Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Rutte, i tha Trumpit se gatishmëria e tij për të marrë pjesë në garancitë e sigurisë përbën një “përparim të madh” dhe “bën gjithë ndryshimin”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Von Der Leyen, bëri thirrje për të punuar së bashku për “një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, ndërsa kryeministrja e Italisë, Meloni, e quajti mbledhjen “një ditë të rëndësishme dhe një fazë të re.”
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha se beson se ata mund të bëjnë “përparim real” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, veçanërisht sa i përket garancive të sigurisë.
Ai tha se një takim trepalësh është “hapi i arsyeshëm i radhës”.
Me atë takim të mundshëm dhe me garancitë e sigurisë, kjo do të ishte një hap “historik” përpara, tha ai.
“Po flasim për sigurinë, jo vetëm të Ukrainës, por edhe për sigurinë e Evropës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, prandaj kjo është një çështje shumë e rëndësishme”.
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, tha se fakti që ata ishin ulur rreth tryezës ishte shumë domethënës – duke treguar se “Ekipi Evropian dhe Ekipi i Shteteve të Bashkuara po ndihmojnë Ukrainën”, raporton rel.
Ai tha se Finlanda ka një kufi të gjatë me Rusinë dhe kishte përjetuar sfidat e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Stubb shtoi se “ne gjetëm një zgjidhje në vitin 1944, dhe jam i bindur se edhe në vitin 2025 do të mund të gjendet një zgjidhje për ta përfunduar luftën agresive të Rusisë dhe për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.