Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pasi autoritetet serbe nuk e lejuan që të futet në shtetin fqinj.
Ai kishte paralajmëruar vizitën që do ta bënte në komunën e Preshevës, ku do të takohej me kryetaren, Ardita Sinani, vizita në institucione të kulturës, takim me organizata rinore dhe kulturore.
Por, ai nuk u lejua të kalonte kufirin vetëm një orë para kohës së planifikuar.
“Serbia e vazhdon lojën e ndytë, në Bruksel flet për konstruktivitet dhe avancim në zbatim të marrëveshjes për vizita zyrtare, ndërsa ende pa u kthyer në Beograd refuzon kërkesën tonë. Përkundër që kemi ndjekur dhe respektuar të gjitha procedurat e nevojshme për tu pajisur me leje që të zhvillojmë një vizitë në Luginën e Preshevës, kjo na u mohua nga institucionet e Serbisë. Qeveria e Serbisë refuzoi hyrjen në Serbi vetëm një orë para kohës së planifikuar, duke shkelur afatin 48-orësh të përgjigjes, siç parashihet në Marrëveshjen e Brukselit. Qëllim i vizitës sonë ishte takimi me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe vizita në institucione të kulturës, takim me organizata rinore dhe kulturore. Përkundër kësaj, ne do të vazhdojmë t’i mbështesim e të jemi pranë qytetarëve të Preshevës, teksa Serbia vazhdon ta dëshmoj e ridëshmoj se nuk është e interesuar për marrëdhënie normale fqinjësore”, ka shkruar Çeku.
Ndaj kësaj ndalese ka reaguar edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.



