Në një analizë të fortë, shkrimtari dhe ish-politikani Ben Blushi krahason fatin e dy liderëve të njohur, Hashim Thaçit dhe Volodymyr Zelenskyt, duke argumentuar se të dy u “rrëmbyen” nga Evropa për të penguar marrëveshjet e paqes të negociuara nga Donald Trump.
Sipas Blushit, Thaçi u arrestua në vitin 2020 pikërisht kur po përgatitej të firmoste një marrëveshje paqeje me Serbinë në Uashington, ndërsa Zelensky u detyrua të sabotojë një plan për paqen në Ukrainë, duke u vënë në shërbim të interesave evropiane. Ai thekson se ndërsa Thaçi ndodhet në burg pasi fitoi luftën për pavarësinë e Kosovës, Zelensky është i lirë dhe vijon të kërcejë, pavarësisht se po humb luftën në Ukrainë.
Blushi akuzon Evropën se po shtyn konfliktet për të ruajtur status quo-në e saj politike dhe se frika e një pushtimi rus ndaj kontinentit është një farsë për të mbajtur popujt evropianë të nënshtruar. Sipas tij, lufta në Ukrainë është kthyer në një justifikim për qeverisjen e keqe në Evropë, ndërsa përfundimi i saj do të trondiste elitën politike evropiane.
Në përfundim, Blushi thekson se një luftë e re në Evropë nuk do të ndodhë për tre arsye kryesore: Amerika nuk e do, Rusia nuk mundet dhe Evropa është shumë frikacake për ta nisur atë.