Boris Johnson planifikoi pushtimin e Holandës për vaksinat gjatë pandemisë: Një komplot i çmendur për të “shpëtuar” Britaninë?
Storm/Book: Ish-kryeministri britanik, Boris Johnson, ka zbuluar se në kulmin e pandemisë COVID-19 kishte planifikuar një sulm ushtarak ndaj Holandës për të kapur vaksinat AstraZeneca që ishin “rrëmbyer” nga BE-ja. Në kujtimet e tij, që do të publikohen muajin e ardhshëm, Johnson përshkruan se si kishte urdhëruar Forcat e Armatosura të shqyrtonin mundësinë e një sulmi detar ndaj një magazinës në Leiden, ku ndodheshin pesë milionë doza të vaksinës.
Sipas Johnson, këto vaksina ishin zhvilluar në Britani dhe ishin të drejtuara për vendin e tij, por u bllokuan në Holandë për shkak të zinxhirit të furnizimit të AstraZeneca-s me BE-në. Pavarësisht se ushtarakët i pohuan se plani ishte teknikisht i mundshëm, ai përfundimisht pranoi se ideja për të pushtuar një aleat të NATO-s ishte “e çmendur.”

Në librin e tij të ri, “Unleashed”, Johnson gjithashtu pranon se ishte shumë afër vdekjes nga COVID-19 dhe falënderon dy infermierët që e shpëtuan. Ai gjithashtu sulmon raportin e Sue Gray për shkeljet e rregullave gjatë pandemisë, duke e quajtur atë një “gjueti shtrigash.”
Pavarësisht planit të dështuar për të “shpëtuar” vaksinat, Johnson akuzon BE-në për trajtim “me keqdashje” ndaj Britanisë, duke pohuar se Unioni ishte zemëruar nga suksesi i shpejtë i vaksinimit në Britani pas Brexit-it, ndërsa vendet anëtare të BE-së kishin ngecur.