Presidentja Vjosa Osmani ka takuar zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.
Presidenca ka njoftuar se në takim, është diskutuar për forcimin e mëtejshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t’i përmbushur synimet e përbashkëta strategjike.
“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj të thellë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve ndaj Kosovës, duke shtruar nevojën e dialogut strategjik me SHBA-në, si një hap i rëndësishëm në fuqizimin e partneritetit, kërkesë kjo që ka vite që është përcjellë nga Presidentja Osmani. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke potencuar se një Kosovë e integruar në Aleancën Veri-Atlantike forcon sigurinë e vendit, por kontribuon edhe në stabilitetin e rajonit. Në takimin me Kasanof, Presidentja Osmani diskutoi edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, siç është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë”, thuhet në njoftim.