Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe analizave të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), financat e komunave për vitin 2025 paraqesin një realitet shqetësues: rritje në letër, por mungesë reale të përfitimeve për zhvillimin lokal.
Buxheti total i komunave ka shënuar një rritje nga 841 milionë euro në vitin 2024 në mbi 864 milionë euro në vitin 2025, që përkthehet në një shtesë prej rreth 23.2 milionë eurosh. Megjithatë, kjo rritje nuk ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e kapaciteteve zhvillimore të komunave.
Struktura e shpenzimeve: Pagat “gëlltisin” rritjen Nga analiza e strukturës së shpenzimeve rezulton se mbi 15.1 milionë euro nga kjo rritje janë absorbuar nga kategoria e pagave dhe mëditjeve, si pasojë e vendimeve të nivelit qendror. Kjo ka lënë vetëm rreth 7.8 milionë euro në dispozicion për kategoritë e tjera, përfshirë investimet kapitale, subvencionet dhe shërbimet komunale.
Pavarësisht rritjes së të hyrave vetanake, progresi i komunave është zbehur ndjeshëm nga barrat financiare të imponuara. Një nga shqetësimet kryesore mbetet ndikimi i vendimeve gjyqësore. Gjatë vitit të kaluar, komunave u janë marrë mbi 126.6 milionë euro, kryesisht për shkak të obligimeve që rrjedhin nga kontratat kolektive në arsim dhe shëndetësi.
Humbje marramendëse për procedura Sipas të dhënave, rreth 27% e kësaj shume (mbi 34 milionë euro) është shpenzuar për kosto procedurale, përmbarues dhe avokatë, duke mos arritur drejtpërdrejt te përfituesit. Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thekson se kjo situatë tregon një disproporcion të madh ndërmjet rritjes formale të buxhetit dhe humbjeve reale.
“Krahasuar me rritjen prej rreth 23 milionë eurosh, humbjet mbi 126 milionë euro dëshmojnë se komunat nuk po përfitojnë realisht. Pjesa më e madhe e rritjes po shkon për paga, ndërsa investimet dhe zhvillimi lokal mbeten të kufizuara”, ka theksuar Ibrahimi.
Sipas tij, komunat nuk kanë nevojë për rritje formale, por për mbështetje konkrete që mundëson realizimin e projekteve kapitale dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.



