Gjykata e Assizes në Bruksel ka dënuar me burgim të përjetshëm mbrëmjen e së mërkurës tre autorët e vrasjes së Enver Hadrit.
Veselin Vukotic dhe Andrija Draskovic u shpallën fajtorë për ekzekutimin e krimit dhe Bozhidar Spacic u shpall fajtor për dhënien e urdhërimit, shkruan mediumi belg, The Brussels Times, përcjell Storm.
Gjyqtarët profesionistë dhe të dymbëdhjetë juristët, nuk kanë dhënë asnjë rrethanë lehtësuese për tre të dënuarit, duke i dënuar të gjithë me burgim të përjetshëm, dënimin maksimal.
Sipas të dhënave të prezantuara në gjykatë nga deklarimet e dëshmitarëve, Enver Hadri, që ishte kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë më 25 shkurt 1990, rreth orës 16:00, ishte në timonin e makinës së tij dhe i ndaluar në semafor të kuq, kur pranë tij u ndal një automjet tjetër.
Dritarja e pasagjerit të këtij automjeti është ulur dhe është shtënë drejtë Hadrit, 49 vjeç, i cili u godit nga një plumb në kokë dhe vdiq.
Hetimi, i cili zgjati disa vite, arriti në përfundimin se ishte një atentat politik, i urdhëruar nga shërbimet inteligjente të ish-Jugosllavisë, me ndihmën logjistike të botës së krimit të Beogradit.