkon Selisë së PDK-së, kryetarit Memli Krasniqi, i cili vendos për zyrtarizimin e këtij propozimi. Mendoj se kemi pasur unitet të lartë, vetëm një votë ishte kundër dhe një abstenim”, tha Lladrovci.

Ai për “Front Online” shprehu bindjen për një fitore të thellë të PDK-së, duke përmendur sukseset e komunës në performancë gjatë viteve të fundit.

“Pritjet e mia janë të lidhura me fitoren bindëse të PDK-së, të vetmes degë në nivel nacional e cila i ka fituar të gjitha zgjedhjet nga çlirimi i vendit deri sot, ashtu do të vazhdojmë, bashkë me qytetarët dhe strukturat e degës më të organizuar, drejt sukseseve të reja si komuna me performancën më të mirë për gjashtë herë, brenda shtatë viteve që ekziston kjo garë”, u shpreh Lladrovci.

Ilir Ferati, kryetar aktual i Komunës së Istogut, do të jetë sërish kandidat për të parin e kësaj Komune. Në një prononcim për “Front Online” ai u shpreh optimist për garën, duke thënë se puna katër vjeçare do të ndikojë në fushatë.

“Kemi procedura brenda partisë, kandidaturat nominohen nëpër degë dhe pastaj aprovohen prej kryesisë qendrore. Besoj që e marr aprovimin unë e kam shprehë dëshirën për rikandidim. Punët e mira që i kemi bërë gjatë katër viteve tregojnë për optimizmin që kam dhe komunikimin me qytetarët dhe puna që bëhet gjatë fushatës edhe prezantimin e punëve të kryera dhe prezantimin e planit të qytetit të Istogut”, u shpreh Ferati.

Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti në një prononcim për “Front Online” është shprehur se e respekton vendimin e partisë dhe me çdo kusht nuk e do kandidaturën.

Haliti është i gatshëm edhe për një mandat.

“Unë jam i bindur se kandidaturën nuk e dua me çdo kusht, por pas konsultimit. Nuk ka nevojë me u ngutë pa e respektu vendimin e partisë dhe strukturave. Kryetari i komunës nuk është partiak, është i qytetarëve dhe duhet bërë debat edhe përtej partisë. Jam i bindur se duhet me e ndjekë procedurën demokratike për debat. Unë jam i gatshëm të kandidoj pas gjithë këtyre”, u shpreh ai.

Konflikti Izrael-Iran: Çfarë ndodh me pesë shqiptarët e bllokuar në Izrael?

0

Për shkak të konfliktit Izrael-Iran, pesë shtetas shqiptarë kanë mbetur të bllokuar në tokën izraelite.

Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, për Klan News, ka dhënë detaje lidhur me gjendjen e shqiptarëve të mbetur në Izrael.

Kumbe shprehet se orët në vijim janë të vështira, por situata është e qëndrueshme.

“Po ne jemi të gjithë mirë. Sigurisht, kaluam dhe po kalojmë orë shumë të vështira, por jemi mirë”, tha ajo.

Tre prej shqiptarëve të mbetur në Izrael janë me vizë turistike, ndërsa dy prej tyre me qëllim të përkohshëm. Kështu, Kumbe sqaron se gjendja e tyre është mirë, por padyshim që ndihen të frikësuar.

Ambasadorja shton se po punohet për rikthimin e tyre në Shqipëri. Duke marrë parasysh dhe prezencën e shqiptaro-izraelitë aty, edhe për këta nuk raportohen të plagosur apo dëme materiale.

“Qytetarët shqiptarë të ndodhur këtu përkohësisht, janë mirë. Janë të frikësuar, për hir të së vërtetës. Jemi në kontakte të vazhdueshme me ‘ta, që në momentin që nisi sulmi dhe u vetëdeklaruan e kërkuan asistencën tonë. Siç ju thash e në fillim, janë orë shumë të vështira dhe është e kuptueshme gjendja e rënduar psikologjike herë pas here e qytetarëve. Për ne sidomos, që vijmë nga vendet evropiane dhe vendet e paqta, janë realitete komplet të panjohura e shumë të vështira për t’u menaxhuar, si në aspektin emocional, ashtu dhe në aspektin praktik. Jemi përveçse në kontakte të vazhdueshme, po punojmë intensivisht për të mundësuar rikthimin e tyre në shtëpi. Ndërkohë, këtu kemi e të gjithë shqiptarët e komunitetit shqiptaro-hebraik, që janë praktikisht shqiptaro-izraelitë. Dhe ata janë mirë. Deri tani nuk kemi të raportuar, fatmirësisht, asnjë dëm material ose plagosje ndër ‘ta”, tha ajo.

Lidhur me shërbimin dhe ndihmën për shqiptarët prej ambasadës, Kumbe sqaron se puna vijon online pasi nuk lejohet dalja e tyre nëpër zyra për kushte të sigurisë. Kushdo, mund të marrë ndihmë online përmes faqeve të institucionit, numrit apo email-it.

“Jemi në shërbim. Nuk dalim nëpër zyra. Kjo për të gjithë Izraelin vlen, përveç shërbimeve bazike siç janë supermarketet e farmacitë, asgjë tjetër nuk është e hapur në vend. Shkollat janë të mbyllura. Kështu, ne po punojmë nga shtëpitë. Jemi në dispozicion përmes rrjeteve online, e-mail, telefona. Me ëhatsapp kryesisht ka qenë shumë komode për qytetarët për të na asistuar. Numrat tona janë të publikuara online, edhe ju i keni nxjerrë”, tha ajo.

Duke qenë se rrugët ajrore dhe detare janë të mbyllura, Kumbe sqaron se po punohet me autoritetet e vendit që të bëhet rikthimi i tyre në shtëpi përmes alternativave të tjera.

500 kristale në Prishtinë – Një shekull histori e Trepçës e përjetësuar në ekspozitë

0

Me rastin e jubileut të Trepçës, në Reporting House ka nisur vendosja e 500 kristaleve të dhuruara nga vetë Trepça, një gjest simbolik dhe i fuqishëm që pasqyron trashëgiminë industriale, rezistencën dhe identitetin e njërit prej emrave më të rëndësishëm të historisë ekonomike dhe shoqërore të Kosovës.

500 kristale të dhuruara nga Trepça, po vendosen në ambientet e Reporting House në Prishtinë, si një homazh i ndritshëm për trashëgiminë e njërës prej qendrave më ikonike industriale dhe historike të Kosovës.

Kjo po bëhet në 100 vjetorin e Trepçës dhe 1 vjetorin e hapjes së Reportin House. Ky akt instalimi nuk është vetëm një festim vizual është një thirrje për kujtesë dhe vazhdimësi ndaj rëndësisë që ka Trepça, thotë artisti, Gazmend Ejupi.

“Të gjithë gurët ose kristalet vendosen në mbajtëse të telave siç po e shihni. Po duam të krijojmë një mënyrë teatrale instalimin e gurëve ku me krijua më shumë vëmendje për situatën e Trepçës që e ka. Siç e dimë, Trepça ka qenë gjithmonë fillimi i njëfarë revolucioni para luftës. Mirëpo, ai revolucion ende po ekziston si komunitet në Trepçë”, thotë ai, raporton transmetuesi publik.

Ejupi shton se pasuria më e madhe është historia e Trepçës.

“Pasuritë e mëdha që i kam si referencë është gjithmonë Trepça, stafi i Trepçës që duhet të ketë shumë vëmendje për momentin, gjithmonë që duhet të shihet se çka ka në Trepçë. Trepça e ka muzeun e vet që inkurajoj të gjithë të shkojnë të gjithë me pa. Është një punë shumë e madhe që bëhet aty”.

Kristalet të papërpunuara, mbresëlënëse dhe të ndritshme janë më shumë se mrekulli gjeologjike. Ato janë bartëse të kohës, dëshmitare të përpjekjeve dhe simbole të qartësisë.

Hapja e Ekspozitës së 500 kristaleve nga Trepça do të bëhet të mërkurën në Reporting House në Prishtinë, në orën 18:00.