spot_img
E diel, 12 Prill, 2026
14:42
Home Blog Page 979

PDK do t’i drejtohet gjykatës pas refuzimit nga ZRrE

0

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, i cila e ka refuzuar kundërshtimin e tyre administrativ ndaj vendimit që detyron mbi 1 mijë e 300 biznese të kalojnë në tregun e lirë të energjisë.

Sipas PDK, ky vendim rrezikon mijëra vende pune dhe cenon seriozisht stabilitetin ekonomik të Kosovës.

“Ky është një vendim thellësisht i padrejtë, joprofesional, i njëanshëm dhe skajshmërisht politik në thelb. ZRRE, që duhet të jetë një institucion në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë së vendit, ka zgjedhur t’i mbyllë sytë para pasojave katastrofike të këtij vendimi për sektorin privat – shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik dhe punësimit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e PDK-së, e cila ka bërë të ditur se kjo parti do të vazhdojë për këtë çështje në Gjykatë.

Izrali s’i ndalë sulmet ndaj Iranit, ky i fundit ndërpret bisedimet me SHBA-të

0

Ushtria izraelite ka njoftuar se forcat e saj ajrore sapo kanë përfunduar një sulm ndaj një centrali bërthamor iranian në zonën e Isfahanit.

Vendndodhja nuk u godit gjatë sulmeve të mëparshme izraelite ndaj objekteve bërthamore të Iranit, duke shënuar një zgjerim të operacionit ushtarak të nisur këtë mëngjes.

IDF pretendon se vendi ka qenë duke kaluar nëpër një proces të “rikonvertimit të uraniumit të pasuruar”.

“Sulmi shkatërroi një strukturë për prodhimin e uraniumit metalik, infrastrukturën për konvertimin e uraniumit të pasuruar, laboratorë dhe infrastrukturë tjetër”, thuhet në të.

Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, i justifikoi sulmet ndaj Iranit duke pretenduar se kërcënimi që paraqiste Teherani “mori një kthesë dramatike” në muajt e fundit.

Ai tha se Teherani po planifikonte një “sulm të papritur” ndaj Izraelit, pa dhënë prova.

Këto zhvillime kanë bërë që bisedimet bërthamore midis SHBA-së dhe Iranit, të planifikuara të zhvilloheshin të dielën në Oman, nuk do të vazhdonin më, sipas televizionit shtetëror iranian.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, i ka shkruar OKB-së duke kërkuar që ajo ta mbajë Izraelin përgjegjës për “aktin e tij të paturpshëm dhe të paligjshëm të agresionit”.

Në mënyrë specifike, ai tha se sulmi “i pamatur” në uzinën bërthamore të Natanzit “jo vetëm që ka rrezikuar jetën e civilëve iranianë, por gjithashtu ka paraqitur një kërcënim alarmues për paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare duke rrezikuar një katastrofë radiologjike”.

Araghchi e etiketoi gjithashtu vrasjen e zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe shkencëtarëve si “akte të qëllimshme dhe të paramenduara që përbëjnë raste të qarta të terrorizmit shtetëror”.

Ai shtoi se Irani “do të veprojë me vendosmëri të plotë për të mbrojtur sovranitetin, popullin dhe sigurinë e tij kombëtare” dhe “Izraeli do të pendohet thellësisht për këtë agresion të pamatur dhe për gabimin e rëndë strategjik që ka bërë”.

KQZ nën lupë – Elezi: Nuk janë ndarë fonde, vetëm kufizime për shpenzime

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është deklaruar rreth vendimit të së premtes për kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike të cilat do të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik, në komunën ku do të marrë pjesë në zgjedhje, ka të drejtë të shpenzojë 2 euro për votues të regjistruar në atë komunë.

Por, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka sqaruar se ky vendim s’ka të bëjë me ndarjen e mjeteve për subjektet politike, pasi ky institucion nuk financon fushatën e subjekteve politike.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka ndarë mjete për subjektet politike që do të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale 2025. KQZ nuk e financon fushatën zgjedhore të subjekteve politike”, tha Elezi.

Sipas tij, vendimi i KQZ-së ka të bëjë vetëm me kufizimin e shumës që mund ta shpenzojnë subjektet politike në komunat ku garojnë.

“Vendimi i KQZ-së ka të bëjë vetëm me kufizimin e shpenzimeve financiare për subjektet politike, sipas të cilit, një subjekt politik, në komunën ku do të marrë pjesë në zgjedhje, ka të drejtë të shpenzojë 2 euro për votues të regjistruar në atë komunë”, tha Elezi.

Ndryshe, gjatë ditës KQZ ka njoftuar për këtë vendim, sipas të cilit subjektet politike nuk mund ta tejkalojnë vlerën e kufizuar të shpenzimeve në komunat në të cilat certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhje.

Gjithashtu, kufizimet e shpenzimeve maksimale të lejuara për fushatë zgjedhore zbatohen për çdo mall dhe shërbim të shpenzuar në komunat përkatëse për qëllime të fushatës pa marrë parasysh kohën e blerjes apo të pajisjes me shërbime.

Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin e fushatës së zgjedhjeve si dhe duke u mbështetur në të dhënat e listës preliminare të votuesve në secilën komunë, sipas të cilës numri i përgjithshëm i votuesve në vendin tonë është 2,071,544 votues.

Skandal: Prokuroria ngre aktakuzë ndaj deputetit të Listës Serbe për sulme ndaj gazetarëve

0

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Slavko Simiq dhe një personi tjetër për sulmet ndaj gazetarëve në vitin 2023 në Leposaviq.

Prokuroria ka bërë të ditur se aktakuza  ka të bëjë me dyshimin se Simiq ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Me datë 16 qershor 2023, gjatë protestave kundër vizitës së ish-ministrit E.K., në Leposaviq, i pandehuri S.S., me dashje ka marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë persona, ashtu që në momentin që nga objekti i komunës së Leposaviqit del ministri E.K., personat civil të maskuar fillojnë të gjuajnë shok bomba në drejtim të veturës zyrtare, dhe pasi që kalon vetura zyrtare, i pandehuri u jep urdhër turmës duke thënë që të i sulmojnë mediat, me ç`rast vazhdon sulmi në drejtim të gazetarëve dhe mediumeve të Republikës së Kosovës, fillimisht me shok bomba, pastaj i godasin me grushte, shqelma dhe mjete të forta si kubëza betoni tulla, ngjyra dhe gjësende tjera, si pasojë e të cilave kanë pësuar lëndime të rënda trupore dy gazetarë”, sqaron Prokroria.

Ndërkaq i pandehuri tjetër U.V. dyshohet si i përfshirë drejtpërdrejtë në përdorimin e forcës ndaj gazetarëve të Republikës së Kosovës, akuzohet për kryerjen e veprave penale ”Sulmi” nga neni 184 paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 të KPRK, dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë me rastin e ngritjes së aktakuzës ka kërkuar nga gjykata që dy (2) të pandehurit të i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ti dënojë sipas ligjit.

Slavko Simiq ishte intervistuar nga Prokuroria dy muaj më parë lidhur me këtë rast.

Koci: Disa policë të Kosovës përmenden si dëshmitarë nga Serbia në rastin e Arbnor Spahiut

0

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, dyshohet nga autoritetet serbe për “vrasje të rëndë në Banjskë” – ku një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku – tha avokati i angazhuar nga familja e Spahiut, Arianit Koci, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se si dëshmitarë në rastin e Spahiut, i akuzuar konkretisht për vrasjen e tre sulmuesve serbë që u përleshën me Policinë e Kosovës në fshatin që ndodhet në pjesën veriore të Kosovës, përmenden disa zyrtarë policorë kosovarë.

Koci tha se mbrojtja tashmë ka dorëzuar ankesën ndaj vendimit për paraburgimin njëmujor.

Spahiu u ndalua më 7 qershor në pikëkalimin kufitar Hungari–Serbi, ndërsa po udhëtonte me familjen nga Gjermania për në Kosovë. Sipas Kocit, kjo ishte hera e parë që Spahiu ka kaluar nëpër Serbi.

Spahiu aktualisht po mbahet në qendrën e paraburgimit në Suboticë, dhe “është mirë dhe është vizituar nga mjeku”.

Koci ka qëndruar këtë javë në Serbi, por nuk e ka takuar Arbnor Spahiun, pasi nuk është i licencuar për të ushtruar avokatinë atje. Ai tha se, deri më tani, Spahiu është vizituar vetëm nga avokati serb, i caktuar sipas detyrës zyrtare, si dhe nga daja i tij, por nuk ka pasur komunikim me familjarë të tjerë.

Sipas Kocit, kallëzimin penal ndaj Spahiut e ka ndërtuar Agjencia serbe e Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA), sipas së cilës ish-polici i Kosovës ishte “snjaperist në këtë operacion”.

“Ai snajperin kurrë nuk e ka prekur me dorë, dhe ka qenë shumë i ri në Njësitin Special, dhe pas një kohe të shkurtër është larguar nga Policia, dhe ka shkuar në Gjermani”, tha Koci për REL-in.

Largimin e tij në vitin 2022 nga Policia e kishte konfirmuar më herët për REL-in edhe Policia e Kosovës.

Sipas Kocit, kallëzimi penal ndaj Spahiut është i shkurtër dhe i paarsyetuar.

Ai shtoi se presin që të miratohet ankesa e paraqitur si mbrojtje, në bashkëpunim me avokatin serb, të caktuar sipas detyrës zyrtare. Koci tha se “kjo ka vetëm konotacion politik”.

“Përmenden emrat e pesë-gjashtë personave, të cilët në këtë fazë konsiderohen si dëshmitarë – ata janë të gjithë ish-kolegë të Arbnorit në Polici, të cilët janë në Kosovë”, tha Koci.

Sipas tij, nëse Serbia thotë që “Policia e Kosovës i ka vrarë tre serbë dhe të gjithë policët do të procedohen penalisht, atëherë pse ka një tjetër procedurë penale për [Millan] Radoiçiqin në Serbi?”.

Sipas ligjit në Serbi, “vrasja e rëndë” dënohet me një dënim minimal prej dhjetë vjetësh burgim, ose me burgim të përjetshëm.

Për sulmin në Banjskë – ku, sipas autoriteteve serbe, dyshohet edhe përfshirja e Spahiut – Kosova ka akuzuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përgjegjësi.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, i cili besohet se ndodhet në Serbi.

Këtë javë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi i tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale në rastin Banjska.

Hetime për këtë sulm është duke kryer edhe Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd.

Institucionet e Kosovës u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve të saj dhe atyre që jetojnë në diasporë që të shmangin kalimin nëpër Serbi kur udhëtojnë për në Kosovë.

Ndërkaq, në një reagim të tij në Facebook, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se “sjelljet jonormale të Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohen”./REL

Motrat binjake transformojnë CO₂ në tekstil

0

Motrat binjake Neeka dhe Leila Mashouf, 28 vjeçare, kanë zhvilluar një proces inovativ që transformon emetimet e karbonit në fibra të biodegradueshme, duke krijuar një alternativë të qëndrueshme ndaj prodhimit tradicional.

Startup-i i tyre, Rubi, është ndërtuar rreth një sistemi enzimatik të patentuar që imiton mënyrën se si pemët thithin CO₂ dhe e shndërrojnë atë në celulozë – vetëm se këtu, procesi ndodh në një reaktor kimik.

Zbulimi i tyre i ka siguruar një vend midis Çmimit “Shkatërruesit e së Ardhmes së Shpikësve të Rinj” 2025, të dhënë nga Zyra Evropiane e Patentave.

“Shpikja jonë përdor një sekuencë të veçantë enzimash, të cilat janë si inxhinierët kimikë të natyrës, për të transformuar CO₂ në polimere fijezore si celuloza, të cilat i përdorim për të bërë fibra, fije dhe pëlhura”, thotë Neeka. “Ne e zhvilluam këtë teknologji për të zgjidhur atë që e shihnim si problemin më të rëndësishëm global”.

Ndryshe nga teknologjitë konvencionale të konvertimit të karbonit që mbështeten në fermentim ose sisteme termokimike – të dyja prej të cilave kërkojnë shumë energji dhe janë të kushtueshme – metoda e Rubit është e shkallëzueshme dhe me ndikim të ulët.

Enzimat veprojnë në kushte ambienti dhe kërkojnë dhjetë herë më pak energji, duke bërë të mundur që CO₂ të shndërrohet në inpute materiale me një presion minimal mjedisor.

Këto inpute mund të integrohen më pas në zinxhirët ekzistues të furnizimit me tekstile, duke i ndihmuar markat të ulin gjurmët e tyre të karbonit pa riparuar infrastrukturën e tyre.

Kompania tashmë po i teston materialet e saj me Walmart, Patagonia dhe H&M, duke demonstruar një aplikim të gatshëm për treg që mund të transformojë jo vetëm modën, por edhe shumë industri të varura nga produktet e derivuara nga celuloza.

Të rritura në Zonën e Gjirit të San Franciskos në Kaliforni, motrat u rritën të rrethuara nga natyra – dhe sipërmarrja.

Ekspozimi i tyre i hershëm ndaj industrisë së modës, i kombinuar me një pasion të thellë për shkencën, hodhi themelet për Rubin.

Në moshën 15 vjeç, ato tashmë po botonin kërkime shkencore dhe punonin në laboratorë universitarë.

Neeka ndoqi shkencën e materialeve dhe biznesin, ndërsa Leila mori një diplomë mjekësore nga Harvard, duke u përqendruar në bioinxhinieri dhe sisteme enzimatike.

Në vitin 2021, ata bashkuan disiplinat e tyre për të themeluar Rubi-n, me misionin për ta bërë prodhimin të pajtueshëm me planetin.

“Rubi po krijon një paradigmë të re ku prodhimi mund të lulëzojë duke ruajtur burimet natyrore dhe duke avancuar objektivat klimatike”, shpjegon Leila, duke shtuar se, në një nivel bazë, enzimat janë “si një Pacman i vogël”. “Ato hanë molekula dhe i nxjerrin ato në diçka pak më ndryshe”, përshkruan ajo.

Ndikimi i Rubi nuk ndalet vetëm në industrinë e modës. Potenciali për celulozën e derivuar nga CO₂ shtrihet në të gjithë sektorët – paketimin, farmaceutikën, kozmetikën, aplikimet ushqimore dhe madje edhe materialet e ndërtimit – ku dominojnë metodat me intensitet të lartë karboni.

Duke licencuar teknologjinë e tyre, motrat Mashouf synojnë të zgjerohen me shpejtësi dhe t’i fuqizojnë prodhuesit e tjerë që të kalojnë drejt prodhimit të qëndrueshëm.

“Ne kemi vërtetuar se CO₂ mund të jetë një burim i vlefshëm dhe jo një produkt i dëmshëm mbeturinash”, thotë Neeka.

“Jam e nderuar që punoj së bashku me motrën time ndërsa jemi pionierë të epokës së ardhshme të bollëkut me sisteme prodhimi të rishpikura”.

Në duart e motrave Mashouf, karboni nuk është më vetëm një sfidë, por një lëndë e parë për ndryshim.

Pse duhet të mbani syze dielli sa herë që dilni jashtë?

0

Kur shumica e njerëzve mendojnë për syzet e diellit, ata imagjinojnë ditët me diell të verës në plazh ose pranë pishinës.

Por sipas një sondazhi të kohëve të fundit me 2,000 të rritur, çuditërisht pak njerëz i bëjnë syzet e diellit pjesë të rregullt të rutinës së tyre pavarësisht nga moti.

Në fakt, vetëm pak më shumë se një e treta i bartin ato në ditët me re, dhe më pak se një e katërta i mbajnë sytë të mbrojtur gjatë gjithë vitit.

Çuditërisht, vetëm 52% e njerëzve vendosin syze dielli kur është moti me diell, eksperti i kujdesit për sytë Ayad Shafiq paralajmëron se ky zakon mund të na vërë në rrezik shikimin, pasi rrezet e dëmshme UV mund të dëmtojnë sytë edhe kur dielli nuk është i fortë.

Kur u pyetën pse rrallë mbajnë syze dielli, 32% thanë se thjesht nuk është zakon, dhe 26% i konsiderojnë syzet e diellit të papërshtatshme sepse mbajnë syze për probleme me të pamurit.

Studimi, i realizuar nga Specsavers, zbuloi gjithashtu se pothuajse një në pesë veta besojnë gabimisht se lentet më të errëta ofrojnë mbrojtje më të mirë.

Përveç kësaj, një e katërta besojnë gabimisht se syzet e diellit bllokojnë të gjitha llojet e dëmtimeve nga drita, dhe 22% mendojnë se ato nuk skadojnë kurrë – të dyja këto janë të pasakta, sipas Ayad.

Kur zgjedhin syze dielli të reja, britanikët zakonisht shpenzojnë më pak se 30 minuta duke kërkuar syzet e duhura.

Pothuajse një e katërta (24%) pranojnë se nuk i mbajnë aq shpesh sa të bëjnë shumë përpjekje për të marrë vendimin.

Mbi gjysma duan një palë që i përshtatet formës së fytyrës së tyre dhe 47% ndihen më të sigurt kur u pëlqen mënyra se si duken me syze dielli.

Për 31%, është thelbësore që syzet e tyre të diellit të përputhen me stilin e tyre personal.

Shumë njerëz janë të vetëdijshëm për dëmin e mundshëm afatgjatë që mund të shkaktojnë rrezet UV: 41% shqetësohen për dëmtimin e retinës, 29% për fotokeratitin dhe 27% për kataraktin, shkruan Mirror.

Osmani takohet me kryeministrin e Japonisë

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Kryeministrin e Japonisë, Shigeru Ishiba, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin ekonomik.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani ka thënë se Kosova mbetet një partnere e besueshme dhe një zë i përkushtuar në mbrojtjen e paqes, demokracisë dhe bashkëpunimit.

“Populli i Kosovës është gjithnjë mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë në çdo etapë të shtetndërtimit tonë, integrimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, ka shkruar presidentja Osmani.

Mickoski: Do ketë zgjidhje për Inspektoratin e Gjuhëve

0

Kryeministri Hristijan Mickoski premtoi që do të tejkalohet problemi me Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, i cili për shkak të mungesës së harmonizimit të ligjeve është paralizuar, ndërsa punëtorët 6 muaj nuk marrin rroga.

Problemi vazhdon të jetë mungesa e shumicës së Badinterit, e cila krahas ndryshimeve të Ligjit për Inspektoratit, ka bllokuar edhe ligje tjera.

Megjithatë, kryeministri deklaroi që ka ndjesinë që së shpejti do të sigurohet.

“Ju mungojnë edhe diku 6 deputetë nga komunitetet. Jo nuk janë aq. Edhe sa? Më pak, shumë më pak. Me kë jeni më afër për marrëveshje me Bejxhan Iljaz ose Menduh Thaçi? Nuk do të përmendja emra, ndoshta me Ali Ahmetin. Keni bisedime me të? Po e votoi Ali Ahmeti Ligjin për Organizimin e Administratës, pse të mos e votojë këtë ligj? Edhe disa prej deputetëve të BDI-së e votuan, mendoj se atëherë ishte edhe koordinatori që e votoi”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Mickoski nuk dëshiroi të jep detaje lidhur me paralajmërimet se një pjesë e deputetëve shqiptarë nga pozita do t’i bashkëngjiten shumicës parlamentare.

“Nuk do ta flisja unë për të ashtuquajtur tregti e gjelbër e deputetëve, unë më shumë do të doja të përmbahem te sistemi i vlerave. Nëse ai sistem njihet, çdokush është i mirëseardhur në Qeveri”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Për kërkesën e opozitës shqiptare që bashkë me zgjedhjet lokale të vjeshtës, të mbahen edhe ato parlamentare, Mickoski tha që nuk sheh arsye për zgjedhje të dyfishta.

Kryeministri, tha që qytetarët në tetor megjithatë do të tregojnë se në çfarë shteti duan të jetojnë, ndërsa pritjet e tij janë që nuk do ndodh diçka dramatike, ndërsa koalicioni VLEN do të ketë epërsi ndaj koalicionit BDI-Taravari.

“Pres që koalicioni VLEN të fitojë dhe të ketë një kryetar komune më shumë se koalicioni i sapoformuar mes, asaj pjese që mbeti na partia politike e zotëri Arben Taravarit dhe Frontit Evropian ashtu siç do të garojë në zgjedhjet lokale ose vetëm BDI”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër. /Alsat.mk

Dita e 23-të e grevës së punëtorëve të “Pastrimit” – vapa e rëndon gjendjen, ka edhe alivanosje

0

Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” tash 23 ditë po bëjnë grevë para Komunës së Prishtinës, teksa thonë se nuk do të heqin dorë nga greva deri në plotësimin e kërkesave të tyre që është pagesa e borxhit nga Komuna e Prishtina në vlerë 2 milionë e 697 mijë euro.

Pohuan se vapa ua ka rënduar gjendjen në grevë dhe se ka pasur edhe raste të alivanosjeve.

Kryetari i Sindikatës së kompanisë “Pastrimi”, Ardian Krasniqi, tha se nuk ka asnjë lëvizje drejt zgjidhjes së problemit.

“Deri sot vetëm kemi biseduar e biseduar, jemi kënaqur duke biseduar, por asnjë rezultat, asgjë konkrete. Nëse pesë muaj kemi operuar pa të hyra se kemi inkasuar vetëm 120 mijë euro për shkak të thirrjes së Komunës të mos paguhet te kompania ‘Pastrimi’, por në komunë. Pa pagesën e këtij borxhi 2 milionë e 697 mijë euro ne nuk lëvizim nga këtu. Është borxh se kemi shërbyer”, tha Krasniqi.

Ndërsa grevisti Fadil Bllaca, punëtor tash 26 vjet në kompaninë “Pastrimi” tha se kërkesat e tyre qind për qind sindikaliste.

“Qëllimi ynë është i pastër dhe i dinjitetshëm. Kërkesat tona janë plotësisht të klasës punëtore. Nuk kemi vija politike, nuk kemi prirje partiake. Nuk kemi asgjë, pos kërkesë qind për qind sindikaliste të klasës punëtore, të cilat na i ka marrë kjo komunë. Ne jemi të përkushtuar që kërkesat tona të realizohen deri në pikën e fundit këtu para Kuvendit Komunal të Prishtinës. Vapa këto ditë ka rënduar gjendjen. Ka pasur edhe alivanosje. Por, ne kur kemi hyrë në grevë, ishim të vetëdijshëm se mund të dalin vështirësi të paparapara”, tha Bllaca.