Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë shprehur shqetësim për mosndarjen e buxhetit nga ana e Qeverisë, duke paralajmëruar se kjo mund të rrezikojë operacionet zgjedhore, veçanërisht ato që lidhen me diasporën. Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), në anën tjetër, e mohuan këtë pretendim dhe dolën në mbrojtje të ekzekutivit.
Anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Ilir Gashi, në mbledhjen e mbajtur të martën, ngriti shqetësimin lidhur me mungesën e buxhetit për procesin zgjedhor.
“E kam një pyetje për ju, po shkon koha dhe buxheti akoma nuk është miratuar nga ana e qeverisë dhe unë mendoj që ju duhet të komunikoni, sepse mosmiratimi i shpejtë i buxhetit rrezikon disa operacione zgjedhore, sidomos te pjesa e diasporës. Mos ndarja e buxhetit me kohë mund të rrezikojë realizimin e këtyre operacioneve”, tha Gashi.
Anëtari i KQZ-së nga VV-ja, Alban Krasniqi, tha se nuk është e vërtetë që qeveria nuk ka ndarë buxhet dhe se kërkesat shtesë buxhetore nuk kanë qenë të planifikuara nga vetë KQZ.
“Nuk është e vërtetë që qeveria nuk ka ndarë buxhet. Për të gjitha rastet që kemi pasur, qeveria i ka ndarë. Çështja është për kërkesat shtesë buxhetore, të cilat ne vetë si institucion nuk i kemi planifikuar. Në anën tjetër, është e nevojshme që të kërkojmë buxhet shtesë. Që një javë e kemi bërë kërkesën. Sa ju kërkojmë institucioneve, duhet t’i kërkojmë edhe vetes që t’i kryejmë punët tona, natyrisht edhe institucionet tjera presim që t’i kryejnë”, deklaroi Krasniqi.
Polemika mes dy anëtarëve vazhdoi, me Gashin që theksoi se Krasniqi po vepron si zëdhënës i Qeverisë.
“Unë Hekuran Muratit s’i bëra pyetje këtu. Po e trajtoj si shqetësim. Nuk je zëdhënës i qeverisë”, u shpreh Gashi.
Krasniqi reagoi duke thënë se po bëhet dezinformim publik rreth çështjes së buxhetit.
“Thatë që nuk ka ndarë qeveria buxhet – nuk është e vërtetë. Duhet me pranu që dezinformohet publiku. Qeveria ka ndarë që vitin e kaluar këtë buxhet. Me mediat të caktuara që i keni, e keni dezinformuar publikun”, iu kundërpërgjigj Krasniqi, raporton EO.